Mendime mbi romanin “MISTERET E PARISIT TË VOGËL” të shkrimtarit Kristaq Turtulli

0
1959
Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

nga Astrit Lulushi

“Parisi i vogël” është padyshim një qytet plot mistere. Por çka e tërheq lexuesin është ajo që shqiptarët e djeshëm e të sotëm nuk kanë mundur ta kuptojnë; është misteri i filantropisë e i bamirësisë, mister pa të cilin çdo flijim, vuajtje, çdo punë e pikë djerse shkon kot,dhe qyteti nuk bëhet si “Parisi”.

Na ishte një herë një i pasur…kjo është fabula që përcjell romani…Çdo gjë varet se ç’do të bëjë ai: a do ta përdorë pasurinë për t’u bërë edhe më i pasur duke përçmuar, shfrytëzuar, mashtruar, vjedhur, shtypur të tjerët? Apo do ta vërë pasurinë e tij në funksion të zhvillimit për të bërë veten dhe të tjerët më të pasur dhe mbarë qytetin shembull përparimi?

Dhe autori Kristaq Turtulli, zgjedh për të pasurin rrugën e dytë: udhëtimet jashtë vendit i ai i përdor jo thjesht për luks, mburrje e shpenzime për veten, por për të nënshkruar kontrata, marrëveshje biznesi me investitorë të huaj për tërheqjen e veprimtarisë së tyre në këtë qytet të vogël. Për të huajt, që nuk e njohin a nuk e paragjykojnë Shqipërinë, i pasuri bëhet një ambasador dhe jo i korruptuari, grykësi i pangopuri, siç njihen sot “parallinjtë” dhe fëmiljet e tyre kur dalin për pushime në ishuj a kur udhëtojnë me xhepa plot e fodullëk nëpër botë.

Romani zhvillohet në kohë të shkuar në qytetin e Korçës, sjell historinë e tij me heronj e “karnavale” dhe përhapet në mbarë Evropën, e përsëri në “Parisin e vogël”. Kristaq Turtulli, njohës i mirë i terrenit, tregon me stil të zhdërvjellë, me gjuhë plot metafora e personazhe të larmishëm, se filantropia është virtyt i njeriut që ndjen e që ka. Dhe Korça (Shqipëria) është e pasur me të dyja. Qyteti është me fat me pasanikë të tillë, me shpirt për të gjithë.

Por fatkeqësisht, ata duket se ekzistojnë vetëm në roman, dhe autorit që i digjet zemra për vendin e tij. Prej afro 20 vjetësh, Kristaq Turtulli jeton në mërgim, në Kanada.”Misteret e Parisit të vogël”, në amazon.com

Romani MISTERET E PARISIT TË VOGËL I shkrimtarit të talentuar Kristaq Turtulli është ftesë a thirrje për shqiptarët kudo të mos harrojnë e të kujdesen për vendlindjen e tyre, për ta bërë atë “Paris”, simbol të kamjes dhe qytetërimit. Tani për tani kjo duket Utopi, por mund të bëhet ëndërr e pastaj realitet; Dhe “Misteret e Parisit të vogël” i Kristaq Turtullit ofron një rrugë, që mban emrin “Bamirësia”.

ASTRIT LULUSHI