REFLEKTIME MBI DUKURITË SOCIAL-POLITIKE NË SHOQËRINË KOMUNISTE DHE POSTKOMUNISTE NË LIBRIN “ELEGJI”

0
1609

Nga Qatip Mara

PËRMBLEDHJE ME POEZI, TË AUTORIT ABDYL ALI KOPRECKA

Para pak kohe kam shkruar shkrimin “SFIDAT E JETËS TË INTELEKTUALIT ATDHETARIT TË PËRKUSHTUAR SHQIPTARO-AMERIKAN ABDYL ALI KOPRENCKA”, në të cilin përshkruhet kalvari persekutues Koprencka nga diktatura komuniste. Kisha biseduar disa herë me intelektualin e talentuar shqiptaro-amerikan Abdyl Koprecka për vuajtjet e tij, por nuk e dija se kishte pasur në botim librin “Elegji”, përmbledhje me poezi. Në ditën e shenjtë të krishlindjeve më erdhi në shtëpinë e banimit dhe më solli librin e tij botuar nga shtëpia botuese “PEGI” Tiranë. U befasova kur më dhuroi librin me autografin :

“ Me shumë respekt z. Qatip Mara, ja dhuroj, që kur të ketë mundësi ta lexojë e të kujtoj atdheun tonë të dashur nëpërmjet këtyre vargjeve. Abdyl Ali Koprencka, dhjetor 25, 2017”.

Fjalë pak, racional në konsumimin e kohës, me thjeshtësi e modesti më tregoi se në vitet e rinisë kishte pasur prirje për letërsi, por nuk mundi të shkruante se e dinte që lufta e klasave do ja pengonte lirinë e botimit. Në faqen e parë të librit është vendosur dedikimi librit, në të cilën shkruhet :

“Këto vargje ja kushtoj dy prindërrve të mij dhe tezes sime të shtrenjtë Rasika, e cila mendoi më tepër për mua se për fëmijët e saj. Këta të tre,në mënyrë të pavarur, më dhanë kurajo dhe forcë për të mbijetuar periudhën e diktaturës komuniste në atdheun tim-Shqipëri”

Në parathënjen e librit, autori Abdyl Ali Koprencka shkruan :

“- Poezitë e paraqitura në këtë përmbledhje përshkruajnë karakterin dhe fizionominë e një tipi të njeriut të sotëm. Ky profil real lindi u rrit dhe u zhvillua gjatë sundimit gjysmëshekullor të periudhës mbas Luftës të Dytë Botërore. Populli shqiptar brenda kufijve politikë arriti të mbijetojë në këtë periudhë fatale: kriminale dhe tërësisht antishqiptare.
Në krye të kësaj periudhe vendoset një figurë demoniake dhe sadiste që nuk është parë ndonjëherë në historinë e këtij populli.Në analizë të kësaj periudhe ky Neron shkatërroi në themel gjithçka shqiptare. Shkatërroi njeriun,historinë shekullore shqiptare dhe tentoi ti japë drejtimin e tij paranojak,në shërbim të familjes së tij dhe të një gupi të vogël,besnik të interesave të tyre personale.

Me botën ka lindur absurditeti. Absuditeti shqiptar është krejt i veçantë, i pa krahasueshëm me ndonjë vend tjetër, përjashtuar atë të regjimit të Pol Potit dhe Jung Sarisit në Kamboxhia, me ndryshimin që ky regjim nuk vazhdoi gjatë. Kjo periudhë gjysmëshekullore e sundimit të kuq ishte një fatkeqësi kombëtare, antishqiptare, e mbuluar nga një propangandë krejtësisht e rreme.

Normalisht, para se të mbillet një bimë studiohet përmbajtja e tokës, kushtet klimaterike, etj, me qëllim që të merren prodhime optimale. Lind pyetja: mos qe fati këtij populli që ky absurditet gjeti të gjithë kushtet e zhvillimit pët ta zhvilluar këtë dukuri në mënyrë të tejskashme? Mendoj që disa faktorë të cilët kanë ndikuar në këtë drejtim kanë qenë: a) reliefi, b) mungesa e zhvillimit, që sjell padijen, c) karakteri ashpër shqiptar, d) mosmarrëveshjet me njeri–tjetrin ( e ka bazën te varfëria shekullore), e) prapambetja e seksit femër dhe mbi të gjitha f ) fqinjësia jonë në veri dhe në jugë me armiqtë shekullorë të kombit tonë.

Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Kontinentit, të Ballkanit po se po.Është e drejta e tyre e natyrshme të jenë të bashkuar në një shtet. Por Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë që kufizohet me veten e vet në të gjithë shtrirjen gjeografike të saj.Shqiptarët qysh në shekujt e kaluar janë të shpërndarë në të gjithë rruzullin tokësor. Ata kanë mundur të punojnë dhe të begatojnë jetën e vet dhe atyre që kanë bashkjetuar me ta, pa mundur ta realizojnë këtë normalisht në vendin e tyre, edhe sot e kësaj dite. Por kjo nuk duhet të jetë zgjidhja.

Raportet me fqinjët kanë sjellë fatkeqësitë më të mëdha të shqiptarëve. Fqinjët tanë edhe sot e kësaj dite nuk e kanë ndryshuar në thelb qëndrimin ndaj nesh. Nga ana tjetër sundimi i gjatë turk e la shumë mbrapa zhvillimin e shqiptarëve në trojet e veta. Nryshimet gjuhësore, zakonore dhe fetare patën edhe ato ndikimin e vet negativ. Më në fund edhe Perandorisë turke i erdhi fundi dhe ajo nuk ishte në gjendje të mbronte kufijtë e saj,posaçërisht kufijtë me Evropën. Ne u ndodhëm krejtësisht të pambrojtur dhe të papërgatitur për të përballuar orekset shoviniste të fqinjëve grabitqarë sllavo-grekë.

Pa ndihmën e Austro-Hungarisë, e më pas të SHBA, ne nuk do të ishim as kaq sa jemi sot. Kurrë nuk duhet harruar kontributi jetik i tyre. Pa ndihmën vendimtare të SHBA,këtij kampioni botëror të lirisë dhe demokracisë, Kosova dhe shqiptarët e Kosovës do të ishin edhe sot nën zgjedhën serbo-sllave.

Serbo-sllavët organizuan dhe drejtuan një bandë kriminale dhe antishqiptare e cila u vu plotësisht në shërbim të interesave të tyre, nën flamurin e internacionalizmit proletar, duke e izoluar Shqipërinë dhe shqiptarët nga bota e qytetëruar me të cilën ajo kishte lidhjet natyrore dhe shpirtërore. Asnjë pushtues nuk i ka masakruar ,shpronësuar, dhe përçarë shqiptarët si regjimi diktatorial komunist. Në këto kushte as që mund të bëhej fjalë pët të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga serbët, dhe shqiptarët e Çamërisë nga grekët. Madje edhe ata çamë që për t’i shpëtuar gjenocidit grek lanë vatrat e tyre dhe kërkuan strehë në shtetin e tyre amë, u trajtuan ashtu siç u interesonte atyre që i masakruan dhe shpronësuan, dhe Qeveria Komuniste Shqiptare kurrë nuk i denoncoi masakrat greke ndaj tyre dhe kurrë nuk kërkoi të drejtat pasurore të tyre. Këtyre masakrave dhe këtyre padrejtësive kriminale iu vu një kapak ari me veprën “Dy popuj miq”.

Fati shqiptarëve në shtetin amë nuk ishte më i mirë: nuk mjaftoi varfërimi ekonomik që ishte pasojë e shpronësimit dhe kolektivizimit të skajshëm, por shqiptarët u ndëshkuan rreptë dhe u përçanë keqas nga lufta e klasave që ishte “forcë lëvizëse” e shoqërisë dhe që eliminoi edhe në letër çdo të drejtë njerëzore, e cila nuk ekzistonte as si koncept. Çdo ide perëndimore, jo vetëm për lirinë e demokracinë, por edhe për artin, kulturën, estetikën, dhe deri mënyrën individuale të të jetuarit ishte një herezi që ndëshkonte në mënyrë të skajshme mbartësin e ideve ( pa le materializuesin e tyre) dhe njëherazi edhe gjithë farefisin, madje edhe rrethin shoqëror të tij.

Puna dhe mundi ndër breza i jo pak shqiptarëve më me fat dhe më të aftë, në mënyrë të pazakontë ishte akumuluar në qypa me florinj, të cilët nuk i shërbyen as zhvillimit të vendit dhe as pronarëve të tyre, madje ata e paguan këtë mund dhe fat me jetën e tyre, apo me burgime dhe me persekutime të përjetshme të të afërmve të tyre, nga kusarët komunistë, të cilët nuk i vunë ato në shërbim të vendit.

Të gjitha këto bëma të diktaturës komuniste, që maskohej nën emblemën e diktaturës të proletariatit, prodhuan për pjesën më të madhe të shqiptarëve varfëri, injorancë, dhunë fizike dhe psikologjike dhe patën si produkt final “krijimin e njeriut të ri”, i cili vazhdon të jetojë edhe një brez mbas përmbysjes de juro (por jo de facto), të komunizmit në Shqipëri, duke mbartur veset më të ulta e më të dëmshme njerëzore si : krimin, mashtrimin, vjedhjen, parazitizmin dhe imoralitetin në përgjithësi. Ky njeri është gjallë dhe aktiv, madje në sferat më të larta (shikoni Kuvendin aktual të Shqipërisë), prandaj tranzicioni shqiptar nuk mbaron dhe nuk dihet se kur do t’i vijë fundi.

Nuk mund të përfundojë tranzicioni pa një vlerësim të të shkuarës e cila të ndihmon të kuptosh të tashmen dhe mbi të gjitha të projektosh të ardhmen

Konkretisht mendoj se Shqipëria jonë e dashur dhe e shumëvuajtur nuk mund të hyjë në rrugën e duhur të zhvillimit e përparimit, duke u bërë antare e denjë e Bashkimit Evropian:

– Pa u ndarë nga diktatura komuniste e ithëtarët e saj, duke e ndëshkuar atë
– Pa kthimin e drejtë të pronës
– Pa dëmshpërblimin moral dhe ekonomik të të persekutuarëve politikë.
– Pa rishikimin e pronave dhe pasurive të vëna rishtas
– Pa dekriminakizimin e politikës dhe administratës në përgjithësi.
– Pa liritë ekonomike dhe tregtare.

Dhe mbi të gjitha

– Pa vendosjen e shtetit ligjor
Abdyl Ali Koprencka “

Redaktoria letrare Ardiana Hysenbegasi, duke analizuar librin “Elegji” Përmbledhje me poezi të autorit Abdyl Ali Koprencka shkruan:

“Autori poezive reflekton ndaj dukurive social-politike në shoqërinë komuniste dhe postkomuniste, por në një terren të veçantë gjeopolitik siç është Amerika, simboli i demokracisë. Kjo është arsyeja që e bënë autorin të jetë ironik e sarkastik ndaj pseudodemokracisë shqiptare, që në këndvështrimin e tij është fallco dhe vetëm për të mbrojtur mbeturinat e komunizmit dhe pinjollët e tij. Autori ka vuajtur shumë, duke u persekutuar gjatë gjithë kohës të diktaturës komuniste, prandaj urrejtjen dhe mallkimin ndaj kësaj së keqeje të njerëzimit e ka në shumë vargje si:

“Kur na erdhi vërshimi kuq,
Gjithë shekujt kanë shkue huq”

Komunizmi shkatërroi gjithçka të mirë, sidomos në moralin e vetëdijen e shqiptarëve.

“Hipokrizi dhe dashuri,
Janë plotësisht n’harmoni,
Harmoni e mjerimit,
I shërben vetëm shkatërrimit,”

Autori pavarësisht që nuk është nga Shkodra, ka gjetur një farë strehe dhe është rritur në këtë qytet,djep i tolerancës, qytetarisë dhe kulturës. Qyteti i dhembej në kohën e diktaturës, kur shihej si simbol i qëndresës antikomuniste, por edhe sot që nuk ka marrë atë që meriton në zhvillimin e tij:

“Shqipërinë mbrapa e kanë çue,
Njat Shkodër na e kanë shkatërrue..”

Në shumë poezi si : “Dhanurët”, “Motoçikleta”, “Azili”, autorin e vret shumë shpirtërisht hipokriti, servili, imorali, spiuni, i paafti, që përbëjnë “tipin” e njeriut që krijoi diktatura. Këtë njeri autori, fatkeqësisht e takon shpesh edhe në Amerikë si “azilant politik”.
Ky tip del në shumë vargje si:

Jam i zoti, trim i vjetër,
Medaljen e kthej n’anën tjetër,”

Ose

“Unë kët punë kam ba gjithmonë,
Unë jam qenë që gëzon të zonë,”

Është ky lloj karakteri që e vret shpirtin e sinqertë të autorit. Këtë realitet të hidhur ai e ka ndjerë nga afër, mbasi ka kontaktuar vazhdimisht në punën e tij me njerëz të tillë në Amerikë. Presioni i këtyre pseudo të persekutorëve e revolton autorin :

“Miqt e mij ish sekretarë,
Azili bash me të parë.”

Autori rrjedh nga një familje patriotike – të parët e tij kanë qenë nismëtarë të nënshkrimit në Dokumentin e Pavarësisë. Këtu e ka burimin edhe pathosi për dashurinë ndaj Shqipërisë, por jo të përpjestuar, siç e thotë bukur vetë autori , por me kufijtë natyrorë:

“Komunizëm dhe sllavizëm,
Jeni veç për terrorizëm,
Shqiptarët i shkatërruat,
Shqipërinë e përpjestuat.”

Autori nëpërmjet poezive ka shprehur botën e tij të brendshme, duke reflektuar, medituar, për shumë dukuri të realitetit, prandaj tipari poezive të tij është sinqeriteti, thjeshtësia e të shprehurit. Nuk është përpjekur shumë për një formë të ngritur artistike, por ka ruajtur me zotësi në shkrim dialektin e Veriut, kjo nga dashuria për qytetin e tij, Shkodrën. Në të gjithë krijimet e ka ruajtur strofën katërshe, karakteristikë kjo për poezinë e traditës.

Poezitë dallohen edhe për tonin polemizues ironik karakteristik për autorët tanë të Veriut si Fishta, Mjeda, etj. Nën ndikimin e poezisë popullore shumë vargje kanë vlerën e fjalëve të urta, si:

“Sepse kështu duhet me mësue,
Lumin në kambë me e kalue.”

Gjithmonë nën ndikimin e poezisë popullore, nuk mungon humori në poezitë për skuadrën e zemrës Gjermaninë:

“Kur gjermanët lëshojnë kushtrimin.
Braziljanët ndjejnë trishtimin,”

Autori në këtë mënyrë i qëndron besnik realitetit njerëzor, që përmbledh bashkë : trishtimin, dhimbjen, por edhe gëzimin. Autori ka lëvruar me sukses rimën e puthur që i jep vargjeve muzikalitet.

Poezitë lexohen me kënaqësi për sinqeritetin, thjeshtësinë e shprehjes dhe të ndjenjës. Shumë herë në letërsi mungesa e një figuracioni të ngritur , formë artistike të ngarkuar, luan rol pozitiv në forcimin e thjeshtësisë së shprehjes, gjë që është me shumicë në këto poezi.” (A.H)

Libri “Elegji”, përmbledhje më poezi i autorit Abdyl Ali Koprencka fillon me poezinë :

“Epitaf mbi varrin e nji plehu”
(Duke qenë në shtratin e vdekjes, përpara gjykimit final)

Autori kritikon, fshikullon e denoncon ligësinë e njeriut mashtrues që me besnikëri i shërben diktaturës komuniste, por edhe sot në periudhën e tranzicionit duke dhënë detaje të veprimeve negative. Nëpërmjet vargjeve përcjell mesazhe filozofike për jetën e vështirë,të dyzimit të personalitetit të individit. Si:

“……………………………..
“Ishit shum’i lumtëruar,
Me kriminilë i flirtëruar,
Poshtërsinë e përpunove,
Me gruan bashkë punove.

N’birë t’gjilpanës ke kalu,
Begatinë tande ke plehnu,
Gruaja jote n’gadishmëni,
Me mbulu çdo poshtërsi.

………………………………

N’kry t’pjacës fillon mashtrimin,
Pa shku n’fund jep kushtrimin.
Asht kushtrim prej faqeziu,
Nji çfit porsa e shkriu.
…………………
Me vetmohim mbron mohimin,
Për me mbrojt me zor shkëlqimin,
Andron ditë andron natë,
Kujton Shkodra han bar t’thatë.
………………………………
Për njat be për njat djalë.
Mjer kush e ka në atë mëhallë
Por mëhalla asht e kuqe,
Lezetohet me kët buzëburbuqe
………………….
Familjes tande baltë i hodhe,
Makiavelit ia kalove,
Kur balta n’fytyrë t’ra,
“Asht mjalt” the, “jo shaka”.

Baltë, moj baltë!,
Shumë ftyra ke mbulue,
Kët lloj insani,
Kurrë nuk ke harrue.”

Autori duke u mbështetur tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, shprehet qartë, depërton në botën e individit me përsiatjet e tij subjektive, dhe zbulon botën e tij të brendshme. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizimin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, e herë –herë i zi brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Detajet e goditura u japin forcë shprehëse të 50-të poezive të librit “Elegji”. Duke lexuar vargjet e poezive ndjen vetveten te ato dukuri social-politike që brezi im i ka përjetuar me shumë trishtime e dhimbje.

Në poezinë “Elegji” që është edhe titulli librit, autori Abdyl Ali Koprencka shpreh me dhimbje kujtimet e hidhura të fëminisë, të persekutimit të egër komunist. Ai bisedon në heshtje me shpirtin e babait të tij të shtrenjtë Ali Xhelal Koprencka që ishte ndarë në moshën 2 vjeçe, duke mbetur jetim. Në çdo varg të poezisë “Elegji” janë lotë dhimbje për ndarjen për së gjalli të babait me djalin dy veç, të cilët nuk u takuam fizikisht kurrë nga izolimi kuçedrës komuniste shqiptare. Ato janë lotë dhimbje me një revoltë antikomuniste duke pasqyruar realitetin e hidhur të djeshëm,por edhe të sotëm trishtues.

Zemra e autorit Abdyl Ali Koprencka ushqen dashuri të pakufishme për babanë e tij të dashur prej të cilit nuk pati fatin të merrte ledhatimet atërore. Megjithëse ishte i mitur , e kujton me shumë dashuri dhimbje.

“Edhe jam tuj shkue,
Përsëri tuj t’kërkue,
Tuj t’kërkue ditë e natë,
Vedi im nuk gjen rehat.

Për ty jam përgjërue,
Zemër, shpirt janë lëndue
Jam gadi me u ba fli,
Nji minutë me ndej me Ty!

Që kur ike je largu,
Truni im asht përvlu.
Ashtë përvëlu, asht përzhitë,
Veçse vorri e gaditë.
………………………..
Tuj shiqu Yjet e Hanë,
Tuj vrapu mbas çdo zanë,
Dy fjalë për me ti çu,
Yt bir gjithmonë me ju!

Ftyrën tande tuj imagjinue,
Frymën tande kam dëshërue,
Tuj kërku përkëdhelite,
Zani yt kurr’ nuk m’asht shqitë!

Autori Abdyl Ali Koprencka i rritur jetim në rrebeshet e luftës së klasave ishte hidhëruar me helmin e përhershëm që nuk ishte pran babait të shtrenjtë doktor Ali Xhelal Koprencka , kur kishte mbyllur sytë përjetsisht në 16 korrik 1983 ,jashtë atdheut që e kishte dashur më shumë se vetveten.

Në të gjitha poezitë e librit “Elegji” autori shfaqet gjithmonë i dashuruar me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarët dhe ndjen dhimbje malli për zvillimin dramatik të ngjarjeve të kaluara e të ditëve të sotme, dukuri social-politike që janë bërë objekt frymëzimi dhë lëndë më të cilat brumosi poezitë që paraqet para lexuesit. Autori ka pasqyruar realisht ,pesëdhjetë vitet e sistemit totalitar,që Shqipërinë e katandisën në një krizë të thellë ekonomike, morale e të besimit.

Me ndryshimet e sistemit politik nga totalitar në pluralizën politik autori shpresonte në ndërtimin e një shoqërie, ku njerëzit të jetonin në liri politike e liri prone dhe në barazi para ligjit, ku të mos kishte padrejtësi e gjymtime ndërgjegje; shpresonte në një shoqëri të mendimit të lirë dhe të individit të lirë dhe priste që ajo ditë të vinte, që plaga e sotme të mos bëhet gangrenë e së nesërmes.

Autori është i zhgënyer nga periudha e zgjatur e tranzicionit shqiptar. Në poezinë “Nën hijen e ministrit” shkruan:

“Po ta shohësh në miniaturë,
Asht Enveri nën lëkurë.
Po ta shohësh drejpërdrejt,
I ngre sytë bash pëpjet.

Po ta kthesh në anën tjetër,
Ka ngjasim me një kuçedër.
N’pranverë, n’kohë t’trandafilit,
Sytë i ka si t’krokodilit.

Duke përfunduar së lexuari librin “Elegji”, përmbledhje me poezi të autorit Abdyl Ali Koprencka ndjen kënaqësi për ta rilexuar përsëri, sepse në çdo varg ka mendime racionale sintetizuese për jetën, lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor…

Qatip Mara
Nju Jork, 27.12.2017