A mund të kërkojmë drejtësi prej shkelësve dhe mohuesve të saj ?

0
598

Nga Musa Sabedini

Seancat gjyqësore janë çështje edukimi dhe problem psikologjik i të akuzuarve ndaj trupit gjykues, por mos njohja e trupit gjykues, paragjykimet ndaj trupit gjykues, mos bindja ndaj trupit gjykues ose fyerja dhe ofendimi që po ndodhin çdo ditë nga ana e njerëzve, me ndikim në jetën publike e politike, nuk janë asgjë tjetër, veçse mungesë kulture dhe mungesë respekti për institucionet më të ndjeshme, prej nga pritet të zhvillohet Kosova.

Është e habitshme edhe heshtja ose mos deklarimi real edhe i dëshmitarëve në procesin e gazit lotsjellës. Të presësh nga kjo kategori drejtësi dhe të presësh drejtësi nga ata që e shkelin tërë ditën ligjin dhe abuzojnë me ligjin dhe nga ata që e shajnë ligjin dhe nuk e njohin ligjin, është baras me krimin.

Deklarata e dëshmitarit në çdo proces gjyqësor është e shenjtë, është e shenjtë për faktin se nga deklarata e tij varet fati i personit që ndodhet në bankën e të akuzuarit, ose të akuzuarve. Andaj edhe me shumë vëmendje po përcillet procesi ndaj grupit të VV dhe më shumë dhe më me interes për mua, janë deklaratat e dëshmitarëve, çfarë kanë për të thënë ata, si do të sillen para trupit gjykues, si do ta trajtojnë vetë ata procesin e kështu me radhë.

Kam përcjellë qindra procese gjyqësore dhe i di shumë mirë lojërat, qoftë të dëshmitarit, të prokurorit, apo edhe të trupit gjykues ndonjëherë. I akuzuari është në një pozitë tjetër, pavarësisht se në këtë proces gjyqësor të akuzuarit po ndihen shumë komod dhe po kanë kohë të fyejnë e ofendojnë trupin gjykues, pa përjashtuar këtu edhe gafat dhe skenat “politike” që kohë pas kohe po i bënë edhe vet kryetari i trupit gjykues.

Ka plot raste, madje edhe vrasje e rëndë, vrasje me paramendim ose edhe krim i organizuar, apo gjenocid, kur i akuzuari vendos të heshtë dhe të mos flas. Kjo realisht është mënyra më e mirë dhe më normale që një i akuzuar të mos përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues, gjegjësisht kryetarit të trupit, të prokurorit dhe dëshmitarëve, apo palëve mbrojtëse.

Por të ofendosh, të fyesh, të akuzosh trupin gjykues, ose prokurorin se i takon këtij apo atij klani mafioz, vërtet është e pafalshme. Nëse qytetaria e Kosovës, ose pala e pakënaqur është distancuar me kohë nga ata që shkelin ligjin, ose abuzojnë me të çdo ditë, tash si t`i besohet grupit tjetër që synon të marrë pushtet dhe gjoja të respektojë ligjet dhe të bëjë drejtësi e, në anën tjetër, ata janë protagonistë kryesorë të shkeljes së ligjeve dhe abuzimit me ligjin. Përfundimisht po del shumë dëshpëruese kjo kategori, në sy të qytetarit të sinqertë.

Mos paraqitja e Kadri Veselit për të dëshmuar, paraqet një refuzim të bashkëpunimit me drejtësinë. Kadriu, me këtë gjest, vetëm tregoi se edhe ai njëjtë do të vepronte sikurse këta të akuzuarit e tanishëm.

Nuk do të dëshmojë sepse ka fuqi, nuk do të dëshmojë sepse do të përballet me situata të pakëndshme në këtë proces gjyqësor. Do të ishte shumë burrërore dhe shumë institucionale që Kadri Veseli të dëshmonte dhe ta tregonte realitetin. Ne të gjithë e dimë dhe e kemi parë realitetin, bile po befasohem pse Albini dhe të tjerët nuk po pranojnë publikisht se e kanë gjuajtur gazin lotsjellës. Asgjë të keqe s`ka këtu. Kauza duhet të arsyetohet, siç tha vet Ramushi.

Por mohimi i gjithçkaje dhe linçimi publik i prokurorit, është vrasje e drejtësisë, është goditje ndaj njerëzve që kanë kompetenca e përgjegjësi juridike për të ndjekur të keqën dhe për ta gjetur fajtorin.

Nuk e kam ndërmend të paragjykoj asnjë vendim final të trupit gjykues, por kam vërejtje edhe te kolegët e mi, të cilët ende pa pasur një proces final, bëjnë komente të vendimeve gjyqësore.

Vendimet gjyqësore nuk komentohen, të paktën jo derisa merret vendimi final. E keqja më e madhe është se këto vendime po politizohen pastaj. Nuk e përjashtoj asnjë mundësi që këta gjykatës e prokurorë janë të kapur, bile ka të atillë që as bukë nuk hanë pa dhënë raport tek “shefat”, ama ka prokurorë shumë të guximshëm dhe profesionistë, që vërtet duhet t`i motivojmë dhe t`i avancojmë në fushën e tyre.

Krimi është pothuajse i njëjtë, si ata që e shkelin ligjin, si ata që e mohojnë, ose e akuzojnë njeriun që duhet të respektojë dhe të marrë vendime në emër të ligjit.

Nuk duhet harruar se të akuzohesh për terrorizëm, nuk është lojë. Unë, kur marrë ndonjë tiketë në trafik, tërë natën merakosem sepse duhet të paguaj 35 euro gjobë, e mos të flas të akuzohesh për terrorizëm apo krim të organizuar.

Si të ndjehemi rehat kur Dardan Gashi shtie me armë në vend publik, ose ndonjë zyrtar tjetër e del Ramushi dhe e amniston. Po e kërkojmë çdo ditë derën e Evropës, por dera e saj do të jetë e mbyllur për ne, përderisa këtu abuzohet me ligjin dhe drejtësinë.