Midis dy zjarreve

0
526

Nga Diadema Stil

Ngjarjet e fundit në policinë e shtetit, ku një pjesë e konsiderueshme e oficerëve dhe drejtuesve të saj nëpër rrethe e qarqe po hetohen për afera me botën e krimit dhe kultivimin e trafikimin e lëndëve narkotike, e ekspozoi pjesën më të shëndetshme dhe më qëndrestare të strukturave të policimit mes dy zjarreve: kriminelave dhe trafikantëve në njërën anë dhe kontigjenteve të uniformave blu të lidhur me krimin dhe trafiqet, në anën tjetër. Asnjëherë si gjatë këtyre dy tre viteve të fundit, elementët e përkushtuar të antikrimit në polici dhe drejtësi nuk kanë qenë më të ekspozuar ndaj presioneve të botës së krimit, të bandave dhe grupeve kriminale me suport politik dhe mbrojtje nga disa që duhet të ishin në ballë të luftës ndaj tyre.

Rasti i Zaganit, ish efektivit të antidrogës, i cili u përndoq nga vetë drejtuesit e policisë, për shkak se denoncoi aferat korruptive dhe lidhjen e strukturave të larta policore që shkonin deri tek ish ministri i Brendshëm Tahiri me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, është vetëm maja e ajsbergut e këtij realiteti të rëndë.

Nuk është rastësi që mjaft efektiva policore janë vetëlarguar ose përzënë nga radhët e uniformave blu, siç nuk është rastësi që vrasja e policëve po kthehet në diçka të zakonshme në këtë vend, që pobën përpjkekje sizifiane për të dalë nga rrethi i të keqes njëçerekshekullore.

Vrasja e oficerëve model të policisë, që nga vrasja e kolonel Arben Zylyftari, tek dhjetëra vrasje ikonash të luftës kundër krimit, duke përfshirë ish komisarin e komisariatit nr 6 Tiranë Dritan Lamaj, tek vrasja e ish drejtuesit të lartë të policisë Artan Cuku, është shoqëruar me një ngushtim të këtyre dy zjarreve mbi pjesën më qëndrestare të policisë së shtetit.

Kthimi i vendit tonë në një lloj Kolumbie droge, ku narkotrafiku nuk përbënte më lajm, e thelloi këtë presion të dyanshëm të botës së krimit dhe të inidividëve në drejtimin e policisë të lidhur me to.

Rasti i drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për afera me krimin e organizuar dhe të cilët kanë ikur në drejtim të paditur, e bën akoma më të trishtë dhe më të rëndë këtë realitet kompromentues.

Ish inspektori i policisë në Rrëshen Mirditë, Fran Lleshaj është ndier nën këtë presion të dyfishtë që nga viti 1998, kur ka nisur betejat ligjore me drejtues policie të korruptuar, të cilët e kanë vënë në shenjestër, e kanë hequr nga puna dhe shantazhuar, vetëm për faktin se zbatonte me korrektesë dhe pa u lëkundur ligjin. Shtypi do të quante z. Fran Lleshaj “Katani i Mirditës”, njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët do ta përgëzonin, por strukturat drejtuese policore në Rrëshen, në vend që ta gradonin, e përndoqën. Kjo përndjekje ndaj tij ka vazuduar gjatë gjithë kohës, ku vitin 2001, 2003, 2007, 2013, herë pas here është hequr nga puna dhe i janë krijuar situata të rënda nga eprorët e korruptuar, por ai ka fituar të gjitha gjyqet dhe ka dalë dinjitoz, siç është, ndërkohë që këtyre drejtuesve të implikuar nuk iu ka hyrë ferrë në këmbë.

Kulmi i kësaj përndjekje ndaj z. Fran Leshaj nga ata që duhet ta gradonin dhe vlerësonin, do të kulmonte pas zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2015, ku jo vetëm do ta pushonin nga puna pa asnjë motivacion, por drejtuesit e policisë Rrëshen, në bashkëpunim me elementë të inkrimnuar në Mirditë, ndaj tij kanë organizuar dhunë psikike e fizike dhe kërcënim me jetë ndaj familjes së tij. Grupet kriminale dhe bandat që Frani kishte goditur, do të vepronin, duke i vjedhur lopët në ahur dhe duke e kërcënuar dretpërsëdrejti, me telefon dhe në mënyrë verbale.

Por nuk mjaftuan këto dhe policia jo vetëm që nuk e mbrojti dhe nuk e përkrahu ish oficerin e saj të devotshëm dhe idealist (pasi eprorët e kanë flakur nga puna në mënyrën më të padrejtë dhe spekulante të mundshme), por ia marrin djalin 15 vjeçar dhe ia mbajnë në dhomat e paraburgimit në komisariatin e Rrëshenit për dyzet e tetë orë, duke qenë ende i mitur dhe pa adresuar ndaj tij asnjë lloj akuze! I detyruar nga këto rrethana kërcënuese për jetën e tij dhe të familjes, Fran Lleshaj ikën në drejtim të paditur, ndërkohë që elementët kriminalë me tepër se kurrë janë vënë në ndjekje të tij dhe të punonjësve të përkushtuar të policisë si ai, që kanë mbrojtur me jetë dhe dinjitet ligjin dhe të drejtën qytetare.

Punonjës të tillë të përkushtuar janë çdo ditë të kërcënuar me jetë nga krimi, jetojnë me “kokë në torbë”, siç thotë populli, vetëm për faktin se janë idealistë, besojnë tek ligjet e shtetit dhe luftojnë që këto ligje të zbatohen.

Pse ka devijuar në këtë mënyrë lufta kundër krimit dhe pse policët e përkushtuar, oficerët e devotshëm, që njohin vetëm ligjin dhe të drejtën në vend që të gradohen hiqen nga puna dhe bëhen “gjahu” i grupeve kriminale dhe bandave që ata kanë ndjekur dhe çuar para drejtësisë?

Në fakt, këtë pyetje e bëjnë jo vetëm shqiptarët por dhe të huajt dhe nuk marrin një përgjigje të qartë, pasi këtu, në këtë histori mpleksen shumë faktorë, por kryesorja është që policia të pastrohet nga të shitutrit tek krimi dhe të vijnë në krye të policisë njerëz të ndershëm e të përkshtuar në luftën ndaj të keqes.

Shoqëria shqiptare, hap pas hapi, përgjatë një tranzicioni njëzetegjashtëvjeçar, në vend që të krijojë modalitete mbi të cilat të ndërtohen ëndrrat dhe vizionet e njerëzve për një plotëri të jetës së tyre të jetuar me nder e dinjitet, po i braktis modelet të cilët jo vetëm i sheh si të vjetëruar e jashtë mode, por dhe i paragjykon e përjashton ata nga zyrat e shtetit, nga drejtësia dhe rendi publik etj. Sot më tepër se kurrë shoqëria shqiptare ka nevojë për modele, ka nevojë për Falkone, ka nevojë për njerëz që të ringrejnë tek shqiptarët shpresën për një jetë më të mirë dhe një demokraci funksionale.

Dërgoi për publikim, Denis Hata