POEZI SI NJË BUQETË LULESH SHUMË NGJYRËSHE PËR FËMIJË

1
1277
Bajram Bashota - kolonë cicërimash

Bajram Bashota “Kolonë cicërimash”, botoi SHB “Atunis “- Prishtinë, 2016

Milazim F. KADRIU

Vëllimi poetik për fëmijë “Kolonë cicërimash” të autorit Bajram Bashota, ka një larmi të pasur tematike ku i këndohet natyrës,prindërve, nxënësve dhe shkollës, vendlindjes, atdheut, heroizmit të dëshmorëve … Si e tillë, ky libër me poezi të shkurtra i gjason buqetës së luleve shumëngjyrëshe, sepse janë poezi për fëmijë e vetë fëmijët janë lulet me të bukura të jetës!

Libri hapet me poezinë “Shkrirja e borës” ku thotë :

“Po çka ka bora,
Nisi m’ u shkri
Marsi i ngrohtë
Tash ia ka mbërri.”

Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër…

Autori ka një ndjenjë të veçantë për fëmijët ku për këtë ka ndikuar edhe puna e tij mbi 40 vjeçare në arsim dhe kështu e njeh mirë botën e fëmijëve dhe shkruan poezitë e tij pikërisht për atë që u pëlqen më së shumti fëmijëve.

Në poezinë “ Nxënësi i mirë”, autori ndër tjera thotë :

“Të jesh nxënës i mirë / Është e madhe kënaqësi / Të duan shokë e shoqe / Nënë, baba e fqinjë, / Të do edhe mësuesja, / Se të bëhet i mirë / Nuk është e vështirë ”/ .

Bashota në këtë përmbledhje sjell poezi për të gjitha stinët e vitit dhe në to përshkruan bukuritë natyrore që sjell secila stinë veç e veç. Ndonëse natyra nga stina në stinë ndryshon, por të gjitha këto ndryshime fëmijët i duan dhe ato bukur ua paraqet autori në vargjet e tija në këtë libër.

“Erdhi pranvera / Me lule plot /Fëmijët dalin / T’ lozin me top /
……..
Vera sjell /Diell dhe vapë / Herë, herë sjell / Shi dhe shtrëngatë /
…………
Vjeshtë, o vjeshtë / E bukur vjeshtë / Ti na solle / Mollë e pjeshkë /
……..
Në fushë e n’ mal, frynë veriu / S’është përjashta më bariu / Bora bie, hiq pa ndalë / Ka zbardhë fushë edhe mal” /

Në këtë përmbledhje gjejmë edhe poezi me tema historike e kombëtare që u kushtohen datave të rëndësishme të historisë kombëtare por edhe personaliteteve të dalluara e sidomos i këndon luftës së lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorëve të sajë të rënë për liri.

Në poezinë “Kulla” autori ndër tjera thotë:

“Kur kris topi, dridhet mali
Hiq s’ frikësohet Adem Jashari
Lumja ti kullë, kënd ke brenda
Adem Jasharin me shtatë zemra.”

Ose poezia kushtuar njërit ndër luftëtarët e dalluar të UÇK-së të ZOLL i cili po si Mic Sokoli dikur u hodh mbi tankun e armikut dhe ia hodhi bombën brenda në tank. Me atë rast ai i shkaktoi humbje armikut, ndërsa vetë fitoi pavdekësinë, ishte ky Isë Havolli, ku autori ndër tjera thotë :

“Mu te tabet u flijove
Emri yt flamur Kosove”

Autori disa poezi ua kushton prindërve dhe përmes tyre i porositë fëmijët që ti duan dhe respektojnë prindërit e tyre nga se ai i cili nuk respekton prindërit,nuk respekton askënd.
Andaj bota poetike e poetit Bajram Bashota është e pasur dhe depërton thellë në shpirtin e fëmijës. Ai me vargjet e tij të pasura i bënë për vete lexuesit e sidomos fëmijët shkollar. Ai arrin të thotë shumë me pak vargje dhe kështu zgjon mendime dhe emocione dhe nxitë lexuesin që të mos ndahet nga leximi i poezive të tij. Këto vargje të thurura në këtë përmbledhje lexohen me një frymë dhe me shumë ëndje. Madje ato bëhen edhe më tërheqëse për fëmijët ngase shumica janë të ilustruara dhe ilustrimet paraqesin besnikërisht përmbajtjen e poezive.

Edhe recensenti i librit Xheladin A. Çitaku në recensionin e tij për këtë libër ndër tjera thotë: “Motivimi i autorit konsiderohet i frymëzuar nga rrjedhat e përgjithshme nëpër të cilat kalon, duke rezultuar me sajimin kompozicional të ideotematikës adapte, që përfshinë elementë bazike të edukimit formues, të cilat duhen ngulitur si përbërës të karakterit dhe personalitetit të fëmijës. Dashuria për atdheun,trimëria, tradita,historia virtyti defilojnë nëpër titujt e poezive në këtë vëllim me potencialin përmbajtjesor që i ngarkon autori, në stilin e shtuar,ritmin e vazhdueshëm,Brenda tabanit të konvencës.”

Poeti sjell edhe dy poezi në formë dialogu, ndërsa librin e përmbyll me këto vargje:

“Çdo ditë ora / Tik-takun s’ndalon / Tregon kohën / Kohën që perëndon”/

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.