Organizata e Veteraneve të Luftës së UÇK-së në Besianë njofton se organizatat e dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së më 24 dhjetor 2017, organizojnë shënimin e 19 Vjetorit të Betejës së Tabeve te Llapashticës. Fillimisht bëhen homazhe tek lapidari në Kastrat, në orën 11, ndërsa në orën 12 fillon manifestimi qendror që mbahet tek lapidari i cili ruan kujtimin për betejën dhe dëshmorët e rënë aty. Pritet që në këtë manifestim të marrin pjesë si edhe herëve tjera përpos familjarëve të dëshmorëve, ish ushtarëve të UÇK-së, zyrtarëve të pushtetit edhe shumë qytetarë liridashës nga mbarë vendi.
Milazim F. KADRIU
Betejat e dhjetorit të zhvilluara në Llap që nuk pushuan për pesë ditë me radhë, njihen si Beteja e Tabeve të Llapashticës që është një vend strategjik dhe që filluan aty më 24 dhjetor 1998. Kjo ishte njëra ndër betejat më të rëndësishme të luftës së lavdishme të UÇK-së në ZOLL. Beteja e 24 dhjetorit 1998, e zhvilluar në vendin e quajtur Tabet e Llapashticës, afër Besianës e që ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim në Vendenis, Kastrat e fshatra tjera. Kjo betejë në historinë më të re të luftës sonë për liri, njihet edhe si “Beteja e Tabeve të Llapashticës”.
Ky vend, gjithmonë është konsideruar një vend shumë strategjik për luftë. I tillë ishte edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku sidomos më 24 dhjetor 1998 u zhvillua edhe njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në ZOLL kundër hordhive pushtuese serbe. Në këtë fshat ishte e vendosur edhe komanda e UÇK-së për ZOLL-in. Forcat pushtuese serbe, të pajisura me gjithë arsenalin ushtarak ia patën mësyrë atë ditë Llapashticës sigurisht me qëllimin e vetëm për të asgjësuar komandën e UÇK-së së ZOLL-it, por nuk ia arritën dot këtij qëllimi, pasi para se të arrinin në këtë fshat u ndeshën në Tabe me forcat e UÇK-së, me ç’ rast qe zhvilluar një betejë e ashpër.
Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe, që mësyn pozicionet e UÇK-së. Sa herë përkujtojmë këtë betejë ndjejmë krenari dhe kemi parasysh edhe raportin e forcave dhe diferencën e madhe në armatim. Humbjet e serbëve në këtë betejë ishin shumë të mëdha. Sot me respektin më të madh përulemi para dëshmorëve dhe luftëtarëve të dhjetorit të madh. Jehona e asaj beteje, si edhe e betejave të Llapushnikut, Gllogjanit e shumë betejave tjera, ishin jehonë e lirisë, ardhmërisë së vendit tonë.
Ishte 24 dhjetori i vitit 1989 kur filluan betejat e pareshtura në ZOLL-it, ndërsa Llapashtica ishte shndërruar në një kala të pathyeshme për tre muaj me radhë. Muret e saj ishin çelikosur nga luftëtarët e lirisë që u bënë gur kalaje dhe nuk mundej ti rrënonte e tërë ajo makineri luftarake e pushtuesve sllav. Luftëtarët e lirisë u hidhnin si luaj mbi tank dhe nuk lëshonin pozicionet. Jeta e tyre ishte një hiq para qëllimeve që kishte lufta jonë çlirimtare. Ata dëshmuan me jetën e tyre se si duhet jetuar, luftuar dhe si duhet të vdiste për lirinë e atdheut. Ishte vazhdimësia e luftës së Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Luan Haradinajt, Mehë Ukës etj.
Në këtë betejë u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica. Sot duhet të nderojmë të gjithë ata që me gjakun e tyre na mundësuan të frymojmë lirshëm.
Para emrit dhe veprës së dëshmorëve, që ranë në këtë betejë dhe në betejat anekënd Kosovës, përulemi me respekt të veçantë. Atyre u takon lavdia e historisë dhe respekti nga të gjithë ne, ngase falë atyre ne jemi të lirë.
Rezistenca e fuqishme në Tabet e Llapashticës riktheu jehonën e betejave të mëdha shqiptare si të Grykës së Kaçanikut e Grykës së Carralevës.
Ndonëse betejat e dhjetorit të vitit 1998 filluan në Tabet e Llapashticës, vazhduan edhe në fshatrat tjera të Llapit ku djemtë e lirisë luftuan në mbrojtje të vendit si në Vendenis, Kastrat, Bradash e fshatra tjera. Në vijën e parë të frontit në Tabe patën rënë heroikisht dëshmorët : Isë Havolli, Ismet Dërguti, Lulëzim Jashari, Skënder e Miftar Zejnullahu, Bajram Murati, ndërsa në Vendenis, Avni e Fatmir Selmani, kurse tri ditë më vonë në Kastrat, Remzi Demolli dhe Jetulalh Kastrati.
Në Betejën e Tabeve të Llapashticës këtu e 19-të vite më parë, luftëtarët e UÇK-së me heroizmin e tyre shpërndan anekënd botës mesazhin domethënës se do të luftohet deri në ushtarin e fundit për lirinë e këtij vendi. Isë Havolli edhe atë ditë ringjalli edhe një herë trimërinë dhe qëndresën e Mic Sokolit, ngase u hodh mbi takun serb. Në këtë betejë luftohej duke u kënduar këngë trimërie e lavdie këndoheshin trimat shkuar trimave Zahir Pajazitit, legjendarit Adem Jasharit e trimave të tjerë.