PORTA E KËNGËS / LIRIKË POETIKE

0
1369

Mr. Artan Kajtazi

Avdush Canaj, emër i njohur i letërsisë për fëmijë dhe të rinj, tashme i dëshmuar për lirikat e tij poetike, vjen me librin më të ri Porta e këngës, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2017.

Avdush Canaj u lind më 12 qershor të vitit 1955 në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardanës së sotme, ku një vit më pas, familja e tij shpërngulët për t’u vendosur përgjithmonë në Gjilan. Në këtë qytet kryen shkollën fillore e të mesmen, ndërkaq Fakultetin Filozofik, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Prishtinë.

Krijimtarinë e tij poetike, Avdush Canaj e nisi në vitin 1993, me përmbledhjen me poezi Gjeneral pa epoleta. Që atëherë, Canaj me koleksionin e tij poetik, për fëmijë e të rinj, u vërejt se ka thellësisht cilësi të lartë origjinale. Vargjet e tij kanë qetësi shpirtërore dhe janë frytdhënëse. Shkruan më një stil krejtësisht të veçantë, që e bënë të kapshëm për çdo lexues, madje kjo cilësi e tij e bënë poet universal. Përveç pasionit për poezi, ai shkruan edhe tregime.

Përmbledhja me poezi Porta e këngës sjell kënaqësi estetike dhe vlera të larta letrare. Vepra të rrëmben me gjuhën e saj, me stilin, rrëfimin e ligjërimin e përsosur. Origjinaliteti kulturor / letrar i letërsisë së fëmijëve vërehet në vargjet e tij.

Vargjet e tij janë magjiplotë të mbushura më gëzim, trishtim e dashuri të pakufishme për fëmijët e të rinjtë. Libri poetik Porta e këngës është i mbushur si qielli me yje. Poezitë e tij qëndrojnë lartë, madje iu bën hije poezive të tjera. Brenda vargjeve të poetit secili fëmijë mund ta gjej dhe zbuloj yllin e vet të preferuar. Metafora mbizotëron në çdo poezi.

Agim Deva, në studimin e tij të gjatë: Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), shpjegon se: krijimi i metaforës së qëlluar nuk është i lehtë. (Deva; 1982, 435) Këtë fakt e ka pas parasysh poeti Canaj, andaj me mjeshtri e zotëron këtë zanat.

Avdush Canaj, përmes poezive ofron rrugë të qarta në zona të ndryshme dhe njëherësh ofron histori të gjallë dhe të ndjeshme të letërsisë së fëmijëve, duke mbuluar materialin me metafora, por edhe duke ofruar ide të mrekullueshme dhe një mënyrë e qasjes tjetër si zhanër letrar.

Kjo nënkupton kthimin e subjektit kritik nga teksti (fragmenti i ligjërimit) dhe lirinë e interpretimit të tij. Leximi i tij duhet të mbetet në rrafsh tekstit (të shenjueshmërisë së tij). Madje Roland Barthes thotë se: leximi i veprës duhet të bëhet në rrafsh të veprës. (Barthes; 1987, 209).
E, Linda Anderson, ka argumentuar se: …leximi do të duhej të bëhej me një njohuri ekzistuese të kuptimit të tekstit. (Anderson; 2000, 16). Leximi i tekstit poetik të Canajt, sa është provokues aq është edhe zbavitës, i cili duhet t’i gëzohet çdo kush që ka ndonjë interesim në lidhje me literaturën e fëmijëve.

Canaj merr atë që ai e ka quajtur një qasje poetike për fëmijë dhe të rinj, duke theksuar përputhjen e pashmangshme midis tekstit të gjeneruar nga të rriturit dhe tekstit të perceptuar të fëmijës.

Me të drejt, Vehbi Kikaj ka thënë se: fëmijët nga letërsia pranojnë informata mbi jetën, por edhe shumë sugjestione që vetë ta gjejnë të renë, që vetë të gjykojnë mbi anët pozitive e negative të jetës. Do të thotë, kënga i shpie në botën reale dhe i nxit që të mendojnë. (Cituar sipas A. Deva; 1982). Këtë sugjerim gjithsesi e plotësojnë vargjet poetike të Avdush Canajt.
Në fillim të poezive, autori Canaj ka përzgjedhur një thënie të poetit japonez Shugetsu Ikuto:

Oh, çdo gjë, çdo gjë është e lejueshme
Sepse ka ardhur pranvera. (Canaj; 2017, 4)

Përmbledhja Porta e këngës ndahet me një strukturë ciklesh poetike, ku secila është e lidhur zinxhir njëra me tjetrën dhe në tërësi e japin një trup. Porta e këngës nis: Meqë ra fjala, Mos bën shaka te yjet, Kam parë hatanë, Tregim i gjyshit, Lulet pyesin për ty, Degë me ylber dhe përmbyllët me ciklin: Nëse më kërkoni.

Ciklet janë ndërtuar herë si rrëfenja, herë si tregime e herë si përralla. Subjekti i saj i shtjelluar me një mjeshtëri prej artisti, gjuha e bukur dhe stili i rrjedhshëm e bëjnë atë të zërë vend midis veprave më të bukura të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.
Avdush Canaj, përmes vargjeve përfaqëson shprehje të reja letrare të ofruara përmes pikëpamjesh moderne. Në leximin e poezive të poetit, ekzistojnë copëza biografike / memoare, ku nder të tjera ka edhe poezi të përkushtimit.

Në poezinë që mban titullin Ditëmira, i kushtohet të vëllait të vrara, Alush Canaj, ku autori bën një projeksion të gjendjes së shqiptarëve gjatë regjimit të UDB-së.

KOSOVA më pranga s’ka,
u mund errësira,
erdhi ditëmira,
Ç’gëzim!
Atje mes lulesh
fli i qetë vëllai im. (Canaj; 2017, 75)

Ditëmira, e Avdush Canajt, po ashtu integron simboliken e të mundshmes me realitetin që përmes metaforës paraqet realitetin.
Sipas Hinit, me mendimin se: në atë çast lirimi krijohet një plan ku poeti intensifikohet në qenien e vet dhe lirohet nga ngushticat e veta. (Hamiti: 2016, 215-216). Poeti Avdush Canaj, përmes vargjeve, çlirohet nga dhimbja.

Ndërsa, në poezinë Lulja ma jep dorën, brenda strukturës së saj janë dymbëdhjetë vargje të shkurtra, të shkruara më një ritëm të shpejt e intonacion të shkathët. Ndaj, në rrafshin poetik të lirikës për fëmijë së poetit Avdush Canaj jo rrallë na bien në dorë vargje, në të cilat poeti i këndon edhe vetë fëmijërisë:

Në prehër të një reje
gjej vargje hareje.

Lulja ma jep dorën
më fal metaforën.

Më sheh një kanarinë:
Për ty kam melodinë.

Lojërat në kopshtore
rima me akullore!

Dhe del poezia
e ëmbël si qershia.

Trumcakët po vijnë
të shijojnë ëmbëlsinë. (Canaj; 2017, 5)

Poezia Lulja ma jep dorën është një thirrje për t’u futur në botën e magjishme të vargjeve që pasojnë. Karakteristikë e këtyre poezive është origjinaliteti i tyre.
Përmbledhja me poezi Porta e këngës përmbyllët me poezinë Aty më keni. Canaj me elasticitet rrëfyes shkruan:

Nëse më kërkoni
e s’më gjeni,
hapni portat
e vargjeve,
aty
këmbëkryq
më keni! (Canaj; 2017, 99)

Këtu, në këtë poezi arrihet kulminacioni kuptimor i intensitetit të përgjithshëm jo vetëm përshkrim, por edhe faktizim. Poetin, aty mes vargjeve, do ta gjejmë sa here të hapim librin e tij…
Rëndësia poetike e tij qëndron si një histori e tërë që herë pas here të kujton ngjarjet nga e kaluara që i transmeton përmes vargjeve të fëmijët dhe të rinjtë.

Northrop Fraji, të libri i tij Anatomia e kritikës, shtron pyetjen së përse duhet të ekzistojë kritika, ku jap edhe përgjigjen se, kritika mund të flasë, kurse artet janë memece. (Fraji; 1990, 13). Kritikët për të kanë vlerësuar se, Canaj është mjeshtër i metaforave, i shqetësimeve të ëmbla të fëmijëve dhe di si askush tjetër ta përkëdhelë fjalën. (Canaj; 2017, 103).

Marrë në përgjithësi, në aspektin ideor, këngëtimi i Avdush Canajt shënjon rezultate të qëndrueshme, stabile dhe koherente. Këtu qëndron dëshmia se të gjithë poetët nuk e kanë marrë me të njëjtin seriozitet kultivimin e kësaj dege të letërsisë, si poeti Avdush Canaj.

(Autori është magjistër i shkencave filologjike)