Nt: Te kjo kategori, pos të tjerave, duhet reduktuar përdorimi i kripës, në veçanti nëse ekzistojnë probleme me hipertension, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e veshkave. Buka nuk duhet të konsumohet në sasi të mëdha, ndërsa qumështi dhe kosi duhet të përdoren çdo ditë.
AJSHE LEKA
Duhet pasur parasysh se të jetuarit e shëndetshëm varet shumë nga të ushqyerit e drejtë. Në fakt, të ushqyerit e drejtë përbën një nga shqetësimet kryesore tek të gjitha moshat dhe gjinitë, por veçmas për personat e moshuar. Një komponentë tjetër e rëndësishme janë aktivitetet ditore. Dihet se shumica e personave të moshuar, ballafaqohen me probleme shëndetësore, duke përfshirë edhe sëmundjet kronike, siç janë diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet kardiovaskulare, ateroskleroza, osteoporoza etj.
Prandaj, mbështetja ushqyese (nutricionale) mund të jetë, nga një këshillë e thjeshtë dietike, deri te nutricioni total, për një kohë të gjatë, që do t`i ndihmojë këta persona të kenë një shëndet sa më të mirë.
Duhet ditur se fuqia, shëndeti dhe jeta jonë, në tërësi, varet nga gjithçka që fusim në organizëm përmes ushqimit. Ushqimi i duhur e furnizon organizmin me materie ushqyese dhe mbrojtëse dhe, në të njëjtën kohë kryen një rol të rëndësishëm parandalues.
Personat mbi 65-vjeç, konsiderohen të moshuar. Te personat e moshuar reduktohet aktiviteti fizik, metabolizmi bazal, tajitja e gjëndrave endokrine dhe egzokrine, qelizat në indet dhe organet zëvendësohen me qeliza yndyrore dhe me kështu reduktohen edhe nevojat energjike.
Te këta persona ndodhin ndryshime atrofike dhe degjeneruese në sistemin e tretjes, me çka vështirësohet tretja dhe absorbimi i materieve ushqimore, ndërkohë që kjo ndihmohet edhe nga gjendja e keqe e dhëmbëve. Të shpeshta janë edhe sëmundjet kardiovaskulare të cilat ngadalësojnë qarkullimin e materieve ushqimore në gjak.
Tek pleqtë paraqiten edhe ndryshime psiko–fizike në lidhje me epshet, ambiciet, impulsivitetin, shpesh edhe mungesë oreksi që manifestohet me refuzimin e ushqimit. Nevojat ditore energjike ulen për 10-15 për qind, në krahasim me grup moshat tjera. Ulja e nevojave energjike është për rreth 5 për qind tek personat prej 45-vjeç, ndërsa mbi këtë moshë, për çdo 10-vjet të tjera, ulet për 507,5 për qind.
Proteinat në ushqim duhet të përfaqësohen në sasi prej 1g/kg mt dhe 1/3 dhe të jenë me origjinë shtazore. Duhet të reduktohet konsumi i yndyrave, pjesa më e madhe me origjinë bimore dhe të mos kalohet më tepër se 25-30 për qind e nevojave ditore. Duhet hequr nga përdorimi ushqimet me yndyrë (mishi i derrit, salsiçet, proshuta, dhjami, vezët etj.) për shkak se përmbajnë sasi të madhe të acideve yndyrore të ngopura dhe kolesterol, që kanë vlerë të lartë energjike dhe ngadalësojnë proceset e arterosklerozës. Në veçanti është e rëndësishme të evitohet konsumi i kolesterolit, i cili në masë të madhe është i pranishëm te ushqimi me origjinë shtazore: vezët, mishi i derrit, dhjami, gjalpi, tëmthi dhe organet e brendshme.
Karbohidratet duhet të marrin pjesë me 50-60 për qind në nevojat ditore energjike dhe duhet të burojnë, përveçse nga niseshteja (buka), edhe nga frutat dhe perimet. Frutat dhe perimet duhet të konsumohen në gjendje të freskët, ndërsa për pleqtë, me dhëmbë të prishur dhe funksionim të keq të sistemit të tretjes, duhet të jenë të shtypura, të pjekura ose në formë kompostoje, lëngje, përshesh me fruta etj.
Sa u përket vitaminave, gjatë kësaj moshe, në mënyrë optimale, duhet të përfaqësohen vitaminat B-kompleks, vitaminat C, A dhe D. Edhe mineralet janë të domosdoshme. Gjatë kësaj periudhe të jetës, tek personat e moshuar zvogëlohet klasifikimi dhe depozitimi i P dhe Mg në eshtra dhe kjo rezulton me paraqitjen e osteoporozës, derisa në brendësi të organizmit rritet depozitimi, ose shtresimi i kalciumit.
Burimi më i mirë për Ca dhe P është qumështi, i cili duhet të konsumohet çdo ditë, në sasi prej 500 ml. Së bashku me Ca, çdo ditë duhet të konsumohet edhe vitamina D, ndërsa nga mineralet tjera edhe Fe (hekuri).
Përdorimi i kripës duhet reduktuar, në veçanti nëse ekziston hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e veshkave. Buka nuk duhet të konsumohet në sasi të mëdha. Për çdo ditë duhet të përdoret qumështi dhe produktet e qumështit, më së miri kosi dhe kosi i thartë.
Duhet evituar konsumi i lartë i ëmbëlsirave prej brumi dhe ushqimi i yndyrshëm, për shkak se përshpejtojnë procesin e arteriosklerozës. Aktiviteti fizik duhet t’i përshtatet gjendjes shëndetësore, për shkak se mundëson shpenzimin e tepricës së materieve ushqimore, me çka ulet edhe shtresimi i indit yndyror.
………………………………………
(Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji fb.com/nutricistedietologe)