“MISTERET E PARISIT TË VOGËL”

0
2394
Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

Një vështrim i shpejtë i romanit më të ri të shkrimtarit Kristaq Turtullit:
MISTERET E PARISIT TË VOGËL

E lexova me shumë kënaqësi romanin ende të pabotuar: “Misteret e Parisit të Vogël” të shkrimtarit tashmë të mirënjohur Kristaq Turtulli dhe ndjehem tepër i vlerësuar që më ra në dorë. Kjo vepër e shquar meriton të ketë disa këndvështrime, sepse është një roman me përmasa të mëdha letrare, historike dhe politike. Në këtë vepër është bashkuar në mënyrën më të natyrshme e vërteta me fantazinë, për të na dhënë jetën reale dhe artistike të një prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë, që mbart histori të lavdishme të këtij populli. Shkurt dhe saktë: Romani është vepër e realizuar me art e mjeshtëri të admirueshme në të tëra drejtimet.

Në libër ka fabula të shtjelluara mjeshtërisht për Dhoksanën dhe Themistokliun, Dhoksanën dhe Nolin, që, për një mije arsye, janë male të larta.
Lexuesi do të mbetet i befasuar nga mbrëmja gala në Korçë. Një qytet juglindor në një skaj të perandorisë otomane të ketë të tillë emancipim shoqëror?! Në të vërtetë është një situatë që na nderon. Autori për të tëra evenimentet e Korçës, ka ditur të nxjerrë në pah vlerën përgjithësuese në emancipimin e saj shoqëror. Shqipëria duhet te krenohet me Korçën, Parisin e vogël shqiptar. Ajo është unike dhe shqiptarët kanë arsye të krenohen me të.

Janë me kuptim shkencor dhe social shprehjet origjinale, që formojnë një kurorë stilistike, si: Pa tregti dhe politikë, bota do të jetë e mjerë. Vijon ta shtjellojë me shprehjen: Paraja është si urithi, mblidhet, kur e prek. Bamirësia i dha qytetit fytyrën evropiane. Korçën e kanë bërë korçaret. Korça kjo zonjë me sqimë ka tradita dhe ato përbëjnë një salltanet më vete. Këto postulate materializohen ne Korçën e viteve ‘30. Autori meriton falenderime për këto shtjellime atdhetare.

Autori u bën një trajtim shkencor të revolucioneve dhe revolucionarëve. Po e ilustroj me fjali nga romani: Revolucioni, pasi u lodh duke prerë kokat e mbretit dhe mbretëreshës në gijotinë, u kthye dhe prenë kokat e njeri-tjetrit. Nuk është mirë, kur je më i lirë se sa duhet… Si fashizmi, si komunizmi, një mendje kanë: dhunën. Fëmijët kodoshë dhe miqtë e rreme janë më të këqij se armiqtë e njohur.

Bie ne sy epersia kulturore, atdhetare, bamirese dhe emancipuse e një qyteti, që virtutetet e tij të çmuara ja veshi natyrshem Atdheut. Kjo ka ndodhur, jo vetem në limitin kohor, që përfshin autori në roman, por në të gjitha kohrat. Në emër të Shqiperise, Korcën e ka falenderuar Poeti kombetar, Naimi Frashëri me vargun e famshëm: “Ta pacim, për jetë hua ! “. Korca ka dhenë shembull të rrallë në të tëra etapat historike. Eshte i qarte fakti, që nga transformimet demokratike dhe nga ngjarjet e tmerrshme të 97, në Korce nuk u dëmtua as një lule. Korca e sot ka zhvillim urbanistik europjan të konsoliduar. Për këtë duhen të falenderohen dhe tu hiqet kapela me mirënjohje familjet e mëdha që e bënë të tillë.

Romani thotë shumë, per Korcen plakë dhe Korcën nuse. Autori ja ka arritur qëllimit, ka ruajtur me kujdes dhe me mënçuri raportet e etapave. Dua të them shkrimtari nuk është terhequr verbërisht pas episodeve të zgjatura atdhetare, sociale apo erotike. Ndodh rëndom, që vend e pa vend, shkrimtaret në veprat e tyre zgjaten në erotizëm pa vetë përmbajtje, duke renë në banalitet.

Më tërhoqi shume tema e Misto korcarit (Themistokli Gërmënjit). Në libër nuk është dhënë vetem si figure historike, por dhe një portret i dlirë, burri shqipar.
Ndaj nesh shqiptarëve, historia na ka shumë borxhe dhe shkrimtari i talentuar Kristaq Turtulli ka qëmtuar me kujdes dhe përgjegjësi qytetare ngjarje e fakte reale dhe ka ditur që t’i ngrejë ato në art.

Shumë kapituj të librit i japin veprës dimension të merituar didaktik për sot dhe të ardhmen e afërt me terma të përmbajtura historike. Një temë për të cilën edhe specialistët e fushës nuk i njohin baraspeshat.

Autori kryen vlerësimet filozofike sociale për bamirësinë, marrëdhëniet natyrale shoqërore dhe vesin e shëmtuar të mosmirënjohjes, që e kthen njeriun në mbretërinë e kafshëve. Këtë realitet të trishtuar autori na i jep me mjete të fuqishme artistike, që e ngrenë vlerën e romanit në rrafshin më të lartë të llojit të vet artistik dhe edukativ.

Brenda këtij romani shtjellohen disa fabula, që janë probleme shoqërore dhe historike të kombit të cilat së bashku krijojnë një të vetme, që ka emrin mbijetesë kombëtare dhe fisnikëri e familjeve te mëdha. Mesazhi që jep vepra është universal. Ai lokalizohet në aftësinë e familjeve të mëdha për të rigjeneruar kombin nëpërmjet rigjenerimit të vetes. Përballë agresionit të një pushteti të dalë nga gryka e pushkës, familjet e mëdha ruajtën genin e humanizmit dhe të përgjegjësisë për zhvillimin e pandërprerë të shoqërisë kombëtare. Arti i përdorimit të fjalës së shkruar e lidh romanin në të tëra indet e shoqërisë për një periudhë të caktuar historike. Përshkrimi real i ngjarjeve dhe dukurive i jep romanit vlera reference të plota, pa cënuar vlerat artistike të veprës. Gjuha e thjeshtë dhe frazat e ngjeshura janë karakteristike dalluese.

Karakteret në këtë roman janë ndërtuar me mjeshtëri që të befasojnë, sidomos portreti i skalitur me art të rrallë i femrës shqiptare. Shkrimtari Turtulli është qëndistar i karaktereve. Metafora, fantazia, intriga, tensioni psikik, lufta shpirtërore dhe përplasja shoqërore në romanin ‘Misteret e Parisit të Vogël’ bashkëjetojnë natyrshëm.

Shkrimtari Kristaq Turtulli është atdhetar sa dhe heroi i madh i Korçës dhe i Shqipërisë Themistokli Gërmënji. Kjo vertetohet me menyren si i trajton problemet e medha me fqinjët, gjuhën amtare, kulturën dhe vecanerisht arvanitasit.

Ky është vështrimi im për romanin “Misteret e Parisit të Vogël”, vepër e njërit prej romancierëve të paktë të këtij tranzicioni me shumë ekuivokë. Shkrimtari Kristaq Turtulli mbetet titullar sfidues i shkrimeve mediokre që kanë helmuar atmosferën politiko-letrare të këtij tranzicioni, me përmbajtje sizmologjike.

Illo Foto, publicist – NY 22 Gusht 2017


E falënderoj shkrimtarin e mirënjohur Kristaq Turtulli që më krijoi mundësinë dhe njëherësh u ndeja krenar pasi lexova librin: ‘Misteret e Parisit të vogël.’ Ajo që më bëri përshtypje në këtë libër, me fiksionin e ndërtuar mbi historinë dhe figurat historike të Korçës, autori krijon një univers të magjishëm.

Për mendimin tim dhe pa dyshim libri: ‘Misteret e Parisit të vogël’ është libri më i mirë, modern dhe ndërkohë me ferment tradicional korçar.

Dr. As. prof Dion Tushi