SHFLETOJMË NUMRIN E RI, TË GAZETËS “NIKAJ-MERTUR”…

0
1639

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Ka disa ditë, që është venë në qarkullim dhe ka shkuar në duart e lexuesve të interesuar (falas), numri i ri i Gazetës “Nikaj-Mërtur”, botim periodik i Shoqatës atdhetare, shoqërore e kulturore, po me këtë emër. Është viti i 8-të i botimit të kësaj gazete emërmirë dhe, deri tani, janë botuar, gjithësej 8 numra.

Gazeta në fjalë ka një redaksi, me drejtor Pashk Prekën, kryeredaktor Dedë Qokaj e zv.kryeredaktor Marash Mhilli dhe me anëtarë të saj: Prof.Anton Paplekaj, prof.Murat Gecaj e Mhill Ndrepepaj dhe me një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh të rregullt, të moshave e profesioneve të ndryshme.

Këtë numër të radhës, të gazetës “Nikaj-Mërtur” (nëntor, 2017), e ka përgatitur për botim Dedë Zhivani dhe me redaktimin letrar të Age Qehajaj (Doçaj). E ka bërë publikimin në Internet dhe është mbështetur financiarisht, nga Lekë Kapiti.

2.

Si zakonisht, në faqen e parë janë pasqyruar titujt e shkrimeve të kësaj gazete, me 12 faqe gjithësej. Në faqet 2 e 3 është publikuar shkrimi i Av.Gjin Niklekaj, kryetar i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”: “Shoqata dhe Gazeta jonë, ‘Nikaj-Mërtur’”. Në hyrjen e tij, lexojmë këto radhë: “Shoqata jonë është foleja e përbashkët shqiptare, për të gjithë nikajmërturasit, jo vetëm në trojet shqiptare, por kudo ku ata jetojnë e punojnë, nëpër botë.

Ndërsa gazeta jonë “Nikaj-Mertur” është tribuna më e lartë dhe piedestali më i ndritur, në të cilin janë ngjitur nikajmërturasit, gjatë gjithë historisë së ekzistëncës sonë, si komunitet…”. Në vazhdim, autori ndalet në udhën e përshkuar nga ky organ i shtypit tonë të shkruar, si dhe përmendë disa emra të intelektualëve dhe biznesmënëve nikajmërturas, në Shqipëri e Kosovë, që kanë dhënë ndihmesën e pakursyer, në për mbarëvajtjen e Shoqatës, organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive të ndryshme, si: atdhetare, kulturore, artistike etj.

Në shkrimin vazhdues, me titullin “Nëntori i kuq i Flamurit, Lirisë e Pavarësisë”, në një faqe, janë nderuar e kujtuar figurat e shquara, gjatë historisë shumëvjeçare të kranhinës atdhetare e liridashëse të Nikaj-Mërturit, të cilët nuk e kursyen jetën e as gjakun e tyre, për trojet tona amtare.

Biseda e zhvilluar nga Dedë Zhivani, me kompozitorin e kësaj krahine, Kolë Susaj- “Mjështër i Madh”, ka zënë vend në faqet 5-6 e 7 të kësaj gazete. Në krye të faqes 7 dhe në faqen 8 është botuar biseda e përgatitur, po nga ky autor, “Ndoc Prend Qokaj, djali nga Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, një talent e fenomen i rrallë dhe një rast unikal”.Ndër të tjera, në bisedën e zhvilluar me këtë mjek dhe sportist të mundjes, ai falënderon mediat, shoqërinë dhe institucionet shtetërore, të të gjitha periudhave, që e kanë mbështetur, gjatë jetës dhe karrierës sportive.

Me interes është shkrimi i faqes 9, nga poeti i njohur Gjon Neçaj, “Nikaj-Mërturi, djepi i Eposit të Kreshnikëve”(Dukuri për shtratin e Eposit Nikajmërturas). Është një kumtesë, që ai ka mbajtur, më 8 gusht 2014, në Institutin Albanologjik të Kosovës, në Prishtinë, në kuadrin e Konferencës Ndërkombëtare, për gjendjen e Eposit të Kreshnikëve, në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mali i Zi e Maqedoni.

Faqet 11 e 12, të numrit të ri të Gazetës “Nikaj-Mërtur”, e kanë zënë jetëshkrimi, ballinat e librave të botuar (shqip e italisht) dhe disa poezi të Dr.Zef Mulaj, me banim, familjarisht, në Ankona të Italisë. Po në faqen e fundit, pra 12, janë botuar dy poezi të arsimtarit veteran, Zef Ukcamaj.
…Në mbyllje të këtij shkrimi informativ, i përshëndesim dhe i përgëzojmë bashkëkrahinasit tanë, të cilët punuan me përkushtim, për përgatitjen dhe botimin e këtij numri të ri të Gazetës “Nikaj-Mërtur”. Gjithashtu, shprehim dëshirën dhe besimin, që ajo do ta vazhdojë udhën e saj, pa ndërprerje, edhe në të ardhmen!

Tiranë, 15 dhjetor 2017

Shënim: Më tepër në adresëb: http://nikaj-mertur.com/