DËSHMI E RRUGËTIMIT TË USHTARIT TË UÇK-SË NGA DITËT E PARA TË LUFTËS DERI NË LIRI

0
1227

Rudi Berisha “Ukshin Kosumi në shërbim të UÇK-së”, botoi KL”Zahir Pajaziti” – Podujevë, 2017

Milazim F. KADRIU

Libri “Ukshin Kosumi në shërbim të UÇK-së” të Rudi Berishës nis me dialogun që pati Nënë Feridja me dy bijtë e saj në fillimin e luftës çlirimtare, Ukshinin që tashmë ishte ushtar i UÇK-së dhe Kosumin që shprehte dëshirën të jetë edhe ai në radhët e ushtrisë sonë të lavdishme, por që i vëllai e këshilloi që së pari të merr bekimin e nënës për këtë rrugë. Normalisht që e ëma që ishte nga një familje atdhetare nga Shala e Bajgorës, mbesë e Ahmet Selacit dhe e ardhur nuse në familjen e pasardhësve të Demë Ahmetit pa hezitim ua jep bekimin djemve që të bëjnë luftën çlirimtare bashkë me shokët e tyre të Grykës së Llapit në ZOLL.

Në fjalën e tij autori i librit të titulluar “Dashuria për çlirim të atdheut, rrugëtim në shërbim të UÇK-së” fletë për veprën atdhetare të Ukshin Kosumit ku ndër të tjera thotë :” Ukshin Kosumi kontribuoi me forcën e dashurisë për atdheun, me djersë e pasuri për atdheun, me plumbin e pushkës për atdheun, me humanitetin shpirtëror dhe njerëzor për atdheun që të jetë i lirë. Të jetë i lirë, që fëmijët të jenë të lirë në lojërat dhe fluturimin e tyre si zogj mali, duke shtegtuar dhe duke parë të bukurat që u dhuron atdheu në tokën e lirë, ku shumica nga ne, kur ishim fëmijë, nuk e kishim këtë bukuri, thesar, dritësim, që është paguar me çmimin më të lartë në jetën njerëzore, me gjak. Me gjak është paguar kjo liri, që e ka Shqipëria dhe tani, këtë liri, që e ka sot Kosova”.

Më pas vjen një biografi e ushtarit të UÇK-së ku flitet për jetën dhe veprën e Ukshinit që nga lindja deri në dhjetorin e vitit 2015, kur ndërroi jetë.

Faik Jashari, zëvendëskomandant i Logjistikës së ZOLL-it duke kujtuar jetën dhe veprën e Ukshin Kosumit ndër tjera shkruan : “Ukshini ishte një burrë stabil, trim dhe i vërtetë, ishte ushtar shembullor. Nga kyçja e tij në radhët e UÇK-së e deri në përfundimin e luftës ishte stabil dhe i qëndrueshëm pas gjithë asaj katrahure që e përjetuam, sepse nuk kishim vetëm hallin tonë gjatë kësaj lufte, por edhe mbrojtjen, strehimin dhe ushqimin për popullatën shqiptare që ishin mbetur maleve nga dyndja që i bëri armiku serbo-sllav. Këtu, Ukshini luante një rol të veçantë, ai ishte kudo edhe në furnizim të ushtarëve të çlirimit të atdheut, ushtarëve të lirisë, por edhe në ndihmë të popullatës shqiptare”.

Ndërsa ish shefi i logjistikës së Brigadës 153 të ZOLL, Fazli Maloku ndër tjera thotë : “Ukshini më parë jepte kokën se sa të lejonte të rrezikohej jeta e shokëve. Sa herë që isha pranë Ukshinit, ndjeja veten më të sigurt. Në çdo aksion hynte guximshëm dhe i bindur se do të fitoj. Për Ukshinin, detyrë mbi detyra ishte obligimi dhe përkushtimi me tërë qenien për çështjen kombëtare shqiptare : Çlirimi i Kosovës, Bashkimi me nënën Shqipëri”
Më pas vijnë poezitë e 32 autorëve kushtuar ish ushtarit të UÇK-së Ukshin Kosumi. Poezi i kushtuan poetë nga shumë vise të trojeve shqiptare si. Rudi Berisha, Muharrem Kosumi, Namik Selmani, Izet Shala, Zarije Zenuni-Bajrami, Rexhep Bajrami, Fatos Luta, Maxhun Osmanaj, Leotrime Segashi, Hysen H. Ymeri,Teuta Këpuska-Qarkaxhija, Shaban Pllana, Bukurije Sopi, Milazim F. Kadriu, Almira Gashi, Jahe Fida, Izet Hoti, Xhemile Adili, Shefki Përvetica, Minire Rukovci, Gajur Pajaziti, Sherife Berisha –Thaqi, Fatime Ahmeti-Fara, Ajet Shala, Zelfije Zmalaj, Zymer Mehani, Ismet Tahiraj, Drita Kosumi- Syla, Hajrull H. Buzani, Elhame Gjyrevci, Hamdi K. Aliu, Fadil H. Curri.

Nw libër është mjaft interesant edhe rrëfimi i të vëllait Sokolit, që tash e një kohë të gjatë gjendet me punë jashtë atdheut, ku ai fletë për shumë karakteristika të të vëllait e mbi të gjitha për afërsinë e Ukshinit që kishte një respekt të madh për xhaxhallarët e tij, miqtë e gjithë farefisin, por që gjatë tërë jetës ishte shumë i lidhur me kushëririn e tij Muharrem Osman Shabanin, stërnip i Demë Ahmetit.. Pastaj vijnë edhe dy shkrime që janë fjalime me rastin e varrimit të ushtarit të UÇK-së, para dy vitesh në Bajçinë të Besianës. Me atë rast nga fjalë mbajtën, bashkëluftëtari Vëllaznim Qerimi, i cili thotë se “Ukshin Shaban Kosumi, nuk u ndal duke kontribuar, ku e kërkonte atdheu …”, ndërsa ish komandanti i Logjistikës së ZOLL, Hamit Hamiti me atë rast është shprehur se “Ukshin Kosumi ishte me virtyte të larta njerëzore dhe morale…” Në fund të librit vjen një album i pasur me foto të Ukshin Kosumit, prindërve, fëmijëve, familjarëve, shokëve, nga koha e luftës së UÇK-së, foto të pasluftës si dhe foto nga varrimi i ushtarit të UÇK-së, Ukshin Kosumi.