“Të ndjekësh ëndrrat”, kështu quhet ekspozita me autor mjekun e njohur Dr. Luter Kreshpa e cila do të hapet të dielën më 10 dhjetor ora 11.00
në Muzeun Historik Kombëtar. Eshtë një koleksion prej 93 piktura, kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, por edhe disa portrete e skica
të cilat do të vijnë për publikun. Tablotë e një stili realist të sjellin pranë natyrën, të cilën artisti e ka shpesh në tablotë e tij.
Ekspozita vjen në 81 vjetorin e tij të lindjes, si një homazh i bukur që e bija, Brisejda i bën pas ndarjes nga jeta. I dashuruar me të bukurën, Kreshpa ka ravijëzuar në tablo momente që të çlirojnë teksa i shikon. Kryesisht vizione që reflektojnë qetësi, janë si një kërkesë e vazhdueshme e artistit për të lundruar në ujëra të qeta.
Dhe pse piktura ishte më shumë një pasion në jetën e Dr Kreshpës, në to vihet re një artist i angazhuar, i cili ka një njohje të thellë me këtë lloj arti.
Kush është Dr. Luter Kreshpa?
I lindur më 10 dhjetor 1936 ai do të dashurohej me pikturën herët, për ta ndjekur heshturazi këtë pasion dhe pas mbarimit të studimeve për mjekësi në vitin 1961. Dy vite më vonë ai aftësohet për kirurg i përgjithshëm. Kirurgjia ishte shkenca ku prof. Kreshpa do të jepte gjithë aftësitë e tij jo vetëm në shërbim të pacientëve por dhe krijimit të standarteve të reja në mjekësinë shqiptare. Me profilin e një intelektuali par ekselencë ai do të angazhohej në Konferenca të shumta, përsa i përket Kirurgjisë hepotabiliare, si në Francë, Greqi, apo udhëtimi për në Vietnam më 1986-tën.
Ka mbrojtur në 1987, Dizertacionin për Doktor Shkencash në Kirurgjinë Pulmonare “Trajtimi kirurgjikal i bronkoektazisë”. Janë të pafundme leksionet që ai ndërtoi mbi kirurgjinë, duke dhënë një model për brezat që do të vijnë. Është autor i 8 teksteve për sëmundjet kirurgjikale, 19 artikujve në Buletinin e Shkencave Mjekësore(BSHM), 41 Artikujve në Punimet Kirurgjikale(PU), 9 Artikujve në Revistën Mjekësore (RM) 48 Referate dhe Kumtesa, 19 Recensione dhe Oponenca. Është autor i monografisë “HERNIA. Veçoritë Klinike dhe Mjekimi”, botim i vitit 2007. Vitet e fundit të jetës ai iu përkushtua pasionit të tij pikturës, duke realizuar një koleksion të madh tablosh, që tashmë ruhen me kujdes nga familjarët.
Ja si e kujtojnë kolegët:
Intervistë me Prof. Dr Nikollaq Kaçani
Kirurgu që pikturonte operacionet
Si do ta përkufizoje profilin e Dr Luter Kreshpa?
Do të thosha që për mua mbetet një ndër figurat e mjekësisë shqiptare. Ajo që e dallonte nga të tjerët është se ka qenë një figurë komplekse, ashtu siç është vetë mjekësia. Ka qenë kompleks në aktivitetin kirurgjikal, në trajtimin e të sëmurëve, në marrëdhënie me të tjerët. Ai nuk ka qenë vetëm një kirurg i palodhshëm, por ka dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të mjekësisë shqiptare.
Luteri ishte i gjithëpërfshirë. E donte mjekësinë dhe donte t’ua përçonte dhe të tjerëve. Ka shkruar e botuar për mjekësinë, duke nisur që me disertacionin e tij dhe duke vazhduar me shumë libra dhe artikuj. Bashkautor i një prej librave më të rëndësishëm të mjekësisë:
“Sëmundjet kirurgjikale”, së bashku me mua. Ka qenë pedagog për shumë vite. Ishte profesor i specializantëve të kirurgjisë dhe gjithmonë u thoshte një shprehje: “Mushka që të shtrohet, duhet të ngarkohet”, në kuptimin që ngarkohuni me lexime, me punë për të arritur dhe për t’u perfeksionuar. Dallohej serioziteti i tij, por edhe natyra bashkëpunuese. I përkrahte jashtëzakonisht shumë të rinjtë.
Sa dini ju rreth pasionit të tij, pikturës?
E dija që kishte pasion pikturën. Por puna këtu ishte aq e madhe, saqë nuk na dilte kohë që të flisnim për këtë. Ai më shumë pikturonte në kohën e lirë, sidomos këto vitet e fundit. Por që vihej re edhe në punë, shpirti i tij artist; për shembull specializantëve gjithmonë ua pikturonte operacionet. Dhe kjo e dallonte nga gjithë ne të tjerët. Do të thosha që një kirurg i mirë bëhet edhe një piktor i mirë dhe Luteri u bë.
Ekspozita ishte parashikuar para një viti, a ishit ju në dijeni të kësaj?
Po, e dija. Madje më ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në ekspozitë.
Çfarë do të thoshit diçka të fundit për mikun tuaj Luter Kreshpën?
Luteri ishte i domosdoshëm në spital. Pa diskutim që do i mungojë mjekësisë shqiptare. Ishte njëfarë “Netteri” shqiptar. Por si mik kisha njohje dhe me familjen e tij. Ka një familje të mrekullueshme. Madje kam një mesazh për ta. Shqiptarët thonë: të rroni dhe ta kujtoni. Unë do të thosha: të rroni dhe ta nderoni.