DRENICA E PUSHKËS DHE E PENËS

0
2619

Vështrim për librin e Bedri Tahirit, Toponimia e Galicës
(Prishtinë, 2014)

Shkruan: Xhemail Peci

Prelud

Pena mëmëdhetare gjithmonë u ngre një himn pushkëve liridashëse, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sopatës, grykën e pushkës dhe majën e penës.

Ai bashkon në sfondin e penës së tij atdhetare, në qëllimin e tyre të shenjtëruar: Ahmet Delinë, Azem Galicën dhe Hasan Prishtinën.
Prandaj, kjo penë e cila e bën mishërimin e së djeshmes me të sotmen dhe gjithsesi edhe me të nesërmen e këtij trualli të larë me gjak fatosash të lirisë, kjo penë e cila përndritë flakët e pushkëve kryengritëse, është gjithë gjakim e frymëzim në shpalim të epikës së një heroizmi që rron ndër shekuj e që përkon aq shumë me atë të eposit të kreshnikëve.

Kjo penë, jo rastësisht, sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës.

Galica kalon nëpër rrathët e ferrit që ia kanë ngritur hijenat grabitqare, por kjo penë që u rri si një sogjetar amshimi kokave krynegritëse të Galicës sy-shqiponjë, dëshmon se Galica, e me të edhe e gjithë Drenica trime, ngjallet herë si feniks prej hiri e herë si salamander prej zjarri:

“Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike.”

Duke nxjerrur në sfondin e historisë kryetrimat e lirisë së mëmëdheut, Bedri Tahiri dëshmon se nuk shkruan për pupla të buta e as për sallonet mbretërore me shkëlqimin e tyre verbues. Përkundrazi, ai shkruan për fatosat e kombit, për prijësit legjendarë, për udhëheqësit dhe komandantët të cilëve, siç do të thoshte Bajroni për trimat e Sulit, armiku nuk ua pa shpinën kurrë.

Bedri Tahiri është studiuesi dhe kronisti që kujton emrat-emblemë, tek shpalos historitë e tyre. Ai dëshmon për dhembjen e murosur si nëpër mitet dhe legjendat, por në mënyrë të veçantë ai shpreh dashurinë e tij për çdo pëllëmbë të kësaj toke që e lindi dhe e rriti, madje-madje duke shënuar jo vetëm për rrjedhën e krojeve e të burimeve, por edhe për fatin e gurëve të vendlindjes.

Është prandaj e natyrshme të thuhet se ai ka shkelur çdo shteg e ka rrahur çdo rrugë, ka bredhur çdo mal e kodër të vendlindjes, duke mbajtur shënime e duke shpalosu kujtime brezash, në mënyrë që dëshmitë të mbesin jo vetëm përmes asaj që thuhet, por në mënyrë të veçantë edhe nëpërmes asaj që shkruhet.

* * *

Libri i Toponimia e Galicës, i shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit të pandalshëm Bedri Tahiri, nuk është thjesht vetëm një studim për toponiminë e Galicës. Më shumë se kaq, ky libër është një sintezë e një studimi të mirëfilltë nga aspekti gjuhësor, por gjithsesi i shkrirë aq bukur në një me historinë, mitin dhe legjendën. Libri në fjalë është dëshmi e qartë se autori ka shprehur gjakimin dhe dashurinë e tij, përkushtimin dhe krenarinë për Drenicën, duke shkruar se:

“Në qendrën e Dardanisë ilire, gjegjësisht të Kosovës së sotme, shtrihet Drenica heroike. Kjo trevë kreshnikësh, që në antikë njihej me emrin Klaptonik, na e përkujton çdoherë historinë tonë të lavdishme në shekuj.

Ky emër (emri Drenicë lidhet me antroponimin Dren-i) kaq i dashur dhe krenar për ne, gjithmonë ka qenë dhe është tmerr për armiqtë tanë. Sa e sa herë pushtues të ndryshëm provuan ta zhduknin nga faqja e dheut, por i lanë kokat e eshtrat në të. Kjo fole trimash u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.”

Librit i prinë kapitulli i parë Drenica, ndërsa autori i qaset studimit të tij edhe nga prizmi i përfshirjes administrative të kësaj treve, të përbërë nga 107 fshatra, duke i renditur ato me përpikmëri të veçantë.
Në këtë ndërthurje tematike, ai i kthehet sërish të kaluarës për të dëshmuar se shumëçka qëndron e lidhur fort si mishi me ashtin, prandaj edhe vë në pah se:

“Edhe pas vitit 1455, kur Kosova përfundimisht ra nën sundimin turk, Drenica mbeti e papërkulur dhe e panënshtruar. Kjo zgjati diku deri rreth viteve 1850-1860, kur njëfarë Jashar Pasha, sundimtar i Prishtinës, i pushtoi disa fshatra të kësaj treve, të cilat sot e kësaj dite njihen me emrin Drenica e Pashës.”

Bedri Tahiri duke shkruar kështu për toponiminë, ai dëshmon njëkohësisht edhe për historinë. Ai e bën këtë në një mënyrë sa origjinale po aq edhe simbolike, duke lënë të nënkuptuar faktin se Drenica është e butë si dreni në ëndrrën e saj të bukur për liri, por në qoftë se dikush guxon dhe ia prish këtë ëndërr, Drenica merr gjak në vetull. Nga ky prizëm, ai shpalos të vërtetat historike në pikëpamje kronologjike:

“Sidoqoftë, Drenica në historinë tonë kombëtare, mbetet territor i qëndresës shqiptare, që secilit pushtues i rezistoi me armë në dorë. Që nga Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, nga kjo trevë dolën njerëz që, me pushkë e me penë, luftuan për çlirim, pavarësim e bashkim kombëtar. Kështu në luftën e parë kundër Osmanëve, në Betejën e Kosovës, të qershorit të vitit 1389, trimi drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi (nga Kopiliqi i Skënderajt) do ta plagosë për vdekje sulltan Muratin I.

Edhe në luftën e mëvonshme antiosmane, që e udhëhoqi Austria, morën pjesë shqiptarët. Më 1689, pas Pikolomenit, kishte rreth 6000 shqiptarë, shumica drenicas.

Emri Drenicë ua shtinte frikën të gjithë armiqve me sy lakmitarë. Edhe vetë sulltanin nuk e linte të qetë në Stamboll. Sa e sa fermane u nënshkruan e sa e sa koka pashallarësh u prenë për të, por kot. Tërë Ballkani dhe Europa ishin qetësuar e në Drenicë ende s’kishte pushtet të plotë turk. Edhe atëherë kur provuan ta vënë pushtetin, më 1891, dështuan: Saraji HAMIDIE, midis Llaushës, Polacit e Prekazit, u rrënua plotësisht, ndërsa kajmekami, Kahreman beu, me gjithë nëpunësit e tjerë u dëbuan brenda natës.”

Duke iu referuar më tej hegejmonisë serbe, studiuesi dhe publicisti Bedri Tahiri ka përmendur faktin se: “Pushteti borgjez serb ia kishte dronë kësaj ane aq shumë saqë e quante “vend graizish”, për të përkujtuar tutje edhe eleboratet e rrangallave akademike serbe për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, në sytë e të cilëve, siç shprehet autori: “Drenica parashikohej si vendi më i rrezikshëm, prej nga duhej larguar masovikisht popullsia (shqiptarët). Vetë mbreti Aleksandër pat propozuar që ky territor të shkatërrohej plotësisht.”

Një kronikë në vete paraqet fakti se në këtë truall jetik kaluan ushtri të egra, por përballë tyre gjithmonë koha nxori trima dhe heronj sypatrembur, të cilët dolën nga gjiri i këtij populli martir, dhe të cilët pena e Bedri Tahirit i kujton me krenari të ligjshme:

“Numri i atyre që luftuan dhe rezistuan kundër pushtuesve turq, austrohungarezë, bullgarë e posaçërisht kundër atyre serbë, është shumë i madh. Nga treva e Drenicës u dalluan: Bejtë Galica, Ahmet Delia, Ramadan Bajraktari, Shaqir Smaka, Azem Bejtë Galica, Shotë Galica, Bekë Galica, Mehmet Delia, Lec Gradica, Zenel Baica, Ilaz Reçaku, Fazli Berani, Bajram e Xhemë Tërnafci, Halit Bajrami, Mehmet Gjeli, Shaban Mangjolli, Shaqir Pirraku etj.”

Në qasjen e tij prej studiuesi të përkushtuar autori përballë lukunisë së çmendur të “sllavokominsitëve çetnikë”, vë amanetin gjithmonë actual të Azem Bejtë Galicës, se “besë me shka nuk ka”. Përballë besimit që kishte Fadil Hoxha në ta, ai vë sërish mençurinë e përfaqësuar nga plaku Tair Berisha, i cili duke u përballur me Fadil Hoxhën në fshatin Berishë, do t’i rikujtonte atij porosinë e madhe të breznive orëmira: “Mos kij besim te serbët! Gjithmonë na kanë mashtrue e kanë me u mashtrue”.

Duke shpalosur më tej emrat e mermerit monumental të qëndresës heroike dhe duke radhitur hartën e Shqipërisë natyrale, studiuesi Bedri Tahiri e shpalos atdhetarizmin e popullit, atdhetarizëm që si një pe i kuq koinativ e përshkon gjithë historinë e Drenicës trime dhe heroike:

“Brenda muajve janar-shkurt 1945 u bë ploja mbi Drenicë. Gjatë kësaj periudhe të ndërlikuar historike në mesin e shumë të tjerëve u dalluan: Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Ahmat e Rifat Galica, Sadik Lutani, Azem Aruqi, Imer Fazli Radisheva, Ajet Gërguri, Zymer Bajraktari etj.”

Kjo atdheadshuri është shpalosur me mjeshtri në prizmin e kundrimit të historisë edhe përmes faktit se populli është ai që i nxjerr prijësit nga gjiri i vet, kurse janë prijësit atdhetarë – ata që krenarinë për lirinë e vënë përmbi lumturinë, interest kombëtare përmbi pasurinë dhe interesat personale:

“Nga treva e Drenicës, nga Polaci, ishte edhe familja e Hasan Prishtinës. Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjeve të përgjithshme për Pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë dhe jetën e dha për të mirën e kombit dhe atdheut. Lirisht mund të thuhet se verpimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë.

Dhe, sërish e njëjta gjë. Amaneti i brezave, më mirë se gjetkë, u ruajt pikërisht këtu, në Drenicë. Në hirin e Feniksve të lirisë u rilind fara jonë çlirimtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar, ADEM JASHARIN, e cila kurorëzoi suksesshëm aspiratat tona shekullore, pra solli Dritën e Bardhë, solli L I R I N Ë dhe P A V A R Ë S I N Ë!”

Kapitulli i dytë, i titulluar Galica në faqet e historisë, është gjithashtu një kronikë me përmasa të një poeme të mirëfilltë, në të cilën shpaloset qëndresa epike e galicasve. E gjithë kjo e paraqitur me një prolog kaq të bukur:

“Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Ato, nëpër vite e shekuj, u përballuan rrebesheve dhe stuhive shkatërrimtare e robëruese, për çka bënë emër dhe zunë vend nderi në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.”

Duke përkujtuar në thelb të kësaj historie të lavdishme faktin e shprehur nga dr. Isalm Dobra (përmes citimit që autori ia ka bërë këtij studiuesi) se: “Pa Galicë, nuk ka Drenicë!”, Bedri Tahiri në të vërtetë ka dëshmuar se ka shkruar një poemë epike në prozë:
“Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike.”

Studiuesi futet kështu plot pasion edhe tek e kaluara e emrit Galicë, tek origjina e tij, duke dëshmuar sërish përkushtimin dhe seriozitetin në studimin e tij të veçantë, ku vërehet edhe prirja prej historiani të formuar:

“Me patronimin e toponimit të parë, pra me emrin Kolë lidhet edhe vetë emri i Galicës. Kështu në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk, të vitit 1445, si Kalica dhe Kaliça. Edhe në regjistrimin e vitit 1455 del si katund i madh, me 30 shtëpi e me emrin Kalica.”

Bedri Tahiri dëshmohet kështu kështu si studiues me vëmendje të veçantë kushtuar fakteve të rëndësishme, por ai njëkohësisht e dëshmon veten edhe si historian e publicist që nuk lë anash as detaje të tjera, të cilat i shpalos nga thellësia e shekujve dhe tek flet për lashtësinë e vendbanimit Galicës në raport me toponimet që e dëshmojnë vetvetiu një gjë të tillë, siç ishte toponimi Katuni i moçëm:

“Sipas të gjithë rrëfimtarëve, pleq që tashti kanë vajtur në atë botë, si: Vesel Rexhepi-Haxha, Zenel Haxha, Rushit Syla, Vesel Ujkani, Rrahim Shabani etj., të parët e Galicës kanë jetuar afër Sukës së Madhe, në lindje të vendbanimit të sotëm. Mirëpo, meqë aty ishte mal i madh, ujqit i kishin sulmuar disa herë, duke e mbytur edhe një fëmijë, anadj u detyruan të tërhiqen më poshtë, këtu ku janë sot. Vërtet, siç rrëfenin më të moshuarit, një mbrëmje dimri të egër, një vazjë e mitur kishte vajtur për të marrë ujë te Kroni i Çezmës, i cili ishte thellë në bjeshkë, dhe në atë kohë bënte fërfëllizë e madhe dhe atypari kishin kaluar ujqërit dhe e kishin rrëmbyer…Dhe, sot e atë ditë ai vend quhet Katuni i moçëm.”

Nuk ka dyshim se nën petkun e simbolikes, vendin e rrëfimtarëve të djeshëm e zë studiuesi i sotëm, dhe se vendin e vajzës së mitur përballë ujqërve e zë Galica, e gjithsesi edhe Drenica gjatë historisë, e zënë breznitë orëmira për ta shuar etjen e lashtë tek kroi i bekuar i lirisë së ëndërruar aq shumë.

Në mënyrë të veçantë, duke iu qasur toponimit të emrit Galicë, nga prizmi i një studimi krahasimtar, përmenden emra studiuesish shqiptarë dhe të huaj, për të kaluar pastaj tek përkatësia fetare dhe shtrirja gjeografike e fshatit:
“Se galicasit e hershëm, si të gjithë shqiptarët, i përkisnin krishterizmit, dëshmojnë gjurmët e varrezave të vjetra, të cilat ruhen ende mu në varrezat e sotme, me emrat: Vorret e moçme, Vorret e vaktit t’moçëm, Vorret e katolikëve.

Galica kap një sipërfaqe prej 443 h, 41 ari e 62 metra katrorë. Ajo kufizohet me Mikushnicën, Prekazin, Lubovecin, Ashlanin, Taraxhën dhe Dubocin. Ka pozitë të mirë gjeografike dhe strategjike, gjendet në një fushëgropë nga të gjitha anët me male e kodra gjysmë të zhveshura shkëmbore.”

Me thekse të veçanta, autori është ndalur tek përkatësia e fisit, duke dëshmuar sërish përkushtimin e tij të veçantë rreth një studimi sa të rrallë po aq edhe origjinal:
“Të gjithë banorët e Galicës i përkasin një barku dhe një fisi, fisit KUÇ…Të këtij fisi janë edhe Prekazi, Tërnafci, Abria, Murga, Lutogllava e Pejës, një pjesë e Tërdecit, një pjesë e Lushtës dhe një pjesë e Mikushnicës, andaj edhe sot e kësaj dite pjesëtarët e këtyre vendbanimeve i ruajnë këto lidhje dhe nuk lidhin krushqi e martesa.”

Pena i ngre më tej një himn pushkës, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sopatës, grykën e pushkës dhe majën e penës:
“Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit, – thoshte mulla Brahimi i Polacit. Në fakt, siç dëshmon Mehmet Rukiqi, këtë mendim e kishte thënë Osman Kryshevci në vitin 1954.

Dhe, kishte të drejtë. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në Betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja.

Pra, nga Galica, që atëherë nuk kishte më tepër se njëzet shtëpi, shkuan për të luftuar për të tjerët njëmbëdhjetë veta, prej të cilëve arritën të kthehen vetëm dy (Tahir Shabani e Hajdar Salihu)…”

Kjo penë e cila e bën mishërimin e të djeshmes me të sotmen dhe gjithsesi edhe me të nesërmen e këtij trualli të larë me gjak fatosash të lirisë, ka radhitur pastaj emrat e atyre që mbetën “diku në Karpate”. Kjo penë është gjithë gjakim e frymëzim në shpalim të epikës një heroizmi që rron ndër shekuj e që përkon aq shumë me atë të eposit të kreshnikëve:

“Kurse, që nga viti 1912 e deri më 1924, gjegjësisht 1926, Azem Galica me Nusen e Maleve-Shotë Galicën udhëhoqën çetat çlirimtare në luftërat dhe betejat kundër pushtuesve të ndryshëm: kundër serbëve, kundër austrohungarezëve, kundër bullgarëve dhe sërish kundër serbëve.

Më 15 korrik 1924, me qëllim të shtypjes së rezistencës disavjeçare, ushtria serbe filloi sulmin kundër Arbërisë së Vogël, e cila, që nga fundi i vitit 1923, përfshinte vetëm fshatrat: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Beteja qe e përgjakshme. Ushtria dhe xhandërmia serbe pësuan humbje të mëdha. Nga luftëtarët e lirisë u varën pak, por, në shenjë hakmarrjeje u dogjën të tri fshatrat dhe u masakruan mbi 80 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Vetëm në Galicë u vranë 34 veta.”
Bedri Tahiri nuk ka reshtur së shpalosuri faqe lavdie të një historie përplot të bëma heroike, e ku pa dyshim vend ballor zë figura epike e Azem Bejtë Galicës:

“Edhe kryetrimi mori plagë vdektare dhe, më 25 korrik 1924, vajti në përjetësi. Bashkëluftëtarët dhe Shota besnike ia plotësuan dëshirën e tij të fundit, e lëshuan në shpellën e thellë 74 metra në malet e Përçevës të njohur si Çuku që kërcet. Aty qëndroi deri më 1971, kur atdhetari sypatrembur, mësuesi Abdyl Krasniqi nga Drenoci i Vlashit, e nxori dhe e solli në Galicën e tij të dashur. Shota me Plakun e Çetës, Bekë Hysenin e Galicës dhe me ca jetimë kaluan në Shqipëri, për të vazhduar edhe më rezistencën e armatosur, derisa vdiq në mjerim, në Fuhsë-Krujë, më 4 korrik 1926.”

Pasi ka dhënë në detaje numrin e të vrarëve dhe të plagosurve “të asaj dite” të qëndresës heoike për liri a vdekje në Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë (e ku shquhen emra si: Hys Popova-Popovë, Sadik Rama), apo edhe Hafie Avdiu (5 vjeçare), autori i këtij studimi të veçantë, ka shpalosur në stilin prej publicisti dhe përmes simbolikës së shprehjes, fletë për fletë luftërat që kanë bërë galicasit për liri e tërësi tokësore:

“Galicasit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë ndihmesë për çlirimin e vendit. Ata luftuan në Jeni Pazar, në Kolashin, në Artakoll dhe paskëtaj kudo me Brigadën e Shaban Palluzhës. Ata përjetuan edhe masakrën e Tivarit dhe marshimin për në Vërshac dhe Banat. Edhe pas mbarimit të luftës, shumë trima ngelën maleve, duke vazhduar edhe më tutje të mos pajtoheshin me pushtetin e ri, të veshur me lëkurë qengji e që vepronte të shqyente me dhëmbë ujku. Galicasit vazhduan edhe më tutje. Grupe-grupe vajtën edhe në luftërat e Kolashinit, Sanxhakut, Pazarit të i e deri te Rashka.”

Duke nxjerrur në sfondin e historisë kryetrimat e lirisë së mëmëdheut, Bedri Tahiri dëshmon se nuk shkruan për pupla të buta e as për sallonet mbretërore me shkëlqimin e tyre verbues. Përkundrazi, ai shkruan për fatosat e kombit, për prijësit legjendarë, për udhëheqësit dhe komandantët të cilëve, siç do të thoshte Bajroni për trimat e Sulit, armiku nuk ua pa shpinën kurrë. Një nga ata ishte edhe tribunët popullor Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, luftën e të cilëve populli nuk do ta harronte kurrë por do ta vazhdonte me shpresën dhe besimin e pathyer se megjithatë, liria një ditë do të vinte në trojet stërgjyshore të lara me gjakun më të kulluar të bijve dhe bijave të këtij vendi:

“Pas rënies heroike të Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës, forcat gjakatare serbosllave u vunë në ndjekjen e të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të atyre që me armë në dorë i kishin kundërshtuar e rezistuar.”

I përmasave të tilla është edhe episodi i kapjes së “27 ballistëve të armatosur në një zgafellë të minierës së magnezitit në Galicë…Atë ditë kobtare, më 9 mars 1945, para tytave të cerbërve karpatianë e pane vdekjen me sy”.

Duke përkujtuar me krenari të ligjshme se “as Reforma agrare nuk pati sukses në Galicë. Kështu, gjatë gjithë historisë së kësaj mortaje të zezë, në Galicë u vendosën vetëm gjashtë kolonistë”, profesori, studiuesi dhe publicist që dëshmon për historinë, e sheh këtë luftë brezash të tërë si vazhdimësi të një ideali, luftë të parreshtur të cilën e bartën mbi supet e tyre shtresa të gjëra të popullsisë:

“As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndruan duarkryq. Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe fromuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro-shqiptar, te Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas I UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.”

E në shpalim të një historië sa të lavdishme po aq edhe të dhimbshme, histori për të cilën që moti poeti romantik anglez Bajroni kishte shkruar se “në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat”, pena sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës. Në penën e publicistit Bedri Tahiri, Galica kalon nëpër të shtatë rrathët e një ferri që përmban krime makabre:

“Gjatë kësaj lufte, Galica pësoi shumë. Më 17 mars 1999 e tëra u rrafshua me tokë. Ishte kjo djegia e shtatë e saj gjatë historisë qindravjeçare. Mu për këtë edhe nuk arriti të shtohet shumë popullata e saj dhe thuajse kurrë burrat e saj nuk arritën të mplaken a të vdesin me kokë në jastëk. Popullata u dëbua dhe u degdis gjithandej trojeve shqiptare e në mërgatë, mbetën vetëm burrat dhe luftëtarët e lirisë, të cilët për asnjë çast nuk u larguan nga shkrepat e Arbërisë së pamposhtur. Pos tjerash, Galica lirisë ia fali edhe 18 veta (14 meshkuj e 4 femra) dhe pati 6 të plagosur (Fidaim Ademi, Halim Ademi, Sami Zena, Mexhit Zena, Nexhmedin Tahiri-ky ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte marrë pjesë në thyerjen e kufirit, ku edhe ishte plagosur) e 4 të burgosur (Sejdi Lahu, Ismet Lahu, Mujë Shabani e Fazli Ademi, i cili nga torturat vdiq fill pas daljes në liri).”

Megjithatë, Galica është ringjallur nga hiri i vet, si Feniksi dhe, përkundër vështërsive të shumta, sot gjallon në trojet e veta stërgjyshore.”

Kapitulli vijues (i treti me radhë), titulluar Etnokultura dhe agrokultura, me përshkrimin e detajuar si dhe me përkushtimin e theksuar, sikur shpalos një nga fletët e veprës së Virgjilit Bukoliket dhe Gjeolgjiket, apo edhe atë të Lukrceit Mbi natyrën e sendeve. Bedri Tahiri përshkon me poetikën e penës së tij florën dhe faunën e vendlindjes së tij:

“Pastaj kultivohen mollët, kumbullat, vojsat, pjeshkat, kajsiat, arrat, hardhia e rrushit, etj.
Sipërfaqja më e madhe është me male, kodra e shkrepa. Prej drunjve më së shumti rriten: qarri, bungu, mllaku, blini, molla e egër, dardha e egër, uljzja, shkemzja (dru i rrallë me zemër të kuqe që përdorej edhe për çaj!), vidhi, shkoza e bardhë, shkoza e zezë, kreket, thana, lajthia, frashni, plepi i egër, shtogu, bagremi, acacia, rakita, dëllinja, ftoni i egër…
Këtu jetojnë shumë kafshë e shpezë të egra si: lepujt, dhelprat, shqarthi, ujqërit, çakejt, derrat, drerët, shqiponja, bilbili, harabeli, thëllëzat, turreci, qukapiku, qyqja, pëllumbat, dallëndyshet, lejleku, pupëza, huti, skifteri, sokoli, lakuriqët, laraska, kumria, qafkat, sojkat, sorrat e zeza, dervishi, shotat e egra, shkurtëza, strinca, sorrat laramajke, gautat, takrraçi, vremçi, shpendkeqja, mëllija, korrilat etj.”

Në mënyrë të veçantë ai ndalet tek domethënia e ndonjërës nga këto, si fjala vjen: “brekia (konsiderohet si dru i shenjtë dhe nuk pritet për dru zjarri, madje, besohet se po e ngarkove në qerre do kesh probleme)”, tek kremtimi i “festave të hershme të Shën Gjergjit (6 maj), të Shën Markut-Shmarkut (9 maj)”, tek frikësimi i pemëve: “Atë natë, dy veta, njëri me sëpatë i matej pemës duke i thënë: A bën a të preva?! Tjetri ia kthente: Lëre mos e nguc se në mot bën rrush!”, ndalet edhe tek simbolika e futjes së shpezëve në rrëfimin popullor: “Edhe fëmijët i frikësonin me një kollokangjë që kinse vinte natën dhe kur dëgjonte zë fëmije afrohej dhe mund ta merrte me vete e ta shpiente poshtë tek lumi, nën rrotën e mullirit me ujë. Pastaj thuhej se kush rrihej e ngucej mes veti i dilnin ithatat.”
Duke interpretuar domethënien e veçantë të ritit, autori është ndalur edhe tek festat e Shën Gjergjit:

“Sidomos dy fesat e para (Shën Gjergji e Shën Markut-Shmarkut) përcilleshin edhe me rite të ndryshme. Ato dy ditë, njerëzit vesheshin me rrobat më të mira që i kishin dhe nuk punohej fare, veçan nuk lavrohej me qe e me kuaj dhe nuk përdorej gjilpëra, sepse besohej se do të pësonte bagëtia nga helmimi i gjarprinjve.

Për Shën Gjergj zonja e shtëpisë përgatiste një lloj uji magjik a të bekuar, me hithëra, shelgje, gjethe e barëra, ngjashëm me atë në Dhjatën e Vjetër 3500 vjet më parë dhe, ende pa gdhirë, i stërpikte të gjithë anëtarët e familjes në mënyrë që të kenë shëndet të mirë. Ushqimi përgatitej enkas, përshesh me qumësht e misërnike, filja e gjësende të tjera të posaçme.”

Përveç riteve, ai nuk ka lënë pa përmendur as traditën e pasur të kësaj ane, traditë e cila ndërthuret edhe me filozofinë jetësore:

“Kur të flasësh për traditën galicase nuk mund të mos e përmendësh edhe Drekën e barinjve, që njihet me emrin Kulaçi. Ai organizohej për çdo vit në kohën e verës gjatë pushimit të mesditës (midis mëngjesit e përditës, siç i thoshin ata. Kulaçi përgatitej me radhë nga secili bari. Aty mblidheshin të gjithë dhe, pasi hanin drekën e begatë me gjithë të mirat, zakonisht nën hijen e pemëve, tepsia boshe rrokulisej dhe kur binte mbarë ishte ogur i mirë për atë shtëpi dhe bagëtinë e saj, ndërkaq kur ndodhte që të përmbysej, ishte një shenjë e keqe.”

Në pjesën Mikrotoponimia (Pika e orientimit: Ftojtë e Tahirit), në hyrje të së cilës autori ka vënë shënimin: Gjatë hulumtimit disavjeçar në terren arrita të regjistroj 157 toponime, që ndarë në grupe, duken kështu: male e fusha (43), ara (48), kroje e burime (18), rrugë (9), lugje e livadhe (14), kodra (10), dhe varre (15), jepet një kontribut i çmuar jo vetëm për të lënë të shkruar si dëshmi gati-gati çdo gjë që lidhte me Galicën, por në radhë të parë një kontribut me vlera të veçanta gjuhësore.

Edhe në këtë pjesë dëshmohet dashuria për vendlindjen, përkushtimi për të shpalosur aspekte të shumta të kësaj treve, e që shpesh gjendet në domethënien e emrave.
Kështu fjala vjen, duke radhitur Emra malesh dhe fushash, jepen sqarimet përkatëse e ku vërehet qartë se gati secili makrotoponim ka një histori në vete:

“Gamnat (P) – mal me drunj të përzier që kap një sipërfaqe bukur të madhe, me një lugajë në mes, me dhe të shkriftë, ku dhelprat bëjnë strofujt e tyre. Aty, më 1917, forcat austrohungareze, pas një beteje të ashpër, i zunë dhe i pushkatuan dy vëllezërit e Azem Galicës, Seferein dhe Zenelin.”

Një poetikë e veçantë del edhe nga emrat e tjerë dhe sqarimet përkatëse lidhur me ta, si për shembull: “Lugu i Behramit (V) – kompleks lëndinash e malesh me lisa të mëdhenj bungu e qarri, të cilët nuk rritën shpejt, sepse rrënjët i kanë në shkëmbinj strallor. Aty-këtu ka edhe dëllinja.”, “Bregu i Sardovit (V) – kurorë e malit Sardov, nëpër të cilin kalon një rrugë e ngushtë, një dhiare.”, Sardovi (V) – mal i shpeshtë, myllcak, ku dominon shkoza e zezë…”, “Shpatet (V) – vargmale mbi fshat, me dru qarri, bungu, ulëze e shkemze (dru i rrallë, me brendi të kuqe që dikur përdorej edhe për çaj), ku ekziston edhe mademi i gurëve, prej të cilëve janë të ndërtuara shumica e shtëpive galicase e edhe kulla e Azem Galicës…Tokën e ka gurore dhe shumë të nxehtë, ku, ende pa shkrirë bora, mbin një lule, koka e së cilës hahet, të cilën vendasit e quajnë kokërdhocë.”

Edhe për emrat e tjerë, theksi vihet mbi kuptimësinë e tyre. Për mikrotoponimin Llugat (V), theksohet se është një “mal me thellësi të madhe…Pos shkozës, plepit të egër, ulzës, brekisë, krekcit, shtogut, ka shum edhe blinj e ferra murrizi.” Për mikrotoponimin tjetër Llugat e rakitis (VL), thuhet se është një “mal kryesisht me dru qarri”, për ate që quhet Roga e Blinit (VL), se është “një lëndinë midis malit, përplot me blinj të bukur, nga e ka marrë edhe emrin.”

Ndërkaq, tek mikrotoponimi Kërpnaja (V), vërehet gjuha figurative e kuptimit të këtij emri: “një përrua i thellë e i përthyer me ca lisa të rrallë e të mëdhenj, nëpër të cilët mbështillen kërpnaja (kulpra) të trasha e të gjata deri në majën e tyre, nëpër të cilën nuk kalon thuajse askush.”

Të një domethënie të veçantë e shpesh dhe me histori në vete janë edhe mikrotoponimet tjera si: “Shpati i Keq (J) – një bregore shumë e pjerrtë dhe e përthyer keq me drunj të ndryshëm: qarri, frashri, lajthie, thane, ulze, bliri…Emrin e mori ngase është gati i papërshkrueshëm dhe, dikur, tek kalimtarët ngjallte frikë.”, “Qestat (J) – kompleks i madh malesh gjysmë të rrafshëta me drunj, kryesisht qarr, bung e mllak, që rriten shumë shpejt dhe janë të përshtatshëm për shfrytëzim.”, “Gjuha e Pirrakut (J) – një copë mali në formë gjuhe të mprehtë, me lisa të mëdhenj qarri e thana të vjetra që nuk u mbahet mend mosha.”, “Gurinat (V) – komplekse arash, malesh, livadhesh, lëndinash e përrenjsh.

Nëpër arat e hapura me kazmë kurrë nuk shterrojnë gurët që dalin si patatet, nuk ka maden, dhe janë të përshtatshëm për ndërtim.”, “Shapti i Thatë (L) – vargmal që është vazhdimësi e Qyqavicës dhe lidhet me Zmiqin e Kolenën, duke shkuar deri te Braboniqi. Toka e tij është shumë gurore, andaj, edhe pse drunjtë rriten mjaft, quhet Shpat i Thatë.”, “Logjet e Bejtës (J) – male në Bejtë të Galicës, babait të kryetrimit të Kosovës, Azem Galica, i cili ra heroikisht në betejën e Deviçit, në luftë kundër Shemsi Pashës, më 1908.”, “Katuni i Moçëm (VL) – një vend i rrafshët prej zalli të murmë midis kodrash gjysmë të zhveshura, ku dikur jetuan të parët e Galicës, që për shkaqe, që i kemi sqaruar më lart, u detyruan të zbresin më poshtë.”, “Te Tuneli – vend afër Tunelit të hapur në kërkim të xehes së magnezitit (filxhanit). ‘Kjo minierë u zbulua diku në vitin 1915, kurse nisi të punojë më 1929. E hapën kroatët në bashkëpunim me sllovenët, punimet i udhëhiqte dr. Shënfaja.

Kjo xehërore punoi deri në vitin 1954, kur u mbyll pa ndonjë arsye.’ Aty, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, u strehuan galicasit që nuk donin të shërbenin në aradhat partizane, por iu kishin bashkuar Shaban Palluzhës, dhe për pak e pësuan me kokë.”, “Lisat e Vorreve (V) – lisa shumë të vjetër, mbi treqindvjeçarë, nën hijen e të cilëve u mbajtën kuvende burrash e u lidhën marrëveshje për luftëra e kryengritje. Atë më të madhin e ka shkatërruar era para ca vitesh, ndërsa të tjerët (njëri është trenjakë) ende gallojnë edhe paraqesin monumente të rralla lashtësie. Populli ynë krijoi kulte për disa objekte materiale e dukuri natyrore. ‘Disa vende publike që u shërbenin në mënyrë të veçantë banorëve të malësive, si: prona të përbashkëta që mbaheshin krejtësisht të paprekshme, vendpushime rruge ku çlodheshin ushtarët, vende të buajtjes gjatë rrugës, mrize e vendbanime të veçanta me ujëra të freskëta, nga shërbimi që bënim ishin vende të nderimit publik, si vende pelegrinazhi, vende ritesh e ceremonish të karakterit pagan.“

Jo më pak interesante dhe kuptimplota janë edhe mikrotoponimet e tjera, të radhitura me me një përkushtim dhe vëmendje të veçantë, dëshmi se autori sikur nuk do të lë asgjë pa përfshirë:

“Harmoçi (L) – mal i shpeshtë dhe shumë i përthyer, gati i padepërtueshëm.”, “Rrezja e Harmoçit (L) – kurora e malit Harmoç, e kthyer nga lindja e diellit.”, “Lajthishta (J) – vendi që përbëhet kryesisht nga lajthitë, nëpër të cilën kalon rruga kryesore që lidh Dubocin, Galicën, Lubovecin e del në Vojtesh, në magjistralen Mitrovicë – Pejë.”, “Malet me Gurrë (VL) – masiv malor, mbi kroin Gurra, me lisa qarri e bungu, të cilët rriten fare ngadalë, sepse rrënjët i kanë me shkëmbinj.”

Edhe në pjesë Emra arash, shpaloset poetika e veçantë e emrave, bukuria e tyre dhe domethënia që shpesh mbartin në vete si pjesë e një historie të veçantë, si:
“Trolli i Azemit (V) – një rrafshlartë me një pozitë strategjike, ku dikur ishte kulla legjendare e Azem Bejtë Galicës dhe kryeqendra e Arbërisë së Vogël. Gjatë reformës agrare aty qe vendosur kolonisti Jovan Lekiqi. Sot aty ka nisur të ndërtohet Kompleksi Përkujtimor “Azem e Shote Galica”. Ka dhe të kuq dhe paksa si zallishtë e pjekur, një lloj argjile, që kur merr thatësi forcohet si çeliku.”, “Ara e Lahut (V) – një pjerrinë e vogël me dhe të zi, smonicë, por mjaft e plleshme.”, “Kroni i Bajramit (V) – një kompleks arash që shtrihen përreth Kroit të Bajramit, pronë e familjes së Halit Bajramit nga Luboveci.

Ato janë tokat më pjellore në Galicë.”, “Gofilet (VL) – ara në të rrëzuar, në lindje të dielit me tokë të lehtë për t’u punuar, por të bereqetshme. Ledheve të saj del një bari i vështirë që quhet pirrovinë.”, “Arat e Shtojve (L) – një grup arash përreth një vendi butësinë me ujë të mjaftueshëm që quhet Shtoji.” , “Livadhi i Kolë Bibës ose Kolëbibës (VL) – një varg arash që dikur ishin livadhe. Sa herë që lëvrohen del ndonjë element lashtësie, copa tullash e tjegullash, që tregon se ishte vendbanim i hershëm. Në bazë të tij edhe e ka marrë emrin Galica. Gjendet tej larg vendbanimit të sotëm, përte bregut, andej nga Taraxha.”, “Kuadrinat (L) – kompleks i madh arash përgjatë kodrash gurore, që populli në vend që t’i quante kodrina i quajti kudrina. Janë të zorshme për t’u punuar, përplot me guraleca brincak, por shumë të begata e pjellore.” , “Arat ner shpi (L) – quhen disa ara që shtrihen nën shtëpitë e lagjes Veliaj. Përbëhen nga dheu smonicë e zezë dhe janë mjaft të plleshme.” , “Arat e Bejtës (J) – një rrafshinë e madhe prej më se dhjetë hektarësh, dikur pronë e Azem Bejtë Galicës, sot e Bejtullah Sahitit.”, “Arat e Livadhit (J) – një kompleks arash malishtë që shtrihen në anën e sipërme të livadheve. Janë të ftohta, të lehta për punë, por të lehta edhe për bereqet.”, “Arat mbi baltak (J) – disa ara mbi vendin e quajtur baltak, i cili deri vonë, në pranverë, paraqet pakalueshmëri matanë.

Edhe këto janë malishtë, të lehta për punë dhe të ftohta për bereqet.”, “Arat te Falltorja (J) – ca ara të liga, të çelura midis malesh, ku deri vonë ka jetuar një falltore boshnjake, e martuar për shqiptar, që shkrinte plumb për fëmijët e sëmurë nga syri i keq, mësyshit.” , “Lugjet (V) – ara të nxehta që punohen më herët se të gjitha të tjerat, sepse shtrihen në lugje midis kodrash me shkëmbinj të nxehtë. Janë të lehta për punë, kryesisht përbëhen nga zalli i bartur nga kodrat, por janë edhe pjellore, të ëmbëla për bereqet, siç thonë vendësit.” , “Arat e Vidhave (L) – quhet kështu sepse në ledhat e saj kishte përplot vidha të trashë e të bukur. nga vidhi e nga drunjtë e tjerë, marangozët punonin vegla të ndryshme bujqësie e amvisërie (cfurqi, grabuja, tërplote, lugë, tëhollues, funa, vegje, furka, boshta, shtiza, nalle, qerre, parmendë, saja, bërdyla, shala e samarë, fytëza, qekërka, drugëza, krojshe, shpata për vegje, kërryle, fyej, kavallë, nrrojsa, kokat e mëzhnicave, çiftelitë, sharkitë etj.)”, “Ara te Molla Bosje (P) – arë me tokë mellinë, në mes të cilës gjendet një mollë e madhe që quhej Molla Bosje.”

Në pjesën vijuese të mikrotoponimisë së Galicës, të titulluar Emra krojesh e burimesh, sërish vërehet poetika e shprehjes dhe dashuria për të shkruar kronikat e çdo pëllëmbe të vendlindjes:

“Kroni i Buçillës (V) – burim i fortë uji bri Udhës së Kuqe, në pronat e përbashkëta të fshatit që shfrytëzohet nag të gjithë, dikur edhe për pije, sot vetëm për ujitje e për bagëtinë. Quhet kështu ngase është i cekët dhe uji rrjedh mbi tokë (puçilla-buçilla, pra shndërrimi i p në b) uji i tij është i njohur për zierjen e mirë të fasulës.”, “Kroni i Bajramit (V) – krua midis arash, në një livadh ligatinë, pronë e Halit Bajramit nga Luboveci, por që më shumë e shfrytëzojnë galicasit.”, “Kroni i Sheljeve (V) – vend butësinë, i tëri në ujë, vetëm bari na mbante kur ecnim sipër saj. Prej aty sot e kanë të siguruar ujin e pijes disa familje.”, “Kroni i Sordovit (V) – krua i vogël, me ujë të ftohtë, që buron nën shkoza, në malin Sordov.

Shfrytëzohet për pije vetëm nga barinjtë dhe kalimtarët e rastit.”, “Kroni i Llubureve (V) – dikur burim shumë i fortë, pronë e Galicës, por edhe afër Lubovecit dhe shfrytëzohej nga të dy katundet. Sot nga ai vend furnizohet me ujë të pijshëm gjysma e Galicës (me rënie të lirë) dhe është uji më i mirë në këtë anë, i cili buron nga guri i kuq.”, “Gurreci (VL) – burimi më karakteristik dhe më i rrallë në shkallë më të gjërë. Një gur i madh, në një përrua, gjysma e të cilit është në ajër dhe nën të pikon uji në formë shiu pikëmadh. Për të pirë ujë duhet të futesh i tëri nën të. Gjë që nga frika rrallë e shuan etjen deri në fund. Ka ujë shumë të ftohtë. Barinjtë i milnin delet dhe qumëhtin në tasa llamarine e futnin në ujë dhe për pak kohë ai vënonte mazë. Kohëve të fundit, prej që lagja Zuçaku e Dubocit e ka marrë ujin në livadhin sipër tij, e ka pakësuar ujin.

Për çudi, vitin që shkoi, më 2010, guri ishte shembur.” , “Gurra (VL) – siç tregon edhe vetë emri, ishte një burim shumë i fortë dhe me ujë të ftohtë që, kur e pije shpejt, të binte në ballë.”, “Kroni i Hatës (J) – burim i pashtershëm mu nën lajthishtë, bri rrugës për në shkollë, nuk dihet kush i pari e ka ndërtuar, nuk dihet kush ishte Hata.”, “Kroni i Kudrinës (L) – në të rrëzuar drejt Qyqavicës, në arat e Kudrinës gjendet një krua me ujë të ftohtë akull, i cili është larg rrugëve, andaj shfrytëzohet vetëm nga barinjtë dhe nga argatët që punojnë arat.”, “Gurrsheli (J) – ujë i pashterrshëm, që buron midis livadhi, dikur nën ndonjë shelgje (gurrë + shelgje = gurrë sheli), i cili ecën tatpjetë dhe shërben vetëm për bagëtin.”, “Qekerkat (L) – një përrockë e vogël që mbledh ujërat që nga Kroni i Drumit, Gurra, Shtoji dhe Kroni i Katunit dhe vazhdon për në lumin Kudrina.

Atypari kalojnë fëmijët për në shkollë dhe udhëtarët, andaj, dikur, në zigzaget e tij të rrëmbyeshme ndërtoheshin ca si mullinj prej tallash, që silleshin nga valët e ujit dhe fëmijët i quanin qekerka.”, “Baltaku (J) – lloj bunace, ku mblidhen ujërat që vijnë nga lugjet e Mikushnicës, të Lubovecit dhe të Galicës, e që deri vonë, në pikë të verës, paraqiste vështirësi për të kaluar nëpër të.”, “Shavari ose Shavarina (L) – burim i fortë uji, nën një butësinë përplot shavar, që, siç rrëfejnë të vjetrit, dikur moti, kur burrat kishin vajtur nëpër luftëra të largëta, gratë kishin bartur gurë me zavjaça dhe e kishin murosur kroin.”

Bedri Tahiri kujton emrat, shpalos dëshmitë e tyre, dëshmon për dhembjen e murosur si nëpër mitet dhe legjendat, por në mënyrë të veçantë ai shpreh dashurinë e tij për çdo pëllëmbë të kësaj toke që e lindi dhe e rriti, madje-madje duke shënuar jo vetëm për rrjedhën e krojeve e të burimeve, por edhe për fatin e gurëve të vendlindjes.

Është prandaj e natyrshme të thuhet se ai ka shkelur çdo shteg e ka rrahur çdo rrugë, ka bredhur çdo mal e kodër të vendlindjes, duke mbajtur shënime e duke shpalosu kujtime brezash, në mënyrë që dëshmitë të mbesin jo vetëm përmes asaj që thuhet, por në mënyrë të veçantë nëpërmes asaj që shkruhet.

Ky përkushtim dhe ky gjakim i përhershëm, dëshmohet edhe në pjesën Emra rrugësh:
“Ftojtë e Tahirit – një tufë ftonjsh të egjër që gjenden në mal të fshatit, në kryqëzim rrugësh, andaj edhe janë marrë si pikë orientuese gjatë punës hulumtuese. Në këtë vend, më 15 korrik 1924, ushtria dhe xhandarmëria serbe pushkatuan shumë gra, pleq e fëmijë galicas, në mesin e tyre edhe plakun Shaban Tahiri 85 vjeçar, i cili po u printe atyre dhe po përpiqej t’i kapërcente jashtë rrethimit.”, “Udha e Kuqe (P) – rrugë shumë e vjetër e cila kalon nëpër lagjen Halitaj. Emri e mori, sepse përbëhet nga dheu i kuq, kuqëlinë e pjekur, që të lidhet për këmbësh dhe nuk të shqitet dot.”, “Udha e thellë (VL)-rrugë e ngushtë, mezi kalohet me qerre kuajsh, që lidh Dervenin dhe Kudrinën, e hapur më shumë nga uji se sa nga njerëzit, nëpër ca shkëmbinj të fortë brinak gati të patretshëm.”, “Udha e malit (L) – rrugë shumë e shfrytëzueshme që lidh Galicën me Dubocin e Vushtrrinë, në lindje, dhe Lubovecin e Mitrovicën, në veri.

Quhet kështu, sepse kalon nëpër mal dhe gati kurrë nuk e kapin rrezet e diellit dhe gjatë gjithë dimrit kurrë nuk shkrinë bora dhe ngricat.”, “Lëndinat (P) – kryqëzim rrugësh në perëndim të Galicës, përreth së cilës dikur kishte lëndina ku fëmijët i kullosnin qengjat dhe kecat.”, “ Udha e Kudrinës (L) – rrugë kryesore dhe e rëndësishme, e hapur dhe bartjen e xehes së magnezitit që dikur ishte miniera më e njohur në Ballkan. Këtu xehja edhe përpunohej, kishte furra të shkrirjes. Atëbotë, ky lokalitet përbënte një qendër të rendësishme, kishte madje edhe postë edhe telefon, e sot ka ngelur gati-gati, shkretë!!! Aman ç’paradoks!!!”

Edhe pjesa tjetër në vijim Emra lugjesh e livadhesh, në vete ngërthen përshkrime të bukura të natyrës, evokime kujtimesh nga fëmijëria dhe pjesë nga historia, të cilat në kontekstin e këtij studimi marrin përmasa të veçanta:

“Logu i Zanave (L) – një vend mitik me të cilin lidhen edhe shumë legjenda. Si fëmijë gjithmonë ia kishim drojën, sepse kishim dëgjuar rëfime se aty rrinë Zanat dhe se, po i trazuam, do të na gurëzonin apo do të na shitonin. Vërtet është një vend i përthyer keq dhe gati i padepërtueshëm, përplot ferra, thana, kulumria, ulëze etj.”, “Lugu i Llubureve (P) – vend shkëmbor me ndonjë shkurre të rrallë e me ca dëllinja shkurtaqe. Uji i shirave të rrëmbyeshëm e gërryen shumë dhe ka krijuar përrua të pakalueshëm.”, “Lugu i Nërmjem (VL) – një lugajë e vogël mes lugjeve më të mëdha, kryesisht prej shkëmbinjsh të zhveshur e ca dëllinja të rralla, ku dimrit rrinë lepujt e dhelprat.”, “Livadhet e Frashnit (J) – gjenden midis Galicës e Lubovecit.

Emrin e kanë marrë në bazë të frashrit të madh e të moçëm, që gjendet midis tyre. Nëpër të Azem Galica e ka çarë rrethimin më 15 korrik 1924.”, “Sharavinat (JL) – kompleks livadhesh që shtrihen përgjatë lumit Kudrina, mes Galicës e Dubocit (Gjytetit).”, “Livadhi i Gjeloshit (JL) – livadh shumë i mirë, me bari të butë, nëpër të cilin kalojnë të gjitha përroskat e Galicës, përgjatë të cilave ka përplot shelgje hijerënda.”

Një përshkrim të veçantë u ka falur autori edhe kodrave, prandaj pjesa Emra kodrash gjithashtu shpaloset në poetikën e shprehjes së gdhendur me shije dhe elegance të veçantë:

“Kërshi i Lepurit (V) – një kodër shkëmbore në kufi me Lubovecin e kthyer nga lindja e diellit, shumë e nxehtë gjatë kohës së dimrit, në të cilën strehohen lepujt.”, “Kodra e Vogël (V) – pjesë e lëndinës së vorreve, andej nga lagja Halitaj, ku, dikur, zakonisht i kullosnin qengjat e viçat e vegjël, që nuk mund të shkonin larg shtëpive. Në to gjendet edhe Kroni i Buçillës.”, “Kërshi i Zallinës (V) – kodër e pjerrët, kryesisht me shkëmbinj të butë, të cilët nga dielli, shiu e bora shkrihen e bëhen zall. Gjatë rrethimit të Azem Bejtës, aty ishte vednosur topi kryesor dhe vetë Zhupani i Shkupit, për çka herë-herë e hasim edhe me toponimin Kërshi i Topit.”, “Kërshi i Hutit (L) – një kodër tjetër, në anën lindore të fshatit, ku zakonisht rrinë hutinat.”, “Suka e Madhe (L) – kodër në formë plisi, me majë të mprehtë, nga e cila shihet gati e gjithë Drenica dhe Rrafshi i Kosovës. Edhe aty qe vendosur një top i madh gjatë betejës së Arbërisë së Vogël, më 15 korrik 1924.”, “Suka e Vogël (L) – shtrihet nën Sukën e Madhe, andej nga Kudrina dhe, kur i shikon nga larg, i ngjet disi një fëmije pranë së ëmës.”, “Suka e Kodrinave (L) – vjen si vargoi i tretë pas dy sukave të para dhe qëndron lart bri lumit Kudrina.”

Në mënyrë të veçantë pjesa e titulluar Emra varresh, dëshmon se populli ruan në kujtesën e tij dashurinë për trimat dhe emrat e tyre, duke i kujtuar dhe përjetësuar ata. Duke shpalosur emrat e varreve, studiuesi dhe publicist Bedri Tahiri e dëshmon sërish thënien e njohur të Mitrush Kutelit, se historia e një kombi mund të shkruhet edhe me emrat dhe epitafet e varreve të tij:

“Vorret e Katunit (V) – varret kryesore që gjenden në anën veriore të fshatit, në kryqëzim rrugësh dhe kapin një sipërfaqe bukur të madhe. Nëpër to ekzistojnë edhe lisa të mëdhenj qindravjeçarë.”, “Varret e katolikëve (VL) – Populli i ruajti me fanatizëm dhe i quajti Vorret e Moçme, Vorret e vaktit t’moçëm e dikush Vorret e katolikëve. Këto paraqesin një fakt me interes për punëtorët shkencorë e studiuesit e ardhshëm arkeologjikë.”, “Vorri i Azem Bejtës (V) – gjendet mu ku trimi e kishte Kullën legjendare dhe ku e zhvilloi betejën e tij të fundit, më 15 korrik 1924. Aty daton vetëm nga viti 1971, kur eshtrat e tij i nxori nga shpella “Çuku që kërcet”, mësuesi atdhetar, Abdyl Krasniqi. Para luftës që i rregulluar mirë me një pllakë të bukur, por barbarët serbë, më 17 mars 1999, e shkatërruan rrafsh me tokë.”, “Kompleksi ‘Azem e Shote Galica’ ” (V) – përfshin një sipërfaqe prej njëzet arësh dhe gjendet në oborrin e Kullës së tij heroike.

Në 80-vjetorin e Betejës së Arbërisë së Vogël, banorët e fshatit Galicë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Prishtinë dhe atë në Tiranë, e me mbështetjen financiare të KK të Vushtrrisë, KK të Skënderajt dhe TMK-së nga Zona e Parë e Drenicës, organizuan një punë të shkëlqyer. U mbajt Simpoziumi Shkencor dhe u përurua faza e parë e Kompleksit, ku u bënë këto punë: u rregulluan varret e dy kryeheronjve, Azem e Shotë Galica, me një pllakë, ku janë skalitur figurat e tyre në përmasa natyrore, u rregullua varri masiv i të gjithë të rënëve të kësaj beteje, duke ua skalitur emrat në mermer, u bë rregullimi i ambientit me numrin mbrojtës e rrethojën e metaltë. Tashmë, më 2011, nisi edhe ndërtimi i Kullës.”

Vetë publikimi i dy fotografive përkatëse, një ku shkruan: Lisat e varreve në Galicë, ku Azem Galica dha betimin, dhe tjetra nën të cilën shkruan: Kulla e rindërtuar e Azem Galicës (me shënimin plotësues që lidhet me simbolikën e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: Në vitin 2012 përfundoi ndërtimi i Kullës së Azem Galicës), vetvetiu flet për një trashëgimi ilire të betimit në gur apo tek lisat.

Poenta kryesore e radhitjes së emrave të varreve, është sa zbërthimi i gojëdhënave (si tek rasti i krushqve të vrarë, e që tërthorazi na e kujton fatin e Jerinës për të cilën u zunë keq lekë Dukagjini dhe Lekë Zaharia) po aq edhe shpalimi i mesazhit që nënkupton se bartësit e këtyre emrave dhe idealet e tyre jo vetëm që duhet gdhendur e skalitur edhe më në gurë, por duhet çuar deri në fund idealet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e plotë të atdheut:

“Vorret e Dëshmorëve (VL) – një kompleks varrezash me pllakën përkujtimore me emrat dhe fotot e të rënëve galicas gjatë luftës së fundit 1998/99.”, “Vorret e luftëtarëve (V) – janë quajtur kështu varret e përbashkëta të luftëtarëve të luftës së Azem Galicës, të cilat sot janë futur brenda Kompleksit që e përmendëm më lart.”, “Vorret e Shalës (P) – varreza të vjetra, që ndryshe quhen edhe Varret e Krushqve, ku, sipas gojëdhanës thuhet se aty janë takuar dy palë krushq nga Shala e Bajgorës dhe duke mos ia lëshuar rrugën njëra-tjetrës, janë mbytur të gjithë, madje në fund edhe vetë nuset.”, “Vorri në Kërpnajë (VL) – një varr i një të pushkatuari (sipas rrëfimtarëve ka gjasa të jetë nga Rezalla) gjatë Luftës së Dytë Botërore nga sllavokomunistët serbë.”, “Vorri i Qerimit (P) – varr i vetmuar i Qerim Shabanit, i vrarë në betejën e fundit të Azem Galicës.”, “Vorri i Kamer Xhemës (P) – varr përtej Livadhit të Isuf Rexhës, ku është varrosur Kamer Xhema i vrarë në betejën e fundit të Azem Galicës.”, “Vorri i Hasan Lahut (P) – varr në vendin e quajtur Qafa, midis Mikushnicës dhe Galicës, ku është varrosur Hasan Lahu, njeriu i parë i vrarë në Betejën e Azem Galicës.”, “Varri i Hazirit – varri i Hazir Fetahut, plak i vrarë në Betejën e Azem Galicës, i cili sot gjendet brenda Kompleksit Përkujtimor ‘Azem e Shotë Galica’ ”, “Vorri i Hys Popovës (V) – gjendet aty afër atij të Azem Galicës. Ky luftëtar i vjetër, ditën e betejës së 15 korrikut 1924, kishte qëlluar në Galicë dhe ishte vrarë me armë në dorë, duke luftuar. Duke e marrë për Azemin, sepse ishte kreshnik fare, serbët e sollën afër kullës, edhe pse ai kishte rënë më larg, andej nga Gofilet.”

Në kapitullin e fundit të titulluar Patronimia, në pjesën Barqet dhe vëllazëritë, autori ka radhitur lagjet dhe barqet, ku shquhen sipas renditjes: Halitaj (mes tjerëve “Tahiri-tetë shtëpi, dy në Galicë e gjashtë në Vushtrri”), Fetahaj, Bahtiraj – “familja e Azem Galicës, disa kanë dalë bashkë me Shotën në Shqipëri (Ramadani me disa të tjerë), kurse këta që kanë mbetur këtu quhen Saiti (dy shtëpi në Galicë e një në Vushtrri)”, Veliaj, Lahaj, Zekaj, dhe Mehmetaj.

Përfundimisht, në përmbyllje të librit i cili pos tjerash në vete ngërthen edhe një fjalor mjaft të pasur gjuhësor prej toponimesh, është vënë shënimi që flet për vendbanimin e galicasve: “Aktualisht, dy të tretat e banorëve të Galicës jetojnë në mërgim dhe në vende urbane, në Vushtrri, në Mitrovicë, në Prishtinë (prej kohësh një pjesë e lagjës Halitaj jeton në Rashicë të Ferizajt) dhe shumica si shenjë kujtimi, e mbajnë emrin GALICA.”

Vlen gjithashtu të theksohet se në këtë studim gjithëpërfshirës, dalin analogjitë mes mikrotopnimeve me vende të tjera, si: Arat e Shtojve (L) me Fushën e Shtojit në Ulqin e afër Shkodrës, Kroni i Sheljeve (V) me vendin e quajtur Te Shelnjet (në hyrje të fshatit Zhazhë të Shalës), Kroni i Llubureve me vendin e quajtur Te Lluburja (në fshatin Vllahi të Shalës)…

Libri ngërthen në vete edhe kristale mendimesh, veçori kjo e strukturës shkrimore të Bedri Tahirit, e në mënyrë të veçantë si pjesë e shijes së hollë estetike por edhe si pjesë karakteristike e leximit me laps në dorë:

“Drenicës i lanë nam: dijenia e Xhemail Abrisë, sakica e Ahmet Delisë dhe pushka e Azem Galicës (Tahir Berisha), Kësaj bote i dilet veç me majën e shpatës dhe duhet të vdesim me armë në dorë (Volteri), I dashuri im! Do të doja më shumë të shquhesha për dituri sesa në pushtet e në sundim (Leka i Madh mësuesit Aristotel), Nuk ka në Europë racë më të lashtë se e shqiptarëve. (Albert Dymont).”

Përfundimisht, me përkushtimin e tij tepër të veçantë ndaj së kaluarës historike në përgjithësi, e në këtë libër – rreth toponomistikës së Galicës në veçanti, shkrimtari dhe studiuesi shkrihen në një.
Pena lartëson sërish pushkën, adhuron zemrat e forta dhe nderon mendjet e urta që rrahën dhe punuan pa rreshtur, për lirinë e mëmëdheut.

Drita e penës dhe flaka e pushkës bëhen një dhe se duke qenë i brumosur me një atdhedashuri të tillë, Bedri Tahiri përkulet jo vetëm sikurse në betimet e lashta ilire, përpara lisave shekullorë e përpara gurëve të truallit stërgjyshor.

Ai shkon shumë tej se kaq, sepse ai e ka fatin dhe privilegjin e veçantë, të cilin e hasim rrallë, prandaj është sa kënaqësi po aq edhe krenari ta themi se ia kemi lakmi, sepse Bedri Tahiri në nderimin e tij krejtësisht të veçantë, e vë në praktikë vargun e madh të poetit të himnit kombëtar Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, i cili u përkujtonte shqiptarëve porosinë e madhe të heronjve dhe dëshmorëve të të gjitha kohëve, porosi aktuale edhe sot e edhe mot: Amanet ju lëmë shpirtat tanë!

Krah për krah, Drenica e Shala:
Bedri Tahiri e Xhemail Peci përpara Kullës së Azem Galicës

Duke lartësuar këta shpirta me veprat e tij të njëpasnjëshme, Bedri Tahiri përkulet jo thjesht para monumenteve të heronjve apo busteve të dëshmorëve, jo përpara statujave por si rrallëkush, ai përkulet përpara shpirtave të tyre të përjetshëm.

Këtu, edhe qëndron madhështia e një kombi të vogël por me zemër të madhe lirie, tek sheh se si një nga pinjojtë e breznive orëmira, me penën e tij të denjë u thurë kurora lavdie pikërisht atyre të cilët ai ka pagëzuar aq bukur si flakadanë të lirisë, gjaku i të cilëve e bën shumë më të shenjtë atdheun dhe flamurin tonë; emrat e të cilëve ndriçojnë rrugën e lirisë sonë, duke i dhënë kuptim jetës sonë dhe krenarisë sonë të ligjshme prej së qenunit: shqiptarë e bij shqiptarësh….