Ahmet Ahmeti – Shtedim
Prezantimi i librit poetic “Frymëzime” të autorit llapjan Bajram Bashota, paksa i vonuar për moshën e autorit sepse në këtë moshë të autorit krijimtaria e shkrimtarëve veç finalizohet, por që kjo mund tu ndodh poetëve. Ajo çka e veçon poetin është lidhshmëria e marrëdhënieve me vargun, ku autori nuk fsheh por tenton të tregoj njeriun brenda vargut me gjithë ngarkesat emocionale që e shtyjnë drejtë poezisë ku autori i pohon gjërat që dikush tjetër mund ti fsheh.
Titulli i veprës të nxit për meditim a thua ja vlen ky titull kësaj tufe poezish por që në fillim të veprës autori i qaset kësaj shprehje shumë poetikisht ku ngarend të gjej shprehje që e plotësojnë dhe arsyetojnë titullin e veprës dhe atë e krahason me lum të dalldisur, erë të shastisur dhe në fund për me arrit në piedestal të frymëzimit me shprehjen shumë domethënëse dhe kuptimplotë si dridhje tërmeti të themi se arsyetimi bëhet fuqishëm artistikisht dhe se kjo tufë poezish të nxit të lexosh me një frymë.
Poeti megjithatë ka ndrojtje që vargu i poetit ngulfatet në thellësinë e zemrës dhe se kjo autorin e mundon sepse ai s’ka pasur ditë të mira dhe që tani i paraqitet rasti dhe i erdhi momenti që frymëzimet e poetit me shpërthye me u përhap e me u këndua pa frikë e pa zor siç thoshte një poet i plejadës shqiptare gjithandej qiellit të lirë të tokës arbërore, kjo është fjala e dhënë e të parëve tanë besa shqiptare.
Ka shumë poezi domethënëse me mision të qartë edukativ dhe rrjedhje të fuqishme poetike të thurura mirë artistikisht me rimë, me pakë fjalë por të zgjedhura që të bëjnë të përjetësosh, të lënë pa frymë, të përvetësojnë që të jetosh në botën e këtyre poezive posa ti lexosh. Mendoj se autorët e teksteve shkollore duhet ti kenë në konsideratë disa poezi të këtij libri të përfshihen në librat shkollor sepse kanë mision të qartë njerëzor, pra të kapshme për moshën e nxënësve.
Autori në vepër ka pak fjalë, i kursen por ai di si ti vendos në kohën dhe vendin e duhur që të bëjnë të gjendesh në krahët e këtyre poezive që në përmbajtje kanë muzikalitet e që për kah volumi të lënë të dëshirosh.
Frymëzimet e poetit shpërthejnë si vullkan dhe kjo dalldisje gjithandej lartëson dhe si veçori e kësaj ngarkese shpirtërore. Në vepër gjejmë poezi me nuanca të ndryshme që për bindjen tonë kishte qenë më e logjikshme që poezitë në libër të klasifikohen në cikle ku do të kishte një renditje dhe një klasifikim kronologjik.
Autori në libër spikat në poezi, prindërit, poetët, patriotët e kombit, pastaj veset e këqija të popullit, besën e shqiptarit etj.
Thënë më shkurt autori mes frymëzimeve poetike ngërthen në aureolën e poezive me nuanca të larmishme me sens të hollë poetik, thuaja çdo gjë në përpëlitje me jetën ku disa poezi i portretizon me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe sens të hollë poetik siç ka qen itinerari i udhëtimit të autorit në jetë.
Në vazhdën e poezive sinjifikative që të bie në sy edhe pse ka shumë sosh në libër por kësaj radhe do veçoj si poezi melodike e akorduar mjeshtërisht me pak fjalë por të skalitura mirë andaj edhe mund ta quaj antologjike poezinë “Braktisje”, krahas kësaj jo më pak e fuqishme është edhe poezia “Për ty”.
Vlen me përmend edhe ca poezi më pak sensitive që autori ndoshta është dashtë tu kushtoj më shumë kujdes pra ti përpunoj edhe më siç është poezia “Hakmarrja” edhe disa tjera por kjo assesi nuk ia ulë vlerën poetike tufës “Frymëzime”, por ajo qëndron mjaft lartë si vlerë artistike.
Pra autorit i dëshirojmë shëndet në jetë dhe punë të mbarë në botimin e veprave letrare të suksesshme si poezitë e veprës “Frymëzime”, dhe të na gëzoi me vepër të re.
Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu