IDRIZ ZEQIRAJ
Kur Veton Surroi tha se “NATO çliroi popullin dhe UÇK-në”, u bë nami. “Komandantët” e djeshëm, tani “veteranë” me dajak, e kërcënuan me jetë, sepse ai bëri blasfëminë e madhe, duke e thënë një të vërtetë, që fundja, e dinë të gjithë.
Por, kur këtë të vërtetë e tha Bislim Zogaj, kuadër i PDK-së, u kalua në heshtje, sikur nuk e dëgjoi askush për asgjë?! “UÇK-ja nuk ka qenë ushtri e organizuar. UÇK-ja ka pasur vetëm Shtab të Përgjithshëm dhe drejtori të veçantë. Unë kam qenë njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së”, – e thotë, madje, zëshëm, Bislim Zogaj. Pra, pranohet se “UÇK-ja” e LPK-së, nuk arriti kurrë të bëhet ushtri e organizuar dhe as të hyjë në luftë, si e tillë. Dhe, kësaj i thonë: “Me çfarë kuti, matë Dauti?!”
“UÇK-ja” e LPK-së, nuk hyri në luftë
Të vërtetën se “UÇK-ja ” e LPK-së nuk arriti asnjëherë të hyjë në luftë, si formacion ushtarak i organizuar, e thonë edhe dy Kelmendët, Muhamet dhe Ibrahim Kelmendi, gjithashtu, themelues të UÇK-së. Ibrahim Kelmendi thotë dhe shkruan: “Dallimet e UÇK-së së vegjëlisë çlirimtare të Kosovës nga UÇK-ja fiktive e “komandantëve” të inkriminuar, profiterë e komplotistë!” Dhe, shton: “Për fat të keq konfliktet akoma u thelluan edhe në terren, nuk kemi pasur disiplinë dhe udhëheqje të komanduara ushtarake”.
Të njëjtin mendim ka shprehur, madje, në mënyrë të përsëritur, edhe familjari i tij, Muhamet Kelmendi, ish-kryetar i LPK-së për Gjermani dhe anëtar i Kryesisë të LPK-së në Mërgatë. Profesor Muhamet Kelmendi ka qenë i pari, që ka denoncuar klanin puçistë të Kryesisë të re të LPK-së. Ai parashikoi, madje, pa gabueshëm, rrjedhën degjeneruese të klani arrivist, karrieristë, në shërbim të agjenturave armike të Kosovës.
Kelmendët, Ibrahimi dhe Muhameti, janë të një mendjeje se Kryesia e LPK-së së vjetër, themeloi UÇK-në për të luftuar armikun, pushtuesin. Ndërsa, “banda e Hashim Thaçit, Azem Sylës, Xhavit Halitit dhe Kadri Veselit, UÇK-në e vegjëlisë, e shëndrruan në “UÇK-e” fiktive, sabotuese të luftës”, – thonë ata. Ata shprehin dyshimin e bazuar, se kjo kthesë ndodhi me ndërhyrjen konspirative dhe të spiunazhit, nga shtete armike të Kosovës.
“UÇK-ja” e LPK-së, e bandës të Hashimit me shokë, e cila, nuk hyri kurrë në luftë, më sjell në kujtesë vitet `60-a, kur grupi ynë ilegal, i kryesuar nga Kadri (0s)Mani, themeloi “UÇK-në”, me të gjitha resorët e saj. Por, mjerisht, ne, kaluam një pjesë të jetës burgjeve politike, ndërsa “UÇK-në” tonë nuk arritëm ta aktivizojmë në luftë me pushtuesin! Dhe, njësoj, si “UÇK-ja” e LPK-së, mbeti në letër!
“Ne nuk jemi kurrëfarë pacifistësh dhe as gandistë. Por, raporti i forcave, na imponon lëvizjen paqësore aktive”,- ishte përgjigjur Presidenti Rugova një gazetareje të huaj famoze. Dhe, megjithatë, Ai veproi në surdinë, heshtje, organizoi: mbrojtjen territorale të Kosovës; dërgoi djemtë e Kosovës për ushtrime ushtarake në Shqipëri; nismoi themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës dhe të Shërbimit Informativ të Kosovës; urdhëroi oficerët shqiptarë, të ish-Armatës Jugosllave, të organizohen, për luftën e armatosur, për çlirim e liri të Kosovës, duke kulmuar me porosinë-kushtrim: “Të mbrohet pragu i shtëpisë”, në nëntor të vitit 1997.
Prishja e Marrëveshjes të Osllo-s, sabotim i luftës
Dr. Ibrahim Rugova, edhe në kushtet e sjelljeve të vrazhdëta dhe provokimeve të poshtra, të kryebanditëve të LPK-së, provincial e injorantë, Ai, zemërgjerësisht, kapërdinte fyerjet e rënda, hiç meritore dhe krijonte konsensuesin kombëtar, me hiçët halabakë, të njëfarë LPK-je, tashmë, të vënë në shërbim të zyrtarëve komunistë e kundra-kombëtarë të Tiranës, të Serbisë dhe të aleatëve të saj, amiq tradicionalë të popullit shqiptar. Marrëveshja e Osllos, një nismë pajtuese dhe unifikuese, e palëve në kundërthënie, u shkel nga LPK-ja, me sugjërimin dhe insistimin e argatëve të Serbisë. Që këtu, u vulos sabotimi i luftës për çlirim dhe tradhtia e madhe kombëtare.
Këtë e kofirmon edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakupi Krasniqi, i cili akuzon Hashim Thaçin e Kadri Veselin: “Ju keni qenë penguesit kryesorë, që të arrihej çfarëdo marrëveshje në mes të Ibrahim Rugovës, Qeverisë në ekzil të Bukoshit, në një anë, dhe LDK-së e UÇK-së, në anën tjetër”.
Me moton e Tiranës zyrtare, se “kryeqyteti i Kosovës, është Beogradi”, “UÇK-ja” e LPK-së, jo vetëm se vendosi mos hyrjen në luftë, por, kërcënoi edhe FARK-un, të hiqte dorë nga lufta për çlirim, duke i shantazhuar dhe kërcënuar oficerët e Ibrahim Rugovës me jetë. Të ndodhur në mes të rrezikut tripalësh: LPK-së, Sigurimit Shqiptar dhe UDB-së (BIA-së) të Serbisë, oficerët e FARK-ut, kërkuan ndihmën, këshillën, urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, njëherësh edhe President i vendir, Dr. Ibrahim Rugovës, me pyetjen SOS “Ç`të bëjmë?!” Dhe, përgjigja e Kryekomandantit ishte e drejtëpërdrejtë, e vendosur, e prerë:
“Ju jeni profesionistë, e dini se çfarë të bëni. Kthim prapa nuk ka!”
Porosia-urdhër e Kryekomandantit Rugovë, u mirëprit nga ushtarakët profesionistë. Dhe, pavarësisht rrezikut real, ushtarakët e FARK-ut filluan luftën e organizuar, për çlirimin e Kosovës. Viktimë e parë ishte Ministri i Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, për të vazhduar me oficerët e FARK-ut: Sadri Ramqaj, Rashit Mustafa, Mirush Dakaj, Ekrem Rexha, Smajl Hajdaraj, Kolonel Tahir Zemaj, oficerave të Kosharës: Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Sinan Musaj, Ramë Peja, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Ilir Selimaj, Arben Sejdiu dhe shumë të tjerëve.
Evoluimi i LPK-së nga revolucionare, në kriminale
Veton Surroi thotë se “komandantët” e LPK-së “armet i kishin kapur sa për Serbinë, aq edhe për Rugovën e LDK-në”. Realisht, në hershmëri, Kryesia e vjetër e LPK-së kishte planifikuar primatin, parësinë e saj në luftë, kundër pushtuesit, por, pa përjashtuar edhe të tjerët, pra, LDK-në dhe të djathtën shqiptare. Por, Kryesia e re e LPK-së, me bërthamë klanin e Drenicës, përmbysi gjithëçka. Hoqi nga agjenda luftën kundër Serbisë dhe u versul, tërbueshëm, kundër Ibrrahim Rugovës dhe LDK-së së Tij.
UÇK-në fillestare, të themeluar nga Kryesia e vjetër e LPK-së, Kryesia e re, puçiste, e LPK-së, e ktheu në “UÇK-e” të SHIK-ut, duke hequr dorë nga formacionet e rregullta ushtarake. Në vend të tyre, strukturoi bandat vrastare, në grupe të vogla, të stërvitura nga oficerët e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të Sigurimit francez, DGSE, në Francë, enkas për të marrë dhunshëm pushtetin, duke ekzekutuar kundërshtarët politikë, kryesisht, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës, oficerët luftë-bërës të FARK-ut, por edhe brenda llojit, veprimtarët dhe luftëtarët e gardës së hershme të LPK-së.
Janë thurur shumë legjenda, krejt fiktive, të rrejshme, për luftën e “komandantëve” të “UÇK-së” të SHIK-ut. Por, ne kemi kërkuar, në vite, edhe tani, pas afro dy dekada, që, ata, “komandantët” në fjalë, ta dëshmojnë, qoftë edhe një betejë të mirëfilltë ushtarake, të bërë kundër pushtuesit serbo-sllav?! Sepse, çdo betejë ka një datë, ka një vend, ku luftohet, bëhet beteja. Për fatin e keq të tyre, deri me sot, nuk kanë mundur të sjellin asnjë fakt, për asnjë betejë të bërë!
Dhe, për turpin e tyre, masakrat e pushtuesit, ndaj popullsisë të pambrojtur, i kanë kthyer në beteja të tyre “heroike”, madje, edhe në epopera të rrejshme, njësoj si serbët, të cilët, disfatën e pësuar në Luftën e Kosovës, e festojë si “fitore” të tyre! Ndërkohë, janë shumë qindra varre, viktima të tyre, anekënd Kosovës, të hapura për oficerët e FARK-ut, veprimtarët e LDK-së dhe shqiptarët tjerë.
UÇK-ja e FARK-ut, ushtria faktike e Kosovës
UÇK-ja faktike e luftë-bërëse, është UÇK-ja, e dalë nga Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK), të themeluara nga Dr. Ibrahim Rugova, qysh në vitin 1991. Pra, strukturën ushtarake e ideoi dhe e krijoi Ibrahim Rugova, ndërsa infrastrukturën për luftën, e përgaditi kuadri besnik i Tij, Kolonel Ahmet Krasniqi, strategu brilant ushtarak. Ushtrimoret ushtarake në Qerret të Kavajës, në Laprakë të Tiranës, në Kolsh e Kalimash të Kukësit, në Drojë të Kurbinit, në Viçidoll e Papaj të Malësisë të Gjakovës, janë vepër e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, sot, Hero i Kosovës”.
Krerët e “UÇK-së” të SHIK-ut, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, me kompaninë e tyre bandite, qëllimshëm, luftën e UÇK-së të mirëfilltë, të binomit atdhetar, Ibrahim Rugovës dhe të Ahmet Krasniqit, e përvehtësojnë, duke ia faturua “UÇK-së” të SHIK-ut. Ky është një falsifikim i madh, njëherësh, edhe një krim i llojit të vet. Në emër të UÇK-së të FARK-ut, krerët e SHIK-ut terrorist, duan t`i mbrojnë bandat e tyre kriminale, që kanë sabotuar luftën dhe përgjakur Kosovën, me gjak shqiptarësh të pafajshëm.
Rasti i djeshëm, i 23 nëntorit 2017, hapja e seancës parlamentare, me pikën e parë: – Deklarime jashtë rendit të ditës -, e stisur, djallëzisht e poshtërsisht, është një dëshmi e qartë e “ngatërrimit” të qëllimshëm të luftëtarëve të UÇK-së të Ibrahim Rugovës, me banditët e “UÇK-së” të SHIK-ut. Krye-krerët e krimit në Kosovë, që, cinikisht dhe ironikisht, kanë kapur kupolën e shtetit, të legjislativit dhe të pushtetit, përkatësisht, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, me bandat e tyre, janë gadi ta përflakin Kosovën, njësoj si si-vëllezërit e tyre ideologjikë, më 1997, të cilët e përkallën Shqipërinë për pushtet. Ata duan, me çdo çmim, ta dështojnë Gjykatën Speciale, shpresën e vetme të shqiptarëve, për të bërë drejtësinë e stërvonuar në Kosovë.
Këto ditë u bë një falsifikim, sa i qëllimshëm, aq edhe i vrazhdët. Duke u nisur nga vargu i këngës-hymn, “ushtrinë do ta bëj me Ibrahim Rugovën”, të divës të papërsëritshme të Kosovës, Adelinë Ismajli, gojëkëqinjtë e krahasojnë me përpjekjen e dështuar të Hashim Thaçit, për ta krijuar ushtrinë, FAK-un e tij!
Parashikimi i hershëm i artistës zëmadhe, Adelinë Ismajlit, është i sakt dhe faktik. Ibrahim Rugova e bëri ushtrinë dhe ajo ushtri, përfaqësohet, dinjitetshëm, me Heronjtë e Kosovës: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Hamëz Jashari, Agim Ramadani dhe shumë qindra heronj, dëshmorë dhe luftëtarë të mbijetuar. Dhe, bërthama e asaj ushtrie është e gatshme edhe sot, me ushtarakët dinjitozë e luftë-bërës të djeshëm, si Anton Quni me shokë, i cili njihet për dy -jo-të e mëdha, të kundërvëna shefit të tij partiak:
1) Nuk e votoj Hashim Thaçin për president të Kosovës, sepse është i dyshuari i parë, së bashku me Kadri Veselin, të cilët, me SHIK-un e tyre, kriminal e terrorist, kanë përgjakur Kosovën;
2) Nuk votoj kundër interesave të popullit tim, siç është ratifikimi i Shënimit të vijës kufitare aktuale, Demarkacionin, me Malin e Zi.
Andaj, asnjë paralele nuk mund të hiqet, bëhet, në mes të ushtrisë faktike të Ibrahim Rugovës dhe të asaj “ushtrie” fiktive e dështake të Hashim dallaverës.