Përse Basha mendon se e keqja i ka ardhur nga Uashingtoni!

0
1519

Nga Mero BazeTemA

Ambasadori i SHBA Donald Lu ishte sot paradite viktimë e “qytetarit digital”. Një portal i afërt me Sali Berishën, prodhoi një lajm të sajuar nga një profil fallco në Facebook, i cili fliste për një pagesë rreth 200 mijë euro nga bashkiaku i PS në Laç, që ambasadori t’ia hiqte emrin nga një listë e zezë e zyrtarëve që kap ligji i dekriminalizimit. Pasdite lajmi u hoq nga vetë portali “pasi e verifikoi” që nuk ishte i vërtetë.

Nuk do t’ia vlente të merreshim me lajmin, pasi ishte, edhe nën nivelin e “qytetarit digital”, por tek paranoja që ekziston tek lidershipi i opozitës, se problemi i tyre me SHBA, nuk është politika e tyre, por ambasadori Donald Lu. Njësoj kanë qenë për ta gjithë ambasadorët e SHBA në Tiranë, së paku që nga viti 1995. Të gjithë janë “provuar” nga Berisha që kanë qenë kundër politikës së SHBA në Shqipëri, vetëm se nuk kanë pranuar të përdoren nga Berisha.

Por tani sulmi nën modelin e “qytetarit digital”, duket se kishte shkas faktin që në SHBA janë bërë publike kontratat gati 1 milionë dollarëshe të Lulzim Bashës, paguar nga një kompani offshore, për llogari të Partisë Demokratike që nuk janë deklaruar në Tiranë.

Kjo histori e vendos atë përballë ligjit që ka miratuar vetë në Shqipëri dhe nuk do ta ketë të lehtë ta kalojë, pa provuar së paku një periudhë hetimi dhe gjykimi.

Por ajo që na turpuron si vend, më shumë se shpikjet e “qytetarit digital” është mendësia e politikanëve shqiptarë që e keqja nuk vjen prej atyre gjërave që bëjnë vetë, por prej atyre personave, që mund t’ua zbulojnë. Në këtë rast ambasadori Lu nuk ka lidhje, as me zbulimin e së vërtetës, pasi ato janë publike në SHBA, por duke e llogaritur atë si një politikan të korruptueshëm shqiptar, që mund të flasë për interes apo të hesht për interes, e kanë vënë në shenjëstër.

Në adresë të Departamentit të Shtetit kanë shkuar këto vite dhjetra letra nga opozita shqiptare, nga liderë të PD e LSI, të cilët mendojnë se ai qëndron pas një komploti, në emër të SHBA, lidhur me reformën në drejtësi në Shqipëri. Atij i vihet faj për spastrimin e gjyqësorit, i cili ka qenë pushteti okult i Berishës në politikë që ka garantuar paprekshmërinë e tij. Akoma më tej ambasadori Lu bëhet përgjegjës, dhe për humbjen e tyre në zgjedhje.

Ideja për ta sulmuar ambasadorin, tashmë dhe si njeri që merr ryshfete për të folur, ose për të heshtur, është në të vërtetë ilustrimi i asaj, se si e percepton politikën Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Pikësëpari ata ngatërrojnë lobistët e SHBA me SHBA. Ndërsa lobistët i presin me qejf një thes me para, për t’u shitur broçkulla shqiptarëve, SHBA dhe administrata e saj, nuk pranon të pijë asnjë kafe që mund të devijojë detyrat e saj shtetërore. Dhe fakti që lobistët e Bashës i kanë marrë atij 1 milion dollarë në të zezë, për një foto me Trumpin, dhe per ti zbardhur faqen Bashës, përkthehet se dhe ambasadori Lu mund të marrë 200 mijë euro të flas mirë për dikë që mund të ketë probleme me ligjin.

Kjo mënyrë të menduari është me turpëruese se vetë sjelljet e tyre dhe biografia e tyre politike, pasi kjo tregon se ata shpresojnë se të ardhmen e tyre mund ta blejnë me lek.

Tani meqë Lulzim Basha gjendet përballë një telashi ligjor, i cili kërkon deomos hetim dhe gjykim, pasi ka fshehur origjinën e 1 milion dollarëve paguar për lobim në SHBA, ai mendon se duke bërë pis një diplomat, mund të relativizohet krimi dhe të konsiderohet normalitet. Është njësoj sikundër silleshin me ambasadoren Vlahutin, kur ajo bënte presion publik për luftën kundër korrupsionit dhe këta i thoshin, që “BE ka blerë një zyrë të shtrenjtë tek vilat luksoze të Tiranës”, që nënkuptonte se “ata të BE janë hajdutë si ne”.

Ideja që “jemi të gjithë njësoj” është si inspirim i opozitës për të vazhduar përbaltjen dhe për të mbështetur gjithë politikën mbi krijimin e një skenari policor, me vjedhje, drogë, histori seksi etj

Mbi të gjtiha Donald Lu është në qendër të sulmeve për shkak të rekomandimeve që Misioni OPDATE dhe EURALIUS kanë dhënë për shkarkimin e Kryeprokurorit dhe emërimin e Kryeprokrurit të përkohshëm, pas mbarimit të mandatit javën që vjen.

Gjithë puna është që nëse fillon një hetim i ri ndaj Lulzim Bashës, të mos quhet hetim, por përndjekje politike, pse ka fshehur burimin e parave që ka paguar nga një kompani anonime në SHBA. Dhe për këtë është thirrur në skenë “qytetari digital”.

Pra e gjithë kjo nuk vlen për t’u marrë seriozisht si ngjarje e sajuar, por vlen të merret seriozisht fakti, se kë identifikojnë si problem opozitarët tanë, në aferën e Bashës me kompanitë e lobimit në Uashington. Edhe pse kanë paguar miliona tek lobistët të miqësohen me politikën amerikane, sërish provojnë se kanë harxhuar paratë dy herë kot. E para që nuk kanë bërë dot gjë me milionat e paguara nën dorë tek lobistët dhe e dyta se përsëri kanë ngelur tek problemet e vjetra me administratën amerikane. Vazhdojnë t’i tratojnë si armiq, biles dhe të “korruptuar”. Dhe në këtë rast Basha mendon, se e keqja i ka ardhur nga Uashingtoni dhe po vrapon t’u thotë atyre, se ambasadori i tyre është me probleme, si ai.