Berisha dhe makthi i tij për Kosovën

0
1815

Nga Mero BazeTemA

Dy qeveritë shqiptare të mbledhura sot në Korçë, e nesër në Vlorë, nuk përbëjnë më ndonjë lajm. Është viti i katërt që mblidhen prej vitit 2013. Takimet natyrisht janë përdorur dhe për populizëm, por axhenda e tyre duket se po shkon përditë e më shumë drejt disa halleve praktike të qeverisjes së diasporës sonë të përbashkët dhe përfaqësive diplomatike, si dhe rreth burokracive të tregtisë ndërkufitare.

Në një farë mënyre, këto mbledhje nuk i kanë shërbyer as Edi Ramës për ndonjë kredit politik brenda Shqipërisë dhe as Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Ramush Haradinajt në Kosovë. Thjesht kanë demonstruar barazinë mes dy shteteve dhe klimën e bashkëpunimit. Natyrisht, herë pas here ka pas dhe ndonjë fishekzjarr patriotësh.

Të vetmit njeri që i prodhon makth kjo histori, është Sali Berisha. Reagimi i tij i sotëm ndaj kësaj mbledhje, përtej varfërisë së ideve që e kanë shoqëruar, kishte një mllef që ka të bëjë me raportin e tij me Kosovën.

Sali Berisha ka qenë një mit popullor në Kosovë, së paku deri në vitin 1996, pasi kishte retorikën e duhur populiste për t’u dukur “Baba i kombit”. Përpjekja e Kosovës për pavarësi u mbështet nga shteti shqiptar dhe ai ishte një lloj shprese për të ardhmen e tyre.

Por krisja e Berishës me Kosovën ndodhi para se të ndodhte krisja e tij me shqiptarët e Shqipërisë. Dhe arsyeja përse ai u armiqësua me Kosovën, pastaj dhe me politikën e saj, është pikërisht përplasja e tij me Perëndimin dhe përpjekja e tij për ta përdorur Kosovën si varkë shpëtimi në linjën anti-perëndimore në Shqipëri.

Ëndrra e Sali Berishës nuk ishte pavarësia e Kosovës, apo shtetformimi i saj, por sundimi i tij populist në Kosovë.

I pari që ja ka prerë në mes këtë ëndërr, me vendosmëri dhe pa pikë mëshire, ka qenë Ibrahim Rugova. Prej vitit 1995, ai thuajse ndërpreu kontaktet zyrtare me Tiranën dhe Sali Berisha u përpoq sa mundi ta minojë pushtetin e tij brenda Kosovës. Por nuk ia doli dot.

Pas vitit 1997, Rugova ishte figura e botës shqiptare më autoritare në botë. Ai ishte një lider paqësor, që luftonte për shtetin e tij, mes rrezikut serb nga një anë dhe përpjekjeve të Tiranës nga ana tjetër, që po përpiqej ta përdorte Kosovën si “kokë turku”, për nevojat e saj të brendshme.

Sali Berisha pas vitit 1997 ëndërronte një takim me Ibrahim Rugovën, më shumë se sa me Bill Klintonin, nëse do të kishte mundësi. I duhej emri i tij, fama e tij, dhe identifikimi me Perëndimin, që në Shqipëri e kishte zbuar nga pushteti.

Por ai nuk ja dha këtë shans. Nuk e priti në Prishtinë i gjallë asnjëherë. E ktheu nga kufiri në vitin 2000 dhe Berisha mundi ta vizitonte Kosovën vetëm ditën që vdiq Ibrahim Rugova.

Berisha po kthehej thuajse në një figurë të përbuzur në Kosovë, pasi mbështetësit e Rugovës e shikonin me dyshim për atë që kishte bërë dhe kundërshtarët e Rugovës nuk e donin as idelogjikisht.

Rikthimi i tij në pushtet më 2005 rizgjoi ëndrrën e tij për të qenë paternalist mbi politikën e Kosovës. Ai disa herë tentoi ta bëjë këtë me Thaçin e Haradinajn, por nuk ia doli dot. Në fund, përfshirja e djalit të tij si sekser për të marrë tenderin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë, shqetësoi dhe qeverinë gjermane, derisa u detyrua të anullojë tenderin, që u ribë më pas.

Sali Berisha është sot i vetmi politikan i Shqipërisë, që nuk ka asnjë aleat politik në Kosovë. Isa Mustafa mund ta ketë takuar dy-tre herë në jetë, pa asnjë pikë dëshire, Hashim Thaçi thjesht ka përsosur artin e të buzëqeshurit, Albin Kurtit nuk i ka qesh buza kurrë para tij, ndërsa Haradinaj here-herë mendon se e ka komshi nga Malësi e Gjakovës.

Urrejtja e sotme e Berishës, buron pikërisht nga pafuqia që ka për ta kthyer mbrapsht historinë dhe për t’u bërë të ndjehet “Baba i kombit”. Modeli i mbledhjeve së dy qeverive shqiptare, atë nuk e shqetëson si sukses apo si dështim, por si barazi, si një zhbërje e ëndrrës së tij, që dikush nga Tirana duhet t’i udhëheqë ata në Kosovë.

Atë e shqetëson fakti që modeli që futi Edi Rama për mbledhje të përbashkëta qeverish, u eksportua dhe në Maqedoni e Serbi, për bashkëpunim rajonal. E shqetëson po ashtu fakti që Beogradi dhe Tirana kanë guxuar të përballen me dinjitet dhe ia kanë dalë të marrin pëlqimin e Perëndimit për këtë.

Sali Berisha e ka Kosovën plagë, por jo dhimbje. E ka plagë të hapur, pasi nuk ka mundur dot ta përdorë për të qëndruar në pushtet më 1997 dhe akoma më tepër, nuk ka mundur të ndalë popullaritetin normal të politikanve të tjerë shqiptarë në Kosovë, që sot janë shumë herë më të pranueshëm se ai.

Berisha e ka makth faktin që Kosova është “deberishizuar”, dhe ndjehet e barabartë me Tiranën, së paku në raporte shtetërore. Dhe si çdo plagë që shkakton dhimbje dhe urrejtje, ai sot zbulon arsyen përse e urren Kosovën, dhe jo përse i dhemb Kosova. E urren se nuk e përdori dot. Dhe mbi të gjitha, se pas ikjes së tij nga pushteti, Kosova ndjehet më shqiptare.