28 NËNTORI – DITA E FLAMURIT

1
9486

Prof. Dr. Muhamet SHATRI

Fjala e rastit në shënimin e Ditës së Flamurit dhe 105 vjetorit të Pavarësisë se Shqipërisë, mbajtur më 26 nëntor 2017, në Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Malmë të Suedisë nga prof.dr.Muhamet Shatri.

Të nderuar mysafirë dhe ju bashkatdhetarë të çmuar!

28 Nëntori është i shenjtë për historinë tonë kombëtare sepse disa nga ngjarjet më të mëdha të historisë sonë kanë ndodhur pikërisht në këtë datë. Më 28 nëntor 1443, rikthehet në Krujë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku ngriti Flamurin Kombëtar. Ky Flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kullat e kalatë e tjera arbërore, për 25 vjet, për sa kohë që kryeheroi ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë kundër pushtuesve osmanë. Pas vdekjes së tij më 17 janar 1468, pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan valimin flamurit tonë.

U deshën 444 vjet pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë eksode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërish valimi i Flamurit të Arbrit. T’i kemi parasysh arbëreshët, që ikën përtej detit, ose në veri (në Dalmaci), me qëndresën e tyre stoike për të ruajtur gjuhën, traditat dhe kulturën e të parëve. Qindra mijëra shqiptarë, duke mos mundur ta durojnë terrorin e pushtuesve, kishin ikur në shumë vende të botës – madje edhe në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në Australi.

Me 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti Flamurin Kombëtar në qytetin e Vlorës dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera, tha: “Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran!” Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Me gjithë angazhimet e parreshtura diplomatike të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë Shqiptare, në të gjitha institucionet e qarqeve ndërkombëtare, gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës, të involvuara në gërshetim interesash, vendosën copëtimin e tokave shqiptare. Kështu, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfillur luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën vendime tragjike kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, pra u gjymtua organizmi ynë kombëtar.

Nga kjo del se 28 nëntori është dita më e gëzueshme, por edhe më e dhimbshme për shqiptarët, sepse kjo ditë është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, por pa Kosovë, pa Çamëri dhe trevat e tjera shqiptare… Dihet se Flamuri Kombëtar u ngrit mbas 444 vjetësh… Flamuri Kuq e Zi është flamuri më i vjetri në Ballkan, ndër më të vjetrit në Evropë… Flamuri Kombëtar është flamuri i Skënderbeut, por pas vdekjes së tij “vdiq” edhe flamuri, sepse u harrua… Pas një harrese prej katërqind vjetësh, e zbuloi i pari një student shqiptar.

Ai ishte eruditi dhe gjeniu i kombit tonë – Faik Konica… Faik Konica, zbuluesi i Flamurit Kombëtar, themeluesi i kritikës shqiptare, atdhetari i devotshëm, ambasadori i Shqipërisë në Washington (1926-1939), kur vdiq, me 1942, u harrua … Jo vetëm që u harrua, por edhe iu mohua, iu ndalua të varroset në Shqipëri, edhe pse kishte paguar edhe vendin, edhe pse ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë… Ketë flamurë Kuq e zi me 28 Nëntor 1912, nga shtëpia e atdhetarit Ekrem Bej Vlora e mori shkrimtarja, studiuesja dhe përkrahësja e Pavarësisë se Shqipërisë, Amelie Marie von Godin, të cilin ia dha njërit prej luftëtarëve nga Dardania dhe që u shpalos me 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

Është e dhembshme që 28 nëntori i vitit 1944 e gjeti Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare të ripushtuan nga Jugosllavia, fatkeqësisht edhe me ndihmën e partizanëve të Shqipërisë, që është shembull sui generis në mbarë botën. Edhe me tragjik ishte rasti i Çamërisë. Diplomacia ndërkombëtare, sërish na e la një Shqipëri të cunguar, duke njohur dhe përligjur edhe brenda shtetit shqiptar një diktaturë të egër komuniste, që shkatërroi edhe ato pak vlera e të arritura në rrafshin kombëtar – politik, ekonomik, kulturor… Ai regjim u lejonte heshtazi ripushtuesve jugosllavë e grekë që të thellojnë dhunën e terrorin mbi shqiptarët që jetonin në trojet e veta stërgjyshore, madje deri në spastrime etnike e gjenocid.

Ne në Kosovë, por edhe në trojet etnike si dhe në mërgatë sa herë vjen 28 Nëntori, na kujton se është ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jasharit (1955). Ai lindi në Prekaz të Drenicës mu në kohën e dhunës dhe terrorit rankoviçian mbi shqiptarët e Kosovës dhe do të niste Luftën Çlirimtare kundër zgjedhës së Serbisë. Në mënyrë të veçantë 28 Nëntori na kujton qëndresën e këtij heroi dhe të familjes së tij më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, theksonte se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari, së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij, u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Dua të shtoj qëndresa heroike dhe sakrifica sublime e Adem Jasharit me gjithë familje është e pashembullt në analet e historisë shqiptare e botërore.

Të respektuar të pranishëm,

Poetë e këngëtarë me plot të drejtë i kanë thurur himne e këngë lavdie Oso Kukës për mbrojtjen e Vraninës dhe vetëflijimit të tij. Dola këtu sepse kjo ka lidhje edhe me epopenë e Jasharajve por edhe me rrjedhat aktuale. Prandaj, sa herë të shkoni për Ulqini në pushime, kur të dilni në Qakorr, që dikur i kanë thënë shqip Qafor, dijeni se jeni në kufi me Malin e Zi. Kur të vazhdoni më tej, në anën e djathtë të rrugës, në brigjet veriore të liqenit të Shkodrës, kur të shihni një muranë të rrënuar në ishullin e Vraninës, ndaluni pak në shenjë nderimi dhe iu tregoni fëmijëve tuaj, se aty ka rënë djali i Shqipërisë, Oso Kuka, duke u kallur flakë bashkë më 2-3 trimat që i kishin mbetur të gjallë nga 24 djem që i kishte me vete edhe me shumë armiq të vatanit që e kishin rrethuar.

Aktin e tij heroik Fishta i Madh e skaliti në veprën e tij, në katër këngë që u bënë popullore e që këndohen në dasma e gëzime. Por Oso Kuka nuk është nga këngët legjendare për Mujin e Halilin, por personalitet historik dhe kjo ngjarje ka ndodhur në vitit 1862 në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Edhe sot në Shkodër qëndron në këmbë shtëpia e Oso barotit, prandaj, kur ta vizitoni këtë qytet, që ka qenë kryeqendra e Ilirisë së lashtë, mos e harroni ta vizitoni edhe këtë fole atdhetarie!

E zgjata pakëz me Oso Kukën sepse akti i tij epik shumë shpejt u kthye në simbol trimërie e vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që mizorisht po pushtoheshin nga fqinjët tanë ballkanikë, dhe shëmbëllesa e tij ishte e gjallë e frymëzuese edhe në zjarrin e luftës për liri e pavarësi të Shqipërisë, jo vetëm deri Adem Jasharit, por është aktuale edhe në ditët tona. Por guxoj të konstatoj se Adem Jashari ia kaloi frymëzuesit të tij për faktin se ky i fundit pati bashkëluftëtarë familjarët e tij, shumë prej të cilëve ishin edhe të moshës jomadhore, prandaj edhe i takon vendi i nderit në heroikën shqiptare.

Zonja dhe zotërinj të nderuar,

Kur isha i ri, një plak i urtë i anëve tona më këshillonte kështu: “Mos u lavdo, bir-o, se vetë lavdërimi është sikur me i heq tjegullat nga kulmi i shtëpisë, e atëherë të bien shiu brenda. Por unë, megjithëkëtë, për ta nderuar kujtimin të parët të mi, pasi i kam në të sosur mëngjeset, që për mua janë bukuria me magjepse e kësaj bote, po i lejoi vetës, të shtoj se prejardhjen e tij të largët Oso Kuka e ka nga Rrafshi i Dukagjinit, përkatësisht nga fshati Isniq, e se edhe disa nga ushtarët e Gjergjit të Arbërisë kanë mbajt këtë mbiemër.

Prej Isniqit, këtij kryefshati të Dukagjinit, i ka rrënjët familjare edhe kryegjenerali i shqiptarisë, Isa Boletini dhe shumë kushërinj e bashkëluftëtarë tij, çka merr nga Podguri im e deri në Shalë të Bajgorës. Të shtoj këtu se kohëve të fundit ka disa zëra e shkrime që thonë se nga fshati Isniq e ka pas gjininë edhe lokja e Gjergj Vashingtonit të SHBA-ve dhe se djalit ia ka vënë emrin e Dajës së Madh. Nëse kjo dëshmohet si e vërtetë, ne mund të mburremi edhe me bijat e nipat tanë, por si tradicionalistë e nga pak vetjak që jemi, gjithnjë i kemi në plan të parë djemtë dhe guximtarët e truallit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,
28 Nëntori i vitit 1997 shënon njërën nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë e dimë se ajo që ndikoi që UÇK-ja, të bëjë publike formimin e saj, ishte vrasja në mënyrë tinëzare e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, më 25 nëntor 1997 nga ushtria serbe. Prandaj me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, me 28 nëntor 1997, për herë të parë dolën publikisht tre luftëtarët e lirisë, Mujë Krasniqi (tani dëshmor), Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, në Llaushë të Skenderajt, duke i treguar kështu popullit se edhe Kosova e ka një ushtri, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Vështirë të mendohej në atë kohë se ajo copë letër e komunikatës, që për ushtarët e UÇK-së që e lexuan dukej shumë e thjeshtë, një ditë do të kishte rëndësi historike. Ndërsa, ky ka qenë edhe fillimi i paralajmërimit të një ushtrie që më vonë do t’i bënte rezistencë ushtrisë dhe policisë serbe, deri në çlirimin e Kosovës. Prandaj që nga ajo ditë, festës së Flamurit iu ka bashkëngjitur edhe dita e daljes publike e UÇK-së.

28 Nëntori i vitit 2001, e solli në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, krenarinë e përjetshme të kombit tonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Dua t’ju përkujtoj, të nderuar pjesëmarrës, se ideator për sjelljen në zemrën e Dardanisë sonë të lashtë dhe te re, të vetë kryekomandantit dhe kryetrimit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për të na trimëruar përjetësisht, që ta mbrojmë këtë tokë të shenjtë nga armiqtë tanë shekullorë, ka qenë korifeu i inteligjencies atdhetare shqiptare, profesori i nderuar, akademik Mark Krasniqi, kurse mjetet për ngritjen e monumentit janë ekskluzivisht nga kontributi të bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme, 5, 5 për qind të të cilave janë mjete nga Fondi ynë në Suedi.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është i të gjithë shqiptarëve, por po të bëheshim sadopak shpirtngushtë ne mërgimtarët, përmendorja e tij në Prishtinë do na takonte vetëm neve. Ndonëse e zgjata bukur shumë, me duhet të theksoj se ka edhe dy momente simbolike shumë të rëndësishme në këtë veprimtari shumë të qëlluar. Për bartjen shtatores se Kastriotit të Madh nga Shqipëria është angazhuar logjistika e formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat kanë marrë pjesë në betejën historike të Koshares, kurse zbulimin e saj e ka bërë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Të nderuar bashkatdhetar,
Liria e arritur, është vlera jonë dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë tonë, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Festat e nëntorit janë festat e krenarisë sonë kombëtare, të cilat na dhanë forcë e kurajë për rilindjen e shtetit të Kosovës. Në këtë ditë të shënuar, u përkulemi për të gjithë ata, të cilët luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe të trojeve të tjera shqiptare që ende lëngojnë nën zgjedhën e huaj.. Duke ju falënderuar për durimin, ju uroj Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin!

Qofshi gjithmonë faqebardhë!

1 KOMENT

  1. Muhamed Al Shatri,

    ketij shkrimi te juaj i mungon thelbi i pavaresise se SHQIPERISE dhe KOSOVES… AMERIKA.

    Te shkruajsh nje artikull aq te gjate dhe te mos pernmendet nje fakt madhor lidhur me pavaresine e SHQIPERISE… eshte injorance.

    Ju nuk e theksuat se shpallja e pavaresise u funksionalizua me vendimin madheshtor perfundimtar te PRESIDENTIT AMERICAN WOODROW WILSON, i cili e funksionalizoi pavaresine me 1920. WILSON e pengoi ndarjen e SHQIPERISE, te cilien ndarje e bene shtetet Europiane… si dhe vendimet e presidenteve CLINTON dhe BUSH per Kosoven.

Komentet janë mbyllur.