MEDITIME NE PRAG TË 105 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

0
1680


KRISTAQ TURTULLI

Sa herë afrohet ngjarja e madhe, duke shkurtuar kohën me shpejtësinë e dritës dhe hapësirat e largëta kilometrike. Sa here trokasin në memorien tonë. Sa herë të lajmërojnë me fjalën e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë. Sa herë vijnë pa fjalë e zhurmë e bujë, ulen në sofër me ne për të pirë nga një gotë me ujë të freskët burimi, përvjetorë, data, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën MËMË…

Sa herë dëgjon shungullimën e së shkuarës, historisë, që asnjëherë nuk duhet harruar dhe lënë mënjanë…

Gjithnjë e gjithnjë, si pa kuptuar ndjen shkundje dhe më pas një dorë të futet tinëzisht në gjoks dhe të shtrëngon fort në shpirt. Përpiqesh të mbushesh me frymë, të marrësh ajër të pastër, të freskët. Kërkon me ngulm me një farë ankthi dhe pështjellimi të shohësh veten, rreth vetes dhe më tepër se përtej rrethit të vetes. Në tokën e dytë, në zgjidhjen e dytë ku të çuan erërat e fatit dhe ku jeton prej vitesh. Ku ke përjetuar ankthin e shpërnguljes, lëvizjen e paditur, të pasigurt, të pështjelluar drejt një bote tjetër krejt ndryshe nga ajo botës e vogël ku ke lindur, rritur, mësuar dhe edukuar. Ke përjetuar rritjen e fëmijëve dhe bredhjen e harbuar të viteve në memorien tënde, që gjithsesi pasqyrohet me përshtatjen, tjetërsimin dhe plakjen.

I hutuar një çast, e më pas përpiqesh të përqendrosh shikimin, në rrëkenë e pashtershme të njerëzve e të gjitha racave dhe ngjyrave. Bredh vështrimin në rrugët, pallatet e xhamta, të lodhen sytë gati të lotojnë prej ndryshimit të beftë të ngjyrave marramendëse të stinëve. Të duket sikur nuk është i mjaftueshëm peizazhi që mundohesh të gjesh, edhe pse të mund hapësira që shtrihet përpara teje, dhe është e pafundme; fushë, fushë dhe prapë fushë.

Vetëtimthi të vjen ndërmend se për të ardhur këtu shite gjithçka që ish krijuar në dhjetëra vite. Lëvize ajrin e ndehur dhe frymën e ngelur pezull të të parëve, që nuk e shohim por ajo qëndron përjetë e tjetërsuar në malet e larta ku shqiponjat bëjnë folenë, në kodra, liqenet, lumenjtë e shumta dhe brigjet e thikta. More rrugën e madhe. Në një trastë të vogël pëlhure fute vështrimin kaltër e të pështjelluar të fëmijëve, hutimin, pasigurinë, frikën e gruas dhe të gjitha ëndrrat e së nesërmes. Ikëm me nxitim, si prej një grushti të shtrënguar fort e që befas dora u lirua, u hapën krejt gishtërinjtë, dhe i morri era me ngut kokrrat e vogla të grurit.

Më ngulm, mall dhe dëshirë, e shtrin shikimin përtej dritareve të xhamta të tokës ku ke emigruar për të shkuar dhe dëgjuar në vendin e ndjerë ku ke thënë për herë të parën fjalën nënë dhe të ka freskuar ballin puthja e ngrohtë e saj. Ku ke vrapuar me sandalet e vjetra dhe dërmuar gjunjët në kalldrëmet e rrugicave të ngushta, ku ke vrapuar për të kapur fluturën shumëngjyrëshe, ku ke shijuar emocionet dhe bukurinë e puthjes së parë. Ku ke qëndruar në vendroje në përgjim, në shi në erë në furtunë. Ku je sëmurur, marrë pneumoni. Aty, ku i thonë bukës bukë dhe ujës ujë. Aty ku qielli është i kaltër i kaltër dhe çdo vit vijnë dhe ikin patat. Aty ku gurgullon uji i burimeve dhe ndjen forcën e erës së maleve të larta.

Kështu ndodh gjithnjë me ne të mërguarit prej mëmëdheut të dashur. Askush nuk mund të thotë që nuk ka mall dhe dashuri për atdheun, sepse do të mohojë pjesën më të qenësishme të vetes së vet. Më shumë emocionet dhe pështjellimet bëhen kur ka përvjetorë, që cilët janë të lidhura aq fort me fatin dhe ekzistencën e vetë kombit. Edhe pse shumë prej nesh nuk e shfaqin apo e shprehin, e mbajnë brenda vetes.

Kështu ka ndodhur, në qindra e qindra vite e më parë, kanë mërguar shqiptarët, duke çarë dete kapërcyer male dhe fusha. Po kurrë nuk e kanë harruar. I kanë kënduar me mall mëmëdheut, kanë shkrirë gjithë jetën, pasurinë e tyre për të parë një dritë, shpresë dhe jetë. Kanë kënduar këngë, janë thurur vargje madhore:

“O e bukura More…”

Këndohej me dhembje dhe thirrje:

“Çohu shqiptar prej gjumit çohu
Me besë si vllazën, në besë shtrëngohu.
E mos shikoni kisha e xhamia
Feja e shqiptarit është shqiptaria…”

Këndohej me patos, mall dhe krenari:

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar,
zemrën ti ma gatove plot dëshirë e me zjarr.”

Po këndohej e gjithashtu:

“Mbeçë more shoke mbeçë, përtej urës së Qabesë…”

E pra, sa herë afrohen, trokasin, vijnë, përvjetorë, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën MËMË, e të lajmërojnë me fjalën e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë…
Sa herë…

Gjithnjë e gjithnjë, si pa kuptuar ndjen një dorë që të futet tinëzisht në gjoks dhe të shtrëngon fort në shpirt. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, nuk mund të dalësh nga vetja dhe të kërcesh prej vetes. Janë shumë fije të dukshme dhe të padukshme që të mbajnë të ndehur në udhëkryqin e madh të jetës dhe të gjenezës…

Por kur afron ngjarja më e madhe e historisë së kombit Shqiptar, siç është 105 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, kuptohet që është tjetër gjë. Emocione janë më të mëdha. Nuk është vetëm një dorë që të futet tinëzisht në gjoks. Janë rrëmetet dhe gjëmimet më të mëdha të shekujve, që të shungullojnë në krejt trupin. Ne jemi populli shumë i vjetër dhe i veçantë në Evropë dhe në Ballkanit, me gjuhë të vjetër dhe me kulturë të lashtë. Me një autoktoni të hershme në këto troje, duke na tkurru qëllimisht na luftërat e gjata mijëra vjeçare me qëllim për të mos ekzistuar kurrë.

Fqinjët tanë me dhëmbë të përgjakura prej kafshimit të vazhdueshëm të trojeve shqiptare, kërkuan me ngulm, me zjarr dhe me hekur e përhapën qëllimisht vrerin përreth më të bërë realitet mosqenien, ekzistencën e kombit të vjetër Shqiptar.

Por shpata e mprehtë dhe pushka e gjatë nuk iu ndanë shqiptarit prej trupit. Nga shekulli në shekull u munduam, me luftë dhe përpjekje të mëdha, për identitet dhe liri por që fati nuk na ndihmoi. Prej gjirit të popullit tonë dolën personalitete dhe gjeneralë të mëdhenj, që nga Piroja i Epirit, Perandorët e perandorisë romake, Kostandini, Justiniani me të tjerë. Gjenerali i madh, kalorësi i krishterimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u bë për 25 vjet me radhë mburojë e botës së qytetëruar kundër hordhisë turke, fuqisë më të madhe të botës. Arkitektët të mëdhenj, vezirë dhe pashallarë që drejtuam perandorinë turke për katërqind vjet me radhë. Udhëheqës të mëdhenj Si Marko Boçari me Xhavellët, Kundriotët, Bubulina e pavdekshme e të tjerë që udhëhoqëm kryengritjen e madhe dhe çliruan Greqinë.

Mu kujtua me një grek, ku punoja para disa vitesh në një banket holl. Ai mu afrua ngadalë, më vuri dorën miqësish në sup, por me një nënqeshje të hollë ironike më tha: Kristaq, më duket se ti je nga Korça, apo jo,? Po, i u përgjigj. Sa ngjan ti me ne grekët, tha. E vështrova butësisht dhe ia ktheva. Po ke të drejtë ngjajmë, bile shumë, veç me një ndryshim të rëndësishëm, jeni ju grekët ngjani me ne shqiptarët sepse jemi një gjak, por gjaku i parë më i kulluar jemi ne, që buron prej mëmëdheut dhe zbritën në tokën greke, jetuam dhe çliruam prej pushtimit turk. Ja shiko, ti nuk e di, por të gjitha doket dhe zakonet që festoni ju në këtë banket holl janë tonat, shqiptare. Greku ngriti vetullat përpjetë i befasuar dhe i hutuar dhe pa thënë asnjë fjalë, mblodhi supet dhe iku. E sa herë ndesheshim më vonë më shihte vjedhurazi pa guxuar të më shikonte në sy.

Populli shqiptar nxori prej gjirit të vet, heronj, personalitete, gjeneralë, figura të mëdha, por përsëri nuk gjeti veten e vet, mëmëdheu u end nëpër shtigje të verbëta dhe mjegull pa parë dritën e vërtetë të lirisë. Nuk kish ardhur ende dita e kërkuar, nuk kish premtuar koha, apo nuk kishin gjetur veten dhe ndërgjegjësimin e duhur vetë shqiptarët, kur pushkën e gjatë nuk e kishin shkulur asnjëherë prej supit? Ishte një endje e rrëmujshme në luftë me veten dhe me të tjerët. Ikje e ngutur drejt mugëtirës. Ardhje e vështirë e përgjakur dhe pushka e gjatë shkrehej kuturu në muzg ngandonjëherë në kah të vetvetes…
Shekujt gjëmonin, përgjakeshin si gjithnjë dhe iknin mundimshëm. Mëmëdheu tkurrej, rrudhej copëtohej prej fqinjëve. Derisa, më në fund erdhi dita e madhe e pavarësisë së vendit. Ëndrra e rilindësve e të gjitha breznive.

Gratë dhe nënat shqiptare të shumëvuajtura qëndisnin flamurin dy krenorë, kuq e zi dhe zërat burrërorë të përgatitur për liri, buçisnin:
‘Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka më prit…
Të vdesim sonte me besë a besë, pranë flamurit kuq e zi.”

Një grusht burrash të mençëm dhe guximtarë i vunë shpatullat kombit. Plaku i bardhë Ismail Qemali , duke mbartur mbi supe historinë ngriti flamurin e kuq me shkabën dy krenore në Vlorën heroike. Retë e zeza u çanë dhe hyri drita e bardhë. Toka e vjetër mori frymë së fundi dhe eshtrat e breznive shumë shekullore lëvizën prej vendit, u bëmë më vete. Dhe mes atyre burrave, në ballkonin e vogël të shtëpisë së thjeshtë vlonjate ku u ngriti flamuri ynë i shenjtë dhe ku u firmos dokumenti i madh dhe më i rëndësishmi i të gjitha kohërave, ishte dhe njëri prej anëtarëve të familjes sime, Mihal Turtulli.

Sa herë afrohen, duke shkurtuar kohën me shpejtësinë e dritës hapësirat e largëta kilometrike. Sa here trokasin në memorien tonë. Sa herë të lajmërojnë me fjalën e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë. Sa herë vijnë pa fjalë e zhurmë ulen në sofër me ne, përvjetorë, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën MËMË…

Sa herë dëgjon shungullimën e së shkuarës, historisë, që asnjëherë nuk duhet harruar dhe lënë mënjanë…
Por këtë herë është ndryshe, është ngjarja më emocionuese, më e rëndësishmja me e madhërishmja:

105 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, i bërjes së vendit, ndërsa dhëmbët e përgjakura e të helmëta të fqinjëve u thyen shkëmbinjve të thikta të së vërtetës, historisë…
Prandaj është kënduar dhe do të këndohet me shpirt, me mall dhe zjarr:

“Por mbi te gjitha, dua më shume SHQIPËRINË.”

GËZUAR ATDHE, LARTËSOHU NË NJËQIND DHE NJËMIJË PËRVJETORË TË TJERË.