GËZUAR FESTAT E NËNTORIT, TË PAVARËSISË DHE TË ÇLIRIMIT !

0
4138

Arben Çokaj

Kjo ditë e mbushur me urime, 28 nëntor, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë! Nuk duhet të harrojmë se sa e rëndësishme ishte kjo ditë për kombin tonë, 28 nëntor 1912, pasi pas një pushtimi turk 523 vjeçar, ia arritëm më në fund të pavarësohemi si komb, ndonëse nuk mundëm të mbanim as gjysmën e atij territori, që banohej dhe ende banohet me shqiptarë!

Kombi ynë vuan e lëngon ende, më shumë nga mendtë e kokës dhe nga një korruptim i brendshëm! Disa shqiptarë ende duan turkun e fenë e tij, e disa të tjerë ende e vjedhin dhe abuzojnë me pasuritë tona publike dhe të drejtat tona! Duhet të ndërgjegjësohemi, miq, të jemi më të qartë për atë që jemi e për atë që duhet të jemi, e që mund të bëhemi! Humbëm me luftë, humbim prapë, se nuk jemi ende të përgatitur sa duhet për të mbrojtur veten dhe interesat tona!

Por fitojmë me Demokraci! Shqiptarët kudo ku janë, në Shqipêri, në Kosovë e Maqedoni, në Greqi e Mal të Zi, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc fitojnë vetëm nga sistemi demokratik dhe duke i kërkuar të drejtat e tyre me mjete e rrugë demokratike! Është koha e jonë si shqiptarë, por duhet të dimë të punojmë, kryesisht me shkollim e dije! Me diplomaci dhe ndërgjegjësim! Dhe duhet të forcohemi ekonomikisht, se toka është pronë e njerëzve të zgjuar, kur ata kanë forcë!

Edhe data e Çlirimit nga pushtuesi fashist, 29 nëntor 1944, hyri në histori si një datë e madhe, por u krijua një diktaturë komuniste, e cila ndonëse bëri shtetin më të rregullt e më funksional shqiptar në histori, krijoi edhe një humbje të madhe për ne shqiptarët në disa plane! Na izoloi si Shqipëri nga pjesa tjetër e shqiptarëve në Ballkan, mbylli mundësitë e zhvillimit për shqiptarët brenda Shqipërisë dhe i abondonoi komplet ata, duke i lënë në mëshirën e fatit dhe pa mbrojtje shqiptarët e tjerë në Ballkan e në botë. Komunizmi na izoloi nga bota e zhvilluar dhe na dështoi ekonomikisht!

Por edhe sot nuk po e përdorim arsyen sa duhet, për të ngritur shtete demokratike e të sukseshme shqiptare në Ballkan, si në Shqipëri e Kosovë si dhe me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë. Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne duhet të dimë si fillim se çfarë duhet e çfarë është e mundur të bëjmë, pastaj të punojmë shumë për të arritur e patur sukses! Vetëm me shkollim e dije, me ndërgjegjësim dhe me një punë të madhe, mund të arrijmë suksesin e merituar!

Gëzuar festat shqiptarë! Punoni punë të mira, që të ndiheni krenarë! E mos shihni kisha e xhamia (ose shihni ato, pa shkretuar shumë…), se feja e shqiptarit është Shqiptaria!