11.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

…Burri i harruem i ngritjes flamurit…

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Kushtue nismëtarit të Pamvarsisë, atdhetarit të pashoq Imzot Nikollë Kaçorrit

Nga Pjetër Logoreci

Jena në vigjilje të Festës së Pamvarsisë, të Flamurit e të themelimit të Shtetit Shqiptar, por, jo pa shkak, një ndjesi trishtimit e zemrimit vlon mbrenda meje.

Si mundet që: …mbasi eshtnat e Imzot Nikollë Kaçorrit u harruen, prej të githa qeverive shqiptare, për 94 vjet në dhe të huej; prap sot ky burrë, ndera e kombit tonë, vazhdon me kenë i harruem prej shtetit shqiptar, anipse vepra e tij asht në themelin e pamvarsisë e të krijimit të qeverisë të parë shqiptare?

Si nuk u gjet nji qeveritar, nuk duel nji personalitet i shtetit, që, në ditën e madhe të flamurit me u kujtue me nderue, figurën e ndritun të fatosit të Pamvarsisë së Shqipnisë, Imzot Nikollë Kaçorrit? Ashtu si mue edhe çdo shqiptarit liridashës i lind pyetja: …si mundet nji qeveri e nji popull, me e kremtue e me shijue madhështinë e festës kombëtare, tuj lanë në harresë e tuj mos kujtue, numrin dy, HEROIN E PAVARSISE, atë qi i kushtoj Atdheut jeten e vet, atdhetarin Nikollë Kaçorri?

Si ka mundësi që ky personalitet vazhdon të paragjykohet nga “petku i priftit” e jo nga vepra e tij në të mirë të kombit e të lirisë?

Dekorata e Franz Jozefit për Imzot Nikollë Kaçorrin

Si studius e njohës i veprës dhe personalitetit të Imzot Nikollë Kaçorrit dhe si nismëtari i sjelljes së eshtrave të tij në atdhe, me anë të këtij shkrimi, I DREJTOJ NJE THIRRJE të gjithë personaliteteve shtetnore, duke fillue nga Presidenti i Republikës, Kryeministri i vendit, Kryetari i Bashkisë dhe Deputetët e Durrësit, qi pa u ndikue nga paragjykimet fetare e krahinore, të bajnë homazhe, në Durrës, pranë vorrit ku prehen eshtnat e Imzot Nikollë Kaçorrit, atit të pamvarsisë e shtetit shqiptar. Jam i bindun që personat e masipërm, e shumëkush, do të “befasohet” nga fjalet “paragjykime fetare”,…. atëherë, cila asht arsyeja që ky tribun i lirisë injorohet me këtë paftyrësi?

Ja si e kanë nderue dhe vlerësue këtë burrë të madh, bashkësia shqiptare dhe studentore e Austrisë, nëpërmes gazetës “Vëllazënija”, të datës 5 Qershuer 1917, me rastin e vdekjes së tij në Vjenë:

Emzot Nikollë Kaçorri vdiq

Nji lajm të tmershëm po i rrefejmë sot me zemër të thyeme lexuesavet t´onë: Emzot Nikollë Kaçorri, nji ndër ma të ndritçmit Shqypëtarë, ndera e lulzimi i kombit t´onë vdiq me 29 maj, në kohën ma të mirën pa i mbushë 49 vjet!

Emzoti i ynë i përmbledhte në vedi vehtësitë ma të mirat, qi ka populli shqyptar. Aj ish trim e besnik. Dashtënin e vet për kombësinë e vet e tregoj jo vetëm me fjalë, por edhe me të bame, tuj u përpjekë me gjithë fuqit´e veta për përtrimjen e fatbardhësin´e popullit të vet. Me nji gjakftoftësi të pashoqe, gjithmonë gadi me ju ba ball trimnisht anmiqve u mundue që sa mot për të mirë të popullit shqyptarë. As salvimi, as të këqijat qi hoq e as burgu qi bani nuk j´a ndërruene mendjen qi mos me i mprojtë ma të drejtat e popullit të vet; por si luftar trim deri në ma të mbramin sahat të jetës së vet e mbajti nalt flamurin e kombit të vet, e vdiq si bir besnik i popullit të vet. Oh! sa gëzim të madh pat zemra e ti e sa herë e tregoj kënaqësin´e vet tuj e pa agimin e nji pritmjes së lume të dashtunës Shqypni.

Ideali ma i larti i këtij meshtari shpirtmadh ishte me i pa të gjithë Shqyptarët të bashkuem, për te ishin të gjithë Shqyptarët vëllazen. Kur para nji vjete e gjysë duel në dritë fletorja jonë, u gëzue fort përmbi emnin “Vëllazënija”, qi e zgodhme për titull. Jetëshkurti tha atëherë këto fjalë: “Në dashtë populli shqypëtar me pa ditë të lume, lypset qi t´ë kuptojnë se jemi të gjithë vellazën

Emzot Kaçorri ishte në kler katolik përfaqësonjësi ma i dëgjuar i idesë kombtare. Si nacjonalist besnik si burrë pa frigë, tuj pasë gjithmonë para sysh të mirën e popullit të vet i vu të gjithë shpresët e veta në Monarkinë austro – hungareze; sepse e dite hollë se veprimi i Monarkisë ishte mprojtja ma e mira, ma e thjeshta e ma e fuqishmja për me e vu Shqypëninë n´udhë të mbarë.

Mjerisht, ky prift i ndritçëm, qi pa ndërlikim feje, kje dasht´e çmue prej të tanë Shqyptarëvet, i msheli syt´e vet para kohe e të gjithë ata qi e kanë njoftë vepren e ti, kanë me vajtue e me mbajtë zi për të. Trupi i këti atëdhetarit të flaktë po pushon tash në dhe, por emni i ti s´ka me u harrue kurr në zemra të gjithë Shqypëtarvet e miqvet t´Arbnisë. Luftoj kurdoherë për nji qëllim shejt e psoj vetëm për dashtëni të pamasë, qi kishte për popullin shqypëtar. Atëdhetare të dashtun, t´a nderojm ket meshtar shpirtmadh tuj marrë mbrapa githë herë idealin e ti, të cilit j´a kushtoj krejt jetën e vet, e ky ideal i lartë kje: BASHKIMI E VELLAZENIJA E TE TANE SHQYPETARVET.

Prej jetës s´Emzot Kaçorrit

(po nga gazeta Vëllazënija)

Emzot Nikollë Kacorri kish le në Lurë në vjetë 1868. Atje i filloj mësimet e veta e tuj kenë 14 vjeç u ba xhakue e hini në kolegjë të Shkodrës, ku mbasi i mbaroj mësimet e meshtarisë, kje shugurue prift në vjetë 1893. Mbasi mbet për pak muej si famulltar në Delvinishtë, u emnue prift famullije në Durrës e në kët vend qindroj deri sa vdiq. Në vjetë 1906 u emnue Protonotar i Papës, në vjetë 1913 Camberlan e në vjetë 1917 u ba Vikar i përgjithshëm.

Emzot Kaçorri kje nji nder ma të vjefshmit atëdhetar shqypëtar, i cili që në djelmëni të vet u përpjek për atëdhen´e vet, e mbasi fjala e ti ecte edhe në fena tjera, i suell kurdoherë Shqypënisë të mira të panjehuna. Kaçorri jo vetëm luftoj e punoj për atëdhe të vet, por edhe ka psue fort shumë. Në vjetë 1910 e bani Kurbini nji kryengritje për shkak të virgjisë e të shërbimit n´ushtri e Emzot Kaçorri tuj hi ndërmjets e paqoj popullin me qeveri. Ma vonë kje paditë si pjestar i nji komplotit, e sado i pafaj, kje gjikue për katër vjet burg. Mbas lutjeve qi banë, u lëshue prej burgu mbas 13 muejsh, por mjerisht këtu e muer atë lengatë të vështirë në zgrof (shënimi autorit: zgrof = stomak), qi ja shkurtoj jetën.

Në kohë të luftës ballkanike, ish agitatori ma i nxeti për vetqeverimin e Shqypënisë. Me 70 atëdhetar shqypëtar muer pjesë në proklamim t´indipendencës së Vlorës e kje zgjedhë si ndënpresident në kabinet t´Ismajl Qemalit, por mbas gjashtë muejsh dha dorëhjekjen e vet. Ma vonë u mundue Esadi me e ba për vedi, por bosh. Mbasi u çpallë lufta botnore vojti në Marienbad (Austri) për me shëndoshë semundjen e zgrofit, qi për vjetë ma tepër u ba ma e rrezikshme e vetëm atëherë mujt me këthye në Shqypëni kur trupet austro-ungare e zaptuene Durrësin. Para tre muejve kje nderue prej Perandorit me Komturkreuz t´urdhnit të Frano Zefit.

Në fillim të majit lëngata e Kaçorrit u ba ma e randë e shkoj në një Sanatorium të dëgjuar të Vjenës, në Sanatorium Fürth, ku kje mjekue prej doktorave ma të përmendun, por mbasi mjerisht sëmundja e ti ishte tepër e moçme, as dija, as marifeti i mjekëvet s´mujtne ma me e shpëtue.

Foto-ja e riatdhesimit të eshtnave, si sarkofagu i Imzot Kaçorrit u prit në Rinas nga shteti, i mbështjellë me një thes ambalazhi, s’ka nevojë për komente të tjera. Po ashtu edhe zvarrisja e konkursit për bocetin e një shtatoreje për heroin e më pas caktimi i vendit se ku do vendoset, janë po ashtu një pikëpyetje e madhe. Aktualisht Imzot Kaçorri ka vetëm një bust (të vogël), të vendosun në Durrës, ndërkohe që statura e këtij atdhetari, meriton një shtatore në qendër të kryeqytetit shqiptar. Për sa i përket vlerësimit të kësaj figure, koha do ta vërtetojë se sa atdhetar e të përkushtuem janë klasa politike shqiptare.

Të presim e të shpresojmë.

Vjene, 17.11.2017

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit