POEZI KUSHTUAR FESTËS SË FLAMURIT DHE BASHKIMIT KOMBËTAR

0
20992

Rudi Berisha “ Shqipëri, nëna ime ” ( Grup autorësh – Përmbledhje poezish ), botoi KL ”Z ahir Pajaziti ” – Podujevë, 2017

Milazim F. KADRIU

Tashmë vëllimet poetike përkushtuese për ditë të shënuara të historisë sonë, për çlirimtarët apo për personalitete të dalluara të popullit shqiptar janë duke dalë në dritë gjithnjë e më shumë. Andaj vargut të librave të tillë iu shtua edhe libri “ Shqipëri nëna ime ”, ” (grup autorësh), përgatitur nga Rudi Berisha dhe botuara nga KL” Zahir Pajaziti”.

Dalja në dritë e librit u bë në shenjë të 105 të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky vëllim me poezi përkushtuese janë poezi të zgjedhura që për temë kanë 28 Nëntorin, Flamurin, Bashkimin kombëtar …., poezi që janë plot mburrje e krenari njëkohësisht që dalin nga vetë shpirti i poetëve të përfshirë në libër.

Sa herë vjen Nëntori, nga viti në vit, shqiptarët liridashës në Shqipëri, Kosovë, në Iliridë, në Kosovën Lindore, në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në Çamëri bëhen bashkë për të kujtuar të kaluarën e lavdishme dhe heroike, bëhen bashkë për të përkujtuar dëshmorët, martirët heronjtë dhe gjithë ata burra e gra që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë, e cila as është dhënë e as po jepet, por po qëndron e patundur me besim se ora shqiptare, nuk po i ndalon tik – taket, në rrugë për bashkim të të gjitha pjesëve të atdheut në një shtet të vetëm, në një Shqipëri.

Rikujtimi i datave të shënuara historike dhe nderimi i dëshmorëve, martirëve është një obligim moral, kombëtar e atdhetar dhe ato përkushtime janë realizime të bukura artistike dhe gjithsesi kanë vlerën e pamohueshme. Andaj këto vlera i kanë përmbushur autorët e poezive të përfshirë në këtë libër e të cilët premtojnë prurje të reja artistike.

Në këtë vëllim poetik janë përfshirë mbi 70 poet me poezitë e tyre kushtuar 28 Nëntorit, Flamurit dhe Bashkimit Kombëtar. Autorët janë nga e gjithë gjeografia jonë.

Pavarësisht asaj se sa arrin një autor ta thotë atë që ka në mendje, e në zemër gjithsesi shkrimet me tema të tilla për autorin është privilegj por edhe përgjegjësi. Sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike.

Autori i këtij libri me vullnetin, dashamirësinë prej njeriu, filloi iniciativën për të bërë librin dhe e bëri. Ajo doli falë mundit të tij dhe ndihmës miqësore nga miqtë e tij të shumtë krijues nga të gjitha trojet shqiptare.
Përpjekjet dhe lufta e shqiptarëve në Kosovë për çlirim dhe ribashkim me Shqipërinë, ishte përpjekje dhe aspiratë për konsolidimin e shtetit-komb të shqiptarëve të shpallur më 28 nëntor 1912.

Nëntor i mbushur dhimbje nëntor
I përgjakur në rrugëtim për Shqipëri
Më i bukuri flamuri ynë KUQ E ZI
E lumja nënë e ndritura e jona Shqipëri

( Rudi Berisha – Nëntori i përgjaku në rrugëtim )

Flamur, ngritu, rritu, puthe qiellin,
Valvit, madhnou në vepër tonë
Mbështille zemrën rueje diellin,

( Behram Hoti – Flamurit )

Shqipëria e Bashkuar nuk është vetëm dëshirë dhe aspiratë, por është një proces i pashmangshëm, që mbështetet në vullnetin e popullit shqiptar autokton për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran, dhe i bashkuar brenda kufijve të vet natyror dhe juridik.

Më pret Vlora e lirisë
Që i dha emër Shqipërisë,
Që më dha emër dhe mua
Sa të rroj me zjarr ta dua.

( Kismete Hyseni – Do të vij )

Kuq e zi valon flamuri
Si yll drite i ndrit nuri
Gjithë të etur për te ishim
N’çdo furtunë para e kishim

( Abdullah Blakqori- Flamuri )

Nëntori është muaji i fitoreve historike. Kështu më 28 nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e Principatës së Kastriotëve. Atë ditë me rastin e marrjes së Krujës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu urdhëroi që në Kështjellën e Krujës të ngrihet Flamuri me shkabën e zezë dykrenore i Principatës së Kastriotëve. Më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali me bashkëluftëtarët e bashkëmendimtarët e tij, ngriti në Vlorë, Flamurin Kombëtar me shqiponjë të zezë dhe me fushën e kuqe, duke shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Në rrënjët e mia
Hodha atë grimë dhe
Gërryer nga murana ime
Për pak bimë
Të atdheut të botës
Për atdheun tim Shqipëri

( Dije Lohaj – Duke kërkuar atdheun e botës )

Njëqind vjet ruhet dhe guri
Pesëqind vjet ruhet flamuri

Njëqind vjet presim bashkim
Njëqind vjet patëm durim

( Rrahman Hyseni – Prej Medvegje në Dardani )

Në majin Nëntor u lindën edhe dy figura të shquara kombëtare të historisë sonë Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të cilët përpos lirisë së vendit na lanë amanet Bashkimin Kombëtar. Ndërsa më 28 nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht dhe kishte kërkuar mobilizim gjithë-popullor për luftë të armatosur kundër regjimit kriminal të Millosheviqit dhe ushtrisë e policisë së tij vrastare.

Çdo nëntor që vije na e kujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por çdo nëntor na e kujton edhe luftën që e bëri Afrim Zhitia bashkë më Fahri Fazliun për të çliruar atdheun, për të ribashkuar Shqipërinë. Ideali i tyre ishte të çlirohen të gjitha tokat shqiptare dhe të bashkohen më Shqipërinë… Ata në Bregun e Diellit, përsëritën epopenë e qëndresës, të cilën disa vjet më parë, në Kodrën e Trimave e kishin shkruar me gjakun e kulluar të zemrës, dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Këtë epope të lavdishme, disa vjet më vonë, me gjakun e tyre do ta shkruajnë edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari; Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, Agron Rrahmani e Bahri Fazliu, Xhevë Krasniqi e Fehmi Lladrovci, Luan e Shkëlzen Haradinaj dhe mbi dy mijë emblema lirie të UÇK-së.

Gjaku juaj ma dha ngjyrën
Shqiponja në mua bëri folenë
Ta shpëtojmë këtë vend të bukur
Bashkë thirrëm Skënderbenë

( Shaban Pllana – Rroftë Shqipëria )

Ta gëzojmë Ditën e Flamurit,
ta gëzojmë Ditën e Pavarësisë,
priti bijtë o Vlora ime,
udhëve të Kombit po vijnë.

( Marinela Velaj – Qiell e tokë flasin kuq e zi )

E ardhmja e shqiptarëve padyshim e ka emrin Shqipëri e Bashkuar, me kufjet e vet natyror dhe juridik – një Shqipëri e lirë dhe e bashkuar. Shqipëri e Bashkuar e cila garanton paqe të përhershme në Gadishullin Ilirik.

Kemi Vendosur me këmbëngulësi
ZOT i Madh na Ndihmo Ti

Sa më parë ta bëjmë
Shqipërinë – SH Q I P Ë R I !

( Vehbi Ibrahim Xhigoli – Për një të plotë festë flamuri )

Po të mundja gjakun ta derdhë si lumë,
Po të mundja trupin ta tretë si shkumë,
Po të mundja zemrën ta veja në një gurë,
Do ta bëja këtë veç për ty o i shtrenjti flamur.

( Lumturije S. Drenica – Valo flamur në tokën e Shqipes nënë )

Dita e Flamurit, është e vetmja festë që feston mbarë populli shqiptar, jo vetëm në trojet etnike, por në çdo cep të botes. Gëzoni lirinë tuaj dhe asnjëherë mos harroni çmimin me të cilën ajo liri u fitua : gjaku i derdhur nga qindra mijëra shqiptarë ndër shekuj.

Në këtë mijëvjeçar shpërthyes të tretë,
KOSOVA me mbi një dekadë Liri
Kurorëzuar edhe me Pavarësi,
SHQIPËRIA-Njëqind e pesë Vjet Shtet.

( Naxhije Doçi – Për triumfalen time të drejtë )

Nga Mollë e Kuqe
Deri në Çamëri
Gjithmonë krenare qëndroi
Në luftërat tona për liri.

( Milazim F. Kadriu – Shqiponja n ë flamur )

Të gjitha poezitë e këtij vëllimi poetik kanë temë krenarie, që në vetvete ngërthejnë tërë qenien e kombit. Aty sintetizohen për mrekulli: bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e mbi të gjitha sakrificat tona shekullore për liri,pavarësi dhe Bashkim Kombëtar.

Vlorë, flakadan i dritës dhe shpresës
Ndez horizontin tash një shekull
Mbi krahët e lirë të shqiponjës.

( Nehat Jahiu- Heu Vlora ime… )

Një gjak një rrënjë një flamur
Sa të ka diell s’ humbën kurrë

( Rrahim M. Sadiku – Një gjak një rrënjë një flamur )

Edhe poezitë e autorëve tjerë janë të nivelit të njëjtë me poezitë e autorëve të cituar dhe të gjitha bashkë krijojnë një vlerë të mirë letrare ngase poezitë e këtij libri përpos vlerës letrare e artistike kanë vlerën dhe peshën historike.

Në këtë përmbledhje poetike radhiten poezitë e mbi 70 autorëve, të cilët me vargun e tyre kanë shprehur respektin për Festën e Flamurit dhe Bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet me emrin Shqipëri.

Me poezitë e tyre janë të përfaqësuar këta autorë : Rudi Berisha, Sadri Rexhepi, Sadije Aliti, Behram Hoti, Kismet Hyseni, Namik Selmani, Daim Hiseni, Sabit Zeneli, Qëndresë Krasniqi, Gani Mehmeti, Shukri Bajrami, Sabit Gashi, Agim Desku, Fatmir Neli, Rrahman Hyseni, Dije Lohaj, Maxhun Osmanaj, Minire Rukovci-Hyseni, Milazim F. Kadriu, Nehat Jahiu, Frasher Rrecaj, Albana Vokrri, Sami Sherifi, Tyran Prizren Spahiu, Izet Shala, Marinela Velaj, Rexhep Mehmedi, Sahit Shala, Zymer Mehani, Hamdi Ismail Meça, Abdullah Blakçori, Lumturije S. Drenica, Hamdi Hysuka, Aqif Isaku, Vehbi Ibrahim Xhigoli, Ismet Krasniqi-Lala, Fatime Ahmeti –Fara, Izet Hajdini, Maria Hizma, Hajdin Krasniqi, Alma Sinan Feruni, Shaban Pllana, Shahabaze Vishaj-Grajçevci, Isuf Grajçevci, Sherife Berisha – Thaqi, Selman Hoxha, Leonora Lokaj, Rrahim M. Sadiku, Sofia Gjinika, Xhuli Spahiu, Milazim Hyseni, Marjeta Musaraj, Semine Hasani, Hajrulla B. Buzani, Naxhije Doçi, Blerina Rama, Rexhep Halimi, Florida Sylkaj, Ramiz Havolli, Ismet Tahiraj, Hajrush Redenica, Sheremet Ajazi, Leonita Zymberi, Fadil H. Curri, Bajram Bashota, Hamdi Aliu, Shaip Bllaca, Hasbije Diellza Brahimi, Hamit Majkovci, si dhe dy ese nga nxënëset Dorontina Hoti dhe Ana Hoti.