CILA ËSHTË ERA BERISHA?

0
2607

Shkruan Rrahman Hyseni

Era Berisha u lind më 3.8.2006 në Prishtinë. Mësimet i vijon aktualisht në Shkollën e Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Dardani të Prishtinës. Era nisi të vargëzojë dhe të shkruaj qysh kur ishte në klasë të parë, ku me përkushtim e dashuri lexonte libra shkollorë, por edhe lektyra për fëmijë. Poezia e parë e saj është “Dielli”. Erës i pëlqejnë pa përjashtim të gjitha lëndët mësimore, por veten e gjen në artin figurativ, ku talentin e saj dhe kreativitetin e ka shprehur në pikturat e saj dhe disa vizatime të ndryshme.

Në klasën e parë e nisi vijimin në kurs të pikturës, ku disa piktuar janë të paraqitura edhe në librin e saj të parë. Era po ashtu vijon edhe kursin për mësim të gjuhës angleze. Ajo po ashtu merret edhe me sport. Dëshira e saj është që të bëhet poete për të shkruar vargje për atdheun, për dëshmorët, për besën shqiptare, si virtyt yni i artë, pastaj për prindërit, për vëllain, motrën, gjyshin e gjyshen, hallën, teten etj. Dhe vërtet, ne nga këndi i vështrimit të përmbledhjes së saj poetike, me syriun e kritikut, me kompetencë konstatojmë se Erën nuk e shohim ndryshe, veçse si poete, e cila, lirisht mund të themi se është zë premtues në qiellin poetik të Kosovës.

Në poezinë e poetes Era Berisha trajtohet motivi i atdhedashurisë, pastaj motivi i vendlindjes. Gjithashtu në vargjet e kësaj poeteje të re trajtohet edhe motivi i dashurisë ndaj prindërve; motivi i dashurisë ndaj gjyshërve ; motivi ndaj dashurisë së motrës e vëllait ; motivi i dashurisë ndaj hallës , ndaj tetes etj., si edhe motivi nga jeta shkollore etj. etj.

Vargjet e poetes sonë të talentuar do të rrjedhin si ujë nga kroi i kulluar edhe për atdheun, për virtytet e arta të shqiptarëve, siç janë besa dhe guximi për luftë për atdheun etj.

Gjuha e poezisë së Era Berishës është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, por edhe të pasura me figuracion poetik. Metri i vargut është 6-vargësh, tetëvargësh etj. Fjalori është i kuptueshëm për bashkëmoshatarët e autores, por edhe për secilin lexues që i lexon poezitë e saj.

Ne kësaj krijueseje të re i urojmë shëndet dhe suksese në mësime dhe në krijimtarinë letrare, ndërsa lexuesve tanë u dëshirojmë lexim të këndshëm.

Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, studiues