Poezi të shkurtra por me plotë mesazhe edukative

0
3252

Bajram Bashota “ Frymëzime “, botues “ Meshari “- Prishtinë, 2015

Milazim F. KADRIU

Mos je lum i dalldisur,
Mos je erë e shastisur
Mos je furtunë deti,
Mos je dridhje tërmeti ?

Me këto vargje hapet përmbledhja me poezi “Frymëzime” e poetit llapjan Bajram Bashota, ku janë 43 poezi të shkurtra por me plot mesazhe edukative që të bëjnë të kuptosh se autori ka qenë edhe mësimdhënës mbi 40 vite ku ka edukuar gjenerata e gjenerata dhe mesazhet e dhëna si edukator na i sjell edhe si poet në librin e tij.

Bashota me shkrime letrare ka filluar të merret si nxënës i shkollës fillore për të vazhduar edhe më tej si nxënës i shkollës së mesme, si student e si mësimdhënës, ku krijimet e tija i ka botuar në gazetat dhe revistat letrare. Ndonëse ai krijoi vazhdimisht, gati tërë krijimtarinë e tij letrare ia shkatërroi lufta, mirëpo ai nuk u dorëzua dhe vazhdoi krijimtarinë e tij dhe tash si pensionist erdhi me përmbledhjen e parë me poezi të titulluar “Frymëzime”e më pas edhe me librin e dytë me poezi për fëmijë. Bashota asnjëherë nuk e len anash krijimtarinë e tij e sidomos nuk mund të ndahet nga krijimi i poezisë qoftë për të rritur apo për fëmijë.

Andaj mund të themi se shpirti krijues i poetit Bajram Bashota kaherë e ka të hapur rrugën e shpërthimit dhe se e vërteton atë që thuhet se poezia nuk njehë kohë dhe moshë ajo vjen kur tek krijuesi lindin emocionet.

Siç e thamë edhe më parë Bashota ndonëse nuk ka botuar më parë libër, tek poezitë e tij vërehet një pjekuri shumë e madhe krijuese që nuk mund ta hasësh tek shumë autor që kanë nga disa libra të botuar.¨

Duke pas parasysh kohën nëpër të cilën ka kaluar vendi dhe të gjitha peripecitë e popullit, po edhe të autorit si mësimdhënës mbi dyzetë vjet me ditar në dorë nënë okupimin serbosllav, ai asnjëherë nuk u nda së krijuari edhe pse më parë nuk pati mundësin e botimit të librave. Por tash erdhi koha ku po frymojmë më lirshëm dhe janë ardhur edhe ditë më të mira që vargjet e poetit të marrin frymë më lirshëm.

Pse je ndyrë, o vargu im
Në thellësi të zemrës gjen pushim?
Pse kaq shumë më mundon,
Ç’ ditë më të mirë ti kërko ?

Në poezitë e tij Bashota jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë, i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.
Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këto poezi e që ne i marrim në formën e quajtur mesazh.
Të gjitha këto poezi janë të krijuara me një gjuhë të pasur poetike, stil të rrjedhshëm dhe me shprehje aq të pasura poetike. Me këto vlera që posedon poezia e Bajram Bashotës, menjëherë të pushton, të magjepsë dhe të bind me misionin e saj.

Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku e ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin e krijimit të tij poetik, duke mos e harruar që t’i këndojë vendit, dashurisë, të afërmve, respektit, atdhedashurisë, personaliteteve të ndryshme etj.

Ja disa vargje me tema të ndryshme :

Për ty atdhe
Jetoj e vdes me gaz,
O tokë e shenjtë
E të parëve të lashtë,
O vend i lagur
Me lot e gjak.

Ose vargje për dashurinë :

Në ata sy si shkëndijë
Flakë digjet një dashuri,
Dashuri që vlon në gji,
Djeg e pjek si mall i ri.

Apo vargje kushtuar poetit Kadri Kadriu :

Në mesin e poetëve
S’është një poet.

Pena i rrëshqet
Yll mëngjesi mbet.

Bashota gjithherë poezinë e ndjerë brenda tij dhe jeton me të në çdo moment edhe në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe këto që ndjeu brenda i qiti në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tij. Ndjesinë që ka autori në poezi mund ta përfitojë lexuesi posa ta lexojë poezinë e këtij autori pedagog.

Botuesi i librit Nezir Prokshi, në fjalën e tij për këtë libër ndër tjera thotë : “Përmbledhja ka edhe një ndjeshmëri të aromës së humorit e të satirës ku përmes metaforës së qëlluar kritikon dukurit negative që po manifestohen në përditshmërinë tonë. Me mjeshtri në shumë vargje gërshetohet dukuria e mikpritjes, e bujarisë, mëria e xhelozia, gëzimet, hidhërimet, guximi e trimëria, e në veçanti urtësia si edhe spikatë pastërtia shpirtërore e poetit që është një mesazh i mirë për gjeneratat që po rriten në Kosovën e lirë, demokratike e të pavarur “.
Shpresojmë se autori Bajram Bashota së shpejti para lexuesve do të vijë me libra të rinj që janë të mirëpritur nga lexuesit, qofshin ato krijime për fëmijë apo për të rritur.