Nafta shqiptare, pasuria jonë kombëtare, që nuk po bëhet kurrë e prekëshme për qytetarët

0
2217

Nga Petraq Naço

Këto ditë, është sjellë edhe një herë në vëmëndje, problemi i naftës së nëntokës shqiptare, dhe i përfitimeve që rrjedhin prej sajë. Ndodhur kjo, në tryezën e organizuar në Tiranë, jo pa qëllim me temë: “Kornizat fiskale dhe kontraktuale për zhvillimin e sektorit të hidrokarbureve”, në të cilën merrnin pjesë shumë personalitete, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Lu. Në të, ndoshta shkurtimisht, u prekën shumë probleme, disa prej të cilave më ngacmuan edhe mua, mendime të cilat po i shtjellojë si më poshtë.

Po e fillojë me një shprehje të zotit Donald Lu, ku thotë: “Unë kam miq në Fier dhe kur udhëtoj atje shikoj shumë pakënaqësi nga njerëzit të cilët ndjejnë se kjo pasuri e gazit dhe naftës nuk shkon tek shqiptarët.” Kjo është e vërtetë, si drita e diellit, dhe duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ku ka shtet në Europën e civilizuar që të ketë naftë dhe të jetë i varfër, që të ketë naftë dhe të ketë standard kaq të ulët jetese, sa e kanë shqiptarët. Aq më tepër, referuar parametrave gjeologjik, të disa prej vendburimeve tanë, si Marinza, etj. Jo, kjo nuk ndodh, duam të shkojmë në Europë, të kapemi fort te nafta, dhe të shikoni me sa dinjitet do të ndodhemi në mes sajë.

Në takim, nga zoti Gjiknuri u cek problemi i rishikimit të kontratave, të cilin jo vetëm e konsideroj domosdoshmëri, por një plagë të hapur, nga ku buron dhe pakënaqësia ndër njerëzit, që ka vënë re dhe zoti Donald Lu, përgjatë udhëtimit të tij në qytetin e Fierit. Me patjetër kontratat duhen rishikuar, nëpërmjet një grupi me ekspert nga më të mirët që ne kemi, në mënyrë që të dalim pa penalizime nga kjo maskaradë, e stisur vite me radhë, nga pushtetar dhe njerëz pa atdhe.

Por, para se të rishikohen kontratat, duhet rishikuar institucioni që i ka hartuar ato, së bashku me gjithë legjislacionin mbi të cilin ai funksionon. Si është e mundur, që sa po përfundojnë kontratat me kompanit e huaja, specialist të këtij istitucioni i shikon të punësuar pranë këtyre kompanive. Si është e mundur, që specialist të këtij institucioni i shikon të vërtiten sa te njëra kompani e huaja tek tjetra, mandej përsëri në Institucionin e Hartimit të Kontratave dhe bordin teknik të Albpetrolit njëkohësisht. Kush janë këta menaxher apo sekser të interesave kombëtare, që i sheh gjithandej. Ose do mbrosh interesat e shtetit ose të palës tjetër, rrugë të mesme nuk ka. Kush duhet ti ndaloj këto praktika abuzive, … domosdoshmërisht ligji.

Axhensia Kombëtare e Hidrokarburëve, në fillimet e krijimit të saj, nga i ndjeri Bejo Sejdini, ka qënë shumë më e konsoliduar se sa është sot. Me patjetër duhet riformatuar, si në legjislacion dhe në strukturë. Mendoj se përbën një institucion shumë të rëndësishëm për shtetin, do e quaja strategjik. Misioni i saj është të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e shtetit shqiptar, përballë investitorëve të ndryshëm, në fushën e hidrokarburëve. Dy janë detyrat e saj kryesore, të hartoj kontrata të suksesëshme, si në të gjithë vendet e zhvilluara europiane, dhe të ndjeki zbatimin e tyre me rigorozitet, pa asnjë klauzol rrugës. Gjithçka tjetër, së bashku me fondin e të dhënave, ti delegohet Institutit Gjeologjik të Naftës e Gazit, i cili mendohet të ringrihet.

Axhensia Kombëtare e Hidrokarburëve duhet të jetë e depolitizuar, nuk ka qënë e tillë, në trajtën e një institucioni teknik, të përbërë nga specialist të fushave të domosdoshme, dhe drejtuesi i saj të zgjidhet me rotacion. Të jetë institucion më vete, dhe jo siç është aktualisht sot, me vartësi direkte nga ministri që mbulon naftën, ndoshta financat, ose kryeministri.

Problemi i Albpetrolit, i kompanisë së vetme shtetrore të naftës në Shqipëri, është sjellë edhe një herë në vëmëndjen e ministrit Gjiknuri, i cili është shprehur: “Albpetroli do të reduktohet. Shumë asete që ka Albpetroli do t’i jepen investitorëve të huaj ato që kanë mbetur, … , por ne nuk mund të mbajmë më një kompani e cila thjesht konsumon të ardhura që vijnë nga nafta dhe që praktikisht nuk sjellin ndonjë gjë të madhe për publikun shqiptar”, Përcaktimim i mësipërm duhet parë me kujdes, ndonjë gjë të madhe për publikun shqiptar nuk sjellë as kompania që shfrytëzon vendburimin e Marinzës. Përse duhet ta mbajmë?

Në qoftë se këto asete nëpërmjet Albpetrolit nuk sjellin të ardhura, po nëpërmjet investitorëve të huaj, a do të mund të jenë fitimprurës? Në qoftë se po, ku qëndron problemi! Nuk mundemi ne, si kudo në botën e zhvilluar, që fushat tona naftëmbajtëse, të zbuluara dhe zhvilluara nga vetë specialistët shqiptar, aq më tepër që ato në vlerën e tyre përmbajnë, edhe punën e pa paguar të mijra naftëtarëve, ti mbajmë në punë po vetë. E gjykojë se mundemi, dhe është rruga më e mirë, që të ardhurat e rrjedhura nga nafta, të bëhen të prekëshme për qytetarët shqiptar.

Le të ngrihet njëherë një grup nga ministria e financave, dhe ti hynte përllogaritjeve në variantin, që vendburimi i naftës Marinëz të administrohej nga shteti, të përpunohej nafta në uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, dhe mandej, si produkt i gatshëm ti drejtohej tregut. Pas kësaj le të gjykojmë, lë fitim nafta apo nuk lë, bëhet e prekëshme për qytetarët apo jo, ndikon në buxhetin e shtetit, apo bëhet një zë kumbonjës në të. Veproni njëherë siç thotë zonja Vllahutin: “vendosni interesin e kombit mbi interesat e tjerë”. Dhe mandej le të gjykojmë, duhet ti privatizojmë asetet e Albpetrolit, apo do të ishte më mirë që fillimisht të investonim në to, në teknollogji, një pjesë të fitimit të marrë në vendburime të tipit si Marinza.

Vëndi ynë është truall naftëmbajtës, fusha naftëmbajtëse e Patos – Marinzës konsiderohet si më e madhja në Europë, kaq do mjaftonte për të kuptuar, që Shqipëria e meriton të ketë Kompaninë më të fuqishme Shtetrore të Hidrokarburëve në Europë, e cila të funksionojë me cikël të mbyllur. Me patjetër, lind nevoja e një ristrukturim rrënjësor, mbështetur në analiza të thelluara ekonomike, duke marrë në konsideratë gjithë asetet e Albpetrolit dhe Armos njëkohësisht. Të dyja së bashku të përbëjnë një kompani, që do të menazhojë pasurinë më të madhe natyrore që ka vendi ynë, naftën dhe gazin. Le të ndjekim shëmbullin e Norvegjisë, e cila e zhvillon industrinë e naftës sipas parimit, se kjo pasuri u përket edhe brezave të ardhshëm të norvegjezëve.

Kjo nuk do të thotë, që për investimet e huaja nuk ka vënd në Shqipëri, përkundrazi, ka shumë hapsira, si në tokë dhe në det, Marinza të tjera presin të zbulohen, veçëse, mbështetur në kontrata dinjitoze, si në gjithë vendet e zhvilluara, që pasurinë kombëtare e konsiderojnë të shenjtë, dhe jo afer për korrupsion si në vendin ton.

Problemet e naftës shqiptare nuk kanë të sosur. Përgjatë këtij çerek shekulli ajo është trajtuar si prona pa zot, kush mund ta shqyej. Rezultati kuptohet vetë, nxirren 4 000 ton naftë në ditë në vendburimin e Marinëz, dhe shteti pothuajse nuk fiton asgjë. Kemi patur parkun më të madh të sondave të shpimit në Ballkan, rreth 70 sonda, dhe sot e kemi apo se kemi një të vetme. Flitet për vetingun në polici, po në naftë ç,farë duhet të bëhet.

Për gjatë takimit u tha, se:Shumë shpejt do të krijojmë edhe Institutin e Naftës dhe të Gazit dhe ky do të jetë një institut shumë teknik, pasi mund të kemi shumë të dhëna të naftës që janë të përpunuara keq”. Padyshim kjo përbënë një lajm të mirë, por jo me mënyrën si është formuluar. Për kërkimin e naftës dhe të gazit ka pafundësisht të dhëna, të ruajtura në fondin e ish Institutit Gjeologjik të Naftës e Gazit në Fier, patjetër që janë sjellë dhe të tjera, të cilat në disa raste mund të jenë përpunuar dhe modeluar keq, por çdo bëhet më tej me to. Vëndi ynë ka nevojë për institutet shkencore të naftës.

Gjeologjia e kërkimit të naftës ka nevojë për shkencëtarët e sajë, për atë plejadë specialistësh, që sakrifikuan shumë nga jeta e tyre, për të zbuluar ato dhjetra vendburime, që për çerek shekulli Shteti Shqiptar nuk ka qënë në gjëndje ti bëjë të prekshëm për qytetarët e vet. Nuk mjafton vendimi për krijimin e institutit të naftës, por kush janë specialistët që do punojnë në të, kjo është një çështje që duhet menduar mirë. Ndoshta është domosdoshmëri, përdorimi i politikave, për tërheqjen e specialistëve që kanë emigruar në Kanada, Amerikë, e gjetkë.

Krijimi i Institutit Gjeologjik të Naftës e Gazit, le të shënojë fillimin e kthesës së madhe, për industrinë e zhvillimit të hidrokarbureve në vëndin tonë. Le të jetë ai, modeli i rikthimit të vëmëndjes, tek burimet tona natyrore, dhe i vendosjes së zhvillimit të tyre mbi baza shkencore. Le ti bëjmë pasuritë tona natyrore, të prekëshme për qytetarët, le ta vendosim shkencën shqiptare, në themel të zhvillimeve tona ekonomike. Sa mirë do të ishte, që Instituti Gjeologjik i Naftës e Gazit të shënonte Institucionin e parë shkencore përgjatë bulevardit të ri. Ndoshta kohë të reja po vijnë për Shqipërinë dhe shqiptarët.