ISTOGU – SHENJËSTRA E BANDAVE

0
2011

IDRIZ ZEQIRAJ

Bandat e bollshme të Kosovës, kanë për autorësi krerët aktual shtetërorë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinaj me shokë. Duke arritur kupolën pushtetare, kryebanditët e përmendur, me skenarin e përgaditur nga Serbia dhe Sigurimi shqiptar, por, edhe pazarët e pista të ndoca kuadrove të LDK-së, ata janë koracuar, të rrethuar nga banditër numerikë, në Presidencë, Parlament, Qeveri.

Në historinë shqiptare, ballkanike, evropiane, nuk ka protagonist të dytë, që, njeriu, me përfoljet e bazuara të krimeve serike, si Hashim Thaçi, të arrijë në piramidën shtetërore. Askush më shumë, më vrazhdët, më cinik, nuk është sjellur me popullin, si presidenti aksidental, i katapultuar nga votat e Listës Serbe dhe të lakejve të Isa Mustafës dhe kurrë të LDK-së të mirëfilltë. Kulmon e keqja Hashim, me nënshkrimin, fatal dhe kundra-kombëtar, të Marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke anashkaluar popullin dhe institucionet dhe duke hedhur firmën konspirative.

Trinomi namkeq: Thaçi, Veseli, Haradinaj me kompani, i krijuan bandat, qysh gjatë luftës, me qëllim të ardhjes në pushtet, “duke shkelur mbi kufomat e shqiptarëve”, siç thotë miku im i ilegalës, burgaxhiu politik, Xhafer Shatri. Dhe, vazhduan me përgjakjen shqiptare edhe pas luftës, duke begatuar gamën e krimeve edhe me haraçet masive, grabitjet dhe përshitjet abuzive të pasurive të brezave shqiptarë; korrupsionin, hajninë zyrtare dhe pisllëqe të tjera.

Bandat janë në gadishmëri. Ato vihen në aksion me urdhër, sipas nevojave, që kanë krijuesit e tyre. Bandat me një veprimtari përmanente, në vijimësi, veprojnë, shpengueshëm, në Deçan dhe Skënderaj. Kryetri i ri për komunën e Skënderajt, Bekim Jashari, i deklaruar si kandidat i pavarur, ka ngjallur shpresën se çmontimi i banditizmit zyrtar komunal, do të ndodhë.

Por, zoti Jashari, së pari, duhet ta sqarojë pozicionin e tij, nëse është, vërtet, i pavarur apo i Partisë Dmokratike, ashtu siç thotë kreu i partisë-bandë, PDK-së, Kadri Veseli?! Distancimi apo jo, nga banda vendore, do ta dëshmojë pavarësinë apo vartësinë e kryetarit Bekim Jashari.

Krerët e cituar të bandave janë shqetësuar për humbjen e një bastioni të bandave dhe janë dakorduar ta kompensojnë humbjen. Dhe, cinikisht e paradoksalisht, kanë zgjedhur, pikërisht, bastionin e demokracisë, Istogun e Ibrahim Rugovës, të Shaban Manaj, të Fadil Feratit…, për shenjëstrim të radhës! Balotazhi i LDK-së me AAK-në, mobilizoi bandat, gjithëherë të gatshme, për të derdhur, madje, pakursyeshëm, paratë e pista, të mbledhura nga burime të dyshimta, të grabitjeve, vjedhjeve, haraçeve masive ndër vite, për ta instaluar banditizmin në Istogun e qetë, në Istogun me siguri lakmuese, në raport me komunat tjera të Dukagjinit, në Istogun e pastër, në Istogun e begatë, me ujëra, fusha e bjeshkë të veçanta; në Istogun piktoresk dhe njerëzit e tij fisnikë.

Tashmë, është një e fshehtë publike se blerja e votave, në komunën e Istogut, ka filluar ende pa u datuar ditë-vptimi, për zgjedhjet lokale. Ishte studjuar dhe caktuar kandidati i dëgjueshëm e babaxhan, për bandat, një bisnismen i suksesshëm, i dëshmuar edhe për kontributet humanitare lokale. Pavarësisht se blerja e votave është partiake, qendrore, reklamohet si personale e lokale. Megjithatë, në të dy variantët, ligjërisht e moralisht, është e dënueshme.

Pesonalisht e kam vlerësuar kandidatin e AAK-së, Gani Dreshaj, si bisnismen të suksesshëm, madje, kam agjituar edhe në media për bisnesin e tij, të pijeve, firmën e njohur “Sinalko”, e cila, është burimore gjermane, me një traditë të gjatë dhe me cilësi të garantuar. Dhe, kam bërë thirrje publike, për qyterarët e komunës të Istogut dhe më gjerë, se duhet ta favorizojnë këtë bisnes, me mall cilësor.

Por, është diç tjetër pretendimi i tij, për ta udhëhequr një komunë. Aq më pak, kur ai përfaqëson një parti-bandë, e cila kurrë nuk u distancua nga krimet e bandave të saj. Dhe, këto banda janë aq aktive, sa as krijuesi i saj nuk arrin t`i kontrollojë, “t`i bëjë zap”, sepse, tashmë, ai është peng i krimeve të këtyre bandave dhe ato duan të shpërblehen edhe mëtej, për të bëmat e tyre kriminale.

Pra, Gani Dreshaj do të ishte kryetar-kukullë, ndërsa bandat do ta administronin komunën. Nuk ishin vasës e kriminelë Dr. Ali Berisha dhe as Rasim Selmanaj, përkatësisht, kryetar të komunave, në Pejë e Deçan. Por, siç thotë populli “asnjë gozhdë nuk e kanë ngulur”, as në Pejë dhe as në Deçan. Sepse, bandat zhvatnin buxhetin komunal, guximshëm dhe hapur. Pra, pa qenë kriminelë, kryetarët në fjalë, janë bërë pjesë e krimit. Këtë do ta pësonte edhe Gani Dreshaj.

Për ilustrim të këtij mendimi, sjellim një shembull: Me nismën e Nëndegës të LDK-së të Isniqit, u organizua një takim-debat, në nivel Kosove, në gushtin e 2016-ës, në Sallën e Kuvendit komunal të Deçanit. Organizatorët provuan ta stolisin tribunën me flamurin dardan dhe fotografinë e Presidentit Rugova. Bandat zyrtare të AAK-së, nuk lejuan. Kryetari Rasim Selmanaj ishte aty, bilëz, hyri në sallë, edhe na përshëndeti, por, ishte i pafuqishëm përballë bandave të partisë së tij. Në pyetjen e një anëtari të LDK-së, të ardhur nga Peja, pakësa me vonesë: “Pse mungojnë simbolet e LDK-së në ballorën e skenës”, organizatori u gjegj prerazi: “Nuk lejuan zyrtarët e AAK-së. Më lehtë do të merreshim vesh me Millosheviçin, se sa me zyrtarët e AAK-së!” Këto fakte janë pasqyruar në mediet e kohës.

Katër vite më parë, në zgjedhjet lokale, tri ditë para votimit, në mbremjen e së enjtës, u organizua një debat, me kandidatët e partive konkuruese, për kryetar të komunes të Istogut. Gjatë ditës AAK-ja furnizoi me lëndë djegëse, gratis, falas, të gjitha veturat, madje, nga të gjitha drejtimet, që hynin në Istog, duke e bllokuar edhe qytetin në ditën e tregut, për mitingun përmbyllës parazgjedhor, që organizonte AAK-ja. Në mbremje, salla në Pallatin e Kulturës, ishte mbushur me militantë të AAK-së, të ardhur nga: Gjakova, Rahoveci, Malisheva, Deçani, Peja, Klina, Drenasi, Skënderaj… Ata, pasi kishin kërcënuar shumë anëtarë të LDK-së, kishin rrahur disa syrësh, ndërsa një të ri e kishin therur, në mbremje kishin përzënë organizatorët pritës dhe kishin zënë derën hyrëse, duke lejuar hyrjen brenda në mënyrë selektive, vetëm për anëtarët e militantët e AAK-së. Për habi, i kishin sjellur edhe policët e tyre!

Interesimi për debatin ishte i madh. Disa qindra anëtarë të LDK-së, ishin tubuar në sheshin para Pallatit të Kulturës, “Adem Jashari”. Kryetari i LDK-së, Haki Rugova, mezi hyri nga një derë anësore. Para vetës pa fytyra të panjohura, të çakërdisura e mërrolaqe! Ai iu drejtua moderatores, të përveçme dhe të zhurmëshme, Jeta Xharra: “Në këto rrethana frike e terrori, nuk mund të bëhet kurrëfarë debati parazgjedhor. Unë nuk ia lejoj vetës dhe nuk marrë përsipër të papriturat që mund të ndodhin, nga militantët e çakërdisur të AAK-së, të ardhur nga Dukagjini e mëtej. Dhe, u largua nga salla, për në shtëpi. Debati ishte në prag të dështimit, sepse shqetësim shprehu edhe kandidati i PDK-së, Shasivar Haxhijaj dhe kanddidatët e tjerë. Ishte ndërhyrja efikase e moderatores Xharra, deri në Prishtinë, për të ndërhyrë policia, për zbrazjen e sallës, të pushtuar nga bandat e AAK-së, duke qëndruar brenda vetëm kandidatët debatues dhe policia.

Ndërkohë, kryeredaktori i atëhershëm i kombëtarës “Bota sot”, zotëri Bajrush Morina, më telefonoi, në orët e vona të natës, duke më pyetur, me shqetësim të ligjshëm: “Çfarë po ndodhë në Istog!” Dhe, unë i fola për tensionimin e një situate të skajshme, që dinë ta bëjnë vetëm bandat e AAK-së. Në orët e para, të pas mesnatës, nisa shkrimin: “Bandat e Dukagjinit sulmojnë Istogun”. Uroj të mos përsëritën skenarët e ngjashëm, ogurëzi, të zgjedhjeve lokale, si në vjeshtën e vitit 2013!

Vrella jonë ka një traditë të shkëlqyer demokratike. Ajo ishte e para, në të gjithë Kosovën, në vitin e largët 1967, në një mbledhje të Lidhjes Komuniste, të mbajtur në Bashkësinë lokale aty, që denoncoi padrejtësitë, dhunën, vrasjet, terrorin, të ushtruar nga Jugosllavia e re, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, me OZNA-n dhe UDB-në e saj, kundër popullit shqiptar, të mbetur dhunshëm, jashtë Shqipërisë londineze. Djemtë e Vrellës, pavarësisht pasojave, kërkuan lirimin e simbolit të rezistencës të Kosovës, bacë Adem Demaçit, me shokë, duke kërkuar pafajësinë e tij dhe të tyre, si dhe duke dënuar të gjithë ata që u shkaktuan plagë, vuajtje dhe përgjakje shqiptarëve të pafajshëm.

Kërkesat për Flamurin Kombëtar, Univesitetin e Prishtinës, Republikën e Kosovës, si pjesë e Federatës jugosllave dhe barazi me kombet e tjera të Jugosllavisë, kanë qenë artikulimi dhe kërkesat e para legale në Kosovë. Ishte baca Sylë Dreshaj, Sylë Vrella, mjeku ortoped popullor, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Socialiste të fshatit Vrellë, ai që i tha Komandantit të Policisë të Istogut se: “Nuk kemi mësues dhe djemë për burg. Largo policinë, se populli ka bllokuar rrugët. Është natë, errësirë dhe unë nuk marrë përgjegjësi se çfarë mund të ndodhë”. Dhe, po këto kërkesa janë përsëritur, pak muaj më vonë, në Mbledhjen Zgjedhore të Rinisë të komunës të Istogut. Dëshmitë faktike, janë lëndet gjyqësore të asaj kohe.

Vrella ka qenë qendra e LDK-së, për komunën e Istogut, e drejtuar me zgjuarësi e trimëri, nga djemtë e saj, Milazim Maraj dhe Idriz Blakaj, me shokë. Ajo është një fshat-qytet, me shumësi banorësh sa 15 katunde, të marra së bashku. Vrellarët tanë nuk duhet të tregohen nepotikë e provincialë. Për konkurimin e një individi vendor, madje, në përfaqësim të një partie-bandë, nuk guxohet të tradhtohet LDK-ja.

Ata duhet ta ndjekin shembullin e llapjanëve. Kur deputeti Anton Çeta u amëshua, u shpallën zgjedhje të reja për vendin, karrikën e tij. Demaçi, ende pa e shpallur kandidaturën publike, testoi llapjanët e tij për votë, meqë Plaku i Kosovës, Anton Çeta, ishte deputet që përfaqësonte Llapin, sipas sistemit të vjetër, që ishte shumë më real dhe më i pranueshëm, se sa pazarët e sotme, për postin e deputetit. Por, burgaxhinjtë politikë, Dumoshët, Pirevët, me shokë, i thanë troç idhullit të tyre, balit Adem Demaçit: “Nuk votojmë kundr LDK-së, partisë të Ibrahim Rugovës. Rrjedhimisht, as ty”. Demaçi, edhe pse trim, e ndjeu frikën e humbjes, u tërhoq dhe filloi anatemat kundër llapjanëve të tij dhe të Ibrahim Rugovës, të cilat i vazhdoi, deri në tepëri! Dhe, këtë gjë duhet ta bëjnë edhe vrellarët, edhe istogasit, në shkallë komune. Sepse kemi përballë bandat dhe jo, thjesht, një kandidat babaxhan dhe të sjellshëm, si Gani Dreshaj.

Fola për Vrellën, krenarinë e fëmijërisë dhe të rinisë time të hershme, sepse ka të dhëna bazike, se blerja e votave, pikërisht, në Vrellë dhe Studenicë, pa anashkaluar fshatrat tjera, është masive. Dhe, kjo dëshmohet edhe me faktin e rritjes artificiale të përqindjes të votave të “fituara”, nga AAK-ja, në komunën e Istogut, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Fenomeni i shit-blerjes të votës, është një akt i shëmtuar, si për shitësin, ashtu edhe për blerësin.

Hoxha atdhetar, prijësi i luftëtarëve vullnetarë, për mbrojtjen e Sanxhakut shqiptar, në Luftën e Dytë Botërore, i burgosuri politik i Nishit dhe i Golji Otokut, Mulla Zekë Bërdynaj, thoshte: “Amanetin e keq, nuk duhet me e krye (zbatuar)”. Nëse Ganiu u ka dhënë lekë fshatarëve, dhe, për këtë kemi prova faktike, ngaqë rastet janë masive, në këmbim të votave, ata nuk obligohen, as ligjërisht dhe as moralisht, për ta zbatuar kontratën, amanetin, dhënien e votës atij.

Fundja, Gani Dreshaj, ka pranuar, madje, me krenari, se u ka dhënë shumë mijëra euro të “burgosurëve politikë”, siç i quan ai kriminelët, vrasësit e shqiptarëve të pafajshëm, të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, duke shtuar pasuritë e tyre milionshe, të vjelura nga haraçi dhe grabitjet e vjedhjet zyrtare. Dhe, të mos flasim për fshatarët e lodhur nga varfëria, të cilët “nuk kanë brekë në b…”, varfëri kjo e shkaktuar nga korrupsioni, hajnia zyrtare e “komandantëve” të shumtë, zhvatës e vrasës mizorë, të cilët, në këmbin të votës, u japin një përqindje minore, të asaj makro pasurie, që ua kanë grabitur, përgjatë këtyre afro dy dekadave me radhë!

Ngulmimit, për ta banditizuar Istogun, duhet t`i përgjigjemi me votë plebishitare, për LDK-në. Çfarëdo hamendësimi, do të ishte një pendesë e afërt, por, e pamundshme, për ta korrigjuar fajin. Realisht, miku im i familjes, Gani Dreshaj, është keqas i mashtruar dhe vetëm humbja do ta shpëtonte me fytyrë. Ai duhet të mjaftohet me qenien deputet, si një post që nuk kërkon ndonjë përgaditje të veçantë. Drejtimi i komunës kërkon profesionalizëm dhe kjo i mungon, tërësisht, Ganiut tonë dorëdhënë. Veç kësaj, ai kurrë nuk do të ishte kryetar sovran, me integritet, sepse bandat e partisë së tij, nuk ia japin këtë mundësi. Ai do të ishte një sihirxhi, një kukullë, ndërsa bandat do të “administronin”, më sakt, do ta sakatosnin komunën, me zanatin e tyre zhvatës, tashmë, të provuar në komunat tjera.