BOTIM ENCIKLOPEDIK PËR SHKODRËN

0
1163

Zenepe Dibra, FJALOR ENCIKLOPEDIK I HAPËSIRËS SHKODRANE(I-II), Botoi: EBP”Gjergj Fishta”, Lezhë, 2015-2016

Në fushën e studimeve dhe botimeve autor të ndryshëm kanë bërë emër duke u vlerësuar nga opinioni shkencor dhe kulturor, në sajë të punës së tyre shumëvjeçare. Veprat e tilla nuk janë të karakterit lokal, apo regjional, por madje janë të karakterit kombëtar. Pikërisht në këtë gamë të veprimarive janë afirmuar autor të ndryshëm, duke u bërë sinonim i mjedisit përkatës. Por, jo rrallë ndodh që individet me punën e tyre iu tejkalojnë institucioneve që financohen me buxhetin shtetëror, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me persona më dhunti të veçantë në fushën e tyre krijuese.

Me këtë rast prezantojmë dr.Zenepe Dibra, nga Shkodra, e cila kohë më parë opinionit i është paraqitur me botimin Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane në dy vëllime (2015, 2016), botuar nga Shtëpia Botuese “Gjergj Fishta” në Lezhë. Fillimisht duhet të themi se kemi të bëjmë me një botim enciklopedik, i cili është gjithëpërfshirës për hapësirën shkodrane për një periudhë kohore prej 25 shekujsh. Autorja prezanton personalitete, ngjarje e dukuri të ndryshme qe kanë ndodhur në këtë regjion gjeografik, ku si ikonë qendron Shkodra, kryeqendra e Ilirisë. Eshtë kjo Shkodra e Rozafës, mbretit Genti nga koha antike e deri në ditët tona, e mbushur me plot sakrifica dhe lavdi duke qenë krenaria e botës shqiptare. Madje siç cekën edhe vet autorja ne dedikimin e saj ky botim njëherit është edhe homazh për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e tokave të hapësirës shkodrane.

Edhe pse në të kaluarën ka pasur emigrim të banorëve në veçanti duhet cekur ekzodin e madh në shek. XV, duke emigruar në Venedik e gjetiu në bregdetin e Adriatikut, në kohën kur Shkodra pushtohet nga Perandoria Osmane. Por, Shkodra përseri rilindi, sepse ajo u mbush me popullsi të re të ardhur nga rrethinat e saj. Madje sipas disa të dhënave cekët se ne Shkodër nga ajo kohë e më pas ekzistojnë hiç me pak se 400 patronime familjare, qe lidhen me toponimet e vendbanimeve nga kanë ardhur banorët e vendosur në Shkodër. Në sajë të te dhënave historike në shek.XIX në Siujdhesën Ilirike në kuadër të Perandorisë Osmane, njihen dy qytete me peshë të veçantë, e ata janë në bregdet Selaniku dhe në brendësi Shkodra. Ishte pra ky qyteti i mijëra dyqaneve e zejeve të ndryshme si rrallë kush në atë kohë. Ajo ishte qendra kryesore e Veriut shqiptar, siç ishte dikur kryeqendra e Ilirisë, duke qenë dëshmitare e shumë ngjarje gjatë shekujve. Ndërsa me pas në sajë të rrethanave të reja shoqërore Shkodra humbi imazhin e vet, e kjo ka të bëj sidomos me kohën e diktaturës pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë botim janë përfshi edhe personalitete e ngjarje nga hapësira e viseve shqiptare qe sot janë në kuadër të Malit të Zi. Një veprim i tillë ka qenë i arsyeshëm, sepse edhe këto vise shqiptare Shkodrën e kanë pasur qendren e tyre gravituese tregtare, kulturore e kombëtare. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse në sajë të ngjarjeve të zhvilluara në shek.XIX-XX, në sajë të dekompozimit territorial të hapësirës shqiptare dhe të luftërave pushtuese të malazezeve ndaj viseve shqiptare, popullsia shqiptare e Tivarit, Ulqinit, Krajës, Anës së Malit, Malësisë e Plavës e Gucisë, strehimin e shpëtimin e ka gjetur pikërisht në Shkodër. Dhe nga ato vite një pjesë e popullsisë së tyre viseve, kanë mbetur këtu duke u bërë banorë të këtij qyteti, duke mbajtur kujtimin për vendin e origjinës së tyre.

Instalimi i diktaturës komuniste në Shqipëri dhe izolimi i vendit nga viti 1945-1990, ku u ndërpre komunikimi ndërshqiptarë, pati pasoja për të gjithë ku as Shkodra nuk ishte përjashtim.Në këtë aspekt shqiptarët në Mal të Zi si pakicë numërike, u izoluan nga shteti amë me pasoja etnosociologjike, që janë të pranishme edhe në ditët tona. Por, edhe në këto kushte u mbijetua, duke sfiduar rrethanat e kohës, duke krijuar vlera në shumë veprimtari shoqërore. Emrat e personave dhe veprimtaritë e ndryshme të cilat prezentohen në këtë botim, e dëshmojnë më së miri një konstatim të tillë.

Nuk ka dilemë se një punë e tillë nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse kemi të bëjmë me një lëndë voluminoze, me përmbajtje shumëdimensionale, ku në këto dy vëllime prezantohen 1170 personalitete dhe rreth 2100 zëra me gjithsej 1658 faqe.

Madje e them pa hezitim se ate çka nuk e kanë bërë institucionet me buxhet shtetëror ka arritur ta realizojë zonja Dibra. Ajo për realizimin e një projekti të tillë ka sakrifikuar kohën e saj të çmuar, por ka pasur durim dhe pasion për t’ia arritur qellimit.

Ajo mund të jetë e kënaqur, sepse i ka ofruar opinionit të gjerë shkencor e kulturor një botim enciklopedik, që do t’ia kanë zili edhe qytetet më popullsi disamilionëshe. Por, kur para vetës vendosen objektiva dhe punohet me seriozitet e plot pasion rezultati nuk do të mungojë.
Autorja ka bashkëpunuar me një numër të konsideruar autorësh të ndryshëm të cilët kanë dhënë kontribut me vlerë, që dëshmohet edhe më emrat e tyre të vendosur në fund të zërave përkatëse. Në lidhje me këtë botim enciklopedik, autorja po ashtu ka konsultuar një literaturë të gjërë, që na është prezantuar në fund të njësive të prezantuara. Lënda e prezantuar përfshin shumë fotografi personalitetesh, objektesh apo ngjarjesh të ndryshme, duke dëshmuar në mënyrë faktografike anën tekstuale të lëndës së trajtuar.

Dhe pikërisht, për Shkodrën, thënien më brilante e ka thënë ma mirë së askush tjetër poeti Migjeni, duke e cilësuar ate ”dashnorja e shekujve”. Eshtë kjo një thënie emblematike, e cila e personifikon Shkodrën si asnjë qytet tjetër në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Shkodra në historinë e saj të lavdishme 2500 vjeçare, edhe sot rrezaton dhe shkelqen në arealin shqiptar, duke mbetur krenaria jonë kombëtare. Madje nuk thuhet kot se pa Shkodër nuk ka Shqipni!

Edhe botimi me titull Fjalori enciklopedik i hapësirës shkodrane i autorës Zenepe Dibra, është në favor të këtij konstatimi të kryeqytetit të Ilirisë.

Dhe nuk ka pasur mundësi të jetë ndryshe, sepse Shkodra me te kaluarën e saj të lavdishme, ajo nuk të le të qetë, por inspiron dhe motivon, krijues të profileve të ndryshme shkencore e kulturore.

Urojmë dhe shpresojmë që këtë punë me vlerë sa profesionale e kombëtare në të ardhmën të vazhdojnë të tjerët, ku ky botim mund të shërbëjë si model edhe për qytetet dhe viset e ndryshme në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Dr. Nail Draga
(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin më 4 nëntor 2017)