Në foto:
Simon Laski, Marjan Ukaj, Dom Albert Jakaj, Gjokë Ukaj dhe Engjëll Koliqi
Në Stubllën e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë u lidh një marrëveshje e bashkëpunimit të ngushtë mes shkollave të Kosovës
SHFMU “DOM MIKEL TARABULLUZI” E STUBLLËS
DHE SHFMU “DËSHMORËT LLESHI” E DOBLIBARËS SË GJAKOVËS
U vendos që gjatë vitit shkollor në vijim, të organizohen disa veprimtari të përbashkëta, qoftë arsimore, qoftë kulturore-artistike dhe sportive. Ëeshtë krejt normale, që pas këtij vëllazërimi, çdo sukses i Shkollës së Doblibarës është edhe i Stubllës dhe anasjelltas – çdo sukses i Stubllës, edhe i Doblibarës.
Shkruan: Engjëll KOLIQI, Stubëll, 12 nëntor 2017
Kjo fundjavë për arsimin në Kosovë ishte shumë e frytshme, sepse në Vatrën e Parë të Shkollës Shqipe në Kosovë, në Stubëll të Karadakut, u lidh një marrëveshje shumë e vlefshme dhe e rëndësishme, për një bashkëpunim të ngushtë profesional, kulturor e sportiv mes dy shkollave, ndër më të mirat e vendit tonë – SHFMU “Dom Mikel Tarabulluzi e Stubllës dhe SHFMU “Dëshmorët Lleshi” e Doblibarës së Gjakovës.
Ish famullitari i Stubllës, aktulisht famullitar i Doblibarës – Dom Albert Jakaj, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollën vendore atje, SHFMU “Dëshmorët Lleshi” i kishte propozuar drejtorisë së atjeshme, që të fillojnë bashkëpunimin me Stubllën, pikërisht me SHFMU “Dom Mikel Tarabulluzi”. Propozimi i tij ishte përqafuar pa fije hezitimi dhe me shumë vullnet e kënaqësi, kështu që dje, të shoqëruar nga Dom Alberti, erdhën në Stubëll drejtori i SHFMU “Dëshmorët Lleshi” nga Doblibara, Z. Gjokë Ukaj dhe mësuesi veteran Z. Simon Lasku. Ata, në SHFMU “Dom Mikel Tarabulluzi” u pritën nga drejtori Z. Marjan Ukaj dhe mësuesi veteran Engjëll Koliqi e mësuesi i ri Zef Demaj.
Me shumë kënaqësi, në një takim shumë të përzemërt, u vendos që sa më parë të jetë e mundur, të fillojë bashkëpunimi i ngushtë mes këtyre dy shkollave, një bashkëpunim i përgjithshëm, në të gjitha veprimtaritë – arsimore, edukative, kulturore, artistike dhe sportive, me organizime të përbashkëta të aktiviteteve, festave, të garave, edhe të trajnimeve profesionale. Pasi u arrit marrëveshja, drejtori mysafir Z. Gjokë Ukaj na e dha lajmin e mirë për fitimin, nga shkolla e tyre, nga një organizatë ndërkombëtare amerikane, të një granti prej 8500 dollarësh amerikanë, për pajisje me mjete mësimore dhe për oranizimin e garave dhe veprimtarive të përbashkëta edukativo-arsimore, kulturore, artistike dhe sportive mes dy shkollave. U vendos, që kur kemi aktivitete që zgjasin më shumë se një ditë, nxënësit dhe mësimdhënësit të flejnë nëpër shtëpitë e nxënësve, respektivisht mësimdhënësve nikoqirë, një nyjë e fortë kjo e lidhjes së miqësisë vëllazërore mes nxënësve dhe të mësimdhënësve të dy shkollave tona.
Pas takimit zyrttar, drejtori nikoqir Z. Marjan Ukaj, në restorant “Jozefi” në Stubëll, shtroi një drekë vëllazërore për mysafirët. Pas vizitës së Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, me mysafirët shkuam në Viti, për ta informuar për këtë bashkëpunim Drejtorinë Komunale të Arsimit, me ç’rast na priti drejtori Z. Qahil Sinani, i cili shprehi kënaqësinë dhe na premtoi përkrahje të parezervë, nga ana institucionale e Drejtorisë Komunale tël Arsimit në Viti. Kryetari i Vitisë Z. Sokol Haliti, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare jashtë, këtë bashkëpunim na e uroi nga Viena, përmes telefonit. Edhe ai na prermtoi përkrahje të parezervë institucionale nga Komuna e Vitisë.