LDK-ja E SHANTAZHUAR, E BLLOKUAR NGA SHIK-u

0
627
Lidhja

IDRIZ ZEQIRAJ

PAN-i në panik. Humbja në zgjedhjet lokale, edhe pse e pritshme, i ka hutuar humbësit. Flasin përçartë e marrëzishëm. Humbjen faktike, e paraqesin si fitore të tyre! Është rasti që kjo humbje të thellohet. Por, ka një hezitim të shpjegueshëm nga LDK-ja, por të dënueshëm nga anëtarësia, për ta shfrytëzuar këtë rast, ndoshta, të papërsëritshëm. Koalicionet e mençura, do të ishin çilësi i fitores bindëse të LDK-së.

Megjithatë, ka hamendësime, të diktuara nga SHIK-u. Sepse LDK-ja është fort e shantazhuar, madje, edhe e bllokuar nga SHIK-u kriminal. Në strukturat vendimmarrëse të LDK-së, ka njerëz që kanë bërë pazare të pista me eksponentë të SHIK-ut. Bilëz, një nënkryetar i LDK-së, i pati bërë letër publike shefit të EULEX-it se SHIK-u nuk është vrasës?! E, megjithatë, LDK-ja heshti, nuk i kërkoi llogari kuadrit të saj. Andaj, edhe trimërohet Kadri Veseli, në mbrojtje të SHIK-ut, sepse i ka argatët brenda LDK-së.

Një kryetar komune në balotazh, njëherësh, edhe anëtar i Kryesisë të LDK-së, i pyetur se me ke do bëjë koalicion, përmend AAK-në dhe Nismën! Të dyja këto subjekte janë në PAN dhe së bashku me shefen e tyre PDK-në, kanë përgjakur LDK-në. Llogaria me numra, kryetarin në fjalë, e favorizon vetëm koalicioni me Vetëvendosjen. Megjithatë, i ikën emrit të saj, “si djalli nga temjani”! LDK-ja, e shantazhuar nga SHIK-u, dy herë radhazi e ka shpëtuar PDK-në, përkatësisht, PAN-in nga dalja në opozitë. Banda e SHIK-ut ende dikton LDK-në, prandaj, edhe pengon reformimin e saj.

Vetëvendosja denoncoi e veproi,
për mbrojtjen e interesave të Kosovës

Anakronizmi i Vetëvendosjes është – njerëz të rinj, me ideologji të vjetër, të demoduar e tërësisht dështake, siç janë relikët e urryera të komunizmit fatal enverhoxhian. Edhe heshtja, mosnjohja e Presidentit Rugova, si vlerë kombëtare, me kontribute të pakrahasueshme me askënd, madje, pa ndërmjetës në histrorinë gjithëshqiptare, që nga Gjergj Kastrioti e këtej, është një paradoks dhe hendikep i madh, që do t`i kushtojë Lëvizjes Vetëvendosje, nëse nuk reflekton. Kjo është një dëshmi, që ideolojia e kuqe satanike, imponon, dhunshëm, vullnetin e individit apo të rrethit vicioz, për ta pranuar këtë lloj heshtje edhe anëtarësia, e cila, gjithësesi, mendon ndryshe dhe vlerëson rolin dhe personalitetin e Dr. Ibrahim Rugovës. Por, megjithatë, gjynahet, mëkatët e saj janë minore, krahasuar me partitë-banda të PAN-it. Në momentin e nevojës bashkëpunuese akute, Isa Mustafa dhe ndoca aminxhinj të tij, ngritën një çështje të panevojshme, jashtë kohës dhe hapësirës: “Vetëvendosja duhet, më parë, të kërkojë falje, për dhunën e saj, në demonstrime, protesta dhe gazin lot-sjellës në Kuvend!?!”

E ashtuquajtura dhunë e Vetëvendosjes, ka qenë krejt e përligjur, nga provokimet e rënda dhe me elemente të bollshme, të tradhtisë kombëtare, të krerëve në shtet e pushtet: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Isa Mustafës me shokë. Dallaverët e Hashimit më lëvriçkën Editë Tahirin, për Veriun e Mitrovicës; “Zajednca” dhe Demarkacioni, ku orkestroheshin të tre aktorët kryesorë, në dëm të Kosovës, ngjallën zemratën e ligjshme të popullit të Kosovës. Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo, që e para denoncoi rolin mashtrues e grevë-thyes të Hashimit, për Veriun e Mitrovicës. Ishin djemtë dhe vajzat e Vetëvendosjes, që u përgjakën në protestat kundërshtuese, për ta sfiduar ndarjen e kësaj pjese të Kosovës. Ju kujtohet tërheqja zvarrë e mbesës të plakut nacionalist, kombëtar, Hajriz Demakut të Drenicës, Puhizë Demakut, Albulenë Haxhiut me shoqe e shokë?!

Gazi në sallën e Parlamentit ishte i domosdoshëm, për ta penguar revanshin e bajraktarëve: Hashimit, Kadrisë dhe të Isës, të ardhur në pushtet, me pazare të pista dhe të turpshme, të cilët, për interesa vetjake e grupore, karrieriste e shpëtuese , “rrafsh Kosova”, ishin dhe mbetën të rrezikshëm. “Zajednica” dhe Demarkacioni, nuk duhet të kalonin, të aprovoheshin në Kuvend, në variantin zyrtar të pranuar. Dhe, roli i Vetëvendosjes ka qenë vendimtar, për mosvotimin e tyre në Parlament.

Vetëvendosja dhe populli i Kosovës është provokuar marrëzishëm dhe kundër-përgjigjia ka qenë, absolutisht, në përputhje me përmasën gjegjëse reaguese. Si e tillë, Vetëvendosja duhet falenderuar dhe shpërblyer, për sakrificën e bërë, në mbojtje të interesave të Kosovës. Ndërsa, nga ana tjetër, provokatorët duhet të shkarkohen, nga pozitat e marrura dhunshëm, me ndërhyrjen e SHIK-ut kriminal dhe të ndiqen penalisht, për tradhtinë e bërë. Vetëvendosjes duhet t`i kërkojnë falje, për akuzat e pabaza, drejtuar asaj, LDK-ja dhe të gjitha partitë tjera akuzuese.

LDK-ja, përkatësisht, LDK-ja në bazë, kryesitë e Degëve të LDK-së në komunat në balotazh, duhet të veprojnë shpengueshëm, nga ata që SHIK-u “ua ka zënë bishtin me derë”, dhe, tani, i shantazhon, qofshin ata në qendër apo në bazë, të koalicionojnë në balotazh, kudo që favorizohen reciprokisht. Për shembull, Vetëvendosja të mbështetet në Prizren nga LDK-ja dhe anasjelltas, Vetëvendosja ta përkrahë LDK-në në Ferizaj. Veprime të tilla, janë një shans i madh edhe për komunat tjera në balotazh.

Deputetët e rinj dhe të anatemuarit,
sollën fitoren e LDK-së

Tellallët e Isa Mustafës ia dedikojnë fitoren e tanishme atij. Të zëshëm në falsifikim kanë qenë Bajram Gecaj dhe miku im Xhevat Rexhaj. Me Isa Mustafën identifikohen zgjedhjet e qendrore të qershorit dhe assesi zgjedhjet kolale të tetorit. Ishte angazhimi i deputetëve të rinj, së bashku me ata të anatemuarit e Isës, të cilët, ngjallën shpresën, se diçka po lëvizë së mbari në LDK-e. Ishin kryetarët e komunave, të cilët bënë një fushatë të sinqertë e transparente, ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm kuadrot e LDK-së, të frymëzuar nga ktyezoti i tyre, Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Shkëlqeu Arban Abrashi, me edukatën e tij supreme, në komunikimin e mençur e njerëzor, me qytetarët e Prishtinës. Edhe të tjerët ishin në nivel, pavarësisht rezultatit, që nuk ishte dobësi e tyre.

Tërheqja e mençur e gardës së vjetër,
nderon ata dhe LDK-në

“Una gentile retirata”, (një tërheqje e mençur), – thonë italianët, kur individi apo grupi bëhet pengesë e suksesit. Nuk ka dyshim se LDK-ja ka stagnuar, madje, është dërrmuar nga klanet, rrethet vicioze brenda saj. Klanet e ndanë LDK-në, klanet seleksionuan e përjashtuan, negativisht, kuadrin, masën dhe, në veçanti, Mërgatën nga LDK-ja, duke shkaktuar mega-skandalin: tërheqjen zvarrë të kryetares të Degës të LDK-së, në Gjermani, si veprimtarja më e madhe në botë, për çështjen kombëtare, Dokinë Gërvallën.

Shpërdorimet në drejtimin e LDK-së, kulmuan në Kuvendin e 8-të të saj, kur kryetari e Kryesia degraduan të gjithë procesin zgjedhor, duke shkelur tri parimet bazë të demoktacisë evropiane: moslejimin e debatit; përjashtimin e konkurrencës; refuzimin e votimit të fshehtë, duke iu kthyer metodës komuniste, aklamative. Rrjedhimisht, “Kuvendi” i dhuroi LDK-së strukturën e saj vendimmarrëse, të emëruar, të vetëzgjedhur, ilegale, të paligjshme, të dhunshme.

Mungesa e legjitimitetit, e strukturave vendimmarrëse të LDK-së, ka qenë dhe mbetet pengesë serioze, e prurjeve të reja në LDK-e. Një tërheqje e mençur e gardës së vjetër, nga vendimmarrja në qendër, duke iu përkushtuar bazës, në komunat nga vijnë, do t`i nderonte ata, duke nderuar dhe prosperuar edhe LDK-në. Sjellja inatçore, fodulle dhe krejt kundra-demokratike, e ndocave nga garda aktuale, ka dëmtuar rëndë imazhin, dikur elitar të LDK-së në Kosovë dhe më gjerë, në rajon e botë. Kjo gjendje nuk duhet heshtur dhe toleruar edhe mëtej. Debati dhe vetëm debati brenda partiak, ushqen dhe zhvillon demokracinë bashkëkohore, duke u bërë edhe premisë, për joshje dhe begatimin njerëzor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohëshme në LDK-e,
rikthim i LDK-së në pushtet

Zgjidhja më e pranueshme, do të ishin zgjedhjet e reja, të parakohëshme në LDK-e. Nga organizimi i zgjedhjeve demokratike në parti, do të dilnin strukturat vendimmarrëse legjitime. Konkurimi i pakufizuar, për gardën e vjetër dhe të re, për strukturat drejtuese të partisë, do ta promovonte një strukturë vendimmarrëse të pavarur, të pashantazhueshme dhe të pabllokueshme nga SHIK-u kriminal.

Dhe, nëse struktura aktuale ngulmon të mos shkojë në zgjedhje të parakohëshme partiake, atëherë rifreskimi, kooptimet në Kryesinë e LDK-së, janë nevojë akute. Është e pa drejtë, diskriminuese, madje, tej kriminale, në dëm të LDK-së, që, një Vjosë Osmani, me 60 mijë vota, të jetë jashtë strukturës drejtuese të LDK-së. Përmenda Vjosën, por, ajo ka shumë shoqe e shokë, të anatemuar nga klanorët karrieristë.

LDK-në e ka dëmtuar karrierizmi dhe klanizmi. Fajësi mban edhe anëtarësia, e cila ka heshtur, për shkeljen e normave partiake, për devijimin flagrant nga rugovizmi dhe thirrja e rrejshme në emrin e rugovizmit, për mungesën e debatit, konkurrencës, dhe aklamacionet e turpshme, të aplikuara në disa kuvende zgjedhore në bazë dhe, sidomos, atë në qendër!

LDK-ja është forcë solide, është parti shtetformuese, parti e duarëve të pastra, parti me urti e fisnikëri të pashoqe. Ishte SHIK-u, ai që ia imponoi LDK-së njerëzit e tij në udhëheqje dhe, prandaj, vazhdon t`i zhantazhojë, në vijimësi. LDK-ja, përkatësisht, njerëzit e rinj të saj, duhet të përballën me SHIK-un vrastar, për të shkëputur fijet lidhëse shantazhuese të tij. Pastrimi i strukturave vendimmarrëse të LDK-së, nga argatët e SHIK-ut, është imperativ, urdhresë e kohës. Dhe, kjo të fillohet që sot.