Analizë e romanit “Dy vdekjet e një jete”

0
1460

Punuar nga: Arnisa Beshiri

Hyrje:
Në romanin “Dy vdekjet e një jete” bëhet fjalë për një djalë, i cili llogaritej si i vdekur pas Betejës së Koshares. Ky djalë quhej Astrit Gashi. Ishte kthyer në Kosovë nga mërgimi për ta takuar të dashurën e tij Valberën, të cilët i kishte ndarë lufta.

Përmbajta:
Ai çdo ditë dilte në qytetin e tij me shpresën se do ta takonte Valberën pas 8 vjetësh. Kishte vetëm një foto të saj, që e kishte gjetur në shtëpinë e tij në Kosovë. Në mënyrë që mos ta harronte Valberën se si dukej, Astriti filloi ta bëjë një skulpturë të saj duke u bazuar ne foto. Ai doli nje dite serish ne qytet dhe pas pak perballe tij ishte Anita, shoqja me e ngushte e Valberës. Ata u përshëndetën dhe Astriti e pyeti për Valberën. Anita i tregoi se sa shumë kishte vuajtur Valbera për Astritin, dhe se ajo nuk e dinte se ku ndodhej Valbera tani. Kur Anita mbërriu në shtëpi, i telefonoi shoqes së vet dhe i tregoi se ajo kishte parë Astritin. Valbera mendonte se shoqja i ishte çmendur, pasi që të gjithë e dinin Astritin për të vdekur. Por jo, kjo ishte e vërtetë. Astriti edhe pse ishte kthyer nga mërgimi, ata nuk do të mund të bashkoheshin, pasi që Valbera ishte martuar me Burimin dhe kishte dy fëmijë. Ajo u fut në mendime. E kujtonte të kaluarën e tyre.

Në mëngjes Astriti zgjohej si gjithmonë dhe pinte një kafe në balkënin e tij. Dikur trokiti në derë xha Rifati. Astriti e njohu, por xha Rifati jo. Ai i tha se kjo shtëpi nuk ishte e tij, por e Faik Gashit, e babait të Astritit. I tregoi se në këtë oborr ishte bërë masakra më e madhe nga forcat serbe. Dhe në fund i tha se djali i Faikut kishte vdekur. Kjo e tronditi Astritin. Ai tha se ai është vetë Astriti, dhe besa Rifatit iu duk i njohur, por s’e besonte. Astriti ia rrëfeu këtë histori të gjatë se si kanë rënë granatat e si atij iu nevojit një vit e gjysmë për shërim dhe i tregoi se si kanë menduar ushtarët që ai trup, që e kishin gjetur të vdekur, ishte i Astritit. Pas një kohe Rifati filloi të qante nga gëzimi. Astriti donte të dinte më shumë për atë masakër që kishte ndodhur në oborrin e tij. Xha Rifati filloi t’i tregojë se si serbët i kishin rrahur burrat e si i kishin vrarë gratë e fëmijët me thika. Astriti hyri brenda e qau me zë të lartë, sepse edhe familjen e tij e kishin masakruar. Pasi që u qetësua, doli jashtë, por xha Rifati kishte shkuar.

Një ditë Astriti shkoi në shkollën “Luigj Gurakuqi”. Aty punonte shoku i tij i ngushtë, Dren Shpati. Hyri në sallën e arsimtarëve e filloi ta priste Drenin, por ai do të vonohej shumë, kështu që ia shkruajti një letër, ku i tha se ishte gjallë e pastaj doli. Rrugës në qytet u ndal të pinte një kafe, ku më vonë takoi një shok të vjetër, Arsimin, i cili i propozoi të hapnin një ekspozitë në Galerine e Arteve, sepse Astriti ishte një piktor i mrekullueshëm. Ai pranoi dhe me pas u përshëndetën. Një mëngjes Valbera u zgjua dhe shkoi tek puna e Burimit për t’i thënë se ajo do të shkonte te tetja e saj në kryeqytet, sepse ishte pak e sëmurë. Po ashtu kur Dreni hyri në sallën e arsimtarëve pa letrën e firmosur nga Astriti dhe u trondit shumë. Ai u nis menjëherë te shtëpia ku jetonte Astriti, por nuk e gjeti aty. Po në atë kohë Astriti ishte në postë, sepse donte ta thërriste Drenin, të cilit numrin ia kishte dhënë Arsimi. Kur ai u pergjigj, ata caktuan një vend për takim. Kur u takuan, u përqafuan gjatë, pasi që nuk ishin parë 8 vjet. Dreni donte ta dinte se përse e kishin shpallur të vdekur Astritin dhe Astriti donte të dinte më shumë për të dashurën e tij. Dreni nuk dinte edhe shumë për Valberën, por i tha se shoqja e saj, Anita do të kishte mundësi t’i ndihmonte dhe u nisën për në zyrën e Anitës. Kur shkuan atje, e pyetën dhe ajo u tha se do t’u ndihmonte sa të kishte mundësi. Pas një bisede, Astriti e Dreni shkuan. Kur Anita mbërriu në shtëpi, i telefonoi Valbera e i tregoi se kishte ardhur në kryeqytet.

Ato u takuan dhe Valbera filloi të pyeste Anitën për Astritin. Dikur ajo tha se do të dëshironte ta takonte Astritin. Anitës i tha që t’i telefononte Drenit e ai pastaj t’i tregonte Astritit. Në mëngjes Astritit i tregoi Dreni për Valberën e ai u gëzua shumë. Ata u takuan në oren 11 e u përqafuan gjatë pasi që e panë njëri- tjetrin. Ata filluan të shëtiten nëpër qytet e pastaj u ulën në një kafiteri. Astriti u gëzua shumë, gjithashtu edhe Valbera, por si do t’i tregonte që ishte martuar. Ata filluan të bisedonin e Valbera ia tregoi historinë se si ajo ishte takuar me familjen e Burimit e si ishte ndarë nga familja e saj. Në fund i tregoi se ishte martuar e Astriti filloi të qante dhe nuk e besonte atë se çka i thoshte Valbera. Pas atij takimi, ai hyri në një lokal nate, ku e kishte lënë të takohej me Drenin. Astriti ishte dehur e kur erdhi Dreni, i tregoi për takimin me Valberën. Dreni u trondit e më vonë e mori Astritin e dërgoi në shtëpi.

Pas disa ditësh Astriti kishte një takim me një zyrtar të cultures, ku do të bisedonin për idenë e ekspozitës në Galerinë e Arteve. Ata prisnin përkthyesen e më vonë u shfaq Dafina, një arsimtare, që e kishte takuar Astriti, kur ai kishte shkuar në shkollë për ta takuar Drenin. Dafina ishte një vajzë e bukur, e cila kishte rënë në dashuri me Astritin. Ata pas takimit me zyrtarin, vendosën të dilnin të pinin një kafe. Astriti me kamionetën e tij shkoi e mori Dafinën dhe shkuan në një restaurant të dekoruar për mrekulli. Kur u ulën në tavolinën e tyre, filluan të bisedonin. Dafina ishte kurreshtare për jetën e tij e ai ia tregoi të gjitha, por një gjë që nuk e besonte Dafina ishte, se ai ishte një hero i gjallë. Astriti e bindi disi, pasi që ia tregoi historinë e tij në Luftën e Koshares. Pas një mbrëmje të gjatë, Astriti e solli Dafinën në shtëpinë e saj dhe pastaj shkoi edhe ai në shtëpine e tij. Po atë ditë Valbera u nis rrugës për në shtëpi. Në autobus kishte rënë në mendime të thella. Nganjëherë mendonte ta linte Burimin e të martohej me Astritin, por pastaj i dilnin fëmijët në mes.

Ajo mbërriu në qytetin e saj e pastaj kapi valixhet e zbriti. Aty e priste Burimi. Të gjithë u përqafuan e pastaj shkuan dorë per dore në shtëpi. Në një të shtune ishte termini i ekspozitës në Galerinë e Arteve. Aty mblidheshin njerëz e shumë gazetarë nga televizioni. Aty ishin po ashtu Anita, Dreni me gruan e tij Dritën e po ashtu edhe Dafina. Më vonë Astriti bëri disa intervista, të cilat do të shfaqeshin në televizion. Burimi pasi që ishte kthyer nga puna, u ul bashkë me Valberën që t’i përcillnin lajmet. Pas një reklame, u shfaq ekspozita e Astritit. Burimi përcillte me vëmendje. Kur u kap nga kamera skulptura e Valberës, te cilën e kishte gdhendur Astriti, Valbera uli kokën e shikonte dyshemenë. Kur gazetari pyeti Astritin se a ishte ajo skulpturë për t’u shitur, Astriti i tha jo se kjo ishte bërë për një person të veçantë si Valbera. Pas lajmeve Burimi pyeti Valberen se a ishte ky ai Astriti, të cilin ata e kërkonin me vite. Valbera pohoi e pastaj i tregoi se ishte takuar me të e kishin biseduar. Më vonë u shtrinë të dy të flinin, por asnjëri nuk mundi të flinte nga mendimet.

Ditën e nesërme Astriti pasi që u zgjua, e thirri Dafinën, e cila ia kishte shprehur dashurinë që kishte për të e i tha që këtë herë të takoheshin, por jo në qytet, por jashtë qytetit. Ai vendosi të shkonte në Koshare te varri i tij. Dhe ashtu u bë. Ata pasi mbërritën atje dhe panë varrin me emrin dhe foton e Astritit, u shtangën të dy. Ai filloi të qante me zë të lartë duke bërtitur. Atij iu bashkangjit edhe Dafina, për të cilën këto pamje ishin të frikshme. Astriti shkoi te kamioneta e tij, mori një çekan, e shkoi e theu gurin e varrit. Më vonë ata hipën në makinë e dridheshin nga emocionet. Ishte një natë e ftohtë me erë dhe shi. Kur u kthyen në qytet, ishte bërë vonë e Astriti i propozoi Dafinës të flinte në shtëpinë e tij. Ajo hyri e bëri një dush të ngrohtë e pastaj u shtri pranë Astritit dhe të dy i zuri gjumi. Në mëngjes Astriti i tha Dafinës se nata e kaluar ishte një gabim dhe se ai i përkiste dikujt tjetër. Astriti vendosi të shkonte në qytetin e Valberës e t’i takonte fëmijët e saj, Erëzën dhe Blirin e po ashtu edhe Burimin. Valbera u gëzua shumë pas telefonatës me Astritin.

Astriti rrugës për te Valbera, pësoi një aksident të rëndë, ku vetura e tij u rrotullua tri herë. Ai kishte thyer dorën e majtë dhe kokën e kishte përplasur shumë herë. Pasi e dërguan në spital, e prisnin aty të gjithë, Valbera, Dreni, Anita, Dafina. Pas një operacioni, mjeku thirri Drenin e i tregoi se ajo copë e granatës që kishte Astriti në tru, ishte shkëputur dhe se aty rridhte gjak. I tha se Astriti kishte vetëm edhe dy orë për të jetuar. Të gjithë hynë për t’u përshëndetur me të, por me një buzëqeshje në fytyrë, në mënyrë që Astriti mos t’i humbte shpresat. Kur hyri Valbera, ajo ia mbante dorën sikur atëherë. Astriti i tha se në botën tjetër ajo do te ishte vetem e tij. Burimit ia la Valberën amanet. Kur hyri Dreni për të dytën here, i tha Astriti që ta zgjonte kur të vdesë. Pas një kohe ai mbylli sytë e Dreni e thërriste si i çmendur, por ishte e kotë. Astriti kishte vdekur. Të nesërmen Astrit Gashin e varrosën për herë të dytë, e këtë herë me nderime të larta ushtarake.

Personazhet:
Në këtë vepër te gjithë personazhet ishin pozitivë. Ata ishin të gjithë shokë të vjetër e të ngushtë të Astritit.

Përshtypjet e mia:
Kjo vepër më la përshtypje shumë të mira, sepse kam mësuar për dashurinë e dy të rinjve, të cilët i kishte ndarë lufta. Këtë vepër e kam lexuar me dëshirë, sepse ky rrëfim ishte shumë i veçantë, te cilin nuk e kam lexuar më parë. Këtë vepër do t’ua preferoja të gjithëve për ta lexuar.

Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, studiues