Ukshin Nuhë Kovaçica dhe Ramë Shahin Ymeri
Prelud:
N’Shqypni, ku m’flen shpirti, nuk jam kanë kurrë, po kam me lufue e do t’luftoj kundra shkijeve derisa Kosovën ta shohë Shqypni.
(Ukshin Kovaçica)
Vuçuri: Ramçe! Po thojnë, se ti je nipi i Ukshin Kovaçicës?!
Baci Ramë: Jo, jo! T’paskan kallxue keq! Jo nipi, po djali i Ukshin Kovaçicës!
Shkruan: Xhemail Peci
1.
Ramë (Shahin) Ymeri, është një nga pinjojtë e denjë e breznive orëmira, të cilët me shembëlltyrën e tyre përplot fisnikëri e bujari, mbetën udhërrëfyes të denjë për bashkudhëtarët dhe bashkëmendimtarët e tyre.
Baci Ramë u lind dhe u rrit në gjirin e një familje atdhetare, e cila nuk ia ktheu kurrizin kurrë armikut. Një familje e cila në sofrën e shtruar me bukë e kripë dhe zemër – përplot bujari, në odën e mbushur me burrëri e besnikëri, në kullën e lartësuar me trimëri e lavdi, mbajtën të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë, duke e përcjellur atë brez pas brezi.
Të njohur për dashurinë e tyre ndaj tokës mëmë, ndaj popullit, ndaj flamurit, gjuhës, kulturës dhe atdheut, kjo familje burrash të paepur u bë burim frymëzimi në luftën për liri e pavarësi kombëtare. Vatra e kësaj familjeje gjithmonë priti e përcolli luftëtarë lirie, gjithmonë u bë strehë e atyre që ia kthyen pushkën pushtuesve shekullorë, gjithmonë u bë vatër e besës dhe e qëndresës, vatër e shpresës për liri e mëvehtësi kombëtare, vatër e pashuar kryengritëse e cila gjithmonë e mbajti të gjallë zjarrin e shenjtë të atdhedashurisë.
Babai i Heroit Ukshin Kovaçica – Nuha, ashtu sikurse edhe Shahin Kovaçica – xhaxhai i Ukshinit, sfiduan me një trimëri të pashoqe pagesën e taksave ndaj pushtuesve turq. Të pabindur ndaj urdhrave ndëshkuese, ata u ndoqën e u përndoqën nga pushtuesit e atëhershëm të tokave shqiptare.
Shahin Kovaçica u vra në fshatin Boshlan, në luftë të armatosur kundër pushtuesve turq. Vëllau tjetër i strategut kombëtar Ukshin Kovaçica, Xhema vritet nga pushtuesit bullgarë në vitin 1916. Ndërkaq, në vitin 1919 nga dora tradhtare prapa së cilës qëndronin hiejnat serbe, vritet edhe babai i kreshnikut të maleve liridashëse, Nuha. Gjithashtu, Rrahim Kovaçica – vëllai i Ukshinit, do të vritej më 1945 nga dora e zgjatur çetniko-komuniste (në fshatin Koraçë), por kjo dorë e zezë dhe mizore do të përballej një ditë me vetë Ukshin Kovaçicën, duke i larë mëkatet e një tradhtie pas shpine për të cilën ishte krekosur pa ia nda, madje duke u zotuar verbërisht se jo vetëm Rrahimin, por do ta hiqte nga faqja e dheut – njëlloj edhe Ukshinin!
Ukshin Kovaçica ishte bashkëluftëtar me Shaban Polluzhën, Bislim Bajgorën, Pajazit Boletinin, Adem Vocën, Ahmet Selacin, Xhemë Zhazhën, si dhe bashkudhëtar me të gjithë ata që në mendje dhe në zemër kishin idealin e një Shqipërie të lirë, të bashkuar dhe demokratike.
Kjo shtëpi e madhe e kjo derë bujare, kjo kokë kryengritëse e Shqipëri shqiponjës, do të rrethohej pa ia da por do të çante rrethimet, do të plaçkitej e do të grabitej nga hordat barbare por prapë do ta mbushte sofrën plot; do të shihte djemtë e saj tek burgoseshin (Hashimi, i biri i Ukshinit – fatosit të maleve liridashëse, do të mbahej në burgun e Mitrovicës por do ta çante rrethimin, do të plagosej por nuk do të dorëzohej kurrë), do të rriste bijtë të cilët do të sfidonin breshërinë e plumbave dhe do të strehoheshin në gjirin e popullit që e deshti dhe e ruajti si sytë e ballit (Tafili – djali i vogël i Ukshinit, së bashku me kushëririn e tij); kjo kullë kapidanësh e kryekapidanësh që shkruan epope heroike, do të digjej flakë e do të bëhej rrafsh me tokë, por kreshniku i paepur i kreshtabardhave të Kosovës martire, do ta ngriste prapë, më të bukur e më të fortë.
Këta trima të paepur, këta burra të betuar e të përbetuar për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, do të rrethoheshin e do të torturoheshin barbarisht e mizorisht, por nuk do të thyheshin kurrën e kurrës.
As ekspeditat ushtarake çetniko-partizane e as bandat barbare sllavo-komuniste, as soj sorllopët si Rasim Çerkezi e Qazim Bajgora, as Çeda Topollavoqi e çetniku Qira, as hijenat e tipit të Hysen Banushit e Bejtullah Hysenit, nuk do të arrinin t’i thyenin kurrë. Ata më kot ëndërronin që t’i kapnin të gjallë fatosat e maleve kreshnike, bijtë e denjë të një kombi martir.
Ukshin Kovaçica do të bëhej tmerr për pushtuesit dhe për tradhtarët e atdheut. Shala e Bajgorës do të bëhet çerdhe e shqiponjës së lirisë. Ai do të shquhet në log të luftës e në kuvend të fjalës. Ai nuk do të nënshtrohej kurrë as përpara formacioneve ushtarake serbo-çetniko-partizane (të armatosura deri në dhëmbë), e as kundër spiunëve të OZNA-s famëkeqe (pararendëse e UDB-ës titiste) dhe zagarëve të mareshalit gjakpirës – Jospi Broz Titos.
Në dimrin e madh e të vetmisë së madhe, në vitin 1947, Ukshin Kovaçica me një grusht shqiptarësh, si nëpër mitet dhe legjendat, për 9 ditë e 9 netë rrjesht, do ta kthenin kullën kreshnike në një kështjellë të pamposhtur qëndrese e atdhetarizmi. Pas kësaj lufte, pala armike do të barte pa ndalur me lese e me saja, kufomat e kërrmave që iu kishin sulur kullës si gjarpërinj të cilit po përdredhnin trupin e tyre të zi si nata.
Në malet e Vesekofcit, te Kërshat e Sokolit, në fshatrat e Shalës, në malet e Kirillovës apo edhe tek Kërshi në Vllahi, levendët e lirisë së Shqipërisë, shkruan një epope të re.
Ukshin Kovaçica e Ahmet Selaci, të dy nipat e Isa Boletinit – Isuf dhe Faik Boletini, bashkëluftërari i pandarë i Ukshinit – Smajl Sfarça, si dhe i biri i Ukshin Kovaçicës – Hashimi, ashtu sikurse Bajo e Çerçiz Topulli, Zeman Mashkullori e Idriz Guri në epopenë e lavdishme dhe heroike të Luftës së Mashkullores kundër pushtuesve turq; ashtu sikurse Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli në luftën e tyre titanike në Fushë të Shtojit kundër shovenistëve serbo-malazezë, do të shkruanin me heroizmin e tyre për jetë a vdekje një faqe të re trimërie, krenarie dhe lavdie, duke mbrojtur trojet stërgjyshore nga hordhitë pushtuese çetniko-partizane.
Nuhë Kovaçica – babai i Ukshinit, Shahin Kovaçica – xhaxhai i tij, Xhemë, Rahim e Abdyl Kovaçica – vëllezërit tij, Hashim Kovaçica – biri i tij, Bajram Kovaçica (djali i xhaxhait të tij), janë emra të shkruar në mermerin më monumental të lirisë së shenjtë të mëmëdheut.
Ukshin Kovaçica është vetë Vilhelm Teli i Termopileve shqiptare, sepse me një plumb vrau dy vetë: komandant Vojo Jankoviqin dhe Tush tradhtarin, më 19 shkurt 1947.
Rënia heroike e Ukshin Kovaçicës dhe e të birit Hashimit, ma kujton Epopenë e Orman Çiflikut, të cilës populli i këndoi sa me dhembje po aq edhe me dashuri e krenari:
Dëshmor i ati, theror i biri,
Kështu vdes vetëm iliri!
Nuk ka dyshim se skena e rënies heroike të Ukshin dhe Hashim Kovaçicës, është një prej atyre skenave epike për të cilat Bajroni do të shkruante: Në këngë e në vajtim, u drodhën fustanellat!
Por gjithsesi, për një rënie si kjo, për një martirizim si ky, për një therrorizim si ky, për një flijim si ky, poeti lirik sa dhe atdhetar Lasgush Poradeci, do të shkruante me krenari: “Vani Cico Kosturit iu vra djali në Orman Çiflik të Korçës, dhe ai vajti e mori djalin vetë. Gjylja i kishte hapur kokën djalit dhe i qenë derdhur trutë. Me duart e veta Vani Cico Kosturi ja mblodhi trutë djalit. Nuk qau, po i tha: Ta kam zili, o bir, për këtë vdekje të bukur që bëre, se ti vdiqe për atdhe. Ky qe Vani Cico Kosturi. Ka patur burra Korça!”
2.
Takimi me Bacin Ramë gjithmonë ishte një përjetim sa i rrallë po aq edhe i veçantë. Ta takoje atë ishte njësoj sikur të takoje degët e atij trungu që qëndroi si një rrap shekullor me rrënjët e tij të lashta thellë në tokën mëmë. Toka bujare e gjakut mbolli farën e plumbave, kurse sofra e shtruar me bujari rriti brezat të ri. Baci Ramë me pëllëmbët e duarve të tij, me krahët e tij, ngriti një çerdhe të re shqiponjash. Me qëndrimin e tij burrëror, me punën e tij dhe me fjalën e tij të urtë e përplot peshë, ai trasoi sërish rrugë e hapi shtigje.
Ai eci gjurmëve të pararendësve të tij dhe thellë në zemër mbajti po atë dashuri që kishin edhe të parët e tij trima e të mençur. Bijtë dhe bijat e tij, ai i rriti dhe edukoi në frymën e atdhedashurisë, me dashurinë ndaj kombit, me përkushtimin ndaj punës si dhe me etjen për dijen. Ai u bë kështu një shembëlltyrë e lartë bujarie e fisnikërie, jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për shokët dhe miqtë e shumtë. Krahët e tij ishin si krahët e Anteut të mitologjisë antike, sepse edhe Baci Ramë, i rritur e i kalitur në stuhi e në ndeshtrasha, merrte forcë nga toka mëmë, merrte vrull nga dashuria dhe respekti që populli gjithmonë tregoi për të.
Po ato tipare fisnike dhe po ato virtyte bujarie, si fjala vjen çiltërsia e ndjenjës dhe përmasa me moshë biblike e besës, bardhësia e fjalës së folur dhe e sofrës së shtruar, shpalosen aq bukur dhe me një krenari të ligjshme edhe tek të tre bijtë: Selatini, Tasimi dhe Emini, por edhe tek brezi i ri, tek nipat e tij – Ideali dhe Arditi, të pajisur me zgjuarësi e gjithmonë me një etje të pashuar për dije dhe për dituri.
Nuk është rastësi pra, pse prirja e breznive orëmira mishërohet aq bukur për diturinë-filosofinë tek Selatini, kurse për ushtrinë si tek Tasimi ashtu edhe tek Emini. Një prirje sa e bekuar po aq edhe e theksuar kombëtare, prirje për penën dhe për pushkën, prirje për dritën e diturisë dhe për formacionet e ushtrisë; sepse dija e ndriçon rrugën e një kombi, sepse ushtria (ashtu sikurse diplomacia) është rrufepritësi i një kombi, kurse dashuria për atdheun është ushtria më e fortë e tij…
Ukshin Kovaçica, ashtu sikurse edhe Bislim Bajgora, erdhi shpesh në odën e gjyshit – Xhemë Zhazhës, i cili do të pushkatohej nga ushtria pushtuese jugosllave, vetëm dy ditë pas vrasjes së Ukshinit, më 21 shkurt 1947.
Ata u bënë shokë armësh e idealesh. Emrat e tyre hynë thellë në zemrat tona, duke na frymëzuar e ndriçuar rrugën tonë, si me shembëlltyrën e tyre ashtu edhe me gjakun e tyre, sepse u bënë dritë lirie dhe përjetësie: pushka i priu penës duke e çelur rrugën tonë.
Edhe Baci Ramë, erdhi dhe foli kur të tjerët as guxonin të vinin e as guxonin të flisnin! Ai jo vetëm që erdhi, jo vetëm që na shtriu dorën e tij vëllazërore, por na u bë gjithmonë krah, madje familjarisht.
Fjala e tij dhe krahët e tij, ishën dhe mbetën për të gjithë ne një nder i veçantë, që nuk harrohet kurrë: sot e mot.
Ai kishte përse të krenohej, por një kënaqësi të veçantë shfaqte sa herë që biseda bëhej për luftërat heroike dhe për kreshnikët e lirisë. Nuk do mend se biseda për Ukshin Kovaçicën zinte vendin kryesor, madje të bëhej sikur e prekte ate më dorë, sikur e shihte me sy, sikur e kishte aty fare pranë, si nga dashuria po aq edhe nga krenaria e ligjshme që kishte për të.
Sa herë që koha shpalos kujtime për këtë sofër bujare e për këtë vatër atdhetare, Baci Ramë do të mbetet përherë i tillë: i dashur e i projshëm në bisedë, i afërt e gjithmonë burrëror. Madje, edhe pse në moshë të shtyrë, ai sikurse malësorët e moçëm, gjthmonë ngritej dhe na përcillte deri jashtë – poshtë tek shkallët që çonin në oborrin e shtëpisë, me fjalë që uronin të takoheshim e të vinim prapë, fjalë që uronin mirësi e mbarësi.
Zemra e tij e madhe rrahu fort për njerëzit e kësaj toke, të cilën e deshti shumë, madje aq shumë sa për breznitë orëmira u bë një shembëlltyrë e lartë dhe e paharruar fisnikërie e bujarie. Fytyra e tij e dashur dhe gjithmonë buzagaz (me tipare dhe virtyte dalluese të njeriut i cili ka qëndruar gjithmonë vertikalisht) do të mbetet e paharruar, veçmas çastet kur mbaronim gotat e çajit dhe prisnim të mbusheshin prapë e të vazhdonim bisedën për levendët e lirisë së Shqipërisë.
Në këtë pikë vështrimi i tij tretej nëpër kohë, madje tretej aq shumë sa pa dyshim se shpaloste në memorien e tij për lakmi gjithë ato trimëri, gjithë ato faqe bese e qëndrese për liri dhe dritë.
Ky vështrim kthehej dalëngadalë e merrte një shkëlqim të veçantë në dritat e syve, sa herë që sigurohej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të na përkrahin – ashtu siç na kishin përkrahur në njëqind vitet e shkuara, edhe në njëqind vitet e ardhshme; sa herë që thoshte: Ali, na fol diçka për Ukshinin, për luftat!…
Sipas kujtimeve të shpalosura nga i biri Selatini, në përballje me shovenistin serb Vuçurin, në Trepçë – aty ku punonte, Baci Ramë nuk u dha, nuk u përkul, nuk u thye. Ishte Vuçuri ai i cili e uli kokën, bashkë me puthadorët e tij, me të cilët një ditë do ta thyenin qafën. Ramë Shahin Ymeri qëndroi ashtu siç qëndruan edhe të parët e tij. Me fjalën e tij të mençur ai shfaqi trimërinë dhe krenarinë e tij si pinjoll i denjë i një familjeje ndër më emblematiket në atdhetarinë shqiptare. Ishte koha ajo e cila e përligji fjalën e tij sepse breznitë orëmira ngadhënjyen mbi breznitë orëliga.
Ramë Shahin Ymeri është një shembull tipik i një malësori trim e të mençur, i cili me intuitën e tij të rrallë pa shumë më larg sesa që shihnin sahanlëpirësit e regjimit kriminal titist të Bastiljeve të Beogradit.
Ai e ndjeu thellë qenies së tij prej pinjolli të denjë të një dere të madhe atdhetare, se gjaku i derdhur lumë për lirinë e mëmëdheut nuk mund të vete kot, dhe se ora e lirisë do të vinte herët a vonë.
Në rrugën e tij të jetës e të qëndresës, ai ndoqi rrugën e rrjedhës së gjakut të derdhur rrëke për atdhe. Dhe në këtë rrugë të madhe sa dhe të ndritur, ai nuk e bjerri shpresën kurrë. Në këtë rrugë ai ndoqi shtegun e dritës dhe pa shumë kthjellët horizontet e lirisë së shumëpritur.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilën e deshti aq shumë dhe të cilën e pa ashtu siç kishte dëshirë: të lirë dhe të pavarur.
Qoftë i paharruar në jetë të jetëve, kujtimi dhe nderimi për njeriun e mirë!
Pikërisht ashtu siç tha Viktor Hygo, se: në kujtimet tona vdekja gjen lindjen!
Qoftë e përjetshme shembëlltyra e tij, së bashku me ndjenjën më të thellë të respektit e të mirënjohjes pa kufi!
T’i paçim të gjitha hua, sot e mot, i dashur dhe i paharruari:
BACI RAMË!
Pa dyshim, një nga njerëzit e rrallë, për të cilin toka do të ketë gjithmonë nevojë, madje shpesh – më shumë sesa edhe vetë qielli:
RAMË SHAHIN YMERI.