LIDHJA QË FUNDOSI “BREZIN TRADICIONAL NË LDK”

0
836
Lidhja

Analizë:

Shkruan: Shefqet DIBRANI

1.
Temat delikate dhe të ndjeshme nuk janë lehtë për tu trajtuar. Për tu marrë me këto çështje është guxim sepse kemi të bëjmë me implikimin e shërbimit serb, i cili ka shtrirë sistemin e vet të ndëshkimit, linçimit dhe pengimit të të gjithë zërave që mund ta kundërshtojnë, përkatësisht mund t’i kritikojnë devijimet që kanë prekur sistemin politik dhe shtetëror në Kosovë. Prandaj qasja e kësaj problematike është obligim i dyfishtë dhe një patriotizëm i llojit të vet.

Të gjithë ata që guxojnë për të atakuar këto defekte do të përballen me militantët e rrjeteve sociale të cilët kanë dije të ultë dhe moral të shkatërruar, kurse kapaciteti i tyre i të nxënit është në shkallën ma të ulët të dijes, atje poshtë, krejt në fund, bile në atë fundin që edhe vlerësimi “PISA” e ka kategorizuar arsimimin në Kosovë.

Tashmë Kosovën po e udhëheqin ajo gjenerata e sistemit paralel në “shkolla – shtëpi”, për të cilat ne jemi mburrur për rezistencën aktive, pasi bënim përpjekje për të mbijetuar?! Edhe tani jemi të vetëdijshëm se s’ka pasur alternativë tjetër, përveç dorëzimit dhe nënshtrimit, prandaj qasja nuk ka qëllim për ta kritikuar atë formë veprimi, por për pasojat që i ka sjellë ajo etapë vendit tonë duhet të flasim. Në të kundërtën ne nuk kemi hyrë as në proces. E nëse ne pranojmë nivelin moral dhe patriotik që ka nxjerr ajo kohë, dhe nëse ne mund të diskutojmë për pasojat, atëherë jemi në rrugë të sigurt për të gjetur shtegdalje.

Tashmë në udhëheqje të vendit ka ardhur pikërisht ajo gjeneratë, ai brez i cili shkonte në shkollë vetëm për të përmbushur aktin patriotik të rezistencës çfarë ishte, por jo për të nxënë dije dhe për tu arsimuar. Si duket ai brez është kapërthurur në institucionet shtetërore për të improvizuar zyrtarin dhe udhëheqësin politik, së këndejmi për të improvizuar sistemin dhe mekanizmat shtetformues.

Më duhet ta përsëris një konstatim të më hershëm, se një vend nuk është në krizë pse ka një qeveri kriminale dhe të korruptuar, por vendi është në krizë kur s’ka gatishmëri për tu ndryshuar, madje s’ka as gjeneratë që sakrifikohet për ta zëvendësuar qeverinë e padinjitetshme dhe të kriminalizuar, me një brez të mirë, të aftë dhe të zot për ta nxjerr vendin nga kriza.

Në Kosovë, të gjitha partitë politike vuajnë nga ky sindrom. Ato, pa përjashtim nuk e meritojnë të udhëheqin vendin, sepse nuk janë reformuar dhe as nuk janë pastruar nga elementët që po stagnojnë proceset. Rifreskimi me elementin nga Organizatat e shumta Jo Qeveritare (OJQ), është gabimi fatal për demokracinë e cila vetëm emiton reforma, sepse ai element i ky dy pasoja: E para, e shkatërron rëndësinë për të qen anëtarë partie, në kohën kur nga udha merren servilet që i shërbejnë klanit partiak, dhe e dyta, kjo kategori janë ata që sipas Isa Mustafës “kanë kullot fonde”, dhe për më keq janë edhe pjesë e shërbimeve serbo-arabe dhe bashkë me sistemin e mediave e kanë trullos Kosovën, prandaj pas zgjedhjeve nacionale dhe atyre të nivelit lokal është prodhuar ngërçi dhe ky nivel politik.

Askush nuk mund ta thotë se sa ishte i pavarur sistemi paralel dhe arsimor në Kosovë gjatë kohës së okupimit serb. As sa ishte i implikuar shërbimi serb edhe në çështjen e arsimit në Kosovë?! Por duhet të konstatojmë se gjendja e atëhershme e arsimit paralel në Kosovë, po reflekton në të tashmen e ngatërruar.

E tërë kjo që po dua ta shpjegojë, ka qëllim për t’iu qasur proceseve pak më seriozisht. E në këto procese duhet të angazhohet të gjithë, por më së paku ekonomistët, që në përkthimin popullor na dalin të jenë tyxharë?! Edhe pse fjalorët e gjuhës shqipes kanë shpjegim vetëm pozitiv, nënvetëdija e kulturës popullore i kategorizon si xhambaz të cilët ekonominë e vendit e kanë sjell buzë gremine. Prandaj këtë gjendje apatie të shoqërisë sonë mund ta shtjellojnë, sociologët, psikologët, pedagoget, por në një nuancë këtë bëjnë ma së miri mjekët të cilët kanë pasur raste të kurojnë pacientë të cilët kanë përjetuar koma.

Mjekët mund të japin statistika për gjendjen e pacientit në koma dhe për pasojat e mëpastajme?! Pasojat e llogaritura duhet të kalkulohen me nivelin e të nxënit, mësuarit apo të mbamendjes së individi, para dhe pas gjendjes. Cili është niveli i inteligjencës për tu risocializuar dhe cili interval kohor i duhet pacientit gjersa t’i kthehet jetës normale. Po ashtu mjekët mund të japin statistika më të sakta, edhe për pasojat që i kanë individët kur iu nënshtrohen operacioneve të mundimshme dhe të shpeshta.

Cilin ndikim negativ e ka opiumi dhe cila është pasoja nga frika që ka pacienti që detyrohet të operohet. Vetëm këto analiza krahasuese do të na sjellin te një rezultat me i saktë i periudhave të ngjashme të trullosjes nacionale që na kanë shkaktuar veprimet politike të një pushtimi i cili qëllim parësor ka pasur fshirjen e trurit, të kujtesës dhe mbamendjes nacionale.

Tashmë jemi në krizë, madje në një krizë të thellë, por nuk e pranojmë. E përsëris, se mjekët mund të na tregojnë cili pacient i tyre ka pasur sukses nëse nuk e ka pranuar terapinë mjekësore?! E ne si shoqëri nuk jemi duke e pranuar realitetin që jemi duke jetuar sepse këtë na thonë diskutimet dhe debatet e shumta, qofshin ato parlamentare, në televizione dhe nëpër media e tribuna shkencore. Por, reagimet dhe çaraveshjet në rrjetet sociale, sidomos kur debutuesit “i dinë të gjitha por asnjëherë nuk ia qëllojnë(!?), paraqesin një krizë të thellë shoqërore, sidomos kur analfabetet merren me shkrimtarët dhe akademikët, nuk kemi ku të biem ma poshtë. E ata si militant të rrjeteve sociale nuk po prajnë, nuk heshtin duke mbllaçitur, dhe nuk pranojnë terapinë për kurim, prandaj pikërisht ky nivel e ka sjell këtë gjendje sa të amullt aq armiqësore, së këndejmi edhe një pa perspektivë në vendin tonë.

2.
Militantëve nëpër rrjete sociale nuk duhet me iu hidhëruar, sidomos atyre që detyrohen me reaguar, e që mund të jenë të kushtëzuar, as nuk iu shihet për të madhe atyre që heshtin sa për ta mbrojtur vendin e punës. Janë kategori të mendjes sociale, por reaguesit e shumtë janë “voluntarë”, d.m.th shërbyes pa pagesë, të cilët çirren vazhdimisht nëpër rrjetet sociale, ndonëse 70% prej tyre e dinë se alfabeti i gjuhës shqipe i ka 36 shkronja, por asnjëherë në jetën e tyre nuk i kanë futur të gjitha germat në funksion. Në anën tjetër edhe fondi i fjalëve të tyre është tepër i varfër, e për fat të keq nuk kalon 400 – 600 fjalë. Edhe nëse i mbledhim të gjithë së bashku, veçmas atë kategorinë që nuk po prajnë duke sharë, duke etiketuar, duke shpifur e gjëra të tjera banale, do të bindemi se fondi i fjalëve të përbashkëta ka rrezik të mos kalojë shifrën 1200 fjalë, ku për fat të keq, mase 70% e atyre fjalëve shprehin: arrogancë, kërcënim, vulgarizim dhe shprehje të tjera perverse.

Prandaj kjo gjendje është shqetësuese, perspektiva është e zymtë, dhe të gjitha iniciativat pozitive po pengohen nga strukturat e rafinuara të sistemit serb në Kosovë. Ato struktura i kemi kudo, në sistemin e drejtësisë i cili nuk u reformua kurrë, në sistemin e sigurisë, në sistemin e doganave, në të gjitha bordet e rëndësishme, drejtues të fuqishëm të mediave dhe nga shoqëria civile, të cilët kanë ruajtur të njëjtën vazhdimësi, por në asnjë rast nuk i kanë kërkuar falje këtij populli për dëmet që ia kanë shkaktuar në të kaluarën e tyre. Së këndejmi duket anakronike kërkesa për të kërkuar falje serbet për dëmet që ua kanë shkaktuar shqiptarëve, kurse struktura të sistemit paraprak as që janë penduar për veprimet e tyre, por vazhdojnë me avazin e njëjtë duke i degraduar vlerat morale të shoqërisë.

3.
Zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, prodhuan një rezultat që i determinonte ndryshe proceset politike në Kosovë. Ato zgjedhje prodhuan një sistem politik të qëndrueshëm i cili do të ishte në gjendje t’i sfidonte vështirësitë me të cilat përballej Kosova. Por ndërhyrja e furishme e ndikimit serb, bëri që i tërë procesi të kthehej prapësht dhe kjo ka të ngjarë është ndikuar drejtpërdrejt nga shërbimet e nëntokës të cilat janë në gjendje kurdoherë të prodhojnë ngërç politik.

Sikur LVV, përkatësisht Albin Kurti, të pranonte për të krijuar institucionet e Kosovës, gjendjen do ta kishim tjetër fare dhe rezultati i zgjedhjeve lokale do ta favorizonte edhe më tej LVV. Dhe sikur LVV bashkë me PAN-in do ta përbënin qeverinë, fati i Kosovës nuk do të mbetej në mëshirën e “Listës Serpska”, si dhe strukturat e shërbimit serb do të ishin në panik të madh. Prandaj për njohësit e rrethanave është parë se fushatës për largimin e LVV nga qeverisja, kryesisht i kanë paraprirë media të shumta të cilat në vazhdimësi bëjnë politikë kaotike që bie ndesh me interesat e Kosovës, pastaj janë analistë dhe zhurmagjinjë të shumtë të cilët jo që krijuan një armiqësi të re në mes LVV dhe PAN, sepse ajo ishte, por e krijuan hendekun e pakalueshëm, prodhuan ngërçin politik për ti dobësuar institucionet e Kosovës.
Sikur Albin Kurti, do të deklarohej se në qeveri do të futej vetëm me garantimin e Vashingtonit dhe të Brukselit, jam i sigurt se këtë garamcë do ta merrte, madje duke i ftuar këta zyrtar që të vinin në Prishtinë dhe përpara tyre të shpalosnin platformën e LVV, qëndrimet e tyre për një bashkëqeverisje me PAN, jo si nënshtrues, por do të tregoheshin bashkëpunues përpara aleatëve ndërkombëtar, kurse në anën tjetër do të fitonte Kosova, ndërsa Bashkësia Ndërkombëtare do të bindej se në Kosovë ka mundësi për t’u ndërtuar demokracia dhe për të funksionuar shteti ligjor.

Kjo që po e them, është vazhdimësi e qasjeve të mia publike, dhe as që është utopi, por ata është dashur të mos bien nën ndikimin e strukturave të vjetruara të LKJ-së dhe të shërbimeve serbe në Kosovë. Sepse LVV sikur të kushtëzonte hyrjen në qeveri, vetëm me garantimin e Vashingtonit dhe të Brukselit, duke u deklaruar se LVV hynë me lista të pastra gjë që kërkon edhe nga partneri ta bëjë një gjë të tillë, pastaj LVV ka pasur mundësi të kushtëzoj hyrjen në qeveri me eliminimin e secilit kandidat, por jo edhe eliminimin e partisë fituese, si dhe ka pasur mundësi t’i merr dy – tre ministrit më me përgjegjësi për mes të cilave do të niste zbatimi i ligjit dhe reformat e shumta qofshin ato në drejtësi, në siguri dhe në sistemin arsimor e politik në Kosovë. Po ashtu LVV, ka pasur mundësi që ta kushtëzonte qeverinë e z. Haradinaj, që në afatin prej 100 ditësh, t’i miratonte ligjet për reformën zgjedhore, ligjin e Vettingut, dhe ligjet tjera përkatëse që iu hapin rrugë reformave të domosdoshme. Por këtë largim LVV-ja e pagoi si tagër në zgjedhjet lokale pasojat e të cilave do t’i vuan Kosova, sikurse edhe pasojat e një qeverie të brishtë që ka z. Haradinaj, kundër të cilës është i tërë sistemi i shërbimeve serbe në Kosovë.

4.
Më duket se propaganda dhe njerëzit e BIA-s serbe në Kosovë, ende janë duke luajtur me kartën “SHIK”, për të krijuar edhe më tej huti e alibi. Por këto dy palë zgjedhje dëshmuan se SHIK nuk i ndihmoi as Kadri Veselit, partia e të cilit nuk është në gjendje për tu lavdëruar. Tashmë shihet se BIA, dhe shërbimet tjera nuk paskan qëndruar duarkryq, por përmes tyre e kanë ringritur në sukses Isa Mustafën, i cili edhe pse ishte kryeministër i Kosovës, kurrë nuk nisi hetim shtetëror për vrasjet politike nga radhët e LDK-së. Përkundrazi ai vrau edhe një herë Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke ia lënduar strukturën udhëheqëse me njerëz nga shoqëria civile për të cilët askush nuk mund të shpjegoj në shërbim dhe në cilin mision janë. Por se kanë hyrë në LDK për ta shpëtuar Isa Mustafën s’ka dyshim. A mund të flasin ata për demokraci, për votim të fshehur, për kundër kandidat, për korrupsion, për vlera reale etj. kur vet kanë pranuar me i bërë shërbim shefit të partisë. Tashmë ata janë identifikuar si tipa servil dhe që nënshtrohen kollaj, dhe që janë në gjendje për ta lënduar demokracinë e përgjithshme edhe më tej s’ka dyshim.

Tashmë hetimi i organizatës SHIK, përballet edhe nga një rrezik i ri, nëse kjo gjë iu besohet strukturave të BIA-s serbe për t’i mbuluar krimet e veta, pasi një propagandë e tmerrshme bëhet pikërisht nga rryma e Isa Mustafës e futur thellë në LDK, të cilët tashmë kanë arritur t’ia hedhin tërë fajin SHIK-ut i cili edhe Kadri Veselin e ka lënë pidiq?!

Tashmë, Isa Mustafa po e realizon misionin e tij. Humbi sa parë zgjedhje dhe nuk dha dorëheqje, shkatërroi dy degët e diasporës të cilës i ka borxhe milionëshe, qoftë për Fondin 3% e sidomos për Huan Popullore, erdhi në pushtet duke sharë SHIK-un, kurse shefi i kësaj Organizate dhe Presidenti u zgjodhën me votën e LDK-së. Ishte kryeministër dhe nuk nis hetim për këto vrasje, shkatërroi Familjen Rugova, injoroi figurat e çmuara të LDK-së, e zhbëri “Brezin Tradicional dhe themeluesit e LDK”, solli në Parti “Gjeneratën e re” dhe e sistemoi “Gjeneratën e mesme”, të cilët janë struktura parapartiake që në LDK kanë hyrë për t’ia shkatërruar traditën dhe të gjitha vlerat që i ka pasur LDK-ja, prandaj paralel me Organizatën SHIK, duhet të bëhet një Hetim edhe për rolin e Isa Mustafës në të gjitha proceset nëpër të cilat kaloi vendi ynë!

5.
Sloganin “Brezi i Republikës”, e kanë përdorur kryesisht, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Abdullah Hoti, Vlora Dumoshi, Driton Selmanaj, e disa të tjerë për të prodhuar një konflikt të pashmangshëm të gjeneratave. Vërtetë i ashtuquajturi “Brez i Republikës” ka nis një fushatë konflikti në mes brezave, ku ka tendencë të hapur për ta zhbërë atë “Brezin Tradicional” i cili ka merita për Shkatërrimin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ai brezi krijoi refuzimin historik, kundër institucioneve dhe sundimit serb në Kosovë. Brezi që themeloi LDK-në ishte brezi i elitës intelektuale të Kosovës, vetëm ajo gjeneratë e bëri Kosovën të flas shqip. Ishte “Brezi Tradicional i LDK-së”, që e ktheu vëmendjen dhe ndikimin Amerikan dhe Evropian në Kosovë dhe padyshim ishte ai “brez, tashmë i plakur”, që i dha koncept të ri evropian Kosovës, prandaj luftën kundër “Brezit Tradicional të LDK-së” e bënë BIA serbe dhe misionarët e tyre.

Tashmë në zgjedhjet e fundit, “Brezi i Republikës”, e luftoi “Brezin Tradicional të LDK-së”, në Prizren, Haxhi Avdyli, ndërsa në Vushtrri Vjosa Osmani, haptas e mbronin “Gjeneratën e re” dhe “Gjeneratën e mesme”, por në asnjë rast nuk e falënderuan edhe “Brezin Tradicional të LDK-së”, përkatësisht “Gjeneratën e vjetër”, që ka sjell koncepte të reja në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan. Por LDK-ja i ka aktivistët e vet të ri e të mesëm, por fjala është për “Gjeneratën e re”, ajo që ka ardhur nga udha pa qenë kurrë ne LDK, pastaj nuk e di me cilin ligj demokratik a rregullore të LDK-së, merren kuadro të paverifikuara politikisht, nga Shoqëria Civile dhe nga kolegjet siç është “Novi-Invest”, përkatësisht Kolegji “Ri-Invest”, të cilët pa pasur asnjë ditë përvojë në LDK, janë turrur për ta shpëtuar Isa Mustafën dhe për fat të keq janë duartrokitur edhe kur është anashkaluar pa u përmendur emri i dr. Ibrahim Rugovës e akademik Fehmi Agani dhe personalitet të tjera me të cilat përbëhet tradita e LDK-së, por janë brohoritur edhe atëherë kur “LIDHJA”, mbulonte logon e “LDK-së”, edhe kur asnjë nga familjarët e heronjve nuk ishin të ftuar aty.

Në asnjë palë zgjedhje ma shumë se kësaj radhe nuk janë injoruar themeluesi e LDK-së, asnjëherë ma parë nuk është përjashtuar më shumë se sa kësaj radhe diaspora shqiptare. Por rritja e “LIDHJES”, duhet ta alarmonte Kosovën, pasi shihet qartë se ndikimi serb në Kosovë është i fuqishëm.

Vetëm Lidhja Komuniste e Jugosllavisë e ka luftuar “Brezin Tradicional të LDK-së”, tashmë edhe “Brezi i Republikës”, haptas është kundër “Traditës në LDK”, ata tashmë po mbrojnë “Gjeneratën e re” të ardhur nga rruga, dhe “Gjeneratën e mesme”, që erdh menjëherë pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, të cilët së bashku kanë gozhduar “Gjeneratën e Traditës” e cila ishte bartëse e të gjithave proceseve për ndryshime epokale në Kosovë.

Përfaqësues të këtij brezi janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiu, Driton Selmanaj, Vlora Dumoashi, Arben Gashi, Abdullah Hoti, Bajram Gecaj, Xhafer Tahiri, Teuta Sahatçiu, Gazmend Muhaxheri, por askush nuk flet edhe për të kaluarën e tyre pse nuk ishin në LDK?! E pse tashti po kjo gjeneratë shkel mbi vlerat tradicionale të konkurrencës për zgjedhje dhe avancime të brendshme në LDK.

Janë këto rrethana pse mendojmë se gjendja në LDK, dhe përgjithësisht ajo në Kosovë, është amorfe dhe pa koncept të qartë veprimi, prandaj kemi një konflikt kaq të ashpër në mes gjeneratave, e cila më në dukje po manifestohet vetëm brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, por si duket pasojat e revanshizmit serb për ta shkatërruar LDK-në, ka nisur nga “Pushtimi i “Kalasë nga brenda”, proces ky që duket se është një realitet i kryer, ndërsa përjashtimi i “Brezit Tradicional në LDK”, është mesazh dhe mision i të gjitha qarqeve antishqiptare në LDK dhe në Kosovë.

6.
LDK-ja, kësaj radhe ka përjetuar mashtrimin më të madh nga Vjosa Osmani, e cila shtirej si kundërshtare e Isa Mustafës dhe aktronte rolin e viktimes në LDK. Tashmë shihet se roli i saj paska qen tjetër, pajtimi i saj me Isa Mustafën, shpëtoi rënien e LKJ-së në Kosovë. Vjosa Osmani, në rolin e saj të dyfishtë, shantazhoi nismat duke ua kthyar shpinën të gjitha përpjekjeve për reforma të cilat pikërisht ajo i ka penguar, vetëm e vetëm për ta ruajtur rënien dhe shkatërrimin e përfundimtar të Isa Mustafës.

Ajo diti të aktroj shumë mirë viktimën, asnjëherë nuk u shkëput nga koketimi me Isa Mustafën, por zvarriste dhe pengonte nismat e mundshme. Edhe ajo lavdërohet në 6.5000 votat e fituara, por në zgjedhjet lokale në Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri, elektorati edhe asaj ia përcaktoi pozitën inferiore.

Nëse mund të thuhet se LVV-ja, karshi zgjedhjeve nacionale ka pësuar humbje të madhe, Vjosa Osmani ka pësuar fiasko dhe kurrë më nuk do të bëhet ajo liderja që elektorati e donte dhe i besonte për ta udhëhequr LDK-në. Ajo tashmë e ka më kollaj për t’u zgjedhur kryetare e LDK-së, por vetëm me bekimin e Isa Mustafës. Vjosa Osmani u shqua si kundërshtarja ma e madhe e “Brezit Tradicional të LDK-së”, prandaj ajo mund të bëhet vazhduesja e shkatërrimit të LDK-së.

Por Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, e dogjën në Prizren, Hatim Baxhakun, i cili si deputet i LDK-së ndërtoi një qëndrim të fuqishme dhe ishte shpresë e reformave në LDK. Por nënshtrimi i tyre dhe servilizmin që ia bënë Isa Mustafës, e vetdijësoi elektoratin e LDK-së në Prizren i cili nuk dëshiron ta shkatërrojë Kosovën me votën e LDK-së të cilën e administron “LIDHJA” e Isa Mustafës. Ishte kjo arsyeja e humbjes së LDK-së në Prizren dhe Mitrovicë, por jo kalkulimet tjera mjaftë të marrëzishme dhe antiprofesionale.

Tashmë Vjosa Osmani, e ka humbur rastin historik, prandaj nuk ka nevojë të çirret nëpër rrjetet sociale, as t’i sulmoj miqtë e dikurshëm që i tradhtoi, përmes emrave të rrejshëm, dhe një eskorte që ajo drejton, sikurse as profili në FB “Vjosa Osmani – kryetare e LDK-së”, më nuk pi ujë, sepse tashmë të gjithë e dinë se ajo është pjesë e ekipit të Isa Mustafës, për mashtrim historik, në marshin e tij drejt shkatërrimit të LDK-së. S’ka gjë nëse Vjosa Osmani bëhet kryetare e “LIDHJES”, së Isa Mustafës, sepse ajo ua ka kthyer shpinën proceseve në LDK, ashtu siç ua ka kthyer shpinën edhe Shpejtim Bulliqit, Adem Salihut, Donikë Gërvallës, Shefqet Dibranit, Petrit Bicajt, Bilbil Kastratit e shumë të tjerëve, madje barabar me Isa Mustafën dhe Arban Abrashin, i ka anashkaluar pa i përmendur e respektuar edhe figurat e ndritura të LDK-së siç janë: dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Xhemail Mustafa, Xhavit Ahmeti e deri tek profesor Latif Berisha e Faruk Spahija në Mitrovicën e saj.

Tashmë LDK-ja po shkon drejt një koncepti të ri të quajtur “LIDHJA”, e cila përfaqësohet nga “Brezi i Republikës” ose “Gjenerata e re” dhe “Gjenerate e mesme”, të cilët në LDK, janë futur përmes rrugëve klandestine!

*Autori është veprimtar i LDK-së që nga themelimi i saj!

St. Gallen, 05.11.2017