Monografi gjithëpërfshirëse e prof. dr. Muhamet Shatri me titull “Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundërosmane e vitit 1912″

0
970

Prof. Dr. Lush Culaj

Monografia gjithëpërfshirëse me titull “ Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundërosmane e vitit 1912 ” është një arritje shkencore e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese e shkencore disavjeçare të autorit. Ajo pasqyron përpjekjet dhe luftën e popullit shqiptar për shkëputje nga sundimi pesëshekullor osman dhe për formimin e shtetit te pavarur kombëtar.

E veçanta e kësaj monografie voluminoze është se ajo, më shumë se asnjë publikim i kësaj natyre, bazohët në dokumente të dorës së parë të arkivave të vendeve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, si dhe në studimet më të arrira të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo i ka mundësuar autorit për ta konceptuar në mënyrë origjinale strukturën e monografisë dhe përmbajtën e saj, duke pasqyruar në mënyrë të gjithëmbarshme kryengritjen në të gjitha rrjedhat e saj, si dhe qëndrimin e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Të gjitha këto autori i ka ndërthurur me mjeshtëri, me një ndarje kronologjike dhe problemore shumë origjinale, më një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm dhe të kuptueshëm për të gjithë.

Në hyrje të monografisë autori ka përkufizuar kufijtë e trojeve shqiptare, madhësinë dhe ndarjën administrative osmane për të katër vilajetet shqiptare, numrin e banorëve dhe strukturën etnike e fetare;

– Rrethanat politike në Shqipëri me theks të veçantë në politikën e xhonturqve, aleancat e tyre me pjesëtarët e pakicave, shtetet e të cilave po formonin një aleancë politike e ushtarake kundër Perandorisë Osmane për gllabërimin e trojeve shqiptare.
– Përgatitjen për kryengritje (shkaqet dhe motivet e veçanta të angazhimit bazuar në strukturën fetare e krahinore të vendit);
– Përpjekjet për aleancë me fqinjët dhe për sigurimin e përkrahjes nga Fuqitë e Mëdha;

– Rrjedhat e kryengritjes me specifikat e saj nëpër krahinat të vendit, në javë e muaj, prej nismave të para e deri në fund;
– Përpjekjet për formimin e një qendre drejtuese dhe rolit të saj për njoftimin e opinionit publik dhe për koordinimin e kryengritjes brenda vendit;
– Gjendjën numerike të forcave ushtarake osmane në vilajetet shqiptare, dislokimi, pajisja, organizimi i armatimit, mënyra e regrutimit dhe kompletimi i formacioneve, qëndrimi i ushtrisë ndaj shqiptarëve etj.

Një vend i veçantë i është kushtuar Lëvizjes se Oficereve dhe bashkëpunimit të Lëvizjes Shqiptare me të dhe me Lëvizjen kundër xhonturqve në kuadër të Perandorisë Osmane. Autori evidenton faktin se lëvizja shqiptare nuk u identifikua me strukturat e Lëvizjes antixhonturke, sikur që ishte rasti kur ajo u fuzionua me revolucionin xhonturk, por ruajti autonominë e saj dhe u zhvillua paralel me zhvillimet në kreun e Perandorisë dhe në ushtrinë osmane. Sipas autorit me bashkëpunimin me Lëvizjen e Oficerëve, Lëvizja Shqiptari i iku izolimit dhe denigrimit dhe u bë faktor vendimtar për rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe për çlirimin e pjesës më të madhe të trojeve etnike shqiptare.

Në këtë monografi për herë të parë del në pah se gjatë bisedimeve shqiptaro-osmane në Shkup përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll, me përjashtim të Austro-Hungarisë, bënin presion të vazhdueshëm në qeverinë osmane që shqiptarëve të mos u jepen të drejta që do i veçonin nga kombësitë e tjera, duke e kërcënuar Portën me reagime të dhunshme të shteteve ballkanike. Krahas kësaj autori ka qartësuar sidomos rolin e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit serb të vilajetit të Kosovës, në bisedimet shqiptare osmane që mund të krahasohet me rolin destruktiv dhe antishqiptar të Listës serbe në Republikën e sotme të Kosovës.

Vlen të theksohët se autori ka pasqyruar qartë dhe me fakte të pakon¬testueshme specifikat dhe angazhimet e përbashkëta të të gjitha trevave të Shqi¬përisë, në këtë ngjarje madhore në historinë e kombit tonë. Në mënyrë të veçantë është evidentuar kontributi dhe roli i drejtuesve lokalë dhe të përgjithshëm të Kryengritjes. Mbi të gjitha autori ka evidentuar rolin e intelektualit e atdhetarit të shquar Hasan Prishtina, duke e cilësuar si shpirtin e kryengritjes të vitit 1912, për t’iu dhënë vendin e merituar edhe drejtuesve të tjerë politikë e ushtarakë të Krye¬ngritjes.

Qëndrimi i autorit ndaj pikëpamjeve aktuale antishkencore, sidomos për rolin e Perandorisë Osmane në raport më shqiptarët është një aspekt tjetër që i jep legjitimet të plotë vlerës se punimit. Nga kjo del se autori nuk është nga ata historianë që për interesa të caktuara individuale apo grupore e paraqesin pushtimin dhe sundimin pesëshekullor të Perandorisë Osmane e si një lloj asistence miqësore e të dobiprurëse për popullin shqiptar. Për më tepër autori ka nxjerrë në pah politikën armiqësore, sidomos të regjimin xhonturk, i cili në zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 1912 me dhunë dhe shantazhe ka penguar zgjedhjën e përfaqësuesve të vërtetë të popullit shqiptar dhe ka bërë aleancë me strukturat drejtuese të elementit vendor serb, bullgar, grekë e vlleh kundër shqiptarëve.

Me intriga e shantazhe ka bërë që shqiptarët e besimit katolikë në sanxhakun e Shkodrës të mos kenë asnjë përfaqësues të vet ndërsa shqiptarët e besimit ortodoksë kanë mbet të përfaqësohen nga deputetët grekë e vlleh. Profesor Shatri në mbështetje të metodologjisë së punës shkencore evropiane ka spikatë përcaktimin e vendosur dhe angazhimi vetëmohues i të gjithë shqiptarëve qe edhe me luftë të armatosur të siguroj të drejtat e natyrshme si të çdo populli tjetër për të jetuar i lirë dhe i pavarur në një shtet të përbashkët. Nga pasqyrimi i betejave dhe luftimeve sidomos ato për çlirimin e Pejës, qëndresa heroike e forcave të Isa Boletinit, pastaj luftimet në Malësinë e Gjakovë, në Rrafshin e Dukagjinit, e Hasi në rrethinat e Dibrës del se vetëm gjatë vitit 1912 shqiptarët kanë luftuar më shumë se asnjë popull në Ballkan kundër Perandorisë Osmane.

Duke analizuar faktet historike autori ka arritur të sqarojë në detaje lëvizjen kryengritëse shqiptare. Duke pasur parasysh faktin se disa kombe, sidomos ato në Ballkan, kanë arritur që edhe nëpërmjet faktorit fetar të arrijnë formimin dhe konsolidimin e shteteve të veta, autori ka specifikuar edhe këtë aspekt në kuadrin e shoqërisë shqiptare dhe rëndësinë e tij në funksion të zgjidhjes së çështjes tonë kombëtare. Lidhur me këtë autori ka evidentuar më saktësi shkencore specifikat dhe kontributin e përbashkët të të gjitha komuniteteve fetare, duke spikatë rolin e pakontestueshëm të figurave më markantë nga radhët e tyre.

Kështu në këtë studim shumëdimen-sional evidentohen përkrah Isa Boletinit, Sadik Ramës edhe Mehmet Pashë Derallës edhe Zefi i Vogël, Zef Gjidoda e Pjetër Çeli, në sanxhakun e Shkodrës nxirrën në pah qëndrimi konsekuent kombëtar i Imzot Serreqit, angazhimi luftarak i Zef Haberit; në Shqipërinë e Mesme, Dom Nikollë Kaçorri, Mustafa Kruja, Abdi dhe Refik Bej Toptani, Hafëz Ibrahim Dalliu; në Mirditë Preng Bib Doda, Gjon Marka Gjoni; në krahinën e Dibrës Basri Beu, Mersim Dema etj; në sanxhakun e Janinës, Kadri Kumbaro Gjata, Muharrem Rushiti, Spiro Bellkameni (këtë të fundit, kryetarët e çetave të Kolonjës dhe të Korçës, ndonëse shumica qenë myslimanë, e zgjodhën për komandant të tyre).

Autori ka trajtuar në hollësi edhe kuvendet shqiptare duke filluar nga ato me karakter lokal krahinor e duke përfunduar me kuvendet mbarëshqiptare si Kuvendi i Junikut për të cilin ka saktësuar se ka zgjatë edhe dy ditë me tepër sesa që është evidentuar në të gjitha shkrimet e deritashme prej 21 – 27 maj etj. Këtu për herë të parë janë evidentuar shumica e delegatëve të Kuvendit të Junikut dhe gati për çdonjërin janë dhënë shënime që pasqyrojnë angazhimin e tyre edhe para kryengritjes por edhe në ngjarjet e mëvonshme, duke pasqyruar edhe fatin e tyre tragjik të pësuar nga makineria vrastare e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, të Mbretërisë Jugosllave, por edhe të Jugosllavisë së Titos dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës.

Një vend të veçantë autori i ka kushtuar përkrahjes se kërkesave të Hasan Prishtinës nga drejtuesit e Lëvizjes kombëtare të vilajetit të Manastirit dhe të trevave të tjera shqiptare. Nga kjo del se ata e njihnin Hasan Prishtinën si përfaqësues të tyre në bisedimet që po zhvilloheshin me Komisionin Qeveritar, në gusht të vitit 1912. Komiteti Revolucionar i Elbasanit shkoi edhe një hap më tej, kur e njoftoi udhëheqjen e kryengritjes në Kosovë se e autorizonte Hasan Prishtinën ti përfaqësonte në bisedimet e Shkupit. Në vazhdim të kësaj monografie pasqyrohen edhe kërkesat specifike të Shqipërisë së Jugut të cilat u shtruan në formë Memorandumi drejtuar Qeverisë Osmane. Por sidoqoftë qëllimi i udhëheqësve të Shqipërisë së Jugut ishte adoptimi i një programi politik të tyre, të njëjtë me atë të Shqipërisë Verilindore.

Është meritë e autorit që ka evidentuar edhe angazhimin e “Shoqërisë së Zezë për Shpë-tim” dhe të Komitetit të Shkupit, në takimin e 14 tetorit, ku është përcaktuar qartë qën¬dri¬min i shqiptarëve në Luftën Ballkanike. Edhe në takimin në Durrës, më 12 nëntor 1912, krerët e Krye-ngritjes në Shqipërinë e Mesme miratuan Memorandumin drejtuar perandorit Franc Jozefit të Austro-Hungarisë, të cilin e hartoi kleriku atdhetar Atë Nikollë Kaçorri. Me këto dy takime është parashtruar jo vetëm qëndrimi ndaj Luftës Ballkanike, por edhe platforma e vendimeve të Kuven-dit të Vlorës e kompletuar nga Ismail Qemal Beu e Luigj Gurakuqi, me miratimin e diplomacisë austro-hungareze.

Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj Kryengritjes por edhe preferencat për satelitët e tyre ballkanas kanë zënë një vend të rëndësishëm në këtë monografi, duke e pasuruar dhe kompletuar historinë diplomatike shqiptare. Në këtë kontekst autori spikatë qëndrimin miqësor të Austro-Hungarisë ndaj Perandorisë Osmane por edhe ndaj popullit shqiptar, por duke mos e përkrahur kryengritjen e armatosur. Edhe Gjermania si aleate e Vjenës ishte për reforma në Shqipëri. Por nuk e mbështeste kryengritjen. Anglia konsideronte se shqiptarët nuk do të mund të arrinin objektivat e tyre sepse ende nuk ishin të bashkuar sa duhet, problematikë që është aktuale edhe deri më sot, ndërkaq Rusia dhe Franca kishin qëndrim shumë armiqësor ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre për pavarësi, qëndrim të përafërt kishte edhe Italia, ndonëse ishte aleate e Austro-Hungarisë.

Autori i ka kushtuar kujdes të veçantë qëndrimit të shteteve ballkanike ndaj kryengritjes dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Ai ka specifikuar politikat e çdonjërit prej këtyre shteteve por edhe synimin e tyre të përbashkët për gllabërimin e trojeve etnike shqiptare. Paralel me këtë është sqaruar me shumë saktësi edhe qëndrimi i drejtuesve të Kryengritjes dhe kontaktet e tyre më përfaqësuesit diplomatikë-agjenturorë e ushtarakë të këtyre shteteve. Në shumicën e rasteve, përkundër nevojës së madhe për armë e mjete të tjera materiale, prijësit shqiptarë e ruajtën pava-rësinë e veprimit dhe nuk u bënë vegla të fqinjëve grabitqarë. Spikat në këtë drejtimin Hasan Prishtina, por edhe Isa Boletini, i cili ndonëse i pashkollë mbrojti me konsekuencë pavarësinë e lëvizjes, përkundër angazhimit të përfaqësueseve më të shquar të shërbimeve diplomatike, agjen-turore e ushtarake të Serbisë, duke përfshirë edhe shefin e “Dorës së Zezë”, Dragutin Dimitrije-viq Apisin që ka organizua Grushtshetin e vitit 1903 në Serbi, por edhe atentatin e Sarajevës, më 1914.

Ky aktivitet kishte mbështetje të fuqishme të ministrit rus në Beograd, Hartvig, që kishte përkrahjen e pa rezervë të Car Nikollajt II dhe dukej se ishte më i fuqishëm se vet ministri i Jashtëm rus Sazonov. Vend i veçantë i është kushtuar edhe qëndrimit të Bullgarisë, e cila në fillim, sidomos mbreti Ferdinand dhe shtypi e përkrahën kryengritjen, por kur shqiptarët hynë në Shkup, në gusht 1912, dhe kur shkuan deri në Veles dhe në Selanik, qeveria dhe opinioni bullgar u bënë kundërshtarët më të zeshëm të saj. Autori me të drejtë konstaton se qeveria malazeze dhe sidomos mbreti Nikollë kishin arritur të bindnin disa nga prijësit malësorë se Mali i Zi ishte një aleatë i tyre i sigurt në luftën kundër Perandorisë Osmane, por kleri atdhetar në krye me Atë Gjergj Fishtën, Imzot Serreqin dhe Nikollë Kaçorrin nuk u mashtruan nga lajkat e mbretit plak; ata i sqaruan dhe arritën ti bindin shumicën e malësorëve-spartanëve të Shqipërisë, se fati i kësaj pjese të tokës shqiptare është në shtetin e përbashkët në Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.

Krahas kësaj autori ka evidentuar edhe çështjen e ratifikimit të kufirit të Perandorisë Osmane më Malin e Zi në rreth fshatit Rrzhanicë, ratifikim që nuk e lejonin banorët e Rugovës, të Plavës e Gucisë, sepse këtu ishte fjala për një fshat thjeshtë shqiptar. Sipas autorit problemi i kufirit që është gati identik me çështjen e demarkacionit sot mbeti aktual deri në fillim të Luftës së Parë Ballkanike sepse palët kontraktuese nuk i kishin konsultuar fare shqiptarët nëpër trojet e të cilëve kalonte vija e kufirit. Prandaj mbetëshin të kota përpjekjet e Malit të Zi për ta detyruar Portën ta ratifikonte Protokollin e nënshkruar më herët në Cetinë sepse këtë nuk donte ta zbatonte as komisari i saj, një shqiptar i dinjitetshëm e atdhetar. Rëndësi të veçantë autori i kushton qëndrimit të Greqisë ndaj kryengritjes shqiptare dhe synimeve të saj shumë agresive ndaj trojeve shqiptare.

Sipas tij shpërthimi i kryengritjes dhe sidomos zgjerimi i saj në Shqipërinë e Jugut nuk mirëpritet nga qeveria e Athinës dhe qarqet ekspansioniste helene të cilat me një qarkore të veçantë u bënin me dije përfaqësuesve diplomatikë e konsullorë “përcaktimin gjeografik të nocioneve Shqipëri dhe Epir!, të cilat sipas tyre ishin pjesë të veçanta e nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Në vazhdim autori thekson se, për dallim nga shtetet tjera ballkanike që i lajkatonin shqiptarët, shovinistët grekë intensifikuan aktet diversioniste me grupe të armatosura të andartëve grekë nëpër pjesët jugore të vilajetit të Janinës, sidomos në Çamëri. Përkundër kësaj, sipas autorit, pala shqiptare në krye me Ismail Qemalin vazhdojnë përpjekjet për bashkëpunim me Greqinë por kjo nuk mundi të arrihej.

Edhe përpjekja për caktimin e një vije ndarëse etnike në mes të grekëve dhe shqiptarëve ishte pothuajse e parealizueshme. Pengesa ishin megalomania dhe mosbesimi i grekëve, por edhe fakti se marrëveshja do të ishte e vështirë të pranohej edhe nga pjesa më e madhe e rretheve drejtuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që nuk pranonin përfshirjen e Çamërisë në sferën e influencës greke; gjithashtu marrëveshja do të kundërshtohej me vendosmëri edhe nga vetë popullsia çame, e cila në burimet e kohës cilësohej si “armiku më i madh i helenizmit”.

Autori ka meritën, që burimet e vjela i ka integruar natyrshëm brenda shkrimit historik, i ka menaxhuar me kujdes, i ka përdorur në vendin e duhur dhe mbi të gjitha, u është dhënë përpa-rësi burimeve parësore ndaj dytësoreve. Si i tillë ai ka mundur të tërheq prej dokumentacionit his-torik embrionin e problemit. Pra, ajo çka është e fshehur në këtë dokumentacion është zbuluar, interpretuar, analizuar, përgjithësuar e së fundmi është pasqyruar me një shkrim të rrjedhshëm e bindës për lexuesin.

Kësaj i shtohet fakti që prof Shatri ka gati një gjysmë shekulli përvojë të pasur në fushën e studimeve dhe hynë në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit dukët çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore.

Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi ta ketë para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete në vazhdimësi, duke mos i shkëputur ato nga konteksti historik, autori brumin e lëndës në këtë libër e organizon në njëzet ndarje, të cilat janë të lidhura ngushtë mes veti dhe përbëjnë boshtin e këtij studimi.

Përmbajtja e konkluzioneve dhe krahasimeve për morinë e problemeve që përmbledhë kjo tematikë ka bërë studimin një monografi me të vërteta historike dhe shkencore të pakontestueshme.

Duhet shtuar se autori gjatë shkrimit të tekstit ka dhënë shënime sqaruese për shumicën e protagonistëve të këtyre rrjedhave, duke e bërë kështu këtë monografi edhe një enciklopedi të vogël, që do jetë ndihmesë për lexuesin dhe për studiuesit e kësaj periudhe si dhe të periudhave të mëhershme e të mëvonshme të historisë sonë. Monografia shoqërohet me përfundime, burime, literaturën ndihmëse dhe nga fjalorthi i termave osmanë dhe të tjera.

Pra, ky libër është mjaft voluminoz dhe ka 960 faqe të formatit të madh dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Struktura e botimit përgjithësisht është e drejtë dhe e punuar me të gjitha kriteret më të avancuara të metodologjisë shkencore. Përveç hyrjes dhe shtjellimit të kësaj periudhe me mjaft interes, librin e pasuron përmbyllja në gjuhën angleze dhe bibliografia mjaftë e pasur si dëshmi e punës vetëmohuese dhe frytdhënëse të autorit.

Nga analiza e hollësishme e përmbajtjes dhe pasqyrimi i aparatit shkencor mund të përfun-dohet se monografia “Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912” shënon një arritje të rëndësishme në historiografinë shqiptare, në të janë sqaruar shumë dilema lidhur me gjendjën dhe statusin e shqiptarëve në fund të sundimit të Perandorinë Osmane dhe për domosdoshmërinë e kryengritjes së armatosur. Gjithashtu janë pasqyruar në mënyrë të qartë edhe objektive synimet gllabëruese të shteteve ballkanike, por edhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare me gjithë nuancat e vetëkuptueshme.

Dërgoi për publikim, Nue Oroshi