5 mënyra për të provuar ekzistencën e Zotit, sipas Thomas Aquinas

0
2646

Përgjigje për besimtaren e krishterë Merita McCormack:

Nga Arben Çokaj

Si fillim mund të them se këto argumente, që përdor e sqaron Thomas Aquinas nuk janë fakte, por vetëm supozime. Megjithatë po t’i sqaroj një nga një, me shpresë se edhe ti krijon një ide më reale e objektive, mbi ekzistencën tonë… Po t’i sqaroj në shqip, se e kam më të lehtë të argumentoj e të shkruaj.

1. The First Way – Proof From Motion
prova e supozuar se Zoti ka dhënë lëvizjen e parë…

Lëvizja – për këtë mund të them se Universi jonë ka ligjet e veta, dhe këtë lëvizje që e “ka dhënë dikush”, mund të jetë edhe kështu siç është, jemi kështu në lëvizje të përhershme, pasi energjia shndërrohet nga një formë në një tjetër. Argumenti më i fuqishëm, sipas mendimit tim, që e kundërshton këtë pretendim të Thomas Aquinas është: “Pse jo Universi që kemi kështu, të mos jetë ky që kemi dhe të jetë edhe Zoti, që ju pretendoni?” Pse u dashka dikush pra ta krijojë Universin, kur ai mund të jetë kështu siç është? Se po të pretendohet se Zoti e krijoi universin dhe e vuri në lëvizje, atëherë me të njëjtën logjikë mund të shtrohet pyetja, “po Zotin kush e krijoi? Kush e vuri atë në lëvizje?
(- Mendja e njeriut, se bagëtitë që nuk kanë ndërgjegje, nuk kanë as Zot).

2. The Second Way – Proof From Causality
prova se duhet një shkakësi

Shkakësia – Në këtë rast mund të thuhet se teoria e Evolucionit e sqaron këtë mjaft bukur, qeniet e thjeshta, duke filluar nga krijesat një-qelizore e deri te njeriu, kanë ardhur si rezultat i një procesi evoluimi. Në 18 minuta, e sqaron këtë proces mrekullisht shkencëtari David Christian, se si jemi krijuar e si kemi ardhur deri këtu, pasi përkundër ligjit të dytë të Entropisë në Termodinamikë, ku sistemet kanë tendencë të shkojnë në pikën më të ulët të energjisë, Evolucioni ka bërë që ADN-ja jonë të përmirësohet vazhdimisht me kalimin e kohës, pra të evoluojmë… Por këto nuk i ka ditur në atë kohë Thomas Aquinas. Shiko videon dhe krijo një ide… ashtu kemi ardhur deri në këtë gjendje që jemi sot, pa ndërhyrjen e një “dore të Zotit” nga jashtë… :p

Historia e botës sonë në 18 minuta – nga David Christian

3. The Third Way – Proof From Contingency
prova se konsistenca/rastisja jonë vjen ngaqë eksistenca jonë është nevojë e dikujt tjetër

Konsistenca – Acquinas ngre idenë se ekzistenca jonë është si nevojë e dikujt tjetër. Por jo. Ne jemi krijuar rastësisht, pasi kushtet e ekzistencës sonë u krijuan në planetin Tokë, nga Dielli dhe uji e këto elemente kimike që kemi në Tokë, të cilat nën ndikimin e këtyre kushteve, krijuan lëndën organike, e cila është përbëje e lëndës inorganike që gjendet në tokë dhe nën ndikimin e shiut e diellit. Edhe Bibla thotë: “Nga toka vijmë, e në tokë shkojmë…” Kjo tregon se ne jemi produkt i tokës, dhe qenia jonë ka rreth 60-70% ujë, aq sa ka edhe planeti tokë në vetvete. Nëse dielli e mbaron jetën e tij, që mendohet se ka edhe 6 miliard vjet jetë, atëherë edhe ideja e Zotit zhduket, pasi zhduket jeta në tokë, njeriu që e ka këtë ide të ekzistencës së Zotit, zhduket. Pra, pas mbarimit të njerëzimit, në një të ardhme jo të afërt, ku shkon Zoti pastaj? Në kohën kur janë trajtuar këto gjëra nga ata që krijuan fenë, deri te Thomas Aquinas e deri në ditët e sotme, nuk i dinin njerëzit këto zbulime, që janë bërë më vonë dhe të kohëve të fundit. Prandaj ata flisnin si ua merrte mendja në atë kohë, me supozime, jo me fakte. Pse paska Zoti nevojë për ne?! (priftërinjtë e hoxhallarët kanë nevojë, se hanë bukë duke shitur iluzionet e tyre…)

4. The Fourth Way – Proof From Grades of Perfection
prova se Zoti është shkalla më e lartë e perfeksionit

Përsosmëria – këtu Thomas Aquinas pretendon se në gjithë këtë numër qeniesh jo të përkryera në tokë, duhet të jetë diçka që është më e përsosur, e kjo është sipas pretendimeve të tij Zoti. Në fakt Zoti është i përsosur në mendjen e atyre, që e krijuan dhe e besojnë, dhe kjo nuk ka dyshim se jep ndikimin e së mirës në shoqëri, por kjo nuk përbën fakt se Zoti ekziston. Besimi në Zot, e fetë monoteiste në shërbim të tij janë fakt – ekzistojnë. Tendenca e qenieve të gjalla në tokë etj. i nënshtrohet ligjeve të Evolucionit, që dmth. se dominon, mbijeton më i forti, më i afti dhe të tjerët zhduken me kalimin e kohës. Kjo tendencë është ligj natyror i zhvillimit, që preson gjithkënd. Para nesh ekzistonte njeriu i Neandertalit. Ata nuk arritën të punonin tokën e të mbarështronin kafshët. Ishin më të mëdhenj se ne dhe ekzistuan në tokë për një periudhë rreth 400 mijë vjet, duke u ushqyer me atë që u falte natyra. Dhe u zhdukën. Ne kemi si specie ‘homo sapiens‘ rreth 200 mijë vjet që jemi krijuar, vetëm para 7000-9000 vjetëve filuam të punonin tokën e mbarështronim bagëtitë, dhe para 3000-4000 vjetëve u krijua edhe feja monoteiste, që vazhdon ende të krijojë neuroza obsesionale dhe iluzione tek njerëzit, por edhe ne si specie mund të zhdukemi një ditë, ose mund ta zhdukim veten, nëse dominojnë prirjet destruktive e shkatëruese. Shumë kush mendon se ne nuk mundemi në këto kushte të mbijetojmë dhe të kemi sukses për kohë të gjatë…

5. The Fifth Way – Proof From Finality
prova se Zoti është destinacioni jonë përfundimtar

Përfundimi – dhe ky e mbyll me pretendimin se përderisa ka gjithmonë një përpjekje për të arritur më të mirën e mundshme në jetë, nga kjo del, sipas Thomas Aquinas, se duhet të ekzistojë një qenie inteligjente, që në fund, të gjitha gjërat natyrore të drejtohet për tek ai… Por kjo nuk është prapë ndonjë argument bindës se Zoti ekziston, pasi vetë ligjet e Evolucionit janë të tilla, që favorizojnë vetëm qeniet e forta e të afta për mbijetesë. E kjo nuk dmth. se mbijeton gjithmonë më i/e mira…


Mos harro se në kohën e Thomas Aquinas nuk guxonte kush ta vinte në dyshim ekzistencën e Zotit dhe t’ia kundërshtonte kush argumentet e tij. Dhe ky është argumenti më i mirë, për të vërtetuar mos-ekzistencën e Zotit, i cili po të jetë aq i madh dhe i fuqishëm, sa ç’pretendohet, nuk ka nevojë t’i përdorë njerëzit në tokë, që ta imponojnë atë me forcë dhe me detyrim.