UNIVERSI – SHKENCA – FEJA…

0
1137

Arben Çokaj

Shkenca nuk thotë se Universi ka fillim e mbarim, por është i pafundëm – kjo pjesë ku ndodhemi ne, galaktika e Qumështit mendohet se e ka fillimin me një Big Bang, para rreth 13 miliard vjetëve. Lënda shndërrohet nga një gjendje në një gjendje tjetër në bazë të temperaturës. Kemi Hidrogjen e Helium në Diell e në yjet e tjera të zjarrta, kur ato shpërthejnë, e pas miliona apo miliarda vjetëve ftohen, sepse universi është i ftohët, gjatë ftohjes formohen elementet e tjerë të tabelës së Mendelejevit, të cilat i kemi edhe në tokë dhe në plantetet e tjera që njohim dhe në hënë. Edhe toka e hëna dikur mendohet se kanë qenë bashkë, janë ndarë në një moment dhe janë ftohur. Universi është i pafundëm e pa kohë, gjendja, lënda shndërrohet nga në formë në tjetrën. Ne njerëzit e kemi vënë elementin kohë, për referencë.

Kushtet këtu tek ne krijuan mundësitë e jetesës që ne njohim, por jo në hënë e në planetet e tjera. Zoti nuk hyn këtu, ai u krijua si Zot monoteist nga hebrejtë 3-4 mijë vjet më parë, të cilët kujtonin se toka ka 6000 vjet që është krijuar, kur në fakt njeriu vetë – Homo Sapiens – ka rreth 200 mijë vjet që është krijuar. Para 7000-9000 vjetëve ka gjetje që tregojnë se njeriu filloi të kultiviojë tokën e mbarështrojë bagëtitë për rritjen e prodhimit të tyre, se në 193 mijë vjet ekzistencë të Homo Sapiens ishim bagëti pak a shumë si kafshët e tjera, me pak më shumë inteligjencë, që hanim atë që gjenim si specie njerëzore. Para nesh, kishim Njeriun e Neandertalit, që jetoi edhe ai si specie nja rreth 400 mijë vjet. Dhe u shua. Kjo krijon idenë se edhe ne si specie mund të shuhemi një ditë, e bashkë me ne shuhen edhe objektet e kultit e zotat që ne adhurojmë.

Po ta lexoni Frojdin te “Totemi e Tabuja”, ai ta sqaron më qartë se unë se si erdhi psikika e njeriut duke krijuar adhurim në fillim për veten, në fazën animistike apo spirituale të zhvillimit të psikikës, pastaj kemi fazën parafetare e totemistike, besimin te një kafshë e fortë, – të zhvillimit të psikikës. Pastaj kemi fazën fetare që vazhdon edhe sot, por që është duke ia lënë vendin fazës psikike të zhvillimit shkencor. Këto faza kanë karakteristikat e veta. Ne jemi qenie me inteligjencë, por sipas studimeve dhe analizave të Frojdit, ne kemi edhe një pavetëdije që ka ndjenja, emocione, instinkte, etj. që i afrohen natyrës origjinale, kafshërore të njeriut. E këtë pavetëdije e dominojmë ne me vetëdije. E Frojdi sqaron se kur kjo vetëdije të marrë kontroll më të madh ose të plotë mbi pavetëdijen, atëherë edhe feja vjen duke humbur kuptimin, si në rastin tim që nuk besoj. Unë nuk kam nevojë për fenë që t’më tregojë rrugën, me aq sa di e gjej vetë, e si unë ka sot miliarda njerëz në këtë tokë.

Vendet Skandinave kanë një mos-besueshmëri të lartë 70-80% e tyre nuk besojnë. Kjo tregon se Frojdi kishte të drejtë, shkollimi e dija, rritja e vetëdijes, sigurisë shoqërore e nivelit të jetesës e bën fenë të panevojshme… Vendet e varfëra e në zhvillim si ne e kanë fenë më të nevojshme, se pasiguria në jetë është më e madhe – dhe e marrin Zotin si shërbëtor, duan që Zoti t’ua kryejë ato punë, që ata vetë duhet t’i kryejnë në fakt, por nuk janë në gjendje e të aftë t’i bëjnë. Kaq. Për më tepër lexoni Frojdin se i ka më të zgjeruara këto gjëra dhe te libri i tij “Moisiu dhe feja monoteiste”, merret edhe me të “ardhmen e një iluzioni”…

Tani nisur nga përfundimet e Dr. Frojdit mbi stadet e zhvillimit të psikikës shoqërore e njerëzore, unë besoj se njerëzit me botkuptim shkencor janë më lart si zhvillim i psikikës së individit. Por a duhet feja? Se mua nuk mendoj se më duhet gjë, kjo nuk dmth. se të tjerëve nuk u duhet, se ndryshe nuk do e kishim ende sot kaq ndikim fetar. Ajo që ka rëndësi është, të mos jepen njerëzit pas fesë aq shumë deri në marrëzi, sa të paaftësojnë veten në pritje se ai atje lart i ka gjërat në dorë, apo të vrasin njerëz për shkak të iluzioneve, sofizmave fetarë, që u janë bërë botkuptim e ndjenjë e brendëshme e tyre, disa besimtarëve.