PROF. ANDROKLI KOSTALLARI: NË “BALLIN E OXHAKUT” TË GJUHËSISË SHQIPTARE…

0
1621

Kujtim e nderim, në 95-vjetorin e lindjes:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Prof. Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922, në Leusë të Përmetit. Ishte gjuhëtar, leksikolog, drejtues në arsimin tonë të lartë dhe akademik shqiptar. Një nga studiuesit më të shquar të gjuhësisë së sotme.
U nda përgjithnjë nga jeta, më 23 mars 1992.
Në kujtim e nderim të jetës dhe veprës së tij të paharruar, në 95-vjetorin e lindjes, po publikojmë shkrimin e mëposhtëm.

Tiranë, 1 nëntor 2017

1.

Tani, që po i shkruaj këto radhë, më vijnë në kujtesë mjaft mbresa nga njohja e takimet me pedagogun, dekanin dhe shkencëtarin e talentuar e të palodhur, prof. dr. Androkli Kostallari.

Për herë të parë, e kam parë në auditoret e Fakultetit Histori-Filologji. Ishte me shtat mesatar, por ca i shëndoshë dhe në dorë mbante një çantë të mbushur plot me libra e më ngjante se ajo i peshonte shumë, pasi ecte me trupin pak të përkulur përpara. Hynte në mjediset e Fakultetit tonë, duke na përshëndetur e duke na parë në sy. Ishte njeri masovik dhe nuk jepte pamje të rëndë, as si një pedagog i një lënde të rëndësishme, as si drejtuesi më i lartë aty. Përkundrazi, i takonte studentët edhe në korridore ose i priste pa përtesë në zyrë, kur këta ia kërkonin një gjë të tillë. Kishte dëshirë, për ta njohur secilin prej tyre dhe kujtesën e kishte të shkëlqyer. Sidomos i interesonte, kur ndonjëri kishte prirje për kërkime e studime shkencore, kryesisht në fushën e gjuhësisë. Pra, nuk e vlerësonte punën shkencore si “monopol” vetjak, por mendonte e vepronte me kompentencat e tij edhe për të ardhmen e saj, që të përgatiteshin e aftësoheshin shkencëtarët e rinj.

Megjithëse kishte mbaruar studimet e larta jashtë, pra në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Fakultet jepte lëndën e gjuhësisë së përgjithshme, lëvrimin e gjuhës shqipe e kishte kurdoherë në mendje e në zemër. Për këtë gjë, ai u përpoq me të gjitha aftësitë e tij, mendore e fizike, si në organizimin me sukses të sa e sa veprimtarive shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, si dhe me studimet e botimet, sidomos në fushën e fjalorëve leksikorë. Pa dyshim, një ndër meritat e padiskutueshme të tij dhe të kolegëve, ishte organizimi e zhvillimi i punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në nëntor 1972.

Gjatë dy viteve të para të studimeve, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe, në Tiranë (1958-1960), kam pasur takime të shpeshta me prof. Kostallarin. Ishin disa arsye për këtë gjë. Jo vetëm se isha student aty, në degën e tij të zemrës, por njëkohësisht isha caktuar sekretar i organizatës së rinisë në grup. Po kështu, në atë periudhë shkruaja në shtyp, pra isha, si të thuash, njeri “publik” dhe ai i pëlqente të rinjtë aktivë, në çdo fushë të dijes e të jetës. Pra, isha një ndër veprimtarët e Fakultetit dhe për këtë ai më njohu shpejt, më deshi e më përkrahu, me dashamirësi.

Nuk kam ndonjë të dhënë konkrete, pra pohim të tij ose të dikujt tjetër, por e e besoj se ai ka qenë një ndër përkrahësit kryesorë të mendimit që të përgatitesha për specialitetin e dialektologjisë, pasi në atë kohë te ne nuk kishte ndonjë pedagog as studiues të tillë, nga Veriu i Shqipërisë ose nga Kosova. Pra, shqetësimi i tij i natyrshëm ishte për njohjen dhe studimin e të folmeve të gjithë vendit tonë. Edhe në këtë këndvështrim, ai meritonte të vlerësohej, një atdhetar i mirë, drejtues pa paragjykime për ndasi krahinore etj.

Për arsyen, që përmenda më sipër, më caktuan edhe në një ekspeditë gjuhësore, për 15 ditë, në zonën e Shpiragut të Beratit (prill 1960). Kur lindi mendimi për të dërguar studentë nga Fakulteti ynë, në ish-BS, me siguri, ai ka “votuar” edhe për mua. Për këtë fakt, gjithnjë ruaj respekt të veçantë dhe i mbetem mirënjohës. Pra, nuk kishim pasur asnjë keqkuptim. Bile, pas studimeve të larta, ai ka këmbëngulur disa herë që unë të caktohesha punonjës shkencor në sektorin e dialektologjisë.

Pra, edhe pas kthimit në Shqipëri, përsëri e ka vazhduar atë dashamirësinë e tij ndaj meje. Siç e shkrova më lart, mora pjesë e referova në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku prof. Kostallari ishte një ndër nismëtarët dhe organizatorët kryesorë të tij. Në arkivin tim personal, ruaj si gjë të çmuar edhe një letërkëmbim me të. Letrat e mia mbajnë datat: 3 korrik 1972 e 19 maj 1973. Thelbi i këtyre letrave ishte dëshira ime për ta vazhduar punën shkencore punonjës aktiv në sektorin e diallekktologjisë. Për këtë gjë, kurdoherë gjeta mirëkuptim nga prof. Kostallari dhe nga sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave, prof. Bedri Dedja. Kështu, nga mbarimi i viti 1973, në Tropojë, ku shërbeja kryeinspektor i kulturës, erdhi një kërkesë zyrtare për këtë gjë. Por përsëri nuk qe e thënë të realizohej ajo, pasi pak më parë isha kërkuar nga sektori i shtypit i KQ të Partisë, që të shkoja me punë redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”, gjë që u krye në janarin e vitit 1974. (I kërkoj ndjesë lexuesit tim për hollësirat, ndoshta të panevojshme, që shkrova më lart).

Pas rikthimit tim në shtyp, kam ruajtur marrëdhënie mjaft të mira me prof. A.Kostallarin dhe ai është treguar i gatshëm për bashkëpunime, biseda ose të dhëna të tjera, që më janë dashur. Mbaj mend se në vitin 1977, u shtrua detyrë të hartohej historiku i gazetës “Bashkimi”, ish-botim qendror i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pas çlirimit të vendit, në këtë gazetë kishte qenë redaktor e me detyra drejtuese edhe Androkli Kostallari (me pseudinimet “Dorjani”, “Spartaku” etj.) Unë shkova tek ai dhe iu luta të më jepte kujtimet e tij, nga ajo periudhë. Këtë kërkesë e priti me kënaqësi dhe u tregua i gatshëm për kujtimet e veta. Kështu, nga shënimet e mia, kam shkruar 3,5 faqe në makinë, të cilat mbajnë datën 19 korrik 1977. Ai më tregonte se, pas çlirimit, aty kishte qenë kryeredaktor Petro Marko (me pseudonimin Demo Koti), si dhe redaktorë e gazetarë: Sh. Musaraj, S. Pollo, A. Çaçi. L. Omari, E. Fico, R. Xheneti, J. Malo etj.

Por edhe më vonë kam pasur kontakte e lidhje të mira me prof. Kostallarin, ndoshta nga fakti se në sektorin e dialektologjisë së Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ku ai ishte drejtor, shërbenin bashkëkrahinasi e miku im, prof.dr. Xheladin Gosturani (vdekur në moshë relativisht të re, në pranverën e vitit 2000), si dhe disa bashkëstudentë të mi, si: Enver Hysa, Veli Bici, Pavli Haxhillazi etj. Por më vrau paksa në shpirt një rast, ku kërkova të shihesha me prof. Kostallarin dhe i thashë atij se mund ta lenim takimin pasdite, tek shtëpia e tij. Ai u mendua pak dhe m’u përgjigj shkurt: “Jo, jo, do të takohemi te zyra ime, në Institut!” Të them të vërtetën, në fillim, nuk më shkoi ndërmend arsyeja, por më pas e kuptova si ishte puna. Ai qe i martuar me një sovjetike dhe, në atë kohë, tek ato çdo gjë shihej me dyshim, gjurmoheshin si “spiune” etj.

Ndarjen nga jeta e prof. Kostallarit, në një moshë jo të shkuar (më 1992), e prita me pikëllim. Isha i ndërgjegjshëm se ai, si prof. Çabej e ndonjë tjetër, la bosh një vend të madh “në ballin e oxhakut” të gjuhësisë shqiptare, sidomos për hartimin e botimin e fjalorëve të gjuhës së sotme shqipe. Pra, si të thuash, ai mund të vlerësohet dhe si “babai” i leksikografisë shqiptare. Po përmend vetëm një detaj vetjak: Në tavolinën time të punës, përherë që nga viti 1976, kam “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe”, kryetar i komisionit hartues të të cilit ishte pikërisht prof. A. Kostallari. Dhe kjo më bën ta kujtoj atë vazhdimisht, me nderim e mirënjohje.

2.
Që në moshën shkollore, Androkliu i ri shfaqi prirje për të fituar njohuri të shëndosha e të qëndrueshme. Mbaroi Liceun e Shkodrës me përfundime të larta dhe u dallua për mësimin e gjuhëve të huaja: latinisht, italisht, greqishte e vjetër dhe moderne. Më tej, e dërguan për studime në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, të cilin e përfundoi me nota të shkëlqyera, në vitin 1953.

Në praktikën e jetës, iu përkushtua studimit të thelluar të gjuhës amtare, si dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Ai njihet hartues tekstesh për gjuhën shqipe dhe botoi studime të ndryshme, në buletine e revista shkencore. Po kështu, lexoi punime e kumtoi, në veprimtari të shumta kombëtare e ndërkombëtare dhe ndoqi nga afër jetën shkencore në fushën e gjuhësisë, në të gjitha krahinat. Veçanërisht i ndjeshëm ishte ndikimi i tij në aksionin për gjurmimin dhe mbledhjen e fjalës së rrallë, të visarit gjuhësor popullor. Fjala e tij, tashmë specialist i afrimuar, u dëgjua me kujdes në diskutimin e planeve e programeve dhe të teksteve të gjuhës shqipe. Përveç arsimit të mesëm, ngulmoi që gjuha shqipe të mësohej lëndë e veçantë edhe në shkollat e mesme. Për ndihmesën e dhënë nga ai, në fushën e arsimit dhe të shkollës sonë kombëtare, është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Për disa vite radhazi, prof. Kostallari ishte pedagog e dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë dhe për shumë vite tjera ishte studiues e drejtor i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë. Me studim e punë këmbëngulëse, iu përkushtua përpunimit te teorisë për gjuhën letrare shqipe të njësuar. Ishte nismëtar e organizator i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, bashkë me kolegët e Institutit përkatës. (Tiranë, 20-25 nëntor 1972). Merita e këtij tubimi ishte se bashkoi rreth “sofrës” së gjuhës sonë amtare edhe studiuesit më në zë, nga trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, arbëreshët e Italisë dhe diaspora shqiptare, sipas parimit “Një Komb-një gjuhë”. Aty prof. Kostallari mbajti referatin kryesor: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”.

Prof. A. Kostallari ka ideuar parimet kryesore të hartimit e botimit të “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”, të “Fjalorit të Shqipes së Sotme” dhe të disa fjalorëve dygjuhësh. Si mbrojtës i flakët i traditave të veprimtarëve të gjuhës sonë amtare, si qendrestar për çështjen kombëtare shqiptare, ai na paraqitet edhe në një artikull, që botoi në gazetën “Mësuesi”, në janar 1989, kundër veprimit të organeve të Kuvendit të Komunës së Manastirit, të cilat hoqën pllakën përkujtimore nga ndërtesa, ku më 1908 u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe, të cilin e vlerësonte si “një nga faqet më të ndritura jo vetëm të historisë e kulturës shqiptare e të popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit”.

Studimet e botimet e prof. A.Kostallarit kanë një shtrirje të gjerë dhe arrijnë në mbi 2.500 faqe. Ato janë nga fusha të larmishme, si: leksikologjia e leksikografia, semantika e semasiologjia, fjalëformimi dhe rrymat e ndryshme gjuhësore, në Evropë e në botë. Si personalitet i gjuhësisë indo-evropiane, ai meritoi titullin “Doctor-Honoris Causa” në Suedi, referoi me aftësi në veprimtraritë e organizuara në Paris dhe në kryeqytete të tjera të Evropës.

Që me themelimin e Akademisë së Shkencave, në vitin 1973, u bë anëtar i denjë i saj. Me veprimtarinë e tij në fushën e gjuhësisë, me ideimin dhe zhvillimin e mjaft veprimtarive për gjuhën amtare shqipe, shkencën, arsimin e kulturën, në qendër e në rrethe, dëshmoi se ishte jo vetëm poliglot e studiues shumë i aftë, por dhe një atdhetar i mirë. Me ato, ai donte të provonte se këto fusha të dijes nuk e kanë çerdhen e tyre vetëm në institucione të mirëfillta kërkimore-shkencore, por dhe ndërmjet intelektualëve të tjerë të aftë, që shërbejnë kudo, ku punohet e jetohet.

Emri dhe vepra e prof.dr. Androkli Kostallarit-Akademik kanë zenë vend të merituar në shkencën, arsimin e kulturën tonë kombëtare dhe do të kujtohen përherë, me nderim të veçantë.

(M.Gecaj, nga libri “Filologë që nuk harrohen”, Tiranë,2002, faqe 22-27)