Faik Krasniqi
Kur ta marrësh në dorë për të lexuar librin më të ri të publicistit të shquar Florim Zeqa “Njohja e vonuar”, nuk ke se si mos të sfidohesh dhe të magjepsësh. Kjo jo vetëm për stilin e të shkruarit, por mbi të gjitha për guximin. E posaçërisht në kryerjen e misionit të shenjtë si intelektual nga vet autori. Sepse intelektuali duhet patjetër të jetë i lidhur ngushtë me të vërtetën. Dhe jo vetëm të jetë i lidhur, por edhe ta shprehë atë, madje ta implementojë atë. Këtë sipas mendimit tim, me përpikëshmëri ia ka arritur publicisti Florim Zeqa.
Edhe pse jeton në mërgim dhe larg vendlindjes, publicisti, analisti politik dhe veprimtari i çështjes kombëtare Florim Zeqa, për asnjë moment nuk ndaloi të shkruajë për atdheun e tij Kosovën dhe padrejtësitë që po u bëhen bashkëkombasve të tij nga politika.
Gjendjen e rënduar dhe vuajtjet e popullit të tij të shkaktuar nga mafia politike në Kosovë, autori e përballon shumë rëndë, dhe për asnjë moment nuk rrinë duarkryq që me penën e tij të artë t’u kundërvihet këtyre dukurive negative, dukuri të shëmtuara që shtetin e kanë dërguar buzë greminës.
Trajtimi i temave të cilat e preokupojnë autorin dhe të cilat i trajton me aq përkushtim dhe profesionalizëm në këtë libër, na japin të drejtën ta trajtojmë si një libër të madh publicistik.
Në këtë libër, autori trajton një numër të madh temash, analiza politike, ekonomike, diplomatike, sociale në Kosovë dhe për skandalet e panumërta të politikës.
Për korrupsionin, krimin e organizuar, arsimin e degraduar, shëndetësinë e sëmurë, vrasjet e pasluftës dhe drejtësinë e kapur nga mafia politike.
Për shqiptarët në Diasporë, ku jeton edhe ai prej më se dy dekadash, dialogun me Serbinë dhe për diplomacinë e Kosovës dhe atë ndërkombëtare.
Në shkrimin e tij “Dëshpërimi i bashkatdhetarëve me pritjen në Kosovë” autori shkruan: “Kjo qeveri, përgjatë viteve të fundit ka trumbetuar aq shumë se është duke e luftuar korrupsionin, por si mund t’i besohet kur ajo e legalizon vet korrupsionin, siç është pagesa për përshpëjtim të dokumentave të udhëtimit për bashkatdhetarët, praktikë kjo e cila nuk ndodhi as në vitet e okupimit klasik të Kosovës.
Kjo është “mirëseardhja” për bashkatdhetarët, që kishte përgatitë Qeveria, përderisa pankartat në pikat kufitare mbetën vetëm një kamuflazhë e radhës për të mashtruar bashkatdhetarët, se gjoja shteti po përkujdeset për ta”.
Autori në këtë libër publicistik shkruan edhe për presidentin tashmë të ndjerë Dr.Ibrahim Rugova, për krimet e Serbisë ndaj popullit shqiptarë, dëshmorët e luftës dhe popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, dhe për veprimtarët e LDK-së dhe të UÇK-së të vrarë pasluftës në Kosovë. Në shkrimin “IBRAHIM RUGOVA Shpëtimtar i qënjes sonë kombëtare” autori Zeqa thotë “Përkundër kërcënimeve e shantazheve, fyerjeve e sharjeve, akuzave e sulmeve, Ibrahim Rugova ishte i vendosur në rrugën e tij, në misionin e tij prej profeti, për të shpëtuar një popull nga shfarosja, dhe asnjëherë nuk u ndal që të arrij në qëllimin përfundimtar që ishte Pavarësia e Kosovës, nocion ky që i rrjedhi vazhdimisht nga goja deri në frymën e tij të fundit. E pikërisht këtu qendron madhështia e Profetit, njeriut që e bëri realitet pavarësinë e Kosovës me politikën e tij paqësore, që si shperblim pati perkrahjen morale e materiale të botës demokratike që rezultoi me intervenimin ushtarak ndaj forcave ushtarake serbosllave”.
Autori në këtë libër shkruan edhe për ikjen e qytetarëve drejt shteteve të perëndimit, ikje nga politikanët që ua kanë shkatërruar të ardhmen e tyre.
Për fëmijët e varfër, familjet skamnore dhe shkatërrimin demografik të Kosovës. Në shkrimin ”Çmimi i lirisë ” autori bën thirrje për të ndihmuar në shërimin e Tuanës së vogël “Tuana e vogël vuan nga një sëmundje e rëndë, shërimi i saj kushton 200 mijë euro, Tuana ka nevojë për shërim jashtë vendit, t’i ndihmojmë Tuanës së vogël…”
Për fjalën e lirë, për demokracinë dhe mediat e uzurpuara dhe të ngulfatura nga pushteti dhe politika.
Pa lënë anash edhe trajtimin e temave për rrymat ekstreme fetare, që fatkeqësisht kanë prekur edhe trojet tona etnike shqiptare. Në artikullin ”Jemi evropian, e jo turq, arab apo aziatik! ” autori shkruan: As ndërtimi i xhamive, as veshjet e kostumeve fetare islame, madje edhe nëpër shkolla, e as mbajtja e mjekrrave të gjata nga shumë të rinjë shqiptarë nuk po mjaftojnë për botën islame që ta pranojnë Kosovën shtet! Pse? Sepse, ne jemi evropian e jo pjesë e errësirës mesjetare turke, arabe apo aziatike, të cilët edhe pas tre vitësh nga shpallja e pavarësisë vazhdojnë të mos e pranojnë Kosovën për shtet. E gjithë kjo do të thotë, se gjaku ynë i derdhur për pavarësinë e Kosovës, për botën islame nuk ka ndonjë vlerë.
Por edhe për kulturën dhe traditat tona kombëtare, për Mitrovicën e copëruar, 2 Korrikun e 1990, pavarësinë e Kosovës dhe ngjarje e ndodhi të ndryshme historike që e kanë karakterizuar vendin dhe popullin shqiptarë ndërshekuj, e sidomos në këto dekadat e fundit. Në shkrimin e tij “Na ishte njëherë një Mitrovicë” autori shkruan: “Qasja e gabuar e Qeverisë së Kosovës ndaj veriut, dhe atë në mënyrë epizodike e jo të përmanente, jo vetëm që i ka sjellë dëm veriut të vendit, ishte një impuls i mirë për strukturat okupuese serbe, që edhe më tutje të papenguar të qeverisin lirshëm në atë pjesë të Kosovës”.
Analiza që janë me interes për shoqërinë, për qytetarët, për njerërzit e thjeshtë.
Për shtetin që luftuam me shekuj, brezi pas brezi, kundër pushtuesve të ndryshëm.
Për shtetin që e ëndërruam të ishte më ndryshe.
Kjo nuk është Kosova që e deshi publicisti Zeqa dhe qytetarët e stërvuajtur të Kosovës.
Qytetarët që po vuajnë nga politika mafioze dhe indiferenca e ndërkombëtarëve karshi qytetarëve të Kosovës, të cilët padrejtësisht dhe për faj të politikanëve po i mbajnë akoma të izoluar.
Me anë të shkrimeve të tij, autori me të drejtë demonstron mllefin e tij ndaj keqbërësve të politikës dhe parapolitikës, që po i shkaktojnë akoma shtetit dhe bashkëkombasve të tij.
Autori nuk i duartroket politikës së ditës. Politikën e të korrupturave dhe të matrapazëve të politikës. Përkundrazi. Politikën ditore dhe politikën e matrapazëve të politikës, e lufton në mënyrë të ashpër dhe të pakompromis me penën dhe intelektin e tij.
Lexuesi në këtë libër do ta vërejë autorin në cilësinë e njeriut të guximshëm dhe të drejtë, i cili me një guxim të pashoq shkruan për aktualitetin dhe gjendjen reale në atdheun e tij.
Pavarësisht, kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale që iu bën publicistit Florim Zeqa, ai nuk rreshti kurrë së shkruari për aktualitetin dhe gjendjen reale në Kosovë.
Është e pamundur që në një recension të shkurtër të flitet në detaje për një libër të këtillë, mirëpo duke e lexuar me vëmendje atë, ky libër na prek të gjithë neve si shoqëri.
E përgëzoi autorin mikun tim duke i dëshiruar shëndet jetë të gjatë dhe krijimtari të begatshme në fushën e publicistikës, artit letrar, historik dhe arsimor, që të na sjell edhe shumë libra të tjerë me vlera të çmuara.