NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”, AJO QË MË TREGOI MIKU IM, HALIL KOPANI…

0
1494
Murat Gecaj, foto

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë: vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar…

1.
Gjatë kësaj kohe, ne të dy kemi qenë “larg”, por dhe “afër”. Larg, sepse nuk jemi takuar shpesh e të rrimë bashkë, si i thonë fjalës, as sa për një kafe, por dhe afër, pasi kemi ruajtur dashurinë e respektin e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Nuk po e them për hërë të pare (ketë gjë e dinë mirë edhe bashkëmoshatarë të tjerë) se, kur njeriu shkon në një farë moshe, u pushtokan disa nga nostalgjitë e së shkuarës dhe dëshiron të shohë e takojë sa më shumë kolegë, miq e të njohur të viteve të fëmijërisë dhe të rinisë së tij. Sigurisht, në këtë “listë” përfshihem tani dhe unë.

Me juristin Halil Kopani më lidhin shumë “fije” të së shkuarës sonë, pra siç thotë populli, “kemi ngrënë një thes me kripë bashkë”. Në fillimet e viteve ’50-të, u takuam në mjediset e shkollës ushtarake “Skenderbej”. Unë vija nga malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ai nga ajo e Pukës. Pas mbarimit të maturës, ne shkuam përsëri të pandarë në shkollën e bashkuar të oficerëve. Por, asnjëri nuk i vuri spaletat e saj, se të dy u liruam për arsye shëndetësore. Më tej, unë ndoqa studimet e larta për gjuhë-letërsi dhe ai për jurist. Por, si për habinë tonë, përsëri i ndiqnim studimet në një ndërtesë, pra në atë të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Bile, jorrallë, i kemi bërë leksionet në një auditor ta madh, sidomos ato me karakter politik.

Jeta të merr në rrjedhën e vet dhe ti je i detyruar ta hedhësh “vallen” sipas “muzikës” së saj. Kështu ndodhi dhe me ne të dy. Shërbyem edhe në rrethet e vendlindjeve tona, por u bashkuam prapë në kryeqytetin tonë. Unë në sektorin e shtypit dhe ai në atë të drejtësisë. Gjithashtu, i vazhduam lidhjet tona miqësore. Pra, jemi takuar, kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe kemi qarë bashkërisht hallet tona jetësore. Më kujtohet se, kur ai ishte me punë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe unë në Ministrinë e Arsimit e të KUlturës, kishim dhe një koleg të përbashkët. Ky ishte Gani Dizdari, miku im i mirë nga fshati Babinë i Malësisë së Gjakovës (Tropoja).

Jam takuar me Halilin edhe kur ai punoi në Gjykatën e Apelit të Tiranës e në Gjykatën e Lartë, si dhe në Gjykatën Kushtetuese. Që mos ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, shënoj këtu se, në fundin e muajit mars 2010, bëra përurimin e librit tim jetëshkrimor. Megjithëse i pamundur ca nga gjendja shëndetësore, Halili iu përgjigj me kënaqësi ftesës sime. Bile, u kujdes dhe që të jepej njoftim për këtë veprimtari në Televizionin Shqiptar, gjë për të cilën i jam mirënjohes.

2.
Tani po futem “në temë”, pra po e shpjegoj arsyen kryesore, se përse po i shkruaj këto radhë. Pasi u lidhëm paraprakisht me telefon në banesat tona, disa vite më parë u takova përsëri me mikun e shokun tim, Halil Kopani. Në një lokal te rehatshëm, që njihet Restorant “Durrësi”, pimë bashkë nga një kafe. Siç është e natyrshme, meqenëse kishim kohë pa kuvenduar bashkë, sollëm ndërmend vitet e rinisë në shkollat ushtarake, por dhe të punës sonë, deri sa dolëm në pension. Kujtuam dhe disa shokë tanë të atyre viteve. Sigurisht, nuk lamë mënjanë as temat “e nxehta” të ditës, siç bëjnë rëndom shqiptarët, ku bisedojnë shtruar me njëri-tjetrin.

Por ajo, që dua ta ndaj me lexuesit tani, janë bisedat interesante të Halilit për fëmijërinë e tij, aty në fshatin Kabash të Pukës. Ndër të tjera, ai më tregoi se, pasi mbaroi shkollën fillore në vitet e pasçlirimit, shfaqi dëshirën ta vijonte edhe 7-vjeçaren. Po si të vepronte, pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të tillë? Pasi u këshillua me të jatin, (më duket quhej Ahmet, se me këtë mbiemër e njihnim ne në shkollë, deri vonë), megjithëse fshatar i pashkollë, ai e mbështeti këtë mendim të tij. Kështu, një ditë mori udhën për në seksionin e arsimit të rrethit. Tani, Halili kujton:

“Më kishte porositur babai që të trokisja në zyrën e shefit të arsimit dhe të prisja, deri sa të fliste dikush nga brenda: -Hyr! Ashtu veprova dhe, gjate pritjes, zemra më rrihte me forcë. Isha shumë i emocionuar! Kështu, hyra brenda dhe e parashtrova kërkesën time, pra shfaqa dëshirën ta vazhdoja shkollën 7-vjeçare, sigurisht në qytet. Mirëpo, fshati ynë ishte shumë larg dhe ende nuk kishte konvikt. Pra, sikur nuk u gjet rrugëzgjidhja. Atëherë, unë iu luta atyre, në seksionin e arsimit, që të me linin të flija në shkollë dhe kështu të ndiqja mësimet. Ishte pak më e lehtë kjo, pasi shkolla në atë kohë funksiononte verore. Vërtet ishte diçka e pazakontë, por shefi i arsimit u bind që të strehohesha në mjediset e shkollës…”.

Më tej, me pyetjet e mia dhe përgjigjet e mikut tim Halil, mora vesh se ai mblodhi një thes me plaçka: një lëkurë deleje, dy plafë (si batanije) leshi, disa ushqime dhe arriti në shkollën 7-vjeçare. I vinte turp nga nxënësit e tjerë që ta shihnin ashtu ngarkuar, prandaj thesin e tij ia besoi pastrueses së shkollës, deri sa të mbaronte mësimi. Në mbrëmje, ato rroba ai i shtronte mbi bazamentin prej dërrase të tavolinës së mësuesit dhe aty flinte. Si jastek perdori trastën e librave të tij. Ndërsa, e keqja ishte se shkolla nuk kishte as roje nate, që t’ia largonte sadopak frikën. Sigurisht, Halili i vogël kaloi dhe shumë vështirësi për ushqime e tjerë.

Kështu, rodhën jo pa shqetësime: ditë, javë e muaj dhe Halili e mbaroi klasën e pestë dhe më pas të gjashtën e të shtatën. Me kërkesën e dëgës ushtarake të rrethit, atë e dërguan në shkollën ushtarake ”Skënderbej”. Sigurisht, tashmë, iu duk se kishte hyrë në një botë tjetër, ku kishte kushte të mira për fjetje, ushqim e shkollim.

Por. siç thash në hyrje të këtyre pak rradhëve nuk qe e thënë që Halili të bëhej oficer karriere, ndonëse pas shkollës së mesme ushtarake mbaroi edhe Shkollën e Lartë të Oficerave. Kështu, për shkaqe shëndetësore e nxorën në lirim, me gradën nëntoger rezervë. Pastaj u kthye në fshat, ku qendroi disa muaj dhe bëri punë të rëndomta bujqësore. Ai nuk pranoi punën e ofruar nga autoritetet e kohës, magazinier në spitalin e Fushë-Arrësit, ku kishte vetëm 10 shtretër dhe me një rrogë fare të vogël. Sepse kështu dëshmohej një nënvlerësim për kohën, të shkollës së mesme, që ai kishte kryer. Ishte e njohur se, deri në atë vit (1957), vetëm 6 veta nga Puka e kishin mbaruar arsimin e mesëm. Në vazhdim, mbas katër muajve, Halili u emrua kryereferent i zyrave të gjendjes civile, ku punoi deri sa shkoi për studime në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

3.
Duke e kaluar në “sitë” dhe jetën time, që në fëmijëri dhe në vazhdimësi, nga biseda me mikun tim Halil, përforcova një përfundim: Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë, vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar. Nuk është fjala këtu për poste e karrierë të lartë, por për të qenë “dikushi” në jetë. …Halil Kopani po u afrohet 79 vjetëve, më 1 maj të këtij viti. Duke sjellë në mendje, si në ekranin e një kinemaje jetën e vet, me “zik-zaket” e saj, tani ndjehet i kënaqur, kur sheh fëmijët e tij, që kanë mbaruar shollat, janë përfshirë denjësisht në punë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Natyrshëm, ai u flet atyre dhe për udhën e jetës së vet, sidomos për fëmijërinë e vështirë, që është një mësim i mirë, për pasardhesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër.

…Ndoshta, dikujt tani, që e lexoi episodin e mësipërm për mikun tim Halil Kopani, mund t’i duket si “përrallë nga e kaluara”?! Por ja, që jeta e shqiptarëve, sidomos në malësitë tona, ka qenë aq e vështirë, sa nuk ka penë gazetari as shkrimtari, që atë ta regjistrojë të saktë në letër.

Tiranë, prill 2016