Bandat e humbësve të përjetshëm

0
542

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike ([email protected])

Mallkim i rëndë, poshtërim gjithëkombëtar dhe turp që shqiptarët të gjunjëzohen para mafiozëve shqipfolës dhe pushtuesve të huaj. Me poshtërimin kombëtar, shpërbërjen e shtetit dhe mjerimin shoqëror, duhet të ketë shumë forma të patologjisë shoqërore, ndër të cilat krimi do të ishte i pari.

* * *

Kombi dhe vendi ndodhet para shpërbërjes. Por, këtë nuk duhet ta lejojnë patriotët shqiptarë, që kanë një zemër të ngrohtë për atdheun e tyre, Shqipërinë (natyrale), të cilën ata dëshirojnë ta çlirojnë nga armiqtë e brendshëm dhe jashtëm, demokratizojnë, zhvillojnë dhe ruajnë për pasardhësit e tyre. Në kontrast me mafiozët dhe tradhtarët të cilët edhe për krimet më të rënda “dënohen” vetëm me “arrest shtëpie”.

* * *

Nëse doni të dini më shumë për pisllëqet e Partisë Socialiste së Shqipërisë pyetni Partinë Demokratike, nëse doni të dini më shumë për pisllëqet e Partisë Demokratike pyetni Partinë Socialiste…

Vetëm për shkak se ti e ndryshon kryesinë e një sistemi të pistë, nuk do të thotë domosdoshmërish se ai sistem ka ndryshuar. Kjo sepse vendi (sidomos Shqipëria, Kosova dhe trojet e okupuara të FYROM-it) është kapur shumë keq nga bandë hajdutësh, kriminelësh e tradhtarësh profesionistë. Grupe të bashkuara për të bërë vjedhje dhe uzurpime të pronave shoqërore; kontrabandistësh të qenieve njerëzore, armëve dhe drogës; plaçkitje e krime; grupe gjysmë-analfabetësh, zakonisht në pushtet, që veprojnë në dëm të popullit me metoda kriminelësh e tradhtarësh.

* * *

Kur dikujt i është dhënë besim dhe pushtet në mënyrë të tillë ku lindin mundësitë dhe joshjet, ndërsa rreziku për marrje në përgjegjësi fundoset, atëherë rritet gjithashtu rreziku i shpërdorimit të detyrës.
Po, e duam këtë vend, prandaj jeta ju kërkon të gjeni një detyrë, gjegjësisht, të luftojmë bashkarish krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin, duke filluar nga kreu i bandës dhe përfunduar me asgjësimin e bandës.

* * *

Nëse të gjithë ata “politikanë” që kanë standarde të dyfishta mund t`i ndajnë me ata që nuk kanë aspak moral, atëherë bota shqiptare do të ishte një vend më i mirë për shumicën!

Partitë politike të trojeve shqiptare, janë të pa dhëmbë në premtimet e tyre kinse për të mirën e shoqërisë dhe vendit. Ato bazohen në shpresë dhe besim në vend të: do të bëjë, duhet të bëjë. Politika shqiptare është krijuar për shfrytëzuesit dhe mashtruesit.

* * *

“Kur një i verbër e udhëheq një të verbër, të dy bien në hendek”- më thoshte gjyshi im.
Kryeministri aktual i shtetit amë Edi Rama, duhet të pushojë së vepruari si komiku Ali duke kritikuar të gjitha partitë e tjera, ndërsa vetë dhe PS nuk kontribuojnë me asnjë pleh. Ose të largohet nga politika. Kryeministri ka mbërthyer kokën e tij në rërë gjatë gjithë këtyre viteve dhe ka kontribuar vetëm me budallallëk dhe zero veprim kur është fjala për gjithçka që i shërben vendit. Për shembull, në rastin aktual, e pengon heqjen e imunitetit për deputetin (mikun e tij Saimir Tahirin, ish ministrin e policisë) që prokuroria kërkon ta arrestoj, sipas prokurorisë, për veprat penale – të dokumentuara. Pse e bën këtë?! A thua i dhemb diçka?

Në një shkrim timin (2013): “Të luftojmë në shërbim të jetës” kam thënë:
“Duhet hequr imuniteti politikanëve sepse nuk funksionon – Keqpërdoret. Imuniteti parlamentar është një mbrojtje e një anëtari të Parlamentit (Kuvendit) kundër persekutimit të mundshëm politik nga ekzekutivi (policia).

Në vendet demokratike të gjithë njerëzit e zgjedhur në pushtet (deputetët) gëzojnë imunitet parlamentar sipas kushtetutave, përafërsisht: Asnjë anëtar i Parlamentit (Kuvendit) pa pëlqimin e parlamentit nuk mundet të ndiqet penalisht ose të burgoset, përveç nëse ai është kapur në flagrancë.

Kur policia dyshon se një deputet ka kryer një krim, i kërkon Parlamentit (Kuvendit) të heqë imunitetin para se ajo ngre një akuzë. Normalisht se Kuvendi përmbush menjëherë kërkesat e tilla, pasi kuptimi (qëllimi) i imunitetit nuk është se deputetët mundet të jenë në gjendje për të thyer ligjin pa pasoja, por vetëm për t`i mbrojtur kundër persekutimit të motivuar politikisht.”

* * *

Tradhtia i referohet mashtrimit ose pabesisë, veçanërisht veprave (akteve) penale të drejtuara kundër sigurisë ose pavarësisë së shtetit.
Është antiligjor Akti i sotëm i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë, që nuk lejon heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, i dyshuar nga policia si i implikuar (me familjen kriminale Habilaj) në kontrabandën e drogës dhe armëve drejtë Italisë etj.

* * *

Shqiptarët enden në errësirë. Disa sepse nuk shohin me sytë e tyre, disa sepse nuk shohin me mend. Shumica prej nesh, sepse nuk e shohim njëri-tjetrin.

Të vetëshpallurit “politikanë” shqipfolës brenda dhe jashtë murit të arbrit, janë të shqetësuar vetëm për të pas më tepër pushtet dhe sa më shumë të mbushin llogaritë e veta bankiere.

Ne duam një qeveri që punon për të gjithë, ndërsa secila parti shqipfolëse që gjendet në qeveri dëshiron që të gjithë të punojnë për qeverinë.

Të jesh një shqiptar gjithashtu duhet të jesh një aktor politik dhe historik. Fati ynë i përbashkët qëndron në duart tona. Është detyrë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e shoqërisë sonë. Ne nuk duhet të jemi subjekte pasive të dominimit të forcave despotike, qofshin ata të “shenjtë” ose laikë, të djathë apo të majtë, kriminel apo më pak kriminel. Dhe ne nuk duhet të jemi subjekt i fuqive historike të paarsyeshme.

* * *

Në botën shqiptare, pakica e të pasurve përbëhet nga një pakicë kontrabandistësh, e cila lejohet të jetë e pasur vetëm nëse në çdo aspekt është besnike ndaj komandës së faktorit dashakeq që prapa perdes vendos për fatin e vendit të tyre. Prona publike dhe shoqërore, veçanërisht në degët e gazit, naftës, turizmit etj., shpejt transformohet në private, por pronarët e vërtetë të asaj pasurie, si rregull, janë të huajt.

Përjashtimet e vetme janë ata që blenë të drejtën e pronësisë me besnikëri dhe nënshtrim të zhvendosur nga sfera e dinjitetit elementar, kombëtar dhe njerëzor. Pasuritë më të mëdha kombëtare në këto raste janë bërë pronë e të huajve dhe ata që deri më tani i kanë drejtuar ato, kanë arritur ta bëjnë këtë, në këto raste të ndryshuara, si nëpunës të kompanive të huaja në vendin e tyre.

* * *

Politika shqiptare gjithmonë e ka shitur interesin kombëtar për pushtet. Hynë në pushtet duke shitur interesin kombëtar dhe shesin interesin kombëtar kur u kërcënohet ndenjësja (karrige) ose burgimi

O shqiptar! Mos ik prej vendit sepse askund nuk do të gjesh më mirë se në tokën tënde, por zgjohu dhe vepro. Ti nuk mund të jesh i lirë si individ nëse ti nuk je i lirë si komb. Pastro menjëherë para oborrit tënd, dhe vazhdo më tej…
Të shpresojmë se edhe më tutje do të kemi ndihmën e mikut të vërtetë, Amerikës.

Miqtë e mirë janë engjëjt që na ngrenë lartë përsëri kur krahët tanë kanë harruar se si duhet fluturuar.