Kushërinjtë e Saliut kundër kushërinjve të Saimirit

0
1629

Nga Mero Baze

Ajo që ndodhi në seancën e sotme dëgjimore në Komisionin e Mandateve i përngjau më shumë betejës së fundit kundër reformës në drejtësi, se sa fillimit të vendosjes së drejtësisë në Shqipëri. Një trupë tërësisht e paaftë prokurorësh, të motivuar politikisht dhe me lidhje të forta fisnore me Sali Berishën, u shfaqën aty si atavizmat e fundit të sistemit të vjetër të drejtësisë për ta kthyer procesin ndaj Saimir Tahirit, në një përdhosje të sistemit të drejtësisë dhe triumf të banalitetit, paaftësisë, lidhjeve fisnore dhe politike, dhe mbi të gjitha, të një angazhimi total politik për ta kthyer këtë proces, në një mekanizëm të luftës së porositur politike.

Saimir Tahiri nuk ka interes të bëjë një betejë politike në këtë histori, pasi atij më shumë i interesojnë faktet dhe beteja ligjore për të pastruar veten. Por kur hyn në një seancë me dyer të mbyllura dhe dëgjon se gjithë argumentet që Saimir Tahiri ka udhëtuar me Habilajt, është një kamionist me emrin Saimir, e kupton se përse kanë shkuar në atë seancë tre prokurorë, të tre nga Tropoja, me lidhje politike e fisnore me Sali Berishën. Nuk kanë bërë asnjë kujdes të çojnë fakte. Nuk kanë bërë kujdes as të përgatiten për t’i mbushur mendjen opinionit publik për atë që po bëjnë. Thjesht kanë shkuar me duar në xhepa e telefon në vesh me Sali Berishën, për t’u treguar atyre që donin reformën në drejtësi, se në dorë të kujt janë.

Beteja degradoi në atë shkallë, sa ngjante një betejë mes kushërinjve të Berishës prokurorë, dhe kushërinjve të Saimirit, trafikantë droge. Është reflektimi më i mirë i asaj që po përpiqen palët të bëjnë me procesin “Tahiri”.

Saimir Tahiri nuk është ëngjëll në këtë histori. Ai ka përgjegjësi për mënyrën e papërgjegjshme si ka krijuar një raport banal fisnor me shitje makine e qoka xhaxhallarësh, dhe për atë është aty, të hetohet. Por mungesa totale e provave dhe banalizimi i historisë, duke ngatërruar dhe kamionistin Saimir me ministrin Saimir, është një alarm se kush duhet të shkojë në qeli para Saimir Tahirit. Prezenca e sotme e atyre tre prokurorëve është fytyra e vërtetë e drejtësisë së sotme, e institucionit të Adriatik Llallës.

Kjo ështe komedia e fundit e drejtësisë politiko-tropojane, qe shkatërroi sistemin e drejtësisë në vend, që të ishte seanca e parë e një fillimi të ri të drejtësisë shqiptare. Ky është shpagimi i fundit që tentojnë forcat anti-reformë në drejtësi, ndaj reformës, dhe përpjekja e tyre për ta poshtëruar këtë proces.

Procesi “Tahiri” është akti i fundit i kundër-reformës dhe jo fillimi i reformës në drejtësi. Është e pazakontë se si në një seancë dëgjimore, ti mund të shikosh fytyrën reale të drejtësisë së Berishës jo vetëm nga boshllëku intelektual, korruptimi politik, por dhe pamjen vizive dhe fjalorin e saj. Kjo seancë duhet regjistruar për ta mbajtur në muze drejtësinë e vjetër.

Dhe ironia e fatit është se ky proces mund të dëshmonte për të gjithë palët, fillimin e një historie të re të drejtësisë jashtë politikës. Në fakt, ky u kthye në një dëshmi të kazanëve të plehut që duhen pastruar nga drejtësia. Është një arsye përse një orë e më parë duhet nxjerrë nga ajo ndërtesë, ai që mendon se do ta përdhosë reformën në drejtësi, me plehrat e prodhuara nga drejtësia në vite. Ai që mendon se kjo është një betejë e kushërinjve të Sali Berishës me kushërinjtë e Saimirit. Një palë janë ca prokurorë ushtarë, që po i merr më qafë një politikan, dhe një palë ca banditë që po marrin më qafë një politikan.