VARGJE QË PËRJETËSOJNË PERSONALITETIN E FEMRËS SHQIPTARE

0
1648

Zymer Mehani “Pranverojnë lulëkuqet tona”, botoi “ProkultPress”- Proshtinë, 2017

Milazim F. KADRIU

Heroizmi ka qenë dhe është preokupim i shumë krijuesve ngase vuajtja e gjatë në robëri ka bërë që poetët tu kushtojnë poezi heronjve dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut. Kështu ka vepruar edhe poeti Zymer Mehani që në linrin poetik “Pranverojnë
lulëkuqet tona” sjell vargje përkushtuese që ua kushton femrave shqiptare që dhanë kontribut të çmuar në rrugën e lirisë. Ai u këndon femrave shqiptare të periudhave të ndryshme që ranë në luftë për lirinë e vendit tonë.

Kështu ai kësaj radhe ka zgjedhur të ju këndojë : Ylfete Humollit, Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, Antigona Fazliut, Sanije Rexhës, Hyrë Eminit, Ganimete Gjylanit…

Ai përmes vargjeve të tija ka dhënë një pasqyrë të veçantë për figurën e tyre. Këto figura nëpërmes të këtyre vargjeve bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore.

Edhe kësaj here si edhe në krijimet tjera të tij Mehani poezitë e tija i bazon edhe në faktin se edhe këto personalitete femra krahas burrave janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim poetik. Ylfetja, Xheva, Antigona, Hyra, Ganimetja….. në vargjet e Mehanës bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore.

Siç thotë edhe vetë Mehani në hyrje të librit të tij “ Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Qëndresa dhe sakrifica e femrës shqiptare, si formë e rezistencës së saj, dëshmohet si vazhdimësi. Femra shqiptare gjatë gjithë historisë, me dinjitet e fisnikëri të lartë, u tregua e zonja që gjithmonë të mbajë lart flamurin e qëndresës dhe të familjes.”

Vargjet e këtij vëllimi poetik janë dhënë me një pasion të madh dhe me një gjuhë plotë figuracion. Autori personazhet e poezive përkushtuese na i paraqet ashtu si ishin në jetë, si heroina shqiptare që nuk e duruan dot robërinë, dhe që gjithë jetën punuan për lirinë e Kosovës. Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i papërkulur i tyre, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori janë dominuese në frymën poetike të këtij libri.

Në vargjet kushtuar Ylfete Humollit autori ndër tjera thotë : Qetësia përhapet/ Në të sajën zbrazëtirë/ E Ty, Lulëkuqe e Llapit/ E kësaj Toke të dëlirë/ Të kujtoj me mall/ Të kujtoj me dëshirë/
Ndërsa për Xhevë Lladrovcin thotë: Lulëkuqe e kësaj Toke, moj/ Ngjyrat e tua/
Shumë t’i dashuroj/ Dhe ky imi shpirt/ Pas teje rend n’shtegtim/ Ia solle lirinë/ Lule, atdheut tim/.

Mehani ngjashëm u këndon edhe dëshmoreve tjera të përfshira në këtë vëllim poetik, ku përmes tyre u këndon të gjitha heroinave ndër shekuj që kontribuuan për ditët e sotme që ne po i gëzojmë. Ai ndër tjera edhe në poezinë e fundit të këtij libri ndër tjera thotë : Vajzë shqiptare jam/ Lerë në flakë t’barotit/ M ‘ pagëzuan Furtunë/ Sinonim i motit/.

Përmes këtyre vargjeve të këtij libri autori kishte për ide që ta përjetësojë personalitetin e femrës shqiptare ndër shekuj që kontribuoi për çështjen kombëtare. Kështu ai ka për qëllim ta nderojë veprën e tyre dhe ta ndriçojë atë për brezat e ardhshëm që edhe ata ta dinë sakrificën e femrës shqiptare dhe popullit në përgjithësi që kaloi në këto kohë deri në arritjen e lirisë, që nuk ishte aspak periudhë e lehtë.

Autori Mehani, përmes këtyre personazheve që u ka kushtuar vargje ka arritur të prezantojë një pamje realiste për të gjitha femrat shqiptare që ishin krah për krah me djemtë më të mirë të Kosovës që dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre për lirinë e Kosovës . Vargjet e shkruara në këtë libër për secilën nga atdhetaret që ka përzgjedhë autori nuk dallojnë shumë nga njëra – tjetra për nga stili dhe natyra e ndërtimit të tyre dhe bashkohen mes vete në subjektin e përbashkët : – kontributi i femrës shqiptare dhe sakrifica sublime për lirinë e Kosovës.

Ky libër është i mirëseardhur për lexuesin ngase librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së.

Të shkruash për dëshmorët e në këtë rast për femrën shqiptare dëshmore në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm.

Këto poezi nuk mund të lexohen pa ndjenjë pikëllimi, nuk mund të lexohen pa ndjenjë të mburrjes, asaj mburrjes që quhet historike.
Garnitura poetike e vargjeve të këtij libri buron thellë në frymëzimet dhe skalitet fort në figuracionin dhe shprehjen e vargëzimit përkushtues.

Nëpërmes këtyre vargjeve përjetësohet figura e femrës shqiptare e sidomos atyre që janë temë trajtimi dhe ngrihet edhe më lart për të mbetur e pavdekshme ndër brezni.

Poezitë e këtij motivi dhe të kësaj natyre nuk janë të fiksuara vetëm në një vend, por ato janë të skalitura në mozaikun e atdhedashurisë në çdo pëllëmbë të atdheut.