Historia e jashtëzakonshme italo-shqiptare e Imelda Prennushit

0
695

Nga Besnik Dizdari

Për herë të parë me emrin e Imelda Prennushi-t – siç e shkruan vetë ajo me “nn”, ndërsa në Shkodër e shkruajmë “Prendushi” – mbiemri pra i këtij fisi të vjetër fisnik të qytetarisë shkodrane – jam njohur më 1992 përmes “Annuario Illustrato del Basket”. Mund të mos isha njohur nëse nuk më thoshte mendja me pa gjithë emrat e të gjitha kampioneve të Italisë në basketboll për femra. Dhe, pa më thënë askush, sapo lexova “Imelda Prennushi” e Triestes thashë me bindje të pagabueshme që është shqiptare e Shkodrës. Dhe këtë për dy arsye: për mbiemrin dhe për qytetin kur e dija se Prendushë të Shkodrës ishin bërë qytetarë të Triestes me kohë.

Sa vjet që kanë kaluar për të mbërritur kështu te ky “roman” gazetarie për mua i rrallë, krejt i veçantë, i cili teksa ka si personazh kryesor Imelda Prennushi-n, mbështjell rreth tij një epokë, një kohë plot emra, Italinë dhe Shqipërinë, Triesten dhe Shkodrën, lidhje e histori, befasina dhe përkime që padashur mbërrijnë deri tepersonalitete, shokë e miq të mi, te kolegë e për çudi deri te familja ime.Më vjen pak keq që edhe pse vendosa me kohë të shkruaja, kam vonuar për Imelda Prennushi-n – figurë e shquar e rangut më të parë të basketbollit italian – një shqiptare, bijë autentike e Shkodrës edhe pse ka jetuar në Itali.

E, tash, them se më mirë që kam vonuar. Sepse është mû kjo vonesë që më çon jo thjesht te historia e saj pra, por te horizonti disi i pamatë i një prej atyre historive të çmueshme qytetare, të cilat ne kurrë nuk i çmuam, nuk i hulumtuam, nuk i treguam. Duke mbetur gjithnjë vetëm te personalitetet madhore të historisë sonë kombëtare, por duke “zhdukur” nga historitë të ashtuquajtura “të vogla” që nuk janë aspak të vogla, sepse teksa bashkohen, ato përmbledhin historitë e mëdha të një familje, të disa familjeve, të një qyteti, të një kulture, të një kombi, të një shteti. E them me bindje të plotë se Shqipëria, që hiqet sikur merret fort me diasporën apo me shqiptarët që jetojnë jashtë, aspak nuk merret sa e si duhet me këto histori “të vogla” të historisë së madhe qytetare.

Vërtet, kam bërë mirë që jam vonuar për të shkruar për Imelda Prennushi-n sepse falë saj dhe historisë së bujshme të saj kam mbërritur te lidhje të vjetra qytetare, tek i ati i saj, Rrok Prendushi – një personalitet i Shkodrës dhe i Shqipërisë, që falë tij mbërrij deri tek Ernest Koliqi i madh. E mandej gjithçka vjen e më “aktualizohet” duke u lidhur krejt papritmas e gjithë kjo histori me emra të tillë të “rangjeve” apo “hierarkinave” më të çuditshme: Italo Soncini, Ahmet Shqarri, Paulo Muner, Viktor Jubani, Besnik Dizdari.
ITALO SONCINI: Kujtimi i një Pistullori të Shkodrës, ëndërrimi për bregun shqiptar të Adriatikut dhe Imelda Prennushi

Rasti e pat dashtë që në Kongresin e AIPS-së në Stamboll më 1993 të isha në një tryezë me gazetarin e shquar sportiv të Italisë, Italo Soncini – një triestin nobël, përveç të tjerave një personalitet i madh i gazetarisë. Zotni Italo çuditërisht kishte një kërshëri të madhe për të ditur diçka më tepër për Shqipërinë Komuniste që sapo kishte rënë. Ai nisi të më tregonte paraprakisht se si asnjëherë gjatë regjimit komunist nuk ishin lejuar të shkelnin ujërat e Adriatikut shqiptar për gara të ndryshme apo për hulumtime stërvitore të barkave me vela, fushë e cila ishte krejt e tij. “I shkruanim pa pushim Komitetit Olimpik Shqiptar, – më thoshte, – por asnjëherë nuk morëm një përgjigje; e ndërsa u afroheshim fort ujërave shqiptare deri në kufirin detar me Jugosllavinë, e vështronim këtë pjesë ‘të paprekshme’ adriatikase dhe na dukesh sikur ishin ujëra të tjerë, të ndryshëm”.

E unë që nisa t’i shpjegoja Italo Soncini-t “specifiken” komuniste të Shqipërisë, teksa ai dëgjonte me vëmendje. Desh të dinte diçka për persekutimet dhe kur unë i tregova se si një personalitet politik i udhëheqjes komuniste madje, i arrestuar për veprimtari “armiqë- sore”, gjatë hetuesisë ishte mbajtur për javë të tana i gjallë në arkivol, ai shtangu, u ngrys dhe një heshtje tronditëse përfshiu gjithë qenien e tij. Mbas pak m’u drejtua po me atë vështrim dhe më tha: “Dizdari, unë nuk të thashë që të më tregoje kësisoj tragjedish duke ma prish këtë mbrëmje të bukur?”. Mandej, mbas pak, teksa e pa që unë u pezmatova disi, u qetësua, vuri buzën në gaz dhe më shtrëngoi krahun me dashamirësi.

Në Trieste, ai kishte njohur një shqiptar të familjes së shquar Pistulli me të cilin befasisht kishin qenë të arrestuar së bashku prej fashistëve! Them se ka qenë detyrimisht i fisit të shquar të të nderuarit shokut tim të paharrueshëm – krenarisë së rinisë shkodrane Ndok Pistulli, nxënësit të shkëlqyeshëm të Gjimnazit të Shkodrës, pianistit 16-vjeçar të operës së parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës, mësuesit të rrallë, kompozitorit të këngës festivaliste të Radio Tiranës, të operës “Rozafa”, volejbollistit të talentuar kampion e të tjerë, e të tjerë. Sa e vogël është bota!… Dhe menjëherë unë që kaloj tek emri i Imelda Prennushi-t – një njohje tjetër e respektueshme e Italo Soncini-t, fort përkuese për mua në atë mbrëmje të pashlyeshme në hotelin madhështor “Tarabia” të Stambollit 1993.

Italo Soncini është ndarë nga jeta tre vjet më parë, më 2013, në moshën 93-vjeçare. Ky “dekan i gazetarisë triestine”, siç e përcaktoi shtypi italian, kishte qenë pjesë- marrës i orëve të para të Rezistencës antifashiste italiane dhe si njohës i gjuhës sllovene do të merrte pjesë deri në dorëzimin e trupave të Werhrmacht-it në këtë zonë. I diplomuar në drejtësi i kushtohet gazetarisë, duke qenë gazetar i përhershëm i së mirënjohurës “Il Piccolo”. Më 1947 është një prej themeluesve të Shoqatës së Shtypit Sportiv Italian. Madje për shumë vite ai është dhe president i Urdhrit të Gazetarit të Friuli Venzia Giulia-s, një institucion që Shqipëria jonë ende nuk e ka themeluar për gazetarinë.

Ai nuk mungon thuajse në asnjë Olimpiadë që nga ajo e Romës 1960, si bashkëpunëtor edhe i “La Gazzetta dello Sport”, “Il Tempo”, “La Stampa”. Ndërkohë që deri në ditët e fundit të jetës së tij, është autor librash e dokumentarësh për marinën, për sportet e ujit, të lundrimit apo të atyre të barkave me vela. Tema ishte e ditur: Adriatiku i tij, bregu i dashur istro-dalmatik, të cilin ai vazhdonte ta eksploronte përmes velave”, siç e përcaktojnë. Italo Soncini ka titullin e lartë shtetëror “Cavaliere al merito della Repubblica Italiana”.

E ndjeva disi për detyrë që t’i kushtoja këto radhë kolegut të paharrueshëm Italo Soncini, këtij njeriu të madh të profesionit tonë, teksa përveç të tjerave është njeriu i parë që “më njohu” në largësi me protagonisten e këtij tregimi që është Imelda Prennushi.Falë edhe Italo Soncini-t, kisha mbërritur kështu tek Imelda.

Dy herë kampione e Italisë në basketboll për femra me klubin “Ginnastica Triestina” të Triestes, më 1957 dhe 1958 dhe plot 6 ndeshje të saj me Kombëtaren e Italisë. Kjo do të thoshte se Imelda Prennushi (Prendushi) ishte njeriu i parë shqiptar që kishte arritur të bëhej kampione kombëtare e një shteti të tjetër. Por dhe njeriu i parë shqiptar që kishte arritur të ishte pjesë e një Kombëtareje sportive të një shteti tjetër. Doemos ishte diçka krejt e rrallë, madje e vetme në histori, unike, siç thuhet. E pse jo, edhe një nder për shqiptarësinë, ndonëse Imelda është kryekëput krijim dhe formim jo i sportit shqiptar, por i atij italian. Po a nuk janë krijime dhe formime të huaja, kushedi sa e sa shqiptarë të fushave të tjera, që nuk po i rreshtoj këtu? Dhe të cilët madje Shqipëria i ka nderuar, me tituj e dekorata, me emërtime institucionesh, vendesh e përkujtimesh?

Them se sidomos Shkodra sportive, dhe jo sportive, mund të krenohet edhe me Imelda Prennushi-n si bijë e një familjeje të shquar autoktone të saj që ia arriti të bëhej një basketbolliste europianiste, një nga basketbollistet më të shquara të një shteti tjetër, të madh, në këtë rast të Italisë.

“Njohja ime befasuese me shqiptaren – Kampione të Italisë, Imelda Prendushi”
I kisha folur kolegut Ahmet Shqarri për Imeldën e ai pa pasur mundësi për të bërë diçka, çuditej e kënaqej, ndërkaq pa i shkuar kurrë në mend se në mënyrën më të bujshme e krejt të rastësishme, do të ishte ai gazetari i parë që do të njihej sy më sy me Imelda Prennushi-n.Dhe mû në këtë çast, unë heq dorë prej fjalëve të mia dhe ia lë vendin tregimit befasues të Ahmet Shqarrit – gazetarit të vjetër e të famshëm tashmâ të Radio Tiranës. Tek është këtu tregimi i Shqarrit:

Nga AHMET SHQARRI
“Në fakt, rrënjët i ka shqiptare, me prindër shkodranë, ndërsa vetë është lindur e rritur në Itali, pikërisht në Trieste. Imelda Prenushi-t, sot 78 vjeçe, ashtu si mua këto ditë të para gushti, nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend, ashtu sikurse më tha kur u takuam, se dikush, ndonjëherë, aq më tepër nga Shqipëria, do të interesohej që të bisedonte me te për të shkruar rreth “jetës së saj të harruar sportive”! Ajo që më ndodhi atë pasdite vere ka qenë me të vërtetë diçka e paparashikueshme. Ishte dita e fundit e qëndrimit tim në Trieste, ku kisha shkuar për të pushuar tek ime bijë Kleitia, e martuar atje prej vitesh me Andrea Vengust.

Para se të merrja avionin për në Tiranë mendova që të kaloja pak kohë në një prej parqeve të gjelbëruar e të freskët të qytetit, kur në shëtitje e sipër, një zonjë e moshuar e shtatlartë që vinte përballë nesh, me sa duket, duke dëgjuar bisedën me time bijë, na përshëndeti me përzemërsi, ndërkohë që me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një zë të butë e të këndshëm na u drejtua me një shqipe interesante, me ca nuanca të veçanta e një timbër shumëngjyrësh që m’u duk se vinte prej kohësh të herëshme. “Më duket se jeni shqiptarë apo më banë veshët kur po flisnit”,- foli zonja që çuditërisht na doli se ishte pikërisht Imelda Prenushi, ajo për të cilën unë kisha pasur shumë dëshirë që ta njihja në ardhjet e mëparshme në Trieste, por pa e pasur asnjëherë mundësinë për t’u takuar me te.

Disa herë, kolegu dhe miku im i vjetër Besnik Dizdari, kur mësonte se do të shkoja në Trieste, këmbëngulte që unë të gjeja ndonjë mënyrë për t’u takuar atje me një shqiptare me emrin Imelda Prenushi, që sipas tij, (i cili e njeh historinë e sporteve si askush tjetër), na paskej qenë kampione e Italisë në basketboll për femra në vitet e largëta 50-të. Për ta bërë edhe më të domosdoshëm “gjurmimin” tim në Trieste, Dizdari e përforconte vlerën sportive të personazhit në fjalë, duke thënë se ajo na qenkish e para femër shqiptare që paska luajtur për përfaqë- suesen e një vendi tjetër, siç ishte në rastin konkret skuadra nacionale italiane. Natyrisht, të dhënat ishin mjaft intriguese për ta gjetur mundësinë e një takimi me këte kampione që ishte nga Shqipëria, por siç tregova më sipër, duhej të vinte ajo pasdite e gushtit që ne të takoheshim ashtu rastësisht në atë parkun e gjelbëruar e plot freski të Triestes, që ngjan si një ballkon mbi detin e thellë blu.

Sapo mësova mbiemrin e saj gjatë prezantimit, duke pasur parasysh edhe shtatlartësinë e saj, që pavarë- sisht nga mosha, ende binte në sy, menjëherë e pyeta se mos po flisnim me vetë kampionen e Italisë dhe lojtaren e dikurshme të përfaqësueses axure?!“Po, – m’u përgjigj”, – krejt e çuditur ajo, duke shtuar ndërkohë “se si kishte mundësi që një shqiptar ta dinte këte fakt, që sipas saj, edhe vetë e kishte harruar”?!Pastaj, sikur të ishim marrë vesh me kohë, u ulëm në të parin stol që kishim më pranë dhe për pak minuta, sepse nuk kisha shumë kohë për të qëndruar, ashtu me shpejtësi, pa pasur me vete asnjë gjë për të shkruar apo regjistruar, munda t’i bëja disa pyetje për të zhbiruar më shumë rreth jetës së saj, që ajo Imelda Prenushi, me kënaqësinë se isha i pari shqiptar që po e “intervistoja”, pranoi të më përgjigjej.

I gjithë rrëfimi i saj ishte një lloj malli për të kaluarën e saj të përzier me kujtimet për sportin kur ajo lulzonte si kampione e Italisë me ekipin triestin si dhe për prindërit dhe miqtë e shokët e shumtë që tashmë nuk jetonin. Dhe i shkëlqenin sytë kur kujtonte se që 13 vjeç ishte nderuar me një trofe që e ruante ende si gjë të çmuar, kur e kishin shpallur si lojtaren më të mirë të një turneu moshash. Pastaj kishin ardhur ndeshje të tjera edhe më të forta dhe më të vështira ku Imelda me shoqet e saj të ekipit ishin kurorë- zuar disa herë me titullin kampione të Italisë. Për të mbërritur deri tek ndeshjet ndërkombëtare me përfaqësuesen axure me të cilën luajti ndaj shumë vendeve si Jugosllavia, Polonia… e deri në finalet e një Europiani.

E martuar me Carlo Fait, një gazetar i hershëm i “Corriere della Sera”, autor i disa librave, njëri edhe për historinë e Shqipërisë(?!), Imelda solli në jetë katër vajza pa e ndjekur asnjëra prej tyre rrugën e saj në sport, por duke studiuar për mjekësi, arkitekturë dhe fusha të tjera, për të cilat ajo ndjehej krenare. I ati i saj Rroku, kishte mbërritur herët, andej nga fillimi i viteve 20-të, nga Shkodra e tij në Trieste ku ishte marrë në fillim me tregti, derisa më vonë arriti të bëhej edhe konsull i Shqipërisë atje. Imelda u lind dhe u rrit atje në Trieste me prindër shkodranë, për t’u bërë më vonë edhe kampione e Italisë në sportin e basketbollit.

Prej shumë e shumë vitesh, kampionia e dikurshme dhe titullare e formacionit axur, Imelda Prenushi jeton në Milano, por, siç tha ajo, Triesten nuk e harron kurrë, prandaj shkon atje çdo verë me të shoqin, për të kaluar pushimet, siç kishte bërë edhe tani, kur fati e solli që të takohesha me te.

Kaq ishte e gjitha, çka fola me te, dhe për t’mos harruar diçka nga ajo bisedë, sapo zura vend në avionin e linjës Trieste-Tiranë, menjëherë nisa t’i hedh në bllok ato që sapo i kisha përjetuar nga takimi me atë zonjë të nderuar, duke menduar se pas kësaj “historie”, Besnik Dizdari do të ketë më shumë mundësi që ta shkruajë më gjerë dhe më mirë vazhdimin e saj.
Trieste-Tiranë, gusht 2010

* * *

Kolegu Shqarri i shkruante këto mbresa të çmueshme duke më habitur tejet sa për befasinë e këtij takimi, si të rregulluar nga dora e Zotit, e sigurisht nuk do të rrinte pa më sjellë edhe numrin e telefonit të Imeldës.

Tash e kisha radhën unë…

… Tash e kisha radhën unë, falë numrit të telefonit të saj që më kishte sjellë Shqarri. I bie ziles dhe në fillim dëgjoj zërin e bashkëshortit të saj të nderuar, Claudio Fait, e mbas tij Imelda, me të cilën nga italishtja kalojmë në shqip. Këtu befasia ishte e madhe. Se si mund të ndodhte që një njeri, i cili nuk ka jetuar kurrë në Shkodër të fliste një shqipe asisoji, të një shkodranishteje qytetare të pagabueshme, vërtet ishte një mrekulli! Një e folun që të kujtonte zonjat e Shkodrës, të cilat mbasi dilnin nga mesha e së dielës prej Kishës së Fretënve, vërshonin në Piazza-n që ende ndriste, ashtu, të veshura si për festë, teksa vazhdonin bashkëbisedimin e tyre me të folmen që unë po dëgjoja përmes telefonit, prej Imelda Prennushi-t të Triestes.

Nuk mund të rrija pa e pyetur se si ishte e mundur kjo e folme pa jetuar asnjë ditë në Shkodër. “Mama ime, – më thotë, – shqipen e kam prej të folunës së mamës sime”. E dëgjoja dhe për një çast nuk arrija të përqendrohesha se si ishte e mundur që kjo shkodrane autentike me këtë të folun të linte përshtypjen si të ishte larguar po atë ditë nga Shkodra, edhe pse pa jetuar asnjë ditë në këtë qytet. Madje lindë, rritë e formuar në Itali, shkolluar atje, e formuar si sportiste atje, çka në thelb nuk ishte një shkodrane me të cilën unë po flisja për bukuri, por një intelektuale dhe basketbolliste e Kombëtares së Italisë!

I thashë qartë se dëshiroja të shkruaja për të.
Nuk e priste këtë dhe natyrisht në këtë moshë e quante gjithçka të arkivuar tashmâ dhe madje unë pata bindjen se me modestinë e saj të rrallë nuk kishte asnjë lloj ambicieje për tregime, shkrime apo vlerësime. Ndonëse papritmas, teksa do të gjurmoja, do të gjeja se tash së voni, kampioneshat basketbolliste të “Ginnastica Triestina” qenë mbledhur dhe kishin kujtuar tre titujt e tyre të viteve 1956, 1957, 1958. Do të gjeja madje një foto që po ia bashkëngjis këtij shkrimi, poshtë së cilës ishte kjo diçiturë: “Imelda Prennushi dhe Lina Nunzi po kujtojnë tre titujt kampionë ’56, ’57, ’58”. Për një çast të dukej një foto krejt “antike”, ndonëse gjithçka ishte njëkohësisht moderne, teksa kampioneshat e gati 60 vjetëve më parë, me mikrofon në dorë, të thinjura krejt, por ende shtatdrejtë si dikur, tregonin me një gjallëri gati rinore…

Do të ishte ndërkaq njohja me Paolo Muner-in në Panairin e Librit në Tiranë, saktësisht blerja prej meje e librit të tij me plot vlera “Shpnesa e Shqypnis – Shqiptarë të Trieshtit” – “La speranza dell’Albania – Albanesi di Trieste” në shqip dhe italisht, që personazhi i Imelda Prennushi-t t’i afrohej edhe më fort synimit tim për tregimin e plotë të kësaj historie të rrallë. Zotni Muner merr përsipër të kontaktojë përsëafërmi e tashmâ lidhja bëhet edhe më konkrete…

E, Paolo Muner, – oficer i Marinës Detare Italiane me shërbim për tri vjet në Shqipërinë e viteve ’90 – një triestin nobël, me qytetarinë dhe kulturën e tij i ka blatuar Shqipërisë tre libra të rrallë, botuar prej “Botime Jozef” të Durrësit, përmes të cilëve, si të thuash prej valëve të detit jetëson barkat e anijet e hershme ulqinake, durrsake e shkodrane, shkon te historia e flamurit të Shqipërisë dhe ia arrin të kalojë deri dhe te tema kësisoji të marrëdhënieve qytetare e kulturore Shqipëri – Itali të dy shekujve të shkuar e deri te ditët e sotme. Çka libri i mësipërm them se është një vepër dokumentuese krejt origjinale për kah tema i hulumtimeve të tij, ku me një përimtim prej historiani, ai zbulon thuajse gjithë Triesten mikpritëse të shqiptarëve. Shkruan Muner:

“…Natyrisht janë aty janë edhe Prenushët, po shkodranë, prej të cilëve të parët mbërritën vëllezërit Lazër e Rrok, ky i fundit edhe Konsull Nderi i Shqipërisë (nga 1934 deri më 1939)…

Merret me mend: kthimi mbrapa gjithnjë është i nevojshëm. Kujtoj se si pak mbas ndarjes nga jeta të babës sim Gani Dizdari, kur nëna ime, Kudret, tha: “Tash që vdiq Ganiu, erdhën ilaçet nga Prendushi i Triestes”.

Ka qenë 1956, vit i titullit të parë Kampion i Italisë e një shkodraneje të Triestes që quhej Imelda Prennushi, po në Shqipërinë Komuniste natyrisht vdisnin njerëzit edhe për mungesës të ilaçeve, çka megjithatë nuk mund të them se plotësisht i këtij rasti mund të ishte prindi im. Aq më tepër që përditë ai kishte te kryet kunatin e tij, dajën tim të paharrueshëm, fisnikun e madh të Shkodrës, Dr.Bahri Koplikun e famshëm (baba i zëvendëskryeministrit të mëparshëm të Shqipërisë, Bashkim Kopliku) emrin e të cilit mban sot Poliklinika e Shkodrës.

Them se ky Prennush i Triestes nuk mund të ishte dikush tjetër përveçse Rrok Prennushi, i ati i Imelda Prennushi-t. Nuk do të ketë qenë fort e lehtë me u lidhë asokohe me Prenushët në Trieste, por nevoja s’ka ligj. Baba im duhet të ketë pas miqësi me Rrok Prennushi-n. Aq më tepër që i gjej të dy si nxënës të Kolegjës Saveriane, në botimin e çmueshëm të librit për 50-vjetorin e kësaj shkolle. Madje, përveç rreshtimit në listën e 2691 nxënësve, botuesi i ka përfshirë të dy në kapitullin: “Vargu i ish kolegjarve qi u dane në shêj në jetën publike”, siç titullohet.

Dhe sot më duket një fakt krejt i pazakontë që midis 2691 nxënësve të 50 vjetëve të Kolegjit Saverian (1878-1928), gjej edhe 157 nxënës të familjeve të besimit islam. Kjo ka qenë Shkodra e një bashkëjetese shembullore fetare, madje mû në një kohë kur dy besimet ishin ndoshta në një kulm veçansie apo veçorie. Dhe është ndërkaq mjaft interesant fakti që ky 50-vjetor i vitit 1928 organizohej nën patronazhin e vetë Mbretit Zog, e kur ndër krerët më të parë të Komitetit të Nderit të këtij patronati jubilar të 50-vjetorit ishte as më shumë e as më pak, por edhe vetë Faik Konica i madh, përveç të tjerave ndër të parët nxënës të Kolegjës, qysh më 1884!

Shkruan Paolo Muner në librin e tij të sipërpërmendur:

“… Rrok Prennushi u lind më 1889 në Shkodër ku frekuentoi edhe Kolegjin Saverian. Më pas shkoi të plotësonte studimet në Vjenë ku u diplomua në ‘Handels und Gewerbe Museum’. Në Trieste ishte sipërmarrës i suksesshëm dhe kreu i një familjeje tejet të vlerësuar e të shumtë në numër. Vdiq në Trieste më 1971”.

Natyrisht heshtja do ta mbulonte ndarjen nga jeta të Rrok Prennushi-t në Shqipërinë e vitit 1971, edhe pse ai kishte qenë Konsulli i shquar i Shqipërisë në Trieste!…

Për konsullin Rrok Prennushi nuk hesht Ernest Koliqi

Rrok Prennushi është ndarë nga jeta më 15 janar 1971. Dhe merret me mend se nuk mund të heshtte Ernest Koliqi në të famshmen revistë të tij “Shêjzat”. Shkrimi i tij kushtuar lamtumirës së Rrok Prennushi-t, babës së Imeldës, është shembullor. Shembullor për kah besnikëria biografike, për kah stili po e po; e si në të zakonshmen e shkrimeve të tij, krejt i veçantë edhe për kah vlerat gjuhësore e deri në imtësinë aq të pasur të drejtshkrimit të gegnishtes moderne të një Koliqi. Në një vështrim madje, kjo nuk është mirëfilli një nekrologji, por përshkrimi, ndonëse i shpejtë i një jete të qytetarisë shqiptare në mërgim që mbërrin deri te marrëdhënie të ndërsjellta me emra të spikatun të kësaj qytetarie, me një Emzot Vinçenz Prennush, me një Mustafa Krujë, me një Shuk Gurakuq. Në fund të fundit, me një jetë tjetër që është ajo e diasporës apo e emigracionit të pasur e të larmishëm qytetar shqiptar, që për fat ende nuk njihet as sot në vendin âmë…

E gjej të botuar pra te “Shêjzat” Nr. 1-3, janar-mars 1971 shkrimin e Koliqit dhe po e ribotoj për herë të parë në shtypin e Shqipërisë, pa asnjë ndryshim a shkurtim, këtu në”Panorama Sport”-in e datuar 2016, që i thoshkan mbas bukur plot 45 vjetëve:


Rrok Prennushi ndrroi jetë

Nga ERNEST KOLIQI

“Me 15 kallënduer 1971 u ndá këso jete Rrok Prennushi, nji zotni shkodran i njoftun n’atdhé e përjashta. Mâ të shumtën e kohës Ai e kaloi në vend të huej, ku merrej me tregti. Por tue ndjekun traditën e tregtarvet shqiptarë mâ të ndritun, qi lanë gjurma në zhvillim përparimtar të vendit, tregtija nuk e pengonte, përkundrazi e nxitte, me përkrahë çdo nisjativë të dobishme për Shqipni. Ndiqte me kujdes nëpër fletore e të përkohëshme çdo ndodhje në lidhje me jetën shqiptare. Për disa vjet përfaqësoi në Trieshtë edhe Shtetin t’onë si konsul nderi. Trieshta qe vendi ku nguli banesën e vet dhe ku Ai njifej dhe ishte në të vërtetë si nji institucjon rreth të cilit vërtitej çdo punë përkitazi me Shqipni e Shqiptarë.

Rrok Prennushi lindi në Shkodër me 14 korrik 1889, ndoq shkollën fillore e institutin tregtar në Kolegjin zâmadh Saverjan. Me 1908 fitoi nji bursë studimi e shkoi në Vjenë ku u diplomue në Handels und Gewerbe Museum, shkollë tregtare në zâ e kryeqytetit austriak.

Si kreu studimet, i u shtrue punës me zéll në bashkëpunim me vëllán Lazër qi pat jetën e shkurtë. Përpjekja e pandërpréme, cilsit e rralla parapámjeje e mbarshtrimi,0 por sidomos ndershëmenija e përpikët, qi fitonte besimin e rretheve tregtare, e ndihmuen z.Rrokun për të zânë nji pozitë me randësi në Trieshtë, skelë deti ku zhvilloheshin shëndrrimet mallnash t’Adriatikut e t’Europës Qandrore. Zgjânim të madh muer veprimtarija tregtare e Tij edhe në qytetet kryesore të Shqipnis, të cilat shpesh pat rasë t’i vizitojë, i pritun kudo me sympathi të veçantë për natyrën e âmbël qi e dallonte.

Në Trieshtë pat si zyrtar të firmës së vet për do kohë edhe deputetin e njoftun Shuk Gurakuqin, nji ndër eskponenta politikë të Shkodrës e drejtuer i fletores “Ora e Maleve”. Shukun, intelektual në shêj si për ndjenja të flakta atdhetare ashtu për karakter moral të papërkulëshëm, Prennushi e mbajti pranë vetes në vjetët qi Ai kaloi në mërgim. Nëpërmjet Shukut u miqasue shum edhe me Mustafa Krujën, qi nga Zara shkonte shpesh në Trieshtë.

Me Rrok Prennushin zhduket nji ndër përfaqësuesa mâ autentikë shqipetarë qi themelojshin jetën në kultin e Perendis, të votrës shtëpijake e t’atdheut. Në Tê mishnohej esenca e vërtyteve tipike të rodit t’onë: urtija, nderi, burrnija, mikpritja. Fjala e Tij e peshueme e e matun siellte sqarim dhe fashitte shpirtnat në çdo takim e bisedim.

Atdhedashunin e kishte traditë në farefis. Ishte kushri i Emzot Vinçenz Prennushit, poetit e shkrimtarit të sqimët e muzikuer, qi nji fat tragjik kapërdini në lulëzim të fuqive krijimtare. Të gjitha nismet me qellim naltësimi kombtar, z. Rroku i përfilli e i përkrahi jo vetëm me mjete financjare por tue marrë pjesë gjallnisht në zhvillim të tyne e, kur mujte, edhe me pranin e vet dhe me orvatje vetanake. Nuk i a kursej mbështetjen kurrkuj. Ai qi trokllonte në derë të Tij gjênte ngushullim ndihmash dhe udhëzimesh e sidomos frymën miqsore qi nalton moralin.

Miqt e dashamirët e njohin nxehtësín e pashoqe të ndiesive të Tija familjare. Shembull Ai ishte si bashkëshort, si prind, si gjysh, si ilaká. Ndër festa, për Këshndella e për Pashkë, në vjetët e fundit rrethohej nga tuba e lumnueshme e farefisit. Flokbardhë, me buzë në gaz, tue mbajtë në prêhen nipat mâ të vogjël, qindronte në mes tyne dhe në fytyrë i reflektohej kënaqja e shpirtit. E ata të njoftun qi kishin fatin m’u gjetë pranë në këto mbledhje patriarkale, thithëshin n’atë ambjent âmen e traditave të shëndoshta shqiptare, frymën jetike të motit kur zjarrmi i votrës kishte nji kuptim dhe në krye të vendit plaku i shtëpis ngrehej, sidomos në vend të huej, si nji symbol i trashigimeve mâ bujare të kombit.

N’at atmosferë nipat e vogjël, tue e rrethue dashunisht gjyshin, ndikoheshin padashtë nga parimet e nderit qi Plaku fisnik përhapte rreth vetes. Sigurisht, kur të rriten e të burrnohen, ato përshtypje të thadrueme në kujtim ç’prej moshës mâ të njomë, do t’u vyejnë për me ecë pa shmangie në hullí qi i Ndiemi çeli e rrahi gjatë shtegtimit në kët shekull.

Përsjellja e përmotshëme në Trieshtë u krye me nderim të dalluem. Të njoftun triestinë adsistuen në salikime bashkë me kolonin shqiptare vèndase dhe me Shqiptarët e ardhun nga vise të tjera për t’i dhânë përshndetjen e fundme Mikut e bashkatdhetarit.

Drejtorija e Redaksija e Shêjzave, qi Rrok Prennushin e njehen ndër përkrahsa të vazhdueshëm të së përkohshmes, U paraqesin bashkshortes Zoja Luçi, të Bijve e së Bijës, nipave e mbesave dhe mbarë gjakut e gjinis, përjashta e n’atdhé, shprehjet mâ të gjalla e të ndieme përdhimbtimi, me urimin qi t’i përsjellin ndër gëzime mbas sodit”.

“Shêjzat”, Nr. 1-3, janar – mars 1971

* * *

Ky ishte konsulli Rrok Prennushi dhe Prennushët.

Vështroni tash një prej fotove të këtij kapitulli tonin. Do ta quaja “At Gjegj Fishta midis Prennushëve”. Qofsha i gabuar, por them se kjo mund të jetë ndër fotot e fundit e Fishtës para se të ndahej nga jeta. Kjo foto që ma dërgon shoku im i vjetër, i mirënjohuri Viktor Jubani – djali i tezes së Imelda Prennushi-t – i përket pra vitit 1940. Duket që është verë, çka do të thotë vetëm 4-5 muaj nga lamtumira e Fishtës (30 dhjetor 1940). Të pranishmit janë fotografuar në Bogën piktoreske të ajrit të pastër të Alpeve para shtëpisë së Zef Prennushit.

Këto kanë qenë familjet e Shkodrës, të vilave qytetëse rrethue me kopsht e bahçe po e po, por dhe të atyre alpine vetëm disa kilometra mbi Shkodër. Në foto, nga e majta, janë: Zef Shuli – daja i personazhes sonë Imelda – asokohe student në Trieste. Mbas tij është Gaper Ljarja – njeri i shquar i arsimit kombëtar. Mandej është Gjyljana Prennushi (Shuli) – bashkëshorte e Zef Prennushit dhe tezja e Imeldës. Mbas saj është shkrimtari ynë i madh Ernest Koliqi dhe mbas tij Zef Prennushi i zoti i shtëpisë – një ndër themeluesit e filatelisë shqiptare. Dhe, në mes të tyre, i ulur At Gjergj Fishta, “në bash të vendit”, siç do të thoshte vetë Patër Gjergji. Dy kolosë të letërsisë shqiptare të dy brezave të fillimit dhe vazhdimit të saj të Shekullit XX midis Prennushëve të Imeldës!

Shihni se si pleksen e zgjerohen ngjarjet kësisoj edhe kur në epiqendër mund të kesh sportin apo sportistët. Në jetën time profesionale gjithnjë jam përpjekur që këtë fushë të veprimtarisë njerëzore ta shoh në vetë jetësinë e kombit. Nuk është një origjinalitet, megjithatë. E kam mësuar prej të mëdhenjve të gazetarisë dhe historisë së kësaj fushe. Për fat në Shqipëri në të shumtën, ose me pak përjashtime, sporti çuditërisht ka qenë dhe vazhdon të jetë si diçka e veçuar prej jetës tjetër, si një lloj gjinie më vete – e i tillë është për kah origjinaliteti i tij – por ta konsiderosh atë kësisoj të veçuar apo të ndarë nga jeta dhe kultura tjetër shqiptare, është një gabim i madh. Këtu, mendoj se sporti shqiptar ka marrë një goditje deri te një nënvleftësim që vazhdon edhe sot.

Në rastin e këtij tregimi, prapë them se lexuesi e kupton se si një Imelda Prennushi e Triestes dhe e Shkodrës vetvetiu të ndihmon për të mbërritur tek ato vlera të historisë qytetare të familjeve të harruara shqiptare sot e kësaj dite, ndonëse ato bënë jo pak në nderim të emrit të Shqipërisë, qoftë nga afër, qoftë nga larg. Të mos rrêhemi. Shqipëria aspak ose shumë pak njeh sot jetën, veprimtarinë e mijëra e mijëra – e mund të mbërrijnë deri në qindramijë – të shqiptarëve që jetuan jashtë, shumica të anatemuar, sidomos gjatë regjimit komunist.

Më mbeti në mendje një libër me titullin “La Zedda e la Dinastia dei Balsidi” i autorit dalmatin Giuseppe Gelcich. Më kishte shpë- tuar fakti se ky libër i jashtëzakonshëm i 117 vjetëve më parë (1899) për të cilin nuk flet askush sot në Shqipëri, më 2009 ishte botuar në shqip prej Shtëpisë Botuese “55” të Tiranës, përkthyer nga Laura Leka, të cilën nuk e njoh, por që ia ka arritur ta japë në një shqipe të qartë e të rrjedhshme, ndonëse libri në origjinalin italisht nuk është aspak i lehtë për t’u përkthyer. Dhe me vetëm një vërejtje: nuk e kuptova përse ka mbet jashtë botimit faqja e pemës gjenealogjike të Balshajve, çka botimi origjinal në italisht e përmban. Pa e zgjatur, përveç shumë e shumë të tjerave të kësaj historie edhe shqiptare e shekujve XIV-XV, nënvizova fort këtë mendim me të cilin e mbyll librin e tij Guiseppe Gelcich, teksa përcakton si “një epokë fatale ajo që i takoi Shqipërisë mbas shekullit XIV”, çka, siç shkruan Gelcich, pra:

“… I detyroi mendjet më të mira (shqiptare) të merrnin rrugën e mërgimit përgjithmonë, për të kontribuar për t’u dhënë shkëlqim moral e material qyteteve të ndryshme të bregut dalmatin, ku shqiptarët gjetën mikpritje vëllazërore e të qëndrueshme, si dhe punë fisnike. Sa e sa familje që, sot e quajnë veten dalmatine, a nuk zbresin pikërisht nga të mërguarit e atyre kohëve! Sa e sa punë, që sot shumica i quan art dhe vepra dalmatine, nuk janë tjetër gjë veçse krijime e vepra të gjeniut dhe të mjeshtërisë shqiptare”.

Rrallë ndokush i ka bërë një nder kaq origjinal shqiptarësisë mërguese sa këto fjalë me të cilët mbyllet libri i Gelcich-ut.

IMELDA PRENNUSHI: një kombëtarase e shquar e Italisë nga Shkodra

E, Triesta është maja e bregut dalmatin.

Këtu hyn dhe historia jonë me Imelda Prennushi-n dhe familjen e saj. Dhe, në një botim italian, sot gjej për të këtë përkufizim lakonik:

“Prennushi Imelda

Lindur në Trieste më 23 prill 1932.

Ka luajtur përherë me klubin ‘Ginnastica Triestina’, duke u bërë kampione e Italisë me fanellën bardhekaltër në vitet kur ‘Ginnastica’ ftoi ‘scudetto’-t 1955-’56, 1956-’57 dhe 1957-’58.

Currculim-i i saj nën ‘azzurro’-t përfshin edhe 6 ndeshje me Kombëtaren e madhe: ka luajtur për herë të parë me të më 2 dhjetor 1958 në Udine në takimin me Poloninë; ndeshjen e fundit e ka zhvilluar me Kombëtaren më 6 qershor 1959 në Beograd kundër Jugosllavisë”.

Thjesht, qartë, si të thuash telegrafikisht.

Po a ishte kaq e thjeshtë dhe “telegrafike” jeta sportive e Imelda Rrok Prennushit?

Këtë, me të gjithë befasinat e ndodhura, do ta tregojmë edhe përmes kujtimeve të saj, në pjesën e tretë të këtij “romani” të një jete sportive…