Analizë:
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Për ta kuptuar këtë ndikim “Neo-Rus”, fillimisht duhet bërë një kërkim në internet për “NOVI INVEST”, se fjala është për Riinvestin e Isa Mustafës, pastaj kërkim edhe për: “INSAJDER.NET”, për “VREME”, “BIRN”, “SRPSKI INFORMATIVNI PORTAL EXPRESS”, “ŽIVOT U SRBIJI”, es humë të tjera të kësaj natyre, për të parë e për ta kuptuar më mirë rirreshtimin “Neo-Rus” në Kosovë, dhe sidomos për ta kuptuar ofensivën politike që po e bënë “LIDHJA.”, e Isa Mustafës, e cila ka për mision për t’ia shkatërruar LDK-së traditën e saj, ashtu siç e ka shkatërruar “Qendrën për Informim të Kosovës (QIK)”, për të cilën askush nga “Drugi Generacia”, nuk ka reaguar.
Ndërsa reagimet mediatike në rrjetet sociale, nuk janë gjë tjetër përveç rirreshtime Anti-Amerikane, të cila dita-ditës po e radikalizojnë veprimin e tyre në Kosovë. Tashmë duket se ky radikalizëm është në ofensivë, qoftë përmes incidenteve në media, sulmeve fizike, konfrontimeve fetare e sidomos të grupeve politike e parapolitike të cilat janë bërë të zhurmshme nëpër rrjetet sociale ku nuk lënë individ pa atakuar.
Në suaza të këtij konfiguracioni Anti-Amerikan duhet të shihen edhe sulmet e inskenuara kundër deputetëve dhe gazetarëve, e kjo bëhet kryesisht në mediat filoserbe të cilat i kanë dhënë zjarr konfliktit, vetëm sa për ta bartur vëmendjen e qytetarëve tek këto incidente, në mënyrë që misionin i “Neo-Rusve”, të realizohet sa më kollaj.
Në anën tjetër “LIDHJA.”, ka nis një fushatë denigruese dhe diskredituese kundër personalitetit të dr. Rugovës, e cila si platformë politike po shpaloset në këtë Fushatë Zgjedhore, në të cilën Isa Mustafa e ka eliminuar emrin e dr. Rugovës, emrin e familjes së tij si dhe emrat e figurave qendrore të LDK-së, pa të cilat kjo parti nuk ka më traditë e as vazhdimësi. Prandaj ky veprim kundër traditës së LDK-së, po materializohet si një fushatë edhe Anti-Amerikane, e cila prej sa vitesh është përpunuar. Kjo luftë speciale si duket ka nisur duke yshtur radikalizmin fetar, e më pas është bërë një fushatë për t’i denigruar figurat politike e historike, ndërsa kohëve të fundit këto zhvillime po manifestohen si një veprim Anti-Amerikan. Këto veprime duken se janë në ofensivë për ta shkatërruar Kosovën, dhe për t’ia pamundësuar Amerikës për ta realizuar platformën demokratike për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Lufta Anti-Amerikane ka marrë dimension të ri
Lufta Anti-Amerikane ka marrë dimension të ri, e cila fillimisht synon shkatërrimin e Kosovës, sidomos nëpërmes platformës politike “LIDHJA.” të Isa Mustafës, të cilin po e përkrah “Brezi i Republikës”, ose me sloganin e ri “Gjenerata e Dytë e LDK-së”, të cilët paskan ardhur në LDK me veprime antidemokratike, menjëherë pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, ndërsa “Gjenerata e Tretë”, duket se qenka katapultuar në LDK, pa qenë kurrë anëtarë të kësaj partie?!
Tashti këto klane s’bashku me Isa Mustafën, kanë que krye kundër dr. Ibrahim Rugovës, kundër elitës politike të LDK-së, kundër të gjithë atyre që me vite me radhë kanë vepruar në LDK. Jo vetëm Isa Mustafa por as Brezi i Republikës, as Gjenerata e Dytë, e as Gjenerata e Tretë, nuk kanë traditë në LDK, kjo gjeneratë është produkt i gabimeve të Fatmir Sejdiut, kurse pasojat e atyre veprimeve me Isa Mustafën kanë marrë përmasa shqetësuese.
Skenar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë
Se është një skenar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë kjo s’ka dyshim, prandaj si duket Isa Mustafa e ka kuptuar heshtjen e elektoratit dhe aktivistëve të LDK-së?! Reagimin qytetar, Isa Mustafa e ka provuar me Shkatërrimin Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), ku për fat të keq askush nuk ka reaguar, madje as mediat tjera nuk e kanë theksuar veprimin antidemokratik të kreut të LDK-së. Bashkë me shkatërrimin e QIK-ut, u përdhos edhe emri i Enver Malokut, drejtorit të kësaj qendre, i cili u pushkatua vetëm pse në QIK e materializonte postulatin e Pavarësisë së dr. Ibrahim Rugovës. Pas këtij shkatërrimi Isa Mustafa, iu vërsul dy degëve të LDK-së në diasporë dhe përmes tyre i shkatërroi dhe përjashtoi të gjithë familjarët e Heronjve të Kosovës. Edeh në këtë rast i strukturave të LDK-së ishte qyqar. Ka pasur reagime sporadike, por reagim i organizuar nuk ka pasur. Skenari i radhës ishte përjashtimi dhe eliminimi i familjes së dr. Ibrahim Rugovës, gjest ky që fillimisht u përkrah nga Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, kur ironizoi deri në shkallë poshtërimi vajzën adoleshente të Ibrahim Rugovës, Teutën e cila ishte për t’u krijuar institucionet e Kosovës të cilat më vonë u krijuan edhe pa votën e saj.
Tash Haxhi Avdyli me emrin e babës së saj krenohet, por nuk u dëgjua zëri i askujt pse po ndodh kështu?! E sikur dikush të tallej me vajzën e Haxhi Avdylit, ashtu siç veproi ai me Vajzën e dr. Ibrahim Rugovës, të gjithë “Neo-Ruset” do të qoheshin në këmbë. Për fat të keq as kësaj radhe askush nuk reagoi. Por ata që reaguan ishin fansa të Isa Mustafës të cilët me fjalët më të ulëta, dhe më të ndyta e kanë fyer bijën e dr. Rugovës, (shikojeni profilin në FB të Haxhi avdylit), e kjo bëhej nga ata që thirren në emrin e tij, ashtu siç po bëjnë deputetët që orkestruan demokraci të brendshme me emrin e Ibrahim Rugovës.
“LIDHJA:”, provokim i radhës
Lufta speciale e radhës do të jetë “Lidhja.”, për të cilën në fushatën zgjedhore në Lagjen Arbana në Prizren, deputetja Vjosa Osmani, të pranishmit i garantoi se LDK është “alternativa e pastër si loti?!”, përkatësisht ajo fjalën e kishte për “LIDHJA.”, të Isa Mustafës, për të cilin nuk tha asnjë fjalë të keqe, ashtu siç e ka lavdëruar prej sa kohësh Isa Mustafën, ajo e shpjegoi sloganin “LIDHJA” tepër palidhje dhe aspak profesionalisht, por tashmë shihet se ajo është bërë pjesë e skenarit dhe pjesë e strukturës së Isa Mustafës, për ta shkatërruar LDK-në, në kohën kur as ajo në fjalimin e saj nuk e përmendi askund dr. Ibrahim Rugovën?! Ky qëndrim është edhe ma shqetësues kur dihet se ajo pretendonte për Kryetare të LDK-së, ndërsa në rrjetet sociale vet udhëheq ose dirigjon persona për t’i bërë propagandë asaj dhe për t’i atakuar të gjithë ata që do ta kritikojnë.
Tashmë LDK, po shkon drejt zgjedhjeve të rëndësishëm për ta zgjidhur problemin se “LIDHJA.” do të jetë partia që ia shkatërroi traditën LDK-së, përjashtoi tërë strukturën intelektuale të LDK-së dhe përjashtoi nga sistemi gjeneratën e re e cila tashmë kompensohet me “muhaxhir e aradhacak në LDK”, të cilët janë servil të politikave të ndyta të Isa Mustafës dhe ka mision shkatërrues që po realizohet nëpërmes Vjosa Osmanit, Haxhi Avdylit, Lumir Abdixhikut, Driton Selmanajt, Avdullah Hotit, Naser Rugovës, Arban Abrashit, etj. të cilët po deklarohen se janë “Gjenerata e Dytë”, por mbështetja që po ia bëjnë Isa Mustafës, është tregues i qartë i qëndrimit të tyre politik.
Por do të ishte njerëzore që të tregojnë se para se të marrin poste politike nëse kanë qenë në struktura të LDK-së, prandaj edhe “Gjenerata e Dytë”, po bëhet qesharake pasi është anemike për ta luajtur rolin me dinjitet të një brezi që tashmë i mungon LDK-së.
Nëse ky brez, nuk është në gjendje t’i publikojnë të dhënat e tyre për bazën deleguese dhe kohën e veprimtarisë në strukturat e LDK-së, nuk e kuptojë se për çfarë demokracie po flasim?! Kurse përkrahja që i është bërë Isa Mustafës, i cili ka vetëm humbje dhe po zbaton një politikë eliminuese me metodat e inkuizicionit komunist, është pasqyrë e karakterit të tyre dhe një shkelje flagrante e procedurës demokratike për zgjedhje dhe avancime të brendshme politike.
Bandat e Isa Mustafës po i hakmerren LDK-së pse kjo parti ua shkatërroi LKJ-në
Tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë po përballet me bandën e Isa Mustafës, i cili fillimisht shkatërroi Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), dhe askush nuk bëzani, pastaj shkatërroi edhe dy Degët e LDK-së në Perëndim, vetëm pse këto dy degë ishin themeluese dhe iniciuese të Grupeve të para Ushtarake në Shqipëri, të cilat ma vonë përmes UÇK-së do ta shkatërrojnë Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe të krejt Serbisë.
Po ashtu këto dy Degë ishin bartëset kryesore të financave të Qeverisë së Kosovës në Ekzil, përkatësisht kontribuuese të Fondit të 3%, Huas Popullore, Fondit për Drenicën, Fondeve për arsim etj. para me të cilat është bërë i pasur Isa Mustafa. Edhe pse flitet e akuzohet për keqpërdorime, edhe pse televizionet në Kosovë ia faktojnë Terminalet Doganore, me sa dimë asnjë prokuror nuk ka nisur procedurë për hetime, madje as Prokurori i EULEX, ku është thënë se aktivist shqiptar nga Gjermania kanë bërë kallëzim penal kundër tij.
Pa asnjë dyshim lufta në Kosovë u fitua në saje të ndërhyrjes së NATO-s dhe Amerikës, prandaj gjithë kjo Luftë Speciale që po bëhet kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është një hakmarrje kundër Amerikës, pse LDK-ja e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë! Ndërsa Lufta Speciale kundër UÇK-së po bëhet si hakmarrje pse kjo Organizatë Ushtarake, e shkatërroi Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe atë të Serbisë. Lufta Speciale që po bëhet kundër dështimit të Shtetit të Kosovës është hakmarrje pse Kosova e dështoi Serbinë, kurse Lufta Speciale që po bëhet kundër Amerikës është hakmarrje pse Amerika shkatërroi Jugosllavinë e AVNOJ-it, dhe për ma shumë pse Amerika solli demokracinë në ish Republikat e Federatës Jugosllave dhe ndikoi drejtpërdrejt në pavarësinë e Kosovës në njërën anë, dhe në anën tjetër, Amerikës po i hakmerren pse ajo pengoi invazionin Rus në Ballkan.
Shërbimet që shkatërruan traditën politike e kulturore të Kosovës
Si duket prezenca e “Shërbimit Sekret Serb” në Kosovë është e fuqishme, andaj dalëngadalë në Kosovë po ndërton një platformë politike thellësisht Anti-Amerikane, e cila fillimisht nisi përmes vendeve arabe dhe Turqisë duke e radikalizuar Islamin Politik në Kosovë. Nuk ishte e rastësishme pse Kosovës ia shkatërruan traditën e saj gazetareske, duke shuar përgjithmonë gazetën “RILINDJA”, pastaj nuk ishte e rastësishme as shkatërrimi i “Radio Televizionit të Prishtinës”, dhe çdo element tjetër që shprehte traditë e kulturë në Kosovë.
Me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, skema politike e partisë u përça edhe më tej duke favorizuar Klanin RIINVEST që solli nëpër funksione politike e partiake njerëz pa qen kurrë anëtarë të LDK-së.
Këto veprime janë luftë për ta zhbërë LDK-në, e dalëngadalë për ta dështuar shtetin e Kosovës, dhe kjo bëhet sepse haptas shihet një luftë Anti-Amerikane, ndërsa “Neo-Ruset e Kosovës”, po e bëjnë atë që e bënin dikur Neo-Otomanet shqiptarë në kohën e Rilindjes Kombëtare. Edhe atëherë kur binte ndikimi i Perandorisë Otomane, grupe e shoqata të shqiptarëve të asaj kohe ishin rreshtuar pas “Otomanëve të Rinj”, të cilët edhe ata pretendonin për ta mbrojtur Perandorinë Otomane, siç po veprojnë struktura të caktuara në Kosovë, e në këtë konglomeratin “LIDHJA” janë prekur interesa të gjera, prandaj “LIDHJA” e ka pushtuar skemën e zgjedhjeve dhe atë mediatike në tërë Kosovën.
Pasojat e gabimeve të mëdha
Këto përpjekje për ta degjeneruar Lidhjen Demokratike të Kosovës, kanë dalë në pah, fill pas vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili ishte edhe kryetar i LDK-së, duke e materializuar këtë agresivitet në “Kuvendin e Karrigeve”. Kjo përçarje ishte rezultat i Fatmir Sejdiut, i cili mase 30% të elektoratit i largoi nga partia duke i detyruar që ta formojnë Partinë, e cila u reflektua në zgjedhjet e para, qofshin ato në nivelin lokal apo në atë qendror.
Veprimi i Fatmir Sejdiut, për ta larguar pjesën elite të intelektualëve ka vazhduar gjatë gjithë mandatit të tij. Janë gabimet e Fatmir Sejdiut kur solli “Riinvestin” në LDK, pastaj e solli edhe Partinë e dështuar të Veton Surroit “Ora”. Madje nuk u kënaq me hapje të derës, por i rehabilitoi nëpër poste politike dhe ato në presidencë, që janë pjesë e stafit politik që zakonisht duhet të dërgohen nga partia, por jo të merren nga rruga?!
Në atë kohë, këshilltarë të Presidentit Fatmir Sejdiut ishin: Isa Mustafa, Teuta Sahatçiu, Vjosa Osmani, Xhafer Tahiri, Korab Sejdiu, e ndonjë tjetër, e nëse edhe në kabinetet e tyre është shtrirë ky avaz, në planin politik, Presidenca e Fatmir Sejdiut, ishte një çervish pa përmbajtje. E them me përgjegjës të lartë, se përveç Naim Jerliut, asnjëri prej tyre nuk e kishin stazhin dhe karrierën e mjaftueshme në LDK, për tu nderuar, respektuar dhe avancuar në poste të larta politike. Sepse duke i rikthyer e rehabilituar edhe disa të tjerë, Fatmir Sejdiu, jo që pat bërë atak mbi LDK-në, por e pat zhvleftësuar rëndësinë e të qenit në LDK, sepse qysh atëherë lëndoi vullnetin e veprimtarëve të shumtë, të cilët LDK-së nuk i kanë munguar kurrë.
Një luftë e egër është zhvilluar nëpër Degët dhe strukturat e tjera të LDK-së
Kjo luftë e egër me kërcënime e shantazhe, edhe më e ashpër, është zhvilluar nëpër Degët e LDK-së ku kalëronin “Xhipat e Zi” dhe Njerëzit me Syze të Zeza të Bujar Bukoshit dhe bandat e Isa Mustafës, të cilët qysh atëherë synonin për ta marrë pushtetin, fillimisht nëpër Degët e LDK-së. E ma vonë do ta materializojnë me marrjen e KALAS NGA BRENDA.
Një luftë tjetër, gjatë asaj kohe, shumë e ashpër, është zhvilluar në eliminimin e kuadrit dhe të themeluesve të LDK-së. Në saje të Fatmir Sejdiut, është avancuar dhe i është besuar strukturimi i LDK-së, kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë Agim Veliut, i cili bashkë me Lutfi Hazirin dhe Ismet Beqirin, janë alfa dhe omega e shkatërrimit të LDK-së. Kjo treshe thellësisht analfabete, patën bërë masakër mbi shtresën intelektuale në LDK. Kujtoni se si u bë largimi i prof. dr. Rexhep Gjergjit dhe largimi i prof. dr. Zejnullah Rrahmanit nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e më vonë edhe nga strukturat tjera të partisë.
Pasojat e mentalitetit provincial u bartën në qeverisjen e Prishtinës
Me tu bërë kryetar i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka sjell në stafin teknik: Abdullah Hotin, Vlora Dumoshin, Arben Gashin, Arban Abrashin dhe shumë të tjerë, të cilët nuk kishin nevojë për përvojë dhe as librezë të partisë.
Më pas Fatmir Sejdiun, e tradhtuan pikërisht këta njerëz që ai i vendosi pa kriter dhe iu besoi poste të larta në LDK, në komunën e Prishtinës dhe në Presidencë. Është shoku i tij Isa Mustafa i cili ia përvetësoi Agim Veliun, Ismet Beqirin, Lutfi Hazirin dhe me të tjerët si Vjosa Osmani, Xhafer Tahiri nga Presidenca, do t’ia lehtësojnë mundësinë Isa Mustafës për ta marrë ai drejtimin e partisë. Tashmë nga LDK-ja, ngarkohen dhe shkarkohen pa kriter dhe jashtë çdo rregulle demokratike të gjithë ata që nuk i shkojnë përshtati Isa Mustafës. Në këtë luftë të klasave kanë pësuar prof. dr. Shpejtim Bulliqi, Adem Salihaj, Fatmir Rexhepi, dhe dy kryetarët e Degëve të LDK-së në Diasporë, Donikë Gërvalla për Gjermani dhe Shefqet Dibrani për Zvicër. Ndërsa nëpër Degët dhe Nëndegët e LDK-së, kudo nëpër Kosovë gjendja ka qenë edhe më tragjike.
Padyshim, njëri më kokëtulët është treguar Agim Veliu, i cili Degën e LDK-së në Llap e ka zhveshur e spastruar nga elita intelektuale, fillimisht prof. dr. Rexhep Gjergjin e prof. dr. Zejnullah Rrahmanin, pastaj eliminoi me tradhti prof. dr. Fatmir Sejdiun, kurse në vitin 2015/2016, e eliminoi edhe shkrimitarin Shefqet Dibrani, nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër.
Më duket se kupola e krimit politik që ka e ka bërë Agim Veliu në Llap, lidhet me emrin e prof. dr. Shpejtim Bulliqit, i cili si asnjë kandidat tjetër, veprimtarinë e tij e ka nisur qysh në Aktivin e Fshatit, pastaj ka vazhduar aktivitetin në Nëndegën e LDK-së në Lluzhan, e më pas edhe në Degën e LDK-së në Podujevë, duke u bërë kandidati më i votuar nga LDK-ja në atë Komunë. Prof. dr. Shpejtim Bulliqi, arriti të zgjidhet edhe anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, dhe arrin të bëhet edhe Deputet i Parlamentit të Kosovës, ndërsa në fushën profesionale dhe shkencore është padyshim njëri nga personalitetet më të shquara të Kosovës, arritje këto që si duket e paskan penguar Agim Veliun në Llap.
Intelektualët e Llapit janë diskriminuar nga Agim Veli
Padyshim më shumë se kudo tjetër, Intelektualët e Llapit, janë persekutuar nga Agim Veli. Cila ishte arsyeja dhe pse ka ndodhur gjithë ky përjashtim, persekutim dhe eliminim i intelektualëve të kësaj ane mund të flet vetëm Agim Veliu. Ky lloj eliminimi është parë e manifestuar edhe kundër prof. dr. Muahmet Hamitit, i cili ka shkuar në heshtje, dhe së fundmi si duket me skenarin e Agim Veliu bënë që edhe Akademik Sabri Hamiti, të eliminohet ashtu siç nuk duhej ta bënte LDK-ja kurrë, sepse Akademiku që nga lufta i bart pasojat e atentatit fizik mbi të.
Me këso metodash, si duket është eliminuar edhe Skënder Hyseni e Safet Zejnullahu, për ta shuar komplet elitën e themeluesve të LDK-së, e cila edhe më ashpër edhe më egër do të aplikohet kundër Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit, nëse këta do t’i humbin ndikimin e tyre në këto dy komuna.
Sigurisht Llapi ka edhe dhjetëra figura të tjera të rëndësishme të cilat unë nuk i njohë, por që kanë pësuar nga Despoti i Llapit, Agim Veliu, nuk ka dyshim. Tashmë kur autoriteti i tij ka rënë si dhe ndikimi i LDK-së në Llap është degraduar, Agim Veliu është dashur të mos bëjë aventura të tjera me elitën intelektuale, e cila Llapit i mungoi në hapjen e Fushatës Zgjedhore në Podujevë. Me sa duket alarmin i ndryshimeve po e tmerron Agim Veliun, sepse ka rrezik që elektorati do ta braktisë kësaj radhe, kurse udhëheqja e komunës, do të bartet tek partitë që drejtojnë pushtetin qendror, pasi llapjanët kanë kuptuar se interesi i tyre i përgjithshëm, për t’u zhvilluar kjo trevë i ka shanset ma të mira me ata që drejtojnë pushtetin qendror. Llapjanët nuk kanë asnjë arsye të të bien viktimë e konfliktit logjik në mes pushtetit lokal e atij qendror, për hesape të Agim Veliut.
Eliminimi i shtresës intelektuale dhe shkatërrimi i demokracisë së brendshme
Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, Isa Mustafa eliminoi nga lista një shtresë elite siç ishte prof. dr. Shpejtim Bulliqi, eliminoi Adem Salihajn në Ferizaj, Fatmir Rexhepin në Gjilan, si dhe dy Degët e LDK-së në Diasporë, ndërsa solli nga udha e nga “Riinvesti”, Lumir Abdixhikun e Driton Selmanajn, ndërsa me Vjosa Osmanin bëri spektakël psikologjik, në kohën kur më parë i kishte futur nënsqetullën e tij, Haxhi Avdylin e Naser Rugovën, duke ia bërë edhe një atak konceptit demokratik të LDK-së.
Këto veprime të Isa Mustafës, qeveria e tij dhe sidomos tërheqja taktike e tij nga bartësi i listës janë lavdëruar nga Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Naser Rugova, por në asnjë rast nuk është kritikuar veprimi i tij antidemokratik dhe mënyrat e eleminimit. Nga këta kandidat, por as nga të tjerët, nuk është kritikuar as koncepti i fushatës zgjedhore, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, në të cilat është eliminuar haptas Familja e dr. Ibrahim Rugovës, dhe nuk është kritikuar pse Isa Mustafa nuk e ka përmend emrin e dr. Ibrahim Rugovës.
Kështu haptas Isa Mustafa e bëri një test për ta parë se si elektorati i LDK-së do të reagoj me “LIDHJEN”, e cila e zvogëloi tej mase Logon e LDK-së, hoqi të gjithë posterët e dr. Rugovës, rralloi Flamujt partiak dhe atë të dr. Rugovës, i injoroi të gjitha familjet e personaliteteve të shquar të LDK-së.
Gjatë tërë fushatës sfondi i “LIDHJES” nuk u shoqërua me shenjën e LDK-së, por zgjodhën një ngjyrë përafruese me elementin serb e rus, gjë që le për të dyshuar se Misioni i Isa Mustafës, nuk është vetëm për shkatërrimin e LDK-së, por duket se ka qëllime Anti-Amerikane, të cilat nëse është kështu janë me pasoja të mëdha për të ardhmen jo vetëm të LDK-së, por të vet Kosovës.
Tashmë mund të thuhet se vota për “LIDHJA.”, nuk është vetëm votë kundër LDK-së dhe kundër dr. Rugovës e Familjes së tij, as nuk është votë vetëm sa me krijuar konflikt interesi në mes pushtetit lokal dhe atij qendror, por shihet se LIDHJA ka nis një Luftë të ashpër, kundër prezencës së Amerikës në Kosovë.
I gjithë ky dyshim mund për LIDHJA dhe Isa Mustafën, të mbulohet duke i parë sa janë ashpërsuar organizatat e caktuara, mediat e shumta dhe një infrastrukturë e gjerë e nëntokës e cila me çdo kusht po dëshirojnë që të dështojnë qeverisjet në Kosova.
*Autori është veprimtar i LDK-së që nga themelimi i saj!