NJË VIT MË PARË, PËR DITËLINDJEN E DRITËROIT…

0
1097

Nga: Murat Gecaj

Një vit më parë, pra pikërisht më datën 13 tetor 2016, Shkrimtari ynë i shquar, Dritëro Agolli kishte 85-vjetorin e ditëlindjes. Me atë rast, bashkë me mikun, Kaim Murtishi, i ardhur posaçërisht nga qyteti i Strugës,bëmë një vizitë urimi në shtëpinë e tij. Për këtë ngjarje dhe kujtim të paharruar, me Dritëoin dhe bashkëshorten, Sadijën, bëmë disa fotografi.

Më pas, publikova një skicë modeste, të cilën po e jap edhe tani, pas një viti, kur nuk e kemi më Dritëëroin, ndërmjet nesh. Por janë gjithnjë të gjalla, të paharruara, jeta dhe veprat e tij.

Tiranë, 13 tetor 2017

1.
Kur po i ngjisja shkallët e pallatit, ku jeton familjarisht Dritëro Agolli, bashkë me veteranin nga Struga, Kaim Murtishi, shumëçka sillja në mendje. Ndër të tjera, kujtova shumë vite të shkuara, kur isha student në degën e gjuhës e letërsisë shqipe, në Universitetin e Tiranës dhe vazhdoja të shkruaja në shtypin e kohës. Në atë periudhë, Dritëroi punonte në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”. Ai shfaqte hapur dashamirësinë e tij për të rinjtë, që bashkëpunonin me shtypin, por dhe që merreshin me krijimtarinë letrare. Më tej, vitet rodhën e rasti e solli që edhe unë të shërbeja në tri gazeta qendrore. Ndërsa Dritëroi botonte libra të bukur me poezi, pa harruar asnjëherë Devollin dhe arriti të drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Pa u zgjatur, shënoj këtu, se ishin këto njohje tonat, por dhe fakti që bashkëshortja e tij, Sadija kishte punuar në gazetën “Mësuesi” e unë në 22 vitet pasardhëse, që ne gjithnjë kemi mbajtur lidhje miqësore të pashkëputura. Bile, edhe kur shërbeva me rininë e kulturën në krahinën e vendlindjes, Malësi e Gjakovës (Tropojë), Dritëroi ka ardhur atje me shërbim, jemi takuar e kemi bashkëbiseduar. Ishte diçka e bukur, që ai i ka përkrahur gjithnjë poetët nga krahina jonë malore. Prandaj, mendoj se kisha arsye, kur kohë më pare, shkrova e botova skicën, me titullin domethënes:”Dritroi është edhe tropojan”. Ndërsa edhe në këta vitet e fundi, kur ai u rëndua ca nga gjendja shëndetësore, i kam shkuar për vizitë në shtëpi, gjithashtu, jemi takuar në veprimtari të ndryshme, ku ai ka qenë pjesëmarrës, si në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar e tjerë.

2.
Derën e shtëpisë së Dritëro Agollit e gjetëm të hapur, se hynin e dilnin vizitorë të shumtë. Aty na pritën me dashamirësi Sadija dhe bashkëshortja e djalit të tyre. Me kënaqësi vërejta që miku nga Struga, Kaim Murtishi kishte njohje të kahershme me ata, pasi u kishin shkuar në familjen e tyre, në atë qytet, për vizitë. Prandaj i kishte sjellë një dhuratë të posaçme e simbolike nga e shoqja, pra një tepsi me bakllava. Ai u shpreh: “Kam porosi prej gruas sime, Dritëro, që t’u sjellim urimin e bardhë për jetëgjatësi e shëndet të mirë dhe copën e parë të bakllavasë ta provoni, ju vetë në familje. Ndërsa, me të tjerat, t’i qerasni vizitorët, të cilët u vijnë për urim…”. Çifti Agolli e falënderoi atë përzemërsisht, për këtë dhuratë të bukur.

Pastaj, veterani i porsardhur i dorëzoi Dritëroit një “Mirënjohje”, dërguar nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit, në Strugë, me kryetar Nevzat Dokon. Pasi e përqafoi atë përzemërisht, me zë ia lexoi fjalët e shkruara aty: “Shkrimtarit dhe poetit të shquar, Dritëro Agolli, në 85-vjetorin e lindjes, i cili me veprën e tij letrare dhe me shembullin e jetës së vetë, i ka lartësuar virtytet dhe traditat atdhetare, liridashëse e demokratike të popullit shqiptar; u ka kënduar bukurisë së jetës dhe punës së njeriut të thjeshtë, bukurive të natyrës sonë; dashurisë e mirësisë dhe bashkimit të zemrave; drejtësisë shoqërore dhe fisnikërisë së shpirtit shqiptar, si një Naim Frashër i dytë”.

Pasi zhvilluam një bisedë të ngrohtë me Dritëroin e Sadijen dhe ngritëm dolli, me rastin e këtij përvjetori të shënuar, si për atë dhe familjen e tij, por dhe mbarë krijuesit e shoqërinë shqiptare, bashkë bëmë disa fotografi. Ato do të mbeten një kujtim i bukur dhe i paharruar për ne.

Me këtë rast, edhe një herë, e urojmë me gjithë zemër, njeriun e mirë dhe poetin e shkrimtarin e shquar të Kombit tonë, Dritëro Agolli, që të rrojë sa më gjatë e të ketë kurdoherë shëndet të plotë dhe mbarësi, në familjen e nderuar të tij!

(Tiranë, 13 tetor 2016)