Isak A H M E T I
Vëllimeve monografike për Fishtën të studiuesve si: Vehbi Bala, Pal Duka-Gjini, Xhavit Aliçkaj, Anton N. Berisha, Tonin Çobani etj., i është shtuar edhe studimi monografik: FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE, Brezi 81, Prishtinë, 2012, fq. 503, i studiuesit Bajram Kosumi Ky studim monografik për Fishtën, siç e thotë edhe vetë autori në Parathënie (fq. 15-22), krahason një poet madhor shqiptar, Gjergj Fishtën (1871-1940), megjithatë që ai vetë ka krahasuar traditën letrare shqiptare.
Ky studim krahasimtar, brenda trungut të letërsisë shqipe, bën të mundshëm shqyrtimin e poetikave, të figurave, të metrikës, të ligjërimit dhe të ideve poetike të një krijuesi, duke i ndjekur ato në tri kohë të ndryshme:
1. origjina apo e kaluara në raport me autorin;
2. autori i shqyrtuar apoe tashmja e autorit;
3. pasardhësit apo koha e ardhme në raport me autorin.
Në këtë trekëndësh kohësh, autori i shqyrtuar është qendra dhe pika e referimit, por e kaluara është pjesë thelbësore e tij, ndërsa e ardhmja është e ndryshueshme dhe individuale, nga autori në autor (fq. 15). Për më tepër, studimi monografik në fjalë, është një rreth i ri i studimeve historike letrare shqiptare.
Rrethi i parë ka qenë studimi i vetë veprës së autorëve tanë, i cili deri diku është kryer me sukses gjatë shekullit XX. Rrethi i dytë i studimeve është pikërisht shqyrtimi i shkallës së ndikimeve sipas teorisë së trekëndëshit kohor të autorit. Rrethi i tretë i studimeve do të ishte shqyrtimi i prurjeve në letërsinë shqipe nga letërsitë e huaja prej të cilave letërsia shqipe është ndikuar më shumë, si letërsia antike helene e romake, letërsia biblike, letërsitë evropiane dhe ajo ruse, letërsia turko-arabo-persiane etj. Vetëm pas shqyrtimit të letërsisë shqipe në këta tre rrathë, ne mund ta shkruajmë të plotë historinë e letërsisë shqipe-konstaton studiuesi (fq. 16-17).
FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE
Libri studimor: Fishta dhe tradita letrare shqiptare, e studiuesit në fjalë, hapet me një Parathënie (fq.15-22), që është mjaft përmbajtësore dhe shërben, si të thuash, si një VADE MECUM për leximin e librit dhe me një: Hyrje (fq. 23-27), ku autori – studiuesi me të drejtë konstaton se krahasimi kaq i gjerë, thelbësor, i tërësishëm dhe i përimtuar do mundësojë një gjykim të ri për veprën e Fishtës dhe për rolin e saj në historinë e letërsisë shqipe, në bazë të vetë elementeve, shfaqjeve, parimeve e të vlerave që ka kjo vepër.
Te kreu i parë: FISHTA DHE AUTORËT E VJETËR TË VERIUT, studiuesi, Bajram Kosumi,me një akribi shkencore, të veçantë, ka shqyrtuar dhe analizuar raportet e veprës së Fishtës me letërsinë e vjetër shqipe (fq.30-80), të vlerësuar si përkime apo ndikime,që janë de facto dëshmitë më të mëdha për kontinuitetin e letërsisë shqiptare që nga Buzuku e deri te romantizmi dhe për rolin ndikues të letërsisë së vjetër mbi Fishtën, vepra e të cilit është universale, madje në dy plane.
Në planin e parë, si tërësi, ajo është lirikë, epikë, satirikë dhe dramatikë, prandaj ajo është një gjithëpërfshirje e gjinive letrare. Në planin e dytë Lahuta e Malcis është një vepër universale për shqiptarin dhe levizjet e tij në shekullin XIX për krijimin e kombit të lirë e modern, në të gjitha aspektet: filozofike, morale, sociale, individuale, letrare etj. (fq.66).
Te kreu i dytë: FISHTA DHE SHKOLLA PROKLASIKE SHKODRANE (fq.82-126), me nënkapitujt si:
I. LETËRSIA E VERIUT DHE FRANÇESKANËT,
II. FISHTSHTA DHE SHKOLLA PROKLASIKE SHKODRANE, dhe
III. FISHTA DHE PASUESIT, studiuesi shtjellon, në mënyrë të thelluar, raportet (marrëdhëniet) e Fishtës me shkrimtarët e shkollës proklasike shkodrane, veçanërisht me rrethin e shkrimtarëve françeskanë, si në dimensionin marrës ashtu edhe në atë dhënës duke dhënë edhe vlerësime dhe gjykime përfubdimtare.
Në këtë kontekst, prandaj, studiuesi në fjalë nxjerr konstatimin se Fishta është ndikuar nga rrethi i shkrimtarëve proklasikë shkodranë në disa prej parimeve të përgjithshme krijuese, të cilat ai do t’i absorbojë, do t’i shndërrojë në vlera të veta dhe mbi to do të krijojë, për katërdhjetë vjet, letërsinë e tij. Me këta letrarë, ai ka të përbashkët vokacionin klasik, prirjen për letërsinë popullore, traditën e shkrimit të poezisë fetare dhe të poezisë satirike, temat e përjetshme në letërsi dhe frymën patriotike të letërsisë.
Te kreu i tretë: FISHTA DHE ROMANTIZMI (fq.128-231), me tre nënkapituj si:
I. MISIONI I LETËRSISË,
II. TEMATIKAT DHE MOTIVET, dhe
III. FORMAT POETIKE, FIGURACIONI POETIK DHE MODELI I SHKRIMIT, studiuesi shtjellon dhe studjon marrëdhëniet e veprës së Fishtës me letërsinë popullore dhe me romantizmin, që, sipas vlerësimit të tij, është më pjellorja.
Duke u marrë me shqyrtimin e pikëtakimeve apo dallimeve të Fishtës me romantikët shqiptarë, studiuesi, Bajram Kosumi, ka zbardhë dy çështje: së pari, përimtimin e mëtejmë të vlerave letrare, kulturore e estetike të veprës së Fishtës dhe, së dyti, gjetjen e përgjigjes në pyetjen se a është Fishta romantik dhe a është ndikuar prej romantikëve shqiptarë, përkatësisht se sa është ndikuar prej idealeve të Rilindjes Kombëtare? (fq.131).
Te kreu i katërt: FISHTA DHE LETËRSIA POPULLORE(fq.234-396), me nënkapitujt si:
I. VEPRA E FISHTËS DHE EPIKA POPULLORE,
II. KOHA,BOTA DHE HERONJT,
III POETIKA E FISHTËS DHE POETIKA POPULLIRE,
IV. MARRJE E DHËNIE TË VEPRËS SË FISHTËS ME LETËRSINË POPULLORE,
V. MITET NË VEPRËN E FISHTËS DHE MITOLOGJIA SHQIPTARE, studiuesi në fjalë, Bajram Kosumi, është marrë, në mënyrë mjaft të thelluar, me ndikimin e letërsisë popullore në veprën e Fishtës dhe në lidhje me këtë, konstaton: ndikimi i letërsisë popullore në veprën e Fishtës është i madh, i shumanshëm dhe i veçantë.
Është ndikim i madh, sepse qenëson në të gjitha strukturat poetike të Fishtës, si: në shprehjen poetike, në varg, në procedeun krijues, në motive e në temë, në idetë poetike, në strukturën e figurës poetike, etj. Është i shumanshëm, sepse, si ndikim, ka lënë vulën në të gjitha format poetike të Fishtës, në lirikë, në satirikë, bile edhe në tekstet dramatike, e më se shumti ka ndikuar në epin Lahuta e Malcis.
Është i shumanshëm edhe për faktin se Fishta është ndikuar prej të gjitha formave poetike të letërsisë popullore, po më se shumti prej epikës popullore dhe miteve e legjendave. Është i veçantë, sepse si te asnjë poet tjetër shqiptar, marrëdhënia e Fishtës me letërsinë popullore kapërcen kufinjtë e ndikimit. Ky kapërcim i kufijve të ndikimit, sipas studiuesit, nxjerr në dritë një shfaqje të re në letërsinë shqipe: marrjen e një teksti letrar të huaj dhe trupëzimin e tij në tekstin autorial (fq. 390-391)
Te kreu i pestë: KONCEPTET ESTETIKE TË FISHTËS DHE TRADITA E MENDIMIT ESTETIK SHQIPTAR (398-442), me nënkapitujt si:
I. SHKRIMI ESTETIK I FISHTËS,
II. KRAHASIME PËRGJITHËSUESE TË FISHTËS ME MENDIME TË TJERA ESTETIKE-KRITIKE, studiuesi analizon dhe shqyrton pikëpamjet estetike të Gjergj Fishtës duke i krahasuar ato me mendimin estetik të traditës, e në radhë të parë me nendimin estetik të Pjetër Bogdanit e të De Radës si dhe me mendimin kritik të Faik Konicës, bashkëkohës i Fishtës (fq.401).
Përveç kësaj, studimi në fjalë përmban edhe: Përfundimet e përgjithshme: Fishta dhe tradita letrare shqiptare (fq. 426-442), Rezymenë në gjuhën angleze, Bibliofrafinë kryesore të Gjergj Fishtës, të konsultuar enkas për këtë studim si dhe Bibliografia tjetër. Dhe krejt në fund le të konstatojmë se studimi monografik: FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE, është një kontribut i veçantë dhe i tej çmueshëm në fushën në fushën e studimeve fishtjane.