TË GJITHË MBURREMI ME VENDLINDJEN TONË…

0
963

Shkruan Rrahman Hyseni

E po, të gjithë mburremi me vendlindjen tonë, Medvegjën, edhe pse këtu ka familje shqiptare në këso kushtesh të rënda. A mund t’u rrimë në heshtje këtyre pamjeve që flasin vetë?!… A mund të rrimë duarkryq pa bërë asgjë për këta fëmijë bukuroshë?!…. Si mund të jetojnë këta dhe të rriten në këto kushte kaq të rënda?!… Janë këto pyetje, që vetvetiu parashtrohen, sapo të shkelësh në këtë truall. Tutje syri të vëren një shtëpi gjysmë të rrëzuar, e që urgjentisht duhet të bëhemi bashkë për ta shpëtuar këtë familje të rrezikuar nga shembja eventuale e mureve dhe e çatisë. Kjo familje rrezikohet edhe nga mungesa e gjërave më elementare për jetë.

Kjo situate e pavolitshme nuk mund të heshtet, por as të arsytohet. Familja e z. Bilall Jaha me tre fëmijë 7, 5 dhe 4 vjeç jeton edhe sot në shekullin XXI pa rrymë, me një tel të kyçur te një shtëpi e një fqinjit të tyre. Kështu, kjo familje me këta anëtarë jeton sot në mesin e Medvegjës në kushte shumë të rënda. E meqë koha sa vjen e bëhet më e ftohët, ne mendojmë se si do t’i bëjë ballë dimrit kjo familje me këta fëmijë, e aq më tepër kur kjo shtëpi rrezikon të rrëzohet e tëra nga çasti në çast. Këta vogëlushë të dëlirë kërkojnë me lotë në sy që sa e sa vite për një dhomë të sigurtë. Kjo është familja shqiptare në Medvegjë në shekullin 21. Kryefamiljari tjetër, Jahë Jaha, me një nënë të sëmurë në shtrat, pa rrugë, shtëpi e vjetruar në kushte tejet të vështira, nga shumë kërkesa që kishte, mendja i shkoi që të kërkojë të paktën dy shtretër për fëmijët 17, 10 dhe 8 vjeç.

B.Z në Svircë, pa shtëpi dhe kushte të rënda, M.J nga Kapiti, i sëmurë dhe me shëndet të rënduar dhe në kushte të renda, S.H nga Kapiti, me shtëpi të vjetruar, me shëndet jo të mire, mungesë edhe të gjërave më elementare, H.Z nga Llapashtica, me 4 fëmijë, në atë vend aq të bukur, pa të ardhura, pa asnjë kafshë shtëpiake. Të gjitha këto mungesa, sëmundje e çrregullime e bëjnë shumë të vështirë jetesën, edhe pse fëmijët janë të rritur nga 20 deri 8 vjet. H.M, Gërbac, pa shtëpi të vetën, pa rrymë në një shtëpi pothuajse të rrëzuar. Ne i shikuam për së afërmi dhe veçuam se mungojnë kushtet më elementare.

Prioritet i domisdoshëm është rregullimi i rrugës për Dukat, rruga për Gërbac, ku janë meremetuar 10 shtëpi dhe janë vizituar. Pothuajse tërë verën punohet, ku I.H. gjatë verës që kaloi mbi 3 ton fasule. Kjo tregon se mund të punohet, por rruga që të shpie lart është në gjendje të vështirë, e mbajtur nga ata banorë të paktë qe e vizitojnë here pas here.
Një përmbledhje e paktë, por me rastet dhe pamjet më të rënda. Ne duhet të bëjmë të pamundurën, shoqata, bisnese, njerëz të vullnetit të mire, politikanë e ju që ndjeni dhimbje për këta fëmijë, t’u ndihmojmë.

Falënderoj ato familje që pranuan që ne t’i vizitojmë, ku gjatë vizitës sonë, loti më ndërpreu shumë here, ngase dhimbja kaloi kufijtë, por mora guximin dhe inciativën që me bashkëkombasit e mi në Kosovë, diasporë, miq e shokë të bëhemi njëherë të gjithë bashkë ndaj kësaj dhimbjeje.

Falënderoj ata medvegjas që më dërguan derë më derë, meqë unë s’kisha njohuri për këto familje. Po ashtu falënderoj inciatorët në mërgatë për këtë ide. Këto nisma nga modestia e tyre s’do t’i publikojmë me emra, por janë të regjistruar në arkivën tonë.