Arben Çokaj
Timonieri i Rilindjes, Edi Rama, zgjodhi të punësojë 4 zv. ministra nga Kosova në qeverinë e tij. Kjo iniciativë duhet përshtëndetur, pavarësisht fasadës që shpesh politika e përdor si mjet në punën e saj.
Mendoj se kjo zgjedhje e Ramës do të shërbejë për mirë në disa plane. E para është shkrirja edhe më e akujve në mes elitave drejtuese të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që së bashku me heqjen e doganave e projekte të tjera politike dhe ekonomike mund të vijë duke na afruar më shumë, si dy pjesë të ndara të një kombi. Bashkëpunimi rrit kuptueshmërinë. E dyta, kjo mund të jetë mirë pasi shkëmbehet përvoja në qeverisje dhe synohet edhe për politika të përbashkëta, e kush më mirë se Shqipëria mund ta hedhë hapin e para në këtë drejtim? E treta, mund të jetë mirë, pasi 4 intelektualë të rinj nga Kosova marrin poste të rëndësishme në qeverinë shqiptare, dhe kjo është një vlerësim i mirë për ta dhe një farë shpërblimi për punën e tyre me shoqërinë civile në Kosovë, dhe në politikat e tyre përkrahëse më shumë për Vetëvendosjen e më gjerë. Gjithashtu është edhe vlerësim, një përvojë e mirë dhe pozitive për ta.
Por në këtë kontekst duhet parë që edhe qeveria e Kosovës të marrë njerëz të përgatitur nga Shqipëria, që të punojnë për qeverinë e Kosovës, që ta thyejë akullin e përjashtimit, që shumë kosovarë e bëjnë, ndër ta edhe këta katër zv. Ministrat në një rast reciprok, ngaqë e duan Kosovën më shumë se Shqipërinë, dhe mund të kishin dalë për vete kundër mundësisë, që njerëz të aftë nga Shqipëria të punësoheshin në këtë mënyrë në qeverinë e Kosovës. Dhe kjo kuptohet se ka edhe arsyet e veta në këtë shtet të ri, ku ka të punësuar më shumë serbë në qeveri e Kuvend, se sa shqiptarë nga Shqipëria…
Më kujtohet psh. reagimi histerik ndaj Alma Lamës, e cila edhe pse është e martuar në Kosovë, dhe ka nënshtetësi kosovare, edhe pse është zgjedhur me vota si deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo u sulmua me shpifje e gjuhë urrejtëse, kur mori postin e ambasadores. E pse duhej të ndodhte kjo? Vetëm se Alma vjen nga Shqipëria…
Hallet e kanë bërë popullin e Kosovës ta pranojë për drejtues më parë serbin se shqiptarin e Shqipërisë. E kjo vjen nga komplekset e inferioritetit, por edhe nga dukuri psiko-sociale të tjera, që i bëjnë disa njerëz në Kosovë të reagojnë mjaft egër kundër shqiptarëve të Shqipërisë, sidomos kur vjen puna, që ata të marrin ndonjë rol drejtues në institucionet e Kosovës. E kjo gjendje pra, duhet të ndryshojë… Prandaj në Shqipëri nuk pati reagime të ashpra kundër emërimeve të KM Ramna, pati më shumë mirëkuptim nga ne, e ngacmime si gjithnjë nga kujaxhinjtë e mediave shqiptare në Kosovë, që kujtojnë se i dinë të gjitha punët, pasi i marrin gjërat mëshumë me mend, si turqelitë… :p
Prandaj unë e mbështes në këtë rast zgjedhjen e KM Rama, sepse ne duhet të mbështesim çdo iniciativë, që i shërben afrimit ndër-shqiptar!