KRISTAQ TURTULLI
(Shënime udhëtimi)
1
Ditët e para të shtatorit, mot i ngrohtë dhe qielli është i kthjellët. Avioni u shkëput nga pista mori lartësi dhe u drejtua nga jug-perëndimi. Mbeti pas qyteti i madh i Torontos i përmbytur nga dritat, i katërti në Amerikën e veriut për nga popullsia.
Prej aeroportit u nisëm nga ora tetë e mbrëmjes. Ndenjësen e kam pranë dritares dhe kemi disa orë të natës që udhëtojmë me avion mbi re, por nuk më vjen për gjumë.
Më në fund nata e shkurtër iku, humbi pas reve të bardha. Midis lindjes dhe perëndimit, midis oqeanit Atlantik dhe oqeanit Paqësor ka tre orë diferencë. Fluturuam mbi tokë, mbi male, liqene, lumenj dhe fusha, jo mbi oqean siç më ndodh kur shkoj në vendlindje. Amerika është kontinent i madh.
Piloti na lajmëroi që po afroheshim drejt vendit të mbërritjes.
Udhëtimi ishte i qetë. Mbushem me frymë. Mbështes supin në anën e majtë të murit të shpendit metalik dhe ngre perden e dritares së avionit. Me kërshëri vështroj poshtë. Hapësirë toke e pamat. Ja, atje, me teren të thyer dhe gjelbërim të dendur, vreshta, agrume, të mbjella shtrihet Kalifornia, i quajtur ndryshe ‘Shteti i artë’, ose ‘Tokë e begatë e një fillimi të ri.’
E vizitoj për herë të parë këtë vend dhe, diku më në jug se këtu do përmbushet Amaneti i tim ati. Përgjatë fluturimit nuk vura pikë gjumë në sy. Kam udhëtuar natën edhe herë të tjera dhe jam përkundur e fjetur në ndenjëse e avionit si në djep. Por këtë herë është ndryshe, krejt ndryshe. Mendja ime është e mbërthyer nga kujtimet dhe nostalgjitë e viteve të shkuara e, mbi to qëndron AMANETI.
Amaneti. Respekti i kujtimit. Premtimi. Fjala e dhënë. Kushtimi i të parëve e ka shoqëruar shqiptarin në shekuj e shekuj. BESA aq e njohur e shqiptarit në botë. Janë ngritur legjenda, balada, gojëdhëna. Të gjitha këto për Njeriun kanë pasur identitet dhe do kenë identitet e kuptim të madh. Dikush mund të mbledhë buzët dhe ti duken të rëndomta, anakronike, të dala mode e të pyesë: Përse çani kryet për to, sa vlerë kanë, kur ne jemi në kohën e revolucioneve të mëdha të zhvillimit të shkencës, teknikës, kompjuterizimit, internetit? Hapja e kufijve dhe lëvizja e lirë në botë është një gjë e zakonshme e ditës. Rinia lë vendlindjen, lë vatrën e ngrohtë. Lë pleqtë në shtëpitë gjysmë të rrënuara, pa kthyer kokën prapa. Sidoqoftë, harrojmë, njerëzit dhe ngjarjet lëvizin, rrjedhin tmerrësisht shpejt. Ikin, nuk janë më, harrohen sikur nuk kanë qenë kurrë. Të gjitha zhvillimet, ngrehinat, sfumohen bëhen një Hiç. Pikërisht në këtë lëvizje të harbuar të njeriut duhet to ngrihet përsëri, është më se e domosdoshme: Amaneti. Respekti. Kujtimi. Besa. Fjala e dhënë. Premtimi. Sepse janë më të prekshme, më reale, më tokësore, më qiellore, shpirtërore dhe asnjëherë nuk tjetërsohen. Amaneti lëviz shpirtrat, gurët, shkëmbinjtë, shkul vitet dhe shekujt…
Jo rrallë e kam pyetur dhe e pyes veten, përse ne të gjallët jemi kaq të pakujdesshëm, ngatërrestarë, zhurmëtare, ziliqarë, hakmarrës, indiferentë, sikur do jetojmë gjithë jetën? Ne e dimë, por shumë shpejt harrojmë që jemi vizitorë tmerrësisht të përkohshëm. Çfarë është e rëndësishme për NJERIUN në këtë amulli mendimesh, vetëkënaqësish, etje e shfrenuar për tu pasuruar dhe shpërdoruar. Vrarë, humbjesh poshtërsish dhe pasigurish?! Janë miliona që kanë ikur prej Shqipërie dhe shumë nga fëmijët e tyre kanë harruar të flasin gjuhën e bukur shqipe, duke fajësuar politikën e sotme dhe mizerien e mëparshme. Pikërisht në shkëputjen prej vatanit, ikjes, për të gjetur më të qenësishmen. Duhet të kthejmë kokën prapa, të mbajmë të zgjuar, të pashuar atë që na lanë të parët; Amanetin dhe Besën…
Këto mendoj, zemra më rreh fort dhe endet në qiellin e lartë ku gjendet ngrehina e Amanetit akoma e parealizuar e tim ati…
Me qindra e mijëra herë gjatë jetës sime e kam përsëritur në mendje Amerikën dhe Kaliforninë, pa guxuar ta shprehja dhe biseduar me të tjerët, mbasi më priste ndëshkimi. Partia dhe sigurimi i shtetit të ndëshkonte ashpër vetëm ta shkoje nëpër mendje Amerikën dhe Kaliforninë. Propaganda e verbërisë dhe e së keqes e mbante të ndehur shpatën mbi popull. Natë e ditë, që nga mëngjesi në darkë shante shtetin e demokracisë, të mirëqenies. Amerikën na i paraqiste si një lubi, Sfinks i tmerrshëm ku ha njeriu njeriun.
Më kujtohet vite të shkuara, kur im atë strukej në kthinën më të largët të shtëpisë, hapte radion, puthiste veshin pranë altoparlantit, dëgjonte me ton fare të ulët zërin e Amerikës, zërin e së vërtetës. Por u ndruhej komshinjve, ngado përgjoheshim. Sigurimi i shtetit rreth nesh kishte vënë spiunë. Një mbrëmje teksa dëgjonte Zërin e Amerikës e pashë babanë të përlotur, kishte dëgjuar të vëllain, Llambin, të intervistuar nga Zërin e Amerikës dhe këngën e tij.
2
Si të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kalifornia është vendi i përparimit, shteti i lirisë, i së drejtës dhe demokracisë. Aq shumë e ëndërruar e dëshiruar e kërkuar, e shpresuar, e lakmuar nga miliona e miliona njerëz. Vetëm në vendin tim të vogël sa e sa veta janë vrarë prej diktaturës komuniste, arrestuar, burgosur, internuar, në përpjekje për të kaluar kufirin e rrethuar me tela me gjemba. Arratisur, ikur nga sytë këmbët prej ferrit komunist, për të mbërritur në këtë vend të begatë, ku lartohet e drejta dhe dinjiteti i njeriut, për ta shkelur, vizituar dhe jetuar aty.
Kalifornia është shteti më i madh për nga popullsia në Sh. B. A. Kalifornia quhet hambari i Amerikës dhe e treta për nga territori pas Alaskës dhe Teksasit.
Shteti i Kalifornisë kufizohet në perëndim nga Oqeani paqësor. Në lindje nga malet e Sierra Nevadës. Në veri- perëndim nga pyjet Redwood- Douglas dhe në juglindje nga Shkretëtira e Mojavës. Kalifornia është e mirënjohur nga koha e ngrohtë e ngjashme me klimën e detit Mesdhe. Ka temperaturë të lagësht në veri, të nxehtë në lindje, në shkretëtirë dhe dëborë në malet alpine.
Influenca dhe ekonomia e shtetit të Kalifornisë është më e madhe se shtetet e tjera të Amerikës, në kulturë e politikë, infrastrukturë. Kalifornia është origjina e industrisë së filmit, potenciali i saj botëror. 58% për qind e ekonomisë së shtetit është përqendruar në financë, shërbime të ndryshme, në internet, në personal kompjuter, teknologji, shkencë, agrikulturë, industri etj.
Kalifornia e pasur me male, kodra, ajër të freskët, plot diell, kaltërsi dhe dritë. Brigjet e tij përkëdhelen prej ujërave të kaltra të oqeanit Paqësor. Popullsia Kalifornia është 39. 250, 017 banorë. Pesë milion banorë më shumë nga Kanadaja, atdheu im i dytë, ku emigrova. Kanadaja është shteti i dytë në botë për nga hapësira pas Rusisë.
Shteti i Kalifornisë me qytetet e zhurmshme, të veçanta, mbresëlënëse, të ngritura anës bregdetit të pasur si rrallë gjetkë; San Francisko, Monterej, Pismo Beach, Santa Barbara, Santa Monika, San Diego, Los Angjelos, me të famshmet lagje Beberlli Hill dhe Malibu. Të intrigon emri i Hollivudit shkruar në të bardhë dhe lartuar në shpatin e malit. Hollivudi është qendra e zhvillimit, kulturës, modës e kinematografisë. Vendi ku janë mbledhur gjenitë, aktorët, regjisorët, skenaristët, këngëtarët e mëdhenj. Deri te Rialto, qytezë e vogël turistike ku jetoi dhe ndërroi jetë xhaxhai im, tenori i zë engjëll LLambi Turtulli.
Shqiptari mërgimtar për shekuj me radhë, nëpër balada e legjenda nga dëshirat e pamundura dhe dertet e pashuara për përmbushjen e amaneteve, përdori kuaj me krahë fluturuese. Të kaptonte male, në shi e në furtunë, për ta bërë legjendën dhe ëndrrën realitet, sikundër im atë që s’mundi. Tani, pas shumë e shumë vitesh, u rrëzuan muret ndarëse, u përmbysën sistemet diktatoriale dhe u hapën rrugët. Njeriu krijoi avionët të kapin qiejt dhe ta zbresin legjendën e baladën në tokë…
3
Djaloshi i talentuar i Korçës dhe përfaqësuesi i një prej familjeve fisnike, më të shquara tregtare dhe patriotike: Llambi Turtulli në vitin 1936 përfundoi me sukses studimet e larta për kanto në Rumani dhe Itali. Në përzgjedhjen e studentëve më të mirë të graduar nga viti akademik, dha koncerte në Francë, Paris, Itali, La Skala, Gjermani, Berlin, Austri, Vjenë e gjetkë. Këto koncerte u drejtuan nga dirigjentë të shquar. Fama e tij si këngëtar i talentuar u përhap në gjithë Evropën.
Mbas përfundimit të turneut në Evropë Llambi Turtulli u kthye me mall e dëshirë në mëmëdhe e dha koncert në kryeqytet dhe në disa qytete të Shqipërisë. Djaloshit këngëtar, me zë të ëmbël, nuk i pritej sa të shkonte në qytetin e vendlindjes, Korçë. Këndoi në qendër të qytetit, në krah i gjendej përmendorja e porsa ngritur e Luftëtarit të panjohur, simbol i përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Me shokët e fëmijërisë, u ngjit në kodrat e Shën Thanasit dhe këndoi serenada me kitarë:
Hëna po del, seç hënë, kjo magjike
Larg një kitarë ëmbël tingëllon,
Përhap ca nota shumë melankolike,
Dhe gjoni mbi një pemë ligjëron…
Gazetat e asaj kohe shkruanin me konsiderata të larta për këngëtarin e ri, tenorin Llambi Turtullin, këtë zë engjëll.
Shqiptarët e Amerikës me Fan. S. Nolin dhe Faik Konicën në krye i bënë ftesë Llambit të vinte dhe të jepte koncerte në qytetet e Çikagos, Bostonit, Detroit e kudo ku kishte shqiptarë mërgimtarë, të malluar për këngën dhe serenatën e ëmbël shqipe. Llambi e pranoi me shumë kënaqësi ftesën e të mërguarve. I hipi anijes dhe lundroi drejt botës së re, të panjohur, që quhej Amerikë.
Xhaxhai im LLambi Turtulli këndoi pa u lodhur këngë klasike dhe serenata të ëmbla korçare. U ngrohu zemrat e të mërguarve me muzikë, musht e zjarr shqiptarie. Këndoi dhe në teatrot më prestigjioze të këtyre qyteteve dhe u vlerësua lart nga shtypi i kohës për zërin e tij të veçantë dhe të bukur.
Por shumë shpejt e gjithë bota u përfshi nga flakët e luftës së dytë botërore dhe po merrte shumë jetë të pafajshme. Llambi Turtulli si bir i familjes fisnike korçare, veshi uniformën e ushtarit amerikan dhe shkoi vullnetar në vijën e parë të frontit të luftës. Luftoi dhe, me kërkesën e komandës së repartit ushtarak dha koncerte të ndryshme në zjarrin e luftës së madhe. Në pushimet e shkurtra, ku fushonin shokët e tij ushtarë të lodhur, të lënduar nga lufta me armikun.
Pas përfundimit të luftës së bashku me repartin e tij ushtarak u kthye në Amerikë. Por mendja dhe zemra i rrihte të kthehej në atdhe, pranë familjes së dashur, në qytetin e tij të lindjes, Korçë. Kishte mall për prindërit, vëllain, shokët, miqtë, rrugicat e kalldrëmta, kodrat me pemë e vreshta. Por në vendlindje kishin filluar të grumbulloheshin re të zeza, ishte bërë sekuestrimi i pasurive dhe lufta e klasave e po bënte kërdinë.
Me zemër të lënduar vazhdoi të këndonte dhe të jepte koncerte të ndryshme kudo ku kishte shqiptarë si të shkëmbente dhe të shkrinte mallin me ta.
Vite më vonë me ftesë e autoriteteve vendase e të mërgimtarëve shqiptarë që jetonin në treva e largëta të perëndimit, mori rrugën për në Kaliforninë e begatë. Ndalesa e parë ishte qyteti i San Franciskos…
4
Avioni u ul ngadalë në aeroportin e madh të San Franciskos. Ngarkuam valixhet në makinën e marrë me qira, hymë në autostradë dhe ngamë makinën drejt qendrës së qytetit, me pallate të larta, të xhamta.
San Francisko na pret me kohë të ngrohtë dhe qiell të kthjellët. San Francisko, një prej qyteteve më të rëndësishme të Kalifornisë, në qendër të qytetit lartohen gradaçielat e xhamta. Por shumë nga lagjet e qytetit janë ngritur në teren të thyer, me rrugë dhe shtëpi karakteristike. Të duket sikur shtëpitë dhe rrugët e qytetit u janë qepur, kacavjerrë me ngulm malit e kodrave përreth, duke krijuar një ansambël interesant me të përpjeta e tatëpjeta rrugësh dhe ndërtesash si rrallë gjetkë.
Makina vrapon në asfalt, ngjitet dhe zbret. Nga të dy anët gjithçka jeshilon prej fushave të pafundme me të mbjella, me vreshta, perime, agrume! Shatërvanët e ujit sjellin freski dhe vaditin të mbjellat.
Ja, më në fund makina ndalet në një nga hotelet e qytetit të bukur të San Franciskos, me dritare nga oqeani. Varka të madhësive të ndryshme, me vela të bardha shkasin mbi valët e buta. Kaltërsi e pafundme, përsipër një mjegull e lehtë e përhime.
San Francisko është një nga qytet më të rëndësishme të Kalifornisë, me port të madh dhe të fuqishëm. San Francisko si rrallë qytet në botë ka dhe disa emra të tjerë; “The city by the bay”, “Golden Gate City” “Frisco”, “SF”, “San Fran”, “Fog City”, dhe më e vjetra “The City that Knows How”, “Baghdad by the Bay”, “The Paris of the West”, Ndodh që qyteti quhet thjesht “The City.”
Sipas të dhënave, San Francisko u krijua me kolonizatorë nga Spanja më 29 qershor të vitit 1776. Në ‘Golden Gate’ Porta e artë, u krijua misioni San Francisko de Asis. Tani Golden Gate është kthyer në një park i madh nacional. Qendër e madhe turistike, ku nuk ke ku të parkosh makinën. Në një vend kryesor, lartohet ‘Tempulli i muzikës’. Nga të dy anët shtrihen ‘De Young muzeum, ‘Akademia e shkencës’, ‘Japoni Tea gardën, Konservatori i luleve,’’ Kopshti botanik.’
Një kuriozitet; aktori dhe regjisori i shquar Çarli Çaplini në këtë park xhiroi disa skena të dy prej filmave të tij.
Qyteti i San Franciskos ka dhe disa kopshte të tjera të rëndësishme si: ‘Kopshti i Shekspirit’, ‘Kopshti i trëndafilave’, etj. Me pak fjalë e gjithë San Franciskoja është një kopsht i bukur, madhështor në breg të Oqeanit Paqësor.
Teksa vizitoja gjithë këto Kopshte, njëri më i bukur se tjetri, njëherësh mu kujtua vendi im, Shqipëria, ne vetëm një kopsht botanik kemi, në kryeqytet, në Tiranë. Por dhe ky i ashtuquajturi Kopsht Botanik është katandisur si mos më keq.
Qyteti i San Franciskos ka një shtrirje natyrale të madhe bregdeti. Më shumë se dyzet skela, quhen ndryshe dhe ura bregëzimi, që zgjaten në thellësi, në oqean. Këto skela i dhanë zhvillim qytetit bregdetar. Këto skela kanë qenë pika nevralgjike, nyje lidhëse e botës me qytetin, me vaporët e furnizimit që vinin nga bota, me mallra dhe udhëtarë. Më e famshmja dhe më e madhja nga këto skela ka qenë dhe mbetet skela, ura e bregëzimit 39. Kjo skelë tashmë është kthyer në një qendër shumë tërheqëse turistike, me dyqane të shumta, restorante dhe akuarium, e vizituar nga turistët e shumtë nga e gjithë bota.
Në kokën e Skelës 39 nga ana e veriut dëgjuam klithma të thekshme, të çuditshme, të cilat na tërhoqën vëmendjen. U drejtuam për aty. Habitshëm pamë një mori të madhe luanësh deti, ne i quajmë foka, shtrirë në dërrasa, ngroheshin në diell. Një pjesë prej tyre lodronin, klithnin, hynin dhe dilnin nga uji.
Qyteti i San Franciskos për nga bukuria, veçantia, madhështia dhe ndërtimet karakteristike, të urave, të shtëpive e rrugëve, qysh në fillim të shekullit njëzet u quajt Parisi i perëndimit.
Urat madhështore që lidhin qytetin me rrethinat, si rrallë gjetkë në botë, njëra më e bukur se tjetra, të mahnitin me ndërtimet e tyre inxhinierike; Ura e San Francisco–Oakland Bay Bridge u hap në 1936, ndërsa Ura Golden Gate Bridge u hap në vitin 1937. Ndërsa në vitin 1939 u hap Ura Golden Gate International Exposition që lidhet me Ishullin e Thesarit. Ka qenë periudha kur ishulli Alcatraz, nga qendër ushtarake u kthye burg i sigurie të lartë. Në këtë burg të ndërtuar në ishull u mbajtën të burgosur mafiozët e gangsterët më të mëdhenj të Amerikës si Al Capone, dhe Robert Franklin Stroud.
E veçanta tjetër e këtij qyteti janë të përpjetat dhe tatëpjetat e rrugëve të San Franciskos: Të krijohet përshtypja sikur ky qytet i është kacavjerrë me ngulm kodrave dhe maleve që e rrethojnë. Kur zbret nëpër rrugë me makinë të duket sikur fluturon. Këto rrugë të pjerrëta më kujtuan rrugën e tatëpjetë të fëmijërisë së qytetit tim. Në dimër me dëborë kur vinte karroca e druve i shkarkonte poshtë, në rrugën kryesore. Ne hiqnin të zitë e ullirit, i ngarkonim drutë në torba dhe thasë, ngjitnim të përpjetën duke u mbajtur këmbë e duar deri në shtëpi.
Mëngjesin e parë në San Francisko u ngrita herët. Endej një mjegulle e lehtë e përhimë. Nuk më pritej sa të dilja në breg, të merrja ajër të freskët oqeani. U befasova, përpara meje nuk kishte ujë, por veç baltovinë. Ku shkoi uji i oqeanit? Vura dorën strehë mbi sy, uji gjendej larg. Për herë të parë në jetën time pashë aq pranë e magjishëm, tërheqjen e ujit prej bregut, ikjen dhjetëra e dhjetëra metra larg. Më ngjau një largimin e trishtuar i ujit. Gjigandi oqean ishte larguar prej bregut duke zbuluar pëqinjtë, lënë pas baltë, mbetje, gurë si alga prehistorike. Mora një kafe, u ula në bisht dhe prita me durim, kur uji filloi të shkiste ngadalë, të afrohej, të merrte tokë, të shkonte në vendin e mëparshëm, asnjë centimetër më tepër…
Batica dhe zbatica. Për herë të parë mësova për Baticën e Zbaticën prej rrëfimeve të David Koperfildit të madhit Çarls Dikens.
5
Nuk do kthehesha në qytetin Gjiri i Monterej (Monterey Bay) Po të mos kujtohesha se dikur kisha lexuar një letër, në të cilën LLambi i shkruante babait:
’Vëlla i dashur, shkova në qytetin Gjiri i Monterej dhe takova një mik të nderuar, shkrimtarin e madh Jon Steinberkun. U darkuam dhe kënduan së bashku.’
Ky takim kishte ndodhur në fillim të viteve 60. Shkrimtari i njohur Jon Steinberk u vlerësua me çmimin nobël me novelën e bukur: ‘Punishtja e konservave’ Cannery Row. Kjo novelë e bëri qytetin Gjiri i Monterej të njohur në gjithë botën dhe të pavdekshëm. Monumenti për nder të shkrimtarit Jon Steinberk dhe personazheve të tij është derdhur në bronc. Vendosur në qendër të qytetit të vjetër të Monterej, rrethohet nga tetë figura të tjera, të ndërtuara me art e mjeshtëri; njërëz të thjeshtë, peshkatarë, punonjëse të konservimit të peshkut, pleq. Ky monument vlerëson karakteret e ndryshme që kishte skalitur shkrimtari Jon Steinberk në librin e tij: ‘Punishtja e konservave’ Cannery Row.
Gjiri i Monterej është një nga parqet nacionale më të rralla nën ujore në Amerikë dhe në botë. Zgjatet 50 kilometra, mbulon një sipërfaqe prej 700 mijë kilometra katrore dhe ka një varietet të larmishëm të specieve ujore që përfshin 26 specie gjitarë si balenat, 345 specie peshq. Katër lloje të ndryshëm breshkash dhe 31 specie jo vertebrore dhe qindra specie bimore.
Monterej është e njohur për konservimin e peshkut. Dikur ka qenë kryeqytet i Alfa Kalifornia nën Spanjë dhe Meksiko. Në vitin 1846 u bë pjesë e Amerikës dhe një gji i rëndësishëm.
Fjetëm një natë në një nga hotelet atij qyteti mbresëlënës dhe të nesërmen në mëngjes u nisëm drejt qytetit bregdetar të Santa Barbara.
6
Qyteti bregdetar Santa Barbara është me fytyrë nga jugu dhe shtrihet ndërmjet maleve të thella të Santa Shën Inezit dhe Oqeanit Paqësor. Santa Barbara është një nga seksionet më të gjata të plazhit në bregdetin perëndimor të Amerikës. Është i veçantë nga mënyra e ndërtimit të shtëpive, ku janë gërshetuar kulturat amerikane me atë spanjolle. Në çdo stinë të vitit qyteti bregdetar me klimë të lakmueshme, të ngrohtë frekuentohet mjaft nga turistët e huaj dhe vendas. Santa Barbara është e njohur e për vreshtari dhe verën e shijshme të tavolinës.
Siç mësova vonë : Xhaxhai im LLambi Turtulli, me dëshirën e gruas së tij aktores së shquar Fern. J. Turtulli nderuar në Hollivud në vitin 1949 me Ammy Awords, çmim të lartë për film televiziv shumë të suksesshëm në atë kohë, qëndruan disa muaj në qytetin e Santa Barbarës. Të dy së bashku shkuan vizituan dhe Old Mision të Santa Barbaras, kishën e vjetër dhe, Llambi këndoi në atë kishë. U habit nga akustika e mrekullueshme e kishës dhe përcjellja e valëzuar e zërit. Pranë tyre u afrua murgu Agustin. E falënderoi LLambin për këngën dhe e përgëzoi për zërin e bukur. Xhaxhai ia tha përshtypjen e tij për akustikën dhe përcjelljen e zërit. Murgu Agustin buzëqeshi lehtë dhe u përgjigj:
‘Zotëri i nderuar, ju falënderoj, por më lejoni tu them; se arkitektura e ndërtimit të kishës sonë Old Misionit u bazua në dhjetë librat e arkitekturës së shkruar nga arkitekti romak Vitruvius rreth 27 para erës sonë.’
Në sheshin përpara kishës Misioni i vjetër lartohet është një shatërvan i bukur, i gdhendur në gur, me ujë të kthjellët, sjell freski, e ndërtuar në vitin 1808.
Misioni i Santa Barbara është një nga misionet më të vjetra në Amerikë krijuar dhe ndërtuar mbi një lartësi nga françeskanët spanjollë rreth viteve 1786- 1790. Në të majtë të kishës shtrihet kopshti meditativ i ullinjve. Ngjan si labirint. Në çdo qoshe është pikturuar në gur udha e bërë e Krishtit drejt kryqëzimit. Kopshti, në mënyrën e gjetjes dhe të ndërtimit të shtyn instinktivisht në shtegun çlodhës e meditues.
Nismëtar për ndërtimin e këtij misioni ka qenë Padre Junipero Serra. Ky mision qëndron si një dëshmi e gjallë e kontributit të françeskaneve në historinë e zhvillimit ët shtetit të Kalifornisë.
7
Afro gjysmë shekulli kanë kaluar kur tim ati vdekja ia mori gojën, por luftoi, mos e jepte jetën pa lanë amanetin. Kërkoi laps dhe letër. Me mundim, me germa të shtrembra shkroi: LLa, M, K, P, V.., e të tjera germa të pa deshifruara. Vështrimi i tij i mugët brodhi mbi ne, të mbledhur rreth tij. Qëndroi, e nguli shikimin te unë, që gjendesha te këmbët e tij, më i vogli i familjes, mes katër vëllezërve dhe dy motrave. U mpiva. Lëmsh i madh mu mblodh në grykë. Im atë s’e shkëputi shikim nga unë. Më bëri me shenjë të afrohesha më pranë, ti gjendesha në krah. Më lëshoi në duar, ngadalë, copën e letrës. S’ ma ndau shikimin, lëvizi buzët e thara. Mu bë sikur dëgjova:
‘I vogli im, a më premton për kryerjen e një Amaneti? Hë. Më premto dhe, mos harro..! Një lot i madh u rrokullis në fytyrën e tij të rrëgjuar, i ra në jastëk. Mu duk sikur i gjithë jastëku u qull. Im atë u shtriq, mbylli sytë.
Pulita qepallat u mata t’i thosha:
‘Babait, pse pikërisht unë, më u vogli i familjes? Të tjerët janë më të mëdhenj në moshë, më të pjekur, më të sprovuar në jetë?! A mundem! Xhaxhai është larg, shumë larg, në Amerikë, matanë kësaj bote.’
Nuk pata kohë të hamendësohesha, babai dha shpirt, iku, u bë frymë. Fleta e babait më përvëlonte duart. Disa prej inicialeve ishin për vëllain e tij Llambi Turtulli, këngëtarin, tenorin e mrekullueshëm. Im atë më kishte treguar për persekutimin, peripecitë e jetës, të familjes Turtulli. Për vëllain e dashur LLambi Turtulli dhe thyerjen e pllakave të gramafonit prej bastisjeve të sigurimit të shtetit. Por dhe unë edhe pse i mitur i ndjeva mbi shpinë thonjtë e mprehtë plot helm të persekutimit.
Shikimi i lëngshëm e ngulmues më depërtoi thellë në shpirt, koka më shungulloi. Kur isha fëmijë më tregonte për vëllain LLambi. Dhe kur përfundonte më thoshte:
‘Mos i harro këto që të thashë, vëri vëth në vesh, dëgjon?
‘Dëgjoj,’ i thosha.
‘Nuk i dihet si rrjedh jeta,’ dhe shtonte, ‘vjen një ditë e vdes ky dreq komunizëm. Në këtë botë asnjë sistem s’ është i përjetshëm’.
Por si mundet?! Si?! Ne gjendeshim në vorbullën e tmerrshme të ashpërsimit të luftës së klasave dhe luftës së eliminimet brenda llojit. Ishte gusht i viti 1976, kishin dalë gjithë ato grupe anti parti, dhjetëra dënime me pushkatim, ministra, gjeneralë dhe qindra arrestime…
Dikur xhaxhai im LLambi Turtulli donte të kthehej në vendlindje, plasi lufta e dytë botërore. Rrugët u mbyllën. Mbaroi lufta. Filloi lufta e klasave, kufiri u rrethua me tela me gjemba. Llambi vinte deri në Itali, të takonte njerëzit e dashur. Nuk e lejonin të hynte në mëmëdhe. LLambi ndërroi jetë tre vjet pas babait. Të dy ikën prej kësaj bote pa u parë kurrë…
Përpara se të merrja rrugën e kurbetit shkova te varri i prindërve. Mu bë sikur rasa e varrit u drodh dhe dëgjova zërin e thellë të tim ati:
‘Mos harro premtimin bir! Kështu erdhi puna, nuk e takova dot. Por një tufë me lule e pret nga ti im vëlla: Llambi Turtulli.
Tenori dramatik shqiptar Llambi Turtulli
8
Vitet rrjedhin pa u ndjerë në dhe të huaj në Kanada, në pështjelljen e pandalshme të ditëve, javëve, muajve dhe viteve, por Amaneti i tim ati herë pas herë më oshtinte në veshë, s’më linte të qetë. Ndërkohë para disa vitesh dhe rastësisht u lidha në internet me studiuesin, krijuesin e talentuar dhe zemërartë Timo Mërkuri.
Jo pa qëllim po përcjell një fragment të shkëputur nga libri i tij: ‘VAJZA E VALËVE’ të botuar së fundi që bën fjalë për xhaxhain tim Llambi Turtulli:
Emrin e Llambi Turtullit e kam dëgjuar për herë të parë, në rininë time, nga im atë.
Familja e tim eti, duke qenë një familje blegtorësh shtegtonin shpesh në zonën e Korçës dhe im atë, atëherë djalë gjashtëmbëdhjetëvjeçar, kishte patur rastin ta dëgjonte koncertin e dhënë nga Llambi Turtulli, dhe Jorgjia Truja në vitin 1932, në kinema Majestic. Për hir të së vërtetës duhet të them se, interesimi i tim eti dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij për këtë koncert, lidhej vetëm me emrin e Llambi Turtullit. Dhe ky emër, dhe emri i Tefta Tashkos) ishte i dashur për familjen e tim eti, jo aqë për artin që ai përfaqësonte si tenor modern, (sepse duhet të pranoj se të kënduarit e Llambi Turtullit ishte pak larg shijeve tradicionale të tim eti) , se sa për faktin se ishte një nga shokët e Neço Muko Himarjotit dhe të Andrea Balës. Veç faktit të një miqësie tradicionale me familjen e Andrea Balës, gruaja e të cilit, Fllorina, u bë vite më vonë, nuna ime, emri dhe zëri i Llambi Turtullit kishte hyrë në familjet bregdetase nëpërmjet pllakave të incizuara nga Grupi i Neço Mukos në Firmën PATHE në Paris. Nga ato pllaka, dilte një zë engjëlli…që e dëgjonin pa marrë frymë, në shtëpitë e bregdetit. Duhet të theksoj se ato incizime ishin si një tërmet në botën e thjeshtë të barinjve dhe detarëve bregdetas dhe emrat e këngëtarëve, si dhe këngët e tyre i dinin përmendësh në të gjitha familjet bregdetase. Kjo qe arsyeja që dhe im atë, një djalë i ri, i mori 1 lek të atit, (aq kushtonte bileta) dhe zbriti në Korçë, të shikonte këtë zë engjëll, që aq shumë herë e kishte dëgjuar në ato pllaka të bekuara, ardhur nga Parisi dritëshumë… Dhe na fliste e na fliste pa pushim, mua, si dhe gruas së Andrea Balës e vajzave të tij, nëpër vizitat e shpeshta që i bënim, për atë shfaqje dhe për atë engjëll, por interesimi im për këto dëshmi, fatkeqësisht, atëherë ishte shumë i vogël. Ishte koha kur në fantazinë time ndrinin më shumë sytë e gjimnazisteve sesa kujtimet, qofshin ato të brilanta, të tim ati.
Interesimi im lindi vetëm kur u njoha me përbërjen e grupit të Neço Mukos, në kuadrin e studimeve të mia isopolifonike. Por ishte vonë. Im atë nuk ishte më, që të më jepte edhe njëherë dëshmitë e tij. Gruaja e Andrea Balës kishte ikur shumë më shpejt, duke marrë me vete brengën e një jete plot përndjekje e peripeci, me gjyqe, burgje e sekuestrime. Dhe ja, befas, në një gazetë në 15.09.2010, nën titullin kuptimplotë “Shpërthyesit e ‘32” lexova për atë shfaqje, që aqë shumë ma kishte përmendur im atë. Lexova për duartrokitjet e pambarim që publiku u dhuroi artistëve, bijtë Korçës kulturë shumë. Dhe nisa të kërkoj për Llambi Turtullin, zërin e të cilit pata rastin ta dëgjoj edhe unë në një nga disqet e incizuara në ato vite të largëta, në Paris. Kështu, duke kërkuar, u njoha me nipin e tij, Kristaq Turtulli, me banim në Kanada, nëpërmjet faqes së gazetës “Fjala e Lirë”, bashkëpunëtorë të së cilës jemi të dy.
Kërkesës sime për të dhëna dhe foto të Llambi Turtullit, ju përgjigj me një dashamirësi, që mua më tronditi me përmbajtjen e saj, sepse më dëshmoi që pothuaj të gjithë
autorët e këtij monumenti famoz të artit shqiptar, patën gatitë njëjtin fat. Vuajtje, persekutime, injorime nga një regjim injorant.
Ja se ç’më shkruan në e mailin e parë Kristaq Turtulli për xhaxhanë, tenorin e madh, pinjolli i një fisi atdhetarësh:
“Përshëndetje Timo Mërkuri. Të falënderoj për përshtypjet, mirësinë dhe interesimin për xhaxhanë tim, Llambi Turtulli. Ai ka qënë një tenor i mrekullueshëm, ka kënduar këngë dhe ka dhënë koncerte me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën dhe me të talentuarin Neço Muko, i cili vdiq i ri.
Llambi ka dhënë koncerte…në Evropë edhe në Amerikë, në Boston Detroit Kaliforni e gjetkë. Ne i kishim të gjitha pllakat e gramafonit të incizuara me këngët e Llambit, por nga bastisjet dhe kontrollet e herë pas hershme të sigurimit të shtetit, për ironi të fatit, u thyen u shpërdoruan dhe u flakën në kosh. (ato pllaka që qenë historia dhe lavdia e artit shqiptar. Shen imi T.M.) Kur unë doja të bëja diçka, nuk gjeta asnjë gjurmë dhe më vjen shumë keq se kanë humbur vlera, jo vetëm për xhaxhanë tim Llambi, por për vlerat e kulturës Shqiptare, sepse artistët nuk i përkasin vetëm familjes, por kulturës së një kombi.
… Me respekt
Kristaq Turtulli”
Ndërsa emaili i dytë ishte plot me të dhëna konkrete të cilat po ja vë në dispozicion edhe lexuesit të kësaj gazete:
“I nderuar miku im Timo! Të përshëndes dhe të uroj gjithë të mirat. Të falënderoj edhe njëherë për interesimin, Juve në veçanti dhe të gjithë anëtarët e nderuar të grupit…. U përpoqa të gjeja disa nga materialet që më kërkove për xhaxhanë tim Llambi Turtulli dhe të cilat menjëherë po t’i dërgoj. Në fotografinë e parë është familja ime, gjyshja dhe roli aktiviteti i saj në shërbim të çështjes kombëtare. Pa futur këtu Mihal Turtullin*, firmonjësin e (Aktit) pavarësisë dhe Thoma Turtullin, Filantropin më të madh shqiptar, i cili i fali Korçës Tre pika kyçe, e bëri Korçën qytet me mendim perëndimor, Liceun, Spitalin, Bibliotekën, Shtëpinë e jetimoren, si dhe ndihma të mëdha për shkolla dhe kisha etj. Fill mbas ikjes në Amerikë e pas një aktiviteti dhe suksesi të bujshëm, në fillim të pranverës të vitit 1939 , vendosi të vinte në Shqipëri, preu dhe biletën, por ndërkohë, Italia fashiste pushtoi atdheun dhe u bë e pamundur ardhja. Ai kish mall për prindërit dhe familjen, por lufta e preu në mes ( mundësinë e takimit). Kur u çlirua Shqipëria, i dërgoi një letër babait dhe i tha se do bëjë përpjekje të vij unë në atdhe ose t’ju marr dhe juve këtej në Amerikë. Për fat të keq marrëdhëniet e shtetit të ri shqiptar me Amerikën po acaroheshin dhe ne ishim ne tehun e luftës së klasave. Babai i shkruan letër Llambit: Mos mendo asnjë nga këto. Ti qëndro atje ku je dhe fati jonë është të qëndrojmë këtu, sepse nuk është ashtu siç kujton ti. Na kishin shpronësuar dhe na morën të gjitha ato që kishim dhe na hodhën në kullat e hirit me rrobat e trupit… Rrodhën vitet, ne kaluam nën kalvarin e persekucionit dhe na i shkatërruan të gjitha ato që ruante me zjarr im atë për të vëllanë. Llambi kërkoi disa herë me radhë të vinte për vizitë në Shqipëri por nuk i jepej e drejta dhe nuk i kthehej asnjë përgjigje. Im atë vdiq më gusht të vitit 1976 dhe nuk e pa të vëllanë. Llambi Turtulli vdiq më 10 qershor të vitit 1979, tre vjet mbas vdekjes se babait. I zhuritur për mallin e familjes dhe të atdheut, që ai i këndoi me aq zjarr dhe dashuri. Kjo është me pak fjalë fati i njeriut të artit dhe i xhaxhait tim, këngëtarit të shquar LLAMBI TURTULLI. Nuk e di sa munda të bëj në kujtim të xhaxhait tim, artistit të madh, që nuk u përmend kurrë nga sistemi komunist.
Me respekt Kristaq Turtulli”
I botova të dy këto e maile, të cilat japin të plotë palcën biografike dhe fatin e artistit Llambi Turtulli.
Nuk e di se ç’të shtoj tjetër mbi këto radhë. T’u them që nëna, Dhoksi dhe babai i tij, Nisi, shtëpinë e tyre e kishin kthyer në një bazë të çetës së Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit e Sali Butkës? Apo të shënoj faktin që vëllai i Llambit, Petraqi qysh në moshën 17 vjeç inkuadrohet në çetën komite të Themistokli Gërmenjit? Të them që mësimet e para në muzikë i mori në Konservatorin e Bukureshtit apo të shtoj që mësimet e para në të kënduar i mori nga mjeshtri me famë botërore, Toskanini? Mos doni të dini që më 1928 hyri në Konservatorin e Milanos, (prej nga edhe u thirr nga Neço Muko Himarjoti për incizime në Paris, ku edhe shkoi) dhe që u diplomua në 1936?
Shfaqjen e parë e dha në teatrin Puçini, në Milano ku këndoi në operën e famshme “Kavaleria Rostiacana”, në 1930 në Budapest këndoi për tre muaj rresht në operat “Luçia dë Lamermour”, “Toska” dhe “La Bohema”, në Lugano të Zvicrës, më 1935 këndoi në 12 koncerte rresht, ku ishin mbledhur figurat më të shquara të kulturës botërore, në Boston në 1937 dha çfaqje të pareshtura në skenat më prestigjioze etj etj. Edhe unë shumë pak di për këtë artist, bile- bile, nga këto e maile mësova se Llambi nuk u rikthye dot në Atdhe, duke u endur si refugjat nëpër botë, por duke ngritur lart emrin dhe lavdinë e Atdheut të tij, për të cilin aqë shumë ka bërë fisi i tij dhe ai vetë dhe që disa pushtetarë ja ndaluan kthimin në të. Më mirë po shtoj disa paragrafë të artikullit “Shpërthyesit e ‘32” botuar në Gazetën e Korëës më 12 tetor 1932 dhe ribotuar në një gazetë tjetër më 15.09.2010. ku shkruhet:
-E mërkura e 14 shtatorit 1932 ka hyre ne historinë e muzikës shqiptare. Ne kinemanë Mezhestik te Korçës mbahet koncerti i pare artistik prej shqiptarëve nga një grup artistesh profesionistë që do te pushtonin shtypin e kohës. Mos harroni Te mërkurën me 14 shtator ne cinema Mezhestik jepet Koncerti i Artistëve Shqiptarë i organizuar prej shoqatës sportive Krahinore për shoqërinë sportiv. Skënderbeu.
Ky ishte koncerti i parë klasik që bëhej ne Korçë por edhe në Shqipëri prej artistëve shqiptarë. Dhe kjo u shënua me shkronja të zeza në afishet njoftuese. Katër artistë profesionistë që vinin nga studimet jashtë vendit, formuar për muzikë, sopranoja Gjeorgjie Filce, që e njohim me emrin Jorgjie Truja, pianistja Lola Aleksi, tenori dramatik Llambi Turtulli dhe violinisti Thoma Bezhani hyjnë në histori, pasi njihet si fillimi i artit profesional shqiptar me grupin e artistëve lirikë që dhanë koncertin e së mërkurës së 14 shtatorit, i pari me artistë profesionistë me tendencat për të treguar për herë të parë muzikën e kultivuar përmes një romance shqiptare.…dhe romanca “Për se nuk më do më” nga akti i tretë i veprës Turandot të Pucinit, u interpretua nga studenti, tenori dramatik Llambi Turtulli.
. ..Romanca e tij (Kristo Konos, kënduar prej Llambi Turtullit) “O i mjeri Bilbil” pothuaj u përfshi në komentet e gjithë shtypit të kohës, pasi për herë të parë muzika shqiptare po shfaqej e kultivuar përmes
MBAN MËND.
Disku 44017
Këndon: Llambi TurtulliMban mënd një natë në kinema
Në errësirë krah për krah
E jashtë kur duallëm si më the
Për dashurinë më bëre be
Kurdo që ndodhem në atë vend
Më vijnë një nga një në mënd
E qaj me lotë. Në këtë botë.
Ku është? Ku vate ajo kohë!
Ta dije dhimbjen që kam brenda në zemër (Refr)
Pikon gjithë gjak e katran, në veten time qaj
Fjalën se mbajte që the, dole e pabesë
Të rreme ato që the dhe beja e rreme qe.
E ç’domethënë pra që të rroj
Kur jetën me lotë e shkoj
Kur një i neveritur jam
E ndonjë shpresë nuk kam
Kur zemra ska qetësi
Po helme plot hidhësi
Ah! Kjo gjëndje, me këtë dhimbje
As nuk shkon as nuk ndryshon.SHKODRA*
Disku 44020
Teksti: N. Muko
Këndon: Llambi TurtulliBrodha Shqipërinë e duke vajtur në veri
Pashë një qytet me tepër bukuri
Rreth e rreth me male e kodra
Me lum e liqen
Një kënaqësi
Të fort’ njeriu ndjen.
Kopshte shumë e fusha të mëdha
Kush i pa keto e nuk i tha:
Oh, Shkodër e bukur
Pamjen tënde magjike poetike
Do ta kujtoj.
Oh Shkodër e bukur
Plot me shpresa, kujtime, dëfrime
Që s’i harroj.
Me vajza plot, si ujë i ftoht
Që mëndja të qëndron
Me liri e gjallëri
Me shije e fantazi
O, Shkodër e bukur
Shijen e djalërisë
Njeriu aty kupton.
* Shoqëron Piano dhe dy Violi.ËNDRRAT
Këndon: Llambi TurtulliHëna po del, seç hënë, kjo magjike
Larg një kitarë ëmbël tingëllon
Përhap ca nota shumë melankolike
Dhe gjoni mbi një pemë ligjëron
Por ti je brenda, mbyllur rri dhe vuan
E dhimbje të ashpëra natë e ditë heq
Se ëndrrat e tua një mëngjes u shuan
Dhe pate një zgjim shumë të keq.
Po kush në botë nuk ka shpresa (Refr)
Kush s’bën pallate dhe ndërtesa
Për disa sy të dashuruar
Për disa buzë, disa duar.
Kush nga të rinjt’ ska puthur faqe
Kush nuk ka dashur manushaqe
Kush është ai që nuk gënjehet
Dhe kush nuk pret dhe ëndërron.
Në këtë natë, natë pranverore
Zemra ime që dëshirë ndjen
Të dilje ti njëherë në dritore
Natyrën të shikoje që shkëlqen.
Mos u dëshpëro, atë mendim pra nxirre
Se bota s’ka qëndrim po rrotullon
Dhe ëndrrat janë një lumturi ngaherë
Sa rron njeriu, gjithnjë shpreson.
E falënderoj nga zemra studiuesin Timo Mërkuri për studimin e tij dinjitoz dhe shumë të lavdëruar në librin:’ VAJZA E VALËVE’. Për evidentimin e vlerave të këngëtarit të mirënjohur LLambi Turtulli, që sistemi komunist qëllimisht nuk e përmendi kurrë…
9
Qyteti i famshëm Los Angjelos më magjepsi. Shtrihet në jug të Kalifornisë. Bregdeti i pafund i pastër, i rrallë, rëra si flori, ku verojnë, çlodhen plazhistët e ardhur nga e gjithë bota. Pamje e rrallë, nga një anë Oqeani Paqësor i pafund, madhështor, që vezullon prej rrezeve të ngrohta diellore dhe pas tij tutje në sfond malet e larta me dëborë.
Emri i dytë i Los Angjelos është ‘Qyteti i Engjëjve’. I dyti për nga popullsia pas Nju Jorkut, me rreth 4 milion banorë. Me gjithë rrethinat shkon deri në 18. 7 milion. Zona e Los Angjelos, tok me Long Beach është e njohur për klimë të ngrohtë mesdhetare.
Los Angjelos për herë të parë u zbulua për Spanjën nga portugezi Joan Rodrigea Kabrillo në vitin 1542. Los Angjelos është shtëpia e Hollivudit dhe qendra më e madhe e industrisë se reklamës në botë. Dobly Teatër është qendra ku jepen çmimet Akademike dhe aktivitete të tjera të rëndësishme. Por njëherësh këtu ka dhe disa qendra të tjera si: ‘Los Angjelos muzic center’ ‘Los Agjelos Philarmonia’, ‘ Los Angjelos Opera’, etj. Këtu janë tre nga studiot më të mëdha filmike: ‘Paramaunt Pikture, ‘20 Centëry Foks’ dhe ‘Universal Picture’. Ky qytet ka rreth 840 muzeume dhe Galeri Arti. Pra ka Muzeume dhe Galeri Arti më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Beverly Hill, në zemër të qytetit, aq shumë e njohur dhe e përfolur në botë; me bukuri të rrallë, luksoze, befasuese, intriguese, e veçantë, enigmatike. Rrethuar me pemë të larta, ku kanë jetuar dhe jetojnë aktorët më të mëdhenj. Gjithashtu ndër të veçantat është Malibu, me shtëpitë e bukura, karakteristike, me veranda të hapura përballë ujit, të ndërtuara buzë bregut të oqeanit të duket sikur dremit anës bregdetit.
Santa Monika shtrihet në jug të Kalifornisë dhe është pjesë e qytetit të Los Angjelos, por njëherësh e qytet më vete, një qendër e rëndësishme plazhi. Skela e Santa Monikës që shtrihet në oqean është mjaft e njohur, si një qendër turistike, argëtimi, çlodhje, me dyqane, restorante etj. Për nga bukuria Santa Monika qetësia dhe çlodhja, përbën një kapitull më vete, të veçantë. Perëndimi i diellit në plazhin e madh dhe të pafund të këtij qyteti është një e papritur e rrallë, të lë pa frymë nga bukuria dhe përsosmëria e ngjyrave, të kuqërremë, në ohër të fortë, në ngjyrë të verdhë vezulluese. Rëra e kuqërremtë shtyhet drejt ujit dhe të duket sikur valëzon, me tone dhe intonacione që rrallë i ndesh në jetë. Përnjëherësh të bëhet sikur sheh vajzën magjike të valëve, që humbet, tretet në sfond. Këtë perëndim dielli të mahnitshëm e ndoqëm që nga skela e madhe e Santa Monikës.
Në qytetin e famshëm të Los Angjelos u nderua me çmim të madh dhe gruaja e xhaxhait tim LLambi, Fern, J Turtulli më 1949.
10
Sipas hartës qyteti Rialto, ku jetoi për vite me radhë dhe ku ndërroi jetë xhaxha Lambi Turtulli së bashku me gruan e tij Fern. J. Turtulli është rreth dy orë e gjysmë larg nga Los Angjelos. Moti është i nxehtë dhe ne u nisëm në mëngjes herët për aty. Hymë në autostradë, makina vrapon, nga një anë shtrihet oqeani i pafund dhe nga ana tjetër fusha jeshilon dhe vaditet prej shatërvanëve të ujit që sjellin freski deri te ne. Morën në të djathtë drejt perëndimit. U ndalëm një copë herë për tu furnizuar me karburant dhe blerë kafe. Me vete mora dhe një kopje nga romani im i përkthyer në gjuhën angleze: ‘The inn with two doors,’ për t’ia dhuruar kryetarit të bashkisë së Rialtoas dhe për të mësuar informacion më të hollësishëm për jetën e vdekjen e xhaxha LLambi Turtullit.
Ndërtesa e bashkisë ishte një godinë e re njëkatëshe me tulla të kuqe, por që ish e mbyllur. Unë u habita mbasi qe ditë e premte. Kështu që mbetej e vetja mbështetje për informacion, biblioteka ose kisha. Për ndihmesën e punonjëses fjalë ëmbël Lara së bibliotekës dhe respekt të kujtimit të xhaxhait, i dhurova bibliotekës një kopje nga romani im i përkthyer në gjuhën angleze:’ The inn with two doors.’
E gjeta më në fund vendin ku prehet xhaxhai, tetori i mrekullueshëm Llambi Turtulli. Ku është Njeriu, i talentuari, gjeniu?! Veç një pllakë e thjeshtë dhe një poçe e vogël me hi nën të. Por është emri i mirë që ke lënë pas dhe Amaneti i të tjerëve, i babait, i të dashurve, Besa që i jep kuptim e bën me vlerë dhe e çon në pavdekësi.
Tashmë nuk jam më ai djaloshi i njomë që, im atë më la në dorë, fletën e fletores të zhubravitur me germat të shtrembra, të shkapërderdhura. Më la AMANETIN, që se tret kurrë dheu, në përpjekje të jashtëzakonshme të mposhte vdekjen dhe thënë të pathënën. Tashmë i kam kaluar të gjashtëdhjetave dhe flokët më janë zbardhur. Sa vite kanë rrjedhur qysh atëherë në lumin e jetës, sa vite!
Mu duk sikur… Jo, nuk mu duk, im ungj kishte pritur që dikush të vinte nga larg, ti thoshte një fjalë prej zemre, një amanet mëmëdheu të largët, ti sillte një tufë me lule të freskëta, blerë te shitësi plak, i verbër, në qoshkun e rrugës së madhe. Kur i dhashë shitësit plak lëkurë zeshkët 10 dollarë dhe mora tufën me lule të freskëta. I verbri ngriti sytë e zbrazët mbi kokën time dhe bubulloi:
– Hej mik, kjo buqetë me lule është më e veçanta që shes në jetën time.
Vështrova i shtangur lëkurën e zeshkët të tendosur dhe bebet e syve të zbrazëta që i lëvrinin me vrull, si të gërmonte diku dhe të zbulonte atë që dinë dhe e kuptojnë vetëm të verbrit. Ç ‘donte të thoshte burri plak, ezmer me ato fjalë? Mos ishte furçë lustre e zakonshme e shitësve ambulantë të vegjël, paçka e janë të verbër, për të zhvatur ndonjë bakshish? Por ai ishte larguar disa hapa nga makina! Ndoshta shitësi i verbër i luleve, lëkurë zeshkët, shihte diçka ndryshe që shohim ne dhe ta ketë kuptuar misionin tim?!
-Paç mbarësi, miku im, ke bekimin e Zotit!- dëgjova që më tha shitësi plak i verbër dhe u ul duke u lëkundur në stolin e drunjtë, mes buqetave me lule.
E falënderova.
Të gjitha këto ndoshta i dëgjoi xhaxhai im. Fryu një fllad i lehtë, fëshfëritën degët e gjethet e pemës që gjendej aty pranë dhe, përnjëherësh mu bë sikur dëgjova zërin e tij të bukur… këndonte me shpirt, siç dinë të këndojnë vetëm shpirtrat që kanë bërë vend në hapësirën e pamat qiellore.
U përkula në gjunjë përpara pllakës së varrit të xhaxhait, pranë tij ishte pllaka me emrin e së shoqes aktores së famshme Fern. J. Turtulli. Vendosa tufën me lule me dy pllakave dhe fola shqip, me zë të ulët:
‘Xhaxha Llambi Turtulli: Amanetin e kreva. Besa është e shenjtë. Qetësohu, prehu dhe le të prehen, të qetësohen Zërat: Le të zbardhen e të prehen të qeta të pathënat. Këtu me mua është babai, gjyshi, gjyshja, Korça, Shqipëria që shpejt a vonë do të ri zgjohet, do të respektojë, do të vërë në vendin që të takon, mes të mirëve. Dhe, të gjithë të dashurit e tjerë që të kanë respektuar, nderuar, miqtë e mikut tënd të hershëm Neço Muko që shkruajnë për ty dhe të kujtojnë sot e kësaj dite…
KRISTAQ TURTULLI
2 shtator – 10 tetor 2017