KUR ISHIN PASHKËT, NE SHQIPTARËT E KONVERTUAR I HANIM VEZËT E PRAVOSLLAVËVE, POR JO EDHE TË SHQIPTARËVE KATOLIKË !

1
9995

Shkruan: Afrim Musliu

Fatëkeqësisht i dinim të gjitha adetet e pravosllavëve, por jo edhe të të parëve tanë, katolikëve.

Kurrë nuk do e harroj përjetë e mot kur diku vitin 1981-1982, fëmijët e lagjes sime rrethuan shtëpinë e familjes D., hedhnin gurë dhe bërtitnin fjalë të pahishme. Unë fshihesha dhe qajsha dhe asgjë nuk e kisha të qartë, sepse djalin e asajë familjeje, e kisha shok shumë të mirë, gjersa edhe nënat tona shoqëroheshin, sepse vinin nga i njejti qytet, Prizreni. Këtë ia bënin një familjeje shqiptare katolike, derisa “çika” Bozhën apo “çika” Simën i ndihmonin edhe drujtë me i palu në oborr kur i shkarkohej grumbulli para derës!

Kush na e imponoi këtë urrejtje ndaj vëllezërve tanë katolikë? Apo, më mirë të them, kush na e imponoi që ta urrejmë vëllaun tonë katolik, e ta duam e respektojmë shkaun?

Kur Turqia solli hoxhallarë qerkezë nga Rusia në trojet tona, parolla e atyre hoxhallarëve ishte: “Kur kalon katoliku, duhet të fshihemi pas trupit të sllavit që ta mbrojmë myslimanizmin”!

Në qoftë se e krahasojmë kohën atëherë dhe sot, jam mëse i bindur se jemi shumë më të vetëdisuar kombtarisht sot, sesa që ishim para 30 e më shumë viteve. Dhe, ky vetëdisim vetëm sa është në rritje e sipër. Bile, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të konverutar, prap iu kthyen rrënjëve dhe besimit të të parëve. Gjersa pjesa dërmuese e shqiptarëve, religjionin e trajtojnë vetëm si një gllazurë të hollë e të tejdukshme në stilin e jetës. Pra, si asgjë të rëndësishme në jetë!

Mirëpo, këtë duan ta shkatërrojnë armiqtë tanë shekullorë siç janë turqit dhe serbët, duke financuar ekstremizmin fetar në trojet tona. Shfrytëzuan pangopshmërinë e pushtetarëve bandita për të kthyer turqizimin e vendit si dhe të mbjellin vehabizmin. Të na degjenerojnë totalisht! Të na rikthejnë urrejtjen ndaj vëllezërve tanë katolikë si dhe ndaj gjithëçkafit që është civilizuese e perëndimore!
Na shajnë Shën Nënën Terezë dhe Kryeheroin kombëtar, Gjergj Kastriotin! Njejtë sikurse edhe hoxhallarët ruso-qerkezë thërrasin në urrejtje ndaj shqiptarëve katolikë!

Më duket sikurse historia vetëm tek ne shqiptarët përsëritet nga disa herë. Mirëpo, duhet ti themi JO përçarjes, JO urrejtjes dhe JO degjenerimit tonë kombëtarë! Ne jemi SHQIPTARË dhe ashtu edhe do mbesim!

Komentet janë mbyllur.