ATDHEU DUHET ME PUNË E JO ME FJALË

0
851

Nga PhD.C. Izet S. Miftari

Recension

Recension në përurimin e librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptaqre në Suedi”, në dy vëllime 7 dhe 8, Studime e Epër pranë varrezave të 117 martirëve – Vushtrri, më 20 korrik 2017

Të nderuar të pranishëm, më lejoni që në emër të kryetarit të komunës në Vushtrri Prof. Bajram Mulaku, i cili në pamundësi të jetë këtu, të them disa fjalë për librat të numrave 7 dhe 8, me titull “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi me kryetar Hysen Ibrahimi.

Nga sa e pashë nga historiku i shoqatës dhe përmbajtja e librit (dje i mora këta dy numra), numrat paraprak janë përuruar nëpër vende të ndryshme të trojeve shqiptare. Po ashtu, sa vërejta, kjo shoqatë ka mbajtur edhe pesë sesione shkencore me tema të ndryshme. Të dashur shqiptarë që jetoni në diasporë, kontributi, rëndësia dhe vlera që keni për Trojet Shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, është shumë i madh. Ju vazhdimisht keni qenë përkrahës të kauzës kombëtare gjatë viteve 90-ta të shekullit të kaluar, si dhe keni ndihmuar maksimalisht në forma të ndryshme luftën e UÇK-së në vitet 1998 – 1999. Pas çlirimit të Kosovës, ju keni vazhduar të përkrahni zhvillimin ekonomik të Kosovës. Diku lexova se brenda një viti, në Kosovë hynë rreth 1 miliardë e gjysmë Euro nga remitencat e mërgimtarëve shqiptarë. Kjo është pasuri shumë e madhe që e kemi. Jo gjithkush ka një thesar kaq të madh dhe të rëndësishëm.

Të nderuar të pranishëm, Institucionet Komunale të Vushtrrisë, vazhdimisht kanë përkrahur dhe përkrahin me aq mundësi buxhetore sa kanë, si krijuesit e ndryshëm të penës e artit ashtu edhe përurimin e librave të ndryshëm shkencor, letrar e publicistikë. Prandaj, pa hezitim, përkrahëm dhe mbështetëm përurimin e këtij libri që po e bëjmë sot.

Nga brendësia e përmbajtjes së këtyre librave, pashë se ishte paraqitur aktiviteti i shoqatës si në Trojet Shqiptare ashtu edhe në mërgatë, dhe që ishte shumë i madh, e për të cilën i përgëzojë dhe ju uroj që këtë aktivitet kombëtar të mos e ndalin për asnjë moment.
Atdheu duhet me punë e jo me fjalë. Shteti i Kosovës ka nevojë për veprime që e qojnë përpara dhe që e forcojnë në aspektin ekonomik, politik, kulturor e social.

Jemi mbledhur në një vend, ku po pushojnë të rënët e Kosovës për liri. Këtu janë varrosur mbi 100 martirë shqiptarë, të vrarë në mënyrë mizore nga pushtuesi shekullor serb para 18 vitesh. U vranë pa asnjë faj. U vranë vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. U vranë para syve të fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave, grave të tyre. Kjo me të drejtë quhet nata e tmerrit, Natë e Shën Bartolomeut. Fatkeqësisht, deri më sot, për këtë vrasje kolektive, makabër dhe të organizuar në mënyrë perfide, askush nuk është dënuar, ani pse një numër i kryesve të kësaj masakre dihen. Është e papranueshme dhe fyese për familjet e të vrarëve në këtë masakër, që tash e 18 vjet, vetëm një aktakuzë është ngritur për kriminelët që kryen këtë akt kriminal antinjerëzor, kur dihen shumë emra të tjerë të kriminelëve serbë që morën pjesën këtë katrahurë antishqiptare.

Para disa vitesh kam mbledhur shumë informata nga Bahrije Gërxhaliu (një nga përjetuesit dhe mbijetueset e kësaj masakre) dhe nga disa ish nxënës të mi biografitë e të vrarëve në këtë masakër. Nëse nuk gaboj, kam diku rreth 50 biografi, të përgatitur në formë të një certifikate. Po ashtu, kam mbledhur edhe disa informata se si ka ndodhur kjo masakër e përmasave gjenocidal, dhe besoj se në një të ardhme do t’i botoj. Duhet theksuar se kjo masakër është kryer gjatë natës, nga ora 20:30 deri në ora 22:30, me qëllim që mos të diktohet edhe nga aeroplanët e NATO-së. Martirët e parë kanë qenë Sherif e Skënder Sfarça.

Nga lista e analizuar e të ekzekutuarve, shohim se më së shumti ka nga fshati Studime. Kështu, sipas llogarisë që kam nxjerrë nga lista e të vrarëve, shihet se nga fshati Studime ishin vrarë 37 shqiptarë. Gjatë luftës 1998-1999, në komunën e Vushtrrisë u vranë mbi 700 shqiptarë, u plagosën qindra të tjerë, si dhe qindra milionë euro u shkaktuan dëme materiale. Për asnjërën nga këto, nuk e dimë të jetë dënuar ndonjë kriminel që ka qenë i përfshirë në vrasje, plagosje apo djegëje e plaçkitje të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të shqiptarëve. Prandaj, drejtësia, sidomos ajo ndërkombëtare, do të duhej të kishte prioritet zbardhjen e këtyre krimeve dhe dënimin e kryesve të tyre. E jo, siç po ndodh e kundërta. Më shumë po hetohet dhe po akuzohet viktima se sa agresori. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Megjithatë më mirë vonë se sa hiq.

Në fund, përgëzoj Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemnti XI Albani” në Suedi për botimin e numrave 7 dhe 8 të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, duke i uruar suksese të vazhdueshme dhe me arritje kulminante në kauzën kombëtare shqiptare.
Ju faleminderit.